Të ftuar:

Fitim Zekthi – Opinionist

Prec Zogaj – Analist

Artan Hoxha – Analist

Robert Rakipllari – Gazetar

Mustafa Nano – Gazetar

Në emisionin ‘Opinion’ u publikuan katër skenarët e mundshëm që mund të ndjekë opozita me qëllim rrëzimin e qeverisë, në kuadër të protestës së njoftuar ditët e fundit.

Katër skenarët hipotetikë janë parashtruar nga emisioni “Opinion” dhe kanë në thelb mënyrën se si mund të procedohet përmes protestës, bojkotit apo përballjes në zgjedhje për të mbërritur në ndryshimin e qeverisjes.

1-Protesta masive dhe bojkot deri në rrëzimin e qeverisë Rama dhe ndërtimin e një qeverie teknike.

2-Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe kolaps i sistemit

3-Qeveri e përbashkët me bazë të gjërë të të gjitha forcave politike

4-Përballje në zgjedhjet lokale e më pas në të përgjithshmet

Kryeredaktori i gazetës ‘Panorama’, Robert Rakipllari, të hënën, deklaroi se zgjedhjet për Kryesinë e Partisë Demokratike nuk ishin transparente dhe sekretarët e zgjedhur dukej se janë emëruar dhe jo votuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Rakipllari tha se kandidatët që u ishin vënë përballë Gazmend Bardhit apo Çlirim Gjatës ishin kandidatura sorrogato dhe që s’përfaqësonin një kandidim dinjitoz.

Pavarësisht kësaj panorame, Rakipllari u shpreh se ekzistojnë dy-tre tendeca të këtyre emrave të kryesisë së re të PD-së, duke nënvizuar mungesën e garës, emërimet e sekretarëve si dhe idenë për të përfaqësuar nga ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, dy shtylla të së djathtës tradicionale.

Rakipllari: Mendoj se janë dy-tre tendenca të këtyre emrave të kryesisë së Partisë Demokratike. Ekziston një problem, dy emrat Tomor Alizoti dhe Jorida Tabaku, që PD ka deklaruar se janë dy më të votuarit, se ne nuk kemi parë numërim votash. Duhet të themi të vërtetën se transparencë mbi votimin nuk ka pasur.

E dyta, sekretarët janë pothuajse të emëruar se garë nuk ka patur. Kandidatët që ishin përballë Gazmend Bardhit dhe Gjatës ishin kandidat sorrogato, duhet të themi të vërtetën. Ata ishin të emëruar.

E treta, fakti që ata dy persona që kanë dalë në krye të votimit, Alizoti dhe Tabaku, kanë nga një simbolikë përveç faktit se janë dy figurat më të njohura. Njëri është përfaqësues i të përndjekurve dhe tjetra e ish-pronarëve. Pra duket një tendecë që Basha kërkon t’a evidentojë dhe të shkojë drejt të djathtës tradicionale.

“Me protesta partiake nuk mund të rrëzohet qeveria”. Ka qenë ky përfundimi në të cilin kanë dalë të gjithë analistët e ftuar mbrëmjen e së hënës në Opinion.

Preç Zogaj, Fitim Zekthi, Muç Nano, Artan Hoxha dhe Robert Rakipllari kanë diskutuar mbi mundësitë që ka opozita për të rrëzuar qeverinë, në kuadër të protestave që ka parashikuar të ndërmarrë.

Në studion e emisionit “Opinion ” u parashtruan katër skenarë të mundshëm, që mund të ndiqen nga opozita, por të pestë analistët kanë pohuar se protestat partiake nuk mund ta rrëzojnë qverinë.

Por ndërsa hodhën argumentat e tyre për secilën hipotezë, analistët ranë dakord që protesta partiake nuk është mënyra që mund të rrëzojnë qeverinë aktuale.