#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Në pjesën e parë të emisionit “Opinion” në Tv Klan vjen me një intervistë ekskluzive, emri më i përfolur ditëve të fundit. Bëhet fjalë për strategun e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, Chris LaCivita. Ai është gjithashtu një personazh i njohur në Uashington për arsye të fushatës që zhvilloi për Presidentin Donald Trump. Por, cilat ishin vlerësimet e LaCivita për Berishën, Ramën dhe Donald Trump? Si e sheh ai Shqipërinë? Si mbërriti në Shqipëri dhe sa është paguar për programin e LaCivita? Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e “Opinion”.
Si e zbuloi PD-në Chris LaCivita? Përgjigjet sonte në “Opinion”
Strategu i fushatës elektorale të PD Chris LaCivita ka dhënë këtë të Hënë një intervistë ekskluzive për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”. Pyetja që na lind të gjithëve natyrshëm është si e zbuloi ai Shqipërinë dhe Partinë Demokratike.
Teksa u përgjigj për këtë, LaCivita dha këndvështrimin e tij për situatën politike këtu, krahasuar me atë në Shtetet e Bashkuara.
LaCivita: Nëpërmjet miqve të përbashkët. Kam disa miq në kongres dhe në senat me të cilët ndajmë një mik të përbashkët. Fatmirin. U takuam në SHBA, te Unioni Ndërkombëtar i Konservatorëve. Isha duke mbajtur një fjalim aty. Filluam të diskutojmë për situatën në Shqipëri dhe disa prej pikave të përbashkëta midis Shqipërisë këtë vit dhe Amerikës vitin e shkuar. Kështu që ishte e lehtë…
-Kishit ndonjë ide apo informacion për Shqipërinë përpara se të vinit këtu?
LaCivita: Po, para se të vija këtu doja të mësoja sa më shumë që të ishte e mundur. Shpenzova mjaft kohë duke lexuar për kulturën dhe historinë në mënyrë që të kuptoja edhe situatën aktuale politike.
-Folët për ngjashmëri midis të situatës politike në Amerikë dhe të situatës politike në Shqipëri. Cilat janë këto ngjashmëritë?
LaCivita: Ngjashmëria më e madhe është situata aktuale ekonomike. Çmimet janë rritur. Kostoja e jetesës është shumë e lartë. Gjërave bazike janë shumë të shtrenjta. Punët janë një çështje e rëndësishme. Qëndrueshmëria ekonomike është një çështje shumë e rëndësishme. Këto kanë qenë çështje të rëndësishme edhe në Amerikë. Kjo ishte arsyeja pse Trump-i fitoi. Edhe ai ka ndryshuar shumë prej këtyre gjërave që prej 100 ditëve të para në zyrë. Nga pikëpamja ekonomike këto janë shumë të rëndësishme dhe mendoj po ashtu se disa prej gjërave me të cilat u përball presidenti Trump ng a administrata e Biden-it janë shumë të ngjashme, mendoj, me ato që ka kaluar doktor Berisha. Pra, ka një sinergji të mirë dhe mënyrës se si funksionojnë këto gjërat.
Shifrat e kontratës me PD-në, Chris LaCivita flet në “Opinion”
Drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita zhvilloi një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Ai u pyet në lidhje me kontratën që ka me Partinë Demokratike. LaCivita u shpreh se shifrat do të bëhen publike sipas axhendës që është vendosur.
Sipas tij, pyetjet në lidhje me këtë çështje bëhen nga ana e kryeministrit Edi Rama, pasi nuk për çfarë të flasë në 12 vite qeverisje.
Blendi Fevziu: Kam një pyetje të ndjeshme, nëse mund ta quaj kështu. Sa ka kushtuar kontrata që keni nënshkruar me Partinë Demokratike, cilat janë termat financiar?
Chris LaCivita: Sa para nxjerr ti?
Blendi Fevziu: Asnjëherë nuk e them këtë gjë.
Chris LaCivita: Pikërisht. E di që ligjet e kontratave janë miratuar nga avokatët e mi, avokatet e partisë dhe këto shifra do të bëhen publike në një çast tjetër, pra ka një axhendë se kur do të publikohen. E kuptoj se disa njerëz duan të bëjnë pyetje të tilla, sidomos nga ana e Edi Ramës…
Blendi Fevziu: Ka qenë vetë Kryeministri që tha se keni ardhur për të fituar ca para e më pas do të ktheni në Shtetet e Bashkuara.
Chris LaCivita: Edi Rama e thotë këtë gjë sepse nuk mbron dot 12 vitet e fundit si Kryeministër që ka shkatërruar çdo gjë. Nuk ka asgjë për të folur përveç se dështimeve të tij.
Rama e quajti turist, LaCivita: 12 vite kryeministër dhe po më sulmon mua?!
Më 10 Shkurt, kryedemokrati Sali Berisha dha lajmin se Chris LaCivita, kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan në SHBA, do të ishte një nga drejtuesit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike në vend. Ardhja e këtij të fundit në Shqipëri, e për më tepër në një pozicion të tillë politik, ka shkaktuar jo pak reagime.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një “turist që do shpenzojë ca para në vendin tonë”. Pikërisht për këtë, LaCivita dha komentin e tij LaCivita në studion e “Opinion”.
“Edhe një herë. Edi Rama në këto zgjedhje do të flasë për gjithçka përveç se për 12 vitet e qeverisjes së tij. Ka qenë kryeministër për 12 vite dhe po më sulmon mua? Mua më duket për të qeshur. Nuk jam turist. Vij këtu për punë”, tha ai përballë gazetarit Blendi Fevziu.
U pyet më tej se pse kreu i qeverisë shqiptare gëzon këtë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar.
“Mendoj se diskutimi nuk është dhe nuk duhet të jetë për Evropën. Diskutimi duhet të jetë për votuesit shqiptarë dhe si ndihen ata për të ardhmen e tyre. Si mund të përballojnë mirat bazë në mënyrë që të rinjtë të mos mendohen për tu larguar nga Shqipëria ngaqë nuk gjejnë dot punë këtu. Këto janë çështjet me rëndësi. Këto janë çështjet për të cilat duhet të flasë Edi Rama. Përgjigja më e mirë ndaj kësaj dhe ajo që njerëzit duhet të kuptojnë është: a mund të besosh një burrë që i bëri gjërat kaq të papërballueshme gjatë këtyre 12 viteve që t’i rregullojë ato dhe të shkojë te 2030-a? Nuk e mendoj. Pse do vësh në pushtet dikë që i bëri gjërat kaq të vështira, për t’i zgjidhur problemet që i krijoj vetë?! Nuk ka kuptim!”, u përgjigj LaCivita.
Për raportin e Ramës me Presidentin Donald Trump, theksoi se “do shihet në vijim, pasi aktualisht nuk ka asgjë konkrete”.
Chris LaCivita: “Non grata” për Berishën, vendim i korruptuar. Gabim i administratës Biden
Drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan u pyet edhe në lidhje me “non gratën” e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pavarësisht se LaCivita thotë se nuk i diskuton këto çështje me administratën e Trump, thekson se “shpallja “non grata” ka qenë aq e korruptuar sa nuk ka fare legjitimitet”.
Sipas tij, ky vendim i Biden ishte një “gabim tjetër” i administratës së tij.
Por kur u pyet se pavarësisht se mendon se vendimi ka qenë i korruptuar pse administrata aktuale nuk merr një masë kundër saj, LaCivita tha se nuk flet në emër të qeverisë amerikane, por është këtu për të siguruar një fitore të PD-së.
Blendi Fevziu: Do ju pyes pyetjen e dytë të ndjeshme. A keni folur me administratën amerikane për praninë tuaj këtu?
Chris LaCivita: Jo. Nuk përfaqësoj Shtetet e Bashkuara. Jam një individ privat. Nuk punoj për qeverinë. Janë në dijeni. Kurrë nuk do të punoja kundër axhendës së Presidentit nëpër botë. Por nuk kam nevojë për lejen e ndokujt për të bërë atë që jam duke bërë. Jam këtu për një pikëpamje politike. Angazhimi im dhe aftësitë e mija që të sigurohemi që partia demokratike do të fitojë.
Blendi Fevziu: Ka një problem te kjo historia. Zoti Berisha, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë është shpallur person “non grata” nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken në 2021. Ju e njihni mjaft mirë Twitt-in që bëri ish-Sekretari i Shtetit dhe historinë. A mund të punoni me dikë i cili është shpallur si person “non grata” nga administrata e Shteteve të Bashkuara?
Chris LaCivita: Si fillim, është ish-administrata, Antony Blinken.
Blendi Fevziu: Ka qenë administrata e Shteteve të Bashkuara në atë kohë.
Chris LaCivita: Kanë qenë të korruptuar sa s’ka…
Blendi Fevziu: Kanë qenë të korruptuar?
Chris LaCivita: Kanë qenë aq të korruptuar sa qeveria e Edi Ramës. Në sytë e mi dhe në mendimin tim dhe këto nuk janë çështje që nuk i diskutoj në Shtetet e Bashkuara sepse nuk është ky rol im, por nga pikëpamja ime dhe një prej arsyeve që jam këtu është ngaqë ajo shpallja “non grata” ka qenë aq e korruptuar sa nuk ka fare legjitimitet, të paktën në sytë e mi.
Blendi Fevziu: Nëse mund t’ju pyes pak më shumë. Sali Berisha ka qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur ka qenë i vetmi President i cili ka bërë dy vizita në Shtëpinë e Bardhë më 1991 dhe 1995.
Chris LaCivita: Doktor Berisha. Po.
Blendi Fevziu: Po, si Kryeministër. Ka pasur takime shumë të mira te Shtëpia e Bardhë me Zv/Presidentin. Pse administrata e Shteteve të Bashkuara, administrata e Biden-it mori këtë vendim?
Chris LaCivita: Pse administrata e Biden-it fshehu faktin që Joe Biden-it ishte mendërisht me probleme për 4 vite dhe e kishte të pamundur që të ishte president? Pse administrata e Biden-it vendosi që burrat mund të bëjnë fëmijë? Pse administrata e Biden-it vendosi… Mund të vijoj e të radhis gjëra për ditë të tëra. Administrata e Biden-it bëri kaq shumë gabime në kaq shumë nivele të ndryshme. Ky ishte thjesht një gabim tjetër.
Blendi Fevziu: Sipas jush ky është një vendim i korruptuar, i bërë nga një administratë e korruptuar, pse administrata aktuale nuk merr një masë kundër saj?
Chris LaCivita: Nuk flas në emrin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nuk mund të flas në emër të Departamentit të Shtetit, jam këtu për t’u siguruar që konservatorët dhe Partia Demokratike do të kenë mundësinë të sfidojnë 12 vitet e dështimit të Edi Ramës dhe këto gjëra do të zgjidhen me kalimin e kohës.
“Hendek” i madh mes PS e PD? Çudit LaCivita: Sondazhet janë të pavërteta!
Chris LaCivita është mëse i bindur për mbështetjen absolute ndaj kryetarit të PD-së Sali Berisha drejt zgjedhjeve parlamentare. Sonte në studion e “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu e vuri përballë sondazheve të publikuara në media, ku shihet një diferencë e madhe mes dy forcave më të mëdha në vend. Sondazhet, LaCivita i quajti të pavërteta duke shtuar se në 35 vite përvojë politike, nuk beson tek të dhënat që paraqiten në media.
“Sigurisht që jo. Jo nuk besoj. Ka pasur kam shumë sondazhe që tregonin që Donald Trump-i nuk do të fitonte. E kam jetuar, e kam parë, e kam përjetuar. Të gjitha sondazhet tregonin që Donald Trump do të humbiste me 8-10%. Të vetmet sondazhe që ne besojmë janë ato për të cilat ne paguajmë. Sigurisht që nuk mbështetemi te media…Nga ana tjetër ama, në 3 zgjedhjet e fundit Rama merr të njëjtën numër votash, diku te 800 mijë, 820 mijë ose 800 mijë vota.
Realiteti i zgjedhjeve të kaluara… Mënyra është shumë e thjeshtë. Është shumë e thjeshtë. Ka të bëjë me përcaktimin e këtyre 12 viteve të fundit. Ka të bëjë me përcaktimin e dështimeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Jo vetëm te korrupsioni, por edhe te mënyra se ku e ka çuar ekonominë, e cila është shumë e paqëndrueshme. Njerëzit nuk ndihen shumë mirë për të ardhmen e tyre dhe ka të bëjë jo vetëm me të folurit se çfarë është, por po ashtu me të ofruarin e mundësisë për t’i rregulluar gjërat. Doktor Berisha ka në plan t’i bëjë të dyja”, tha ai.
Pavarësisht se Partia Socialiste ia ka dalë të triumfojë në 3 mandate rresht, LaCivita ka besim se 4 vjeçari i ardhshëm u takon demokratëve.
Drejton fushatën e PD-së, Chris LaCivita zbulon në “Opinion” rolin e tij
Chris LaCivita, bashkarkitekti i fitores së Donald Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar në Amerikë, do të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike për garën e 11 Majit.
Këtë të hënë ai zhvilloi një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. LaCivita tregoi se cili është roli i tij në këtë fushatë.
Blendi Fevziu: Cili do të jetë roli juaj në këtë fushatën zgjedhore gjatë këtyre 30 ditëve?
Chris LaCivita: Këshilloj kandidatët. Flas me doktor Berishën. Diskutojmë për strategjinë, diskutojmë për mesazhin dhe rëndësinë e mesazhit dhe rëndësinë e të qenit aktiv në terren e të folurit me votuesit në mënyrë që të sigurohesh që njerëzit do të votojnë. Në Shtetet e Bashkuara, Edi Rama dilte dhe i thoshte njerëzve që mos të votonin. E bën diçka të tillë sepse nuk e përballon dot votën e qytetarëve. Po përpiqemi që t’i inkurajojmë njerëzit që të shkojnë të votojnë sepse ndjejmë që kjo do të ndihmojë doktor Berishën.
Blendi Fevziu: Stafi juaj është këtu? Do të qëndroj këtu gjatë fushatës zgjedhore?
Chris LaCivita: Do të vij e do të iki…
Blendi Fevziu: Jo ju, por stafi juaj…
Chris LaCivita: Unë do të vij e do të iki e do të vij sërish. Është një vend shumë i bukur, më duhet ta them…
Blendi Fevziu: Sidomos kur ka ditë me diell…
Chris LaCivita: Është shumë e vërtetë…
Blendi Fevziu: Por ju nuk keni vizituar asgjë nga Shqipëria përveç Tiranës…
Chris LaCivita: Saktë. Mezi po pres që të dal.
Blendi Fevziu: Duhet të jeni një turist i vërtetë siç tha Kryeministri… Por ndoshta pas zgjedhjeve…
Chris LaCivita: Do të jem një turist i vërtetë pasi të fitojë doktor Berisha.
Fevziu i përmend bufin, LaCivita tregon ç’do bënte nëse do të përballej me Ramën
Gjatë intervistës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Chris LaCivita u pyet në lidhje me bufin, që kryeministri Edi Rama e ka bërë “personazh” në këto zgjedhje.
Drejtuesi i fushatës së PD-së, i sheh këto veprime të kreut të qeverisë si lëvizje të tij pasi nuk do të përballet me dështimin e qeverisjes.
LaCivita thotë se nëse do të përballej me Ramën do t’i thoshte që Shqipëria është shtet i bukur dhe do e përshëndeste. Pavarësisht garës politike ai tha se ka respekt për krerët e shteteve.
Blendi Fevziu: E di shumë mirë historinë e bufin të cilën e ka postuar shumë herë Rama.
Chris LaCivita: Po, e njoh.
Blendi Fevziu: Çfarë mendoni për të?
Chris LaCivita: Edhe një herë. Ju e patë videon time.
Blendi Fevziu: Po, e pashë.
Chris LaCivita: Ishte për të qeshur se më pëlqen të argëtohem. Edhe një herë. Ai nuk bën debate, nuk flet te shtypi, nuk merret me diskutime…
Blendi Fevziu: Sepse mendon që është përpara. Është strategjia e tij. As Trump-i nuk e pranoi debatin e tret…
Chris LaCivita: E vërtetë, nuk pranoi as shumë debate të tjera, por kësaj radhe… si fillim, gara është shumë më e ngushtë nga çfarë mendon Edi Rama e çfarë tregojnë sondazhet.
Blendi Fevziu: Mendoni që është shumë më e afërt?
Chris LaCivita: Jemi në një pozicion shumë, shumë të mirë. Edhe një herë, fakti është që ai nuk do të konfrontohet me votuesit, nuk do të përballet me 12 vitet e tij të fundit dhe sa shumë janë shtrenjtuar gjërat. Sigurisht që do të fshihet.
Blendi Fevziu: Nëse do të përballeshit me Edi Ramën, çfarë do të thonit?
Chris LaCivita: Gjëja e parë që do t’i thosha është që Shqipëria është një shtet shumë i bukur dhe do e përshëndesja. Është politik, por kam respekt për krerët e shteteve, edhe ju duhet të keni. Kaq mendoj.
“Kur ai zemërohet…”, LaCivita flet edhe si bashkëpunëtor i Trump
Në intervistën e sotme në “Opinion”, strategu i fushatës së demokratëve Chris LaCivita foli edhe për marrëdhënien e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Ai tregoi se në 3 vitet e fundit ka qëndruar krah tij si bashkëmenaxher i fushatës, duke theksuar se Trump është i njëjti person edhe jashtë kamerave.
“Gjatë fushatës gjatë këtyre 3 viteve të fundit kam qenë bashkëmenaxheri i fushatës, ka qenë Susie Wiles dhe unë. Çdo ditë fluturonim në të njëjtin avion me Presidentin. Ka një sens humori shumë të mirë. Është shumë i motivuar dhe i vendosur. Gjithmonë çuditesha nga energjia e tij e pastër që gjithmonë ka pasur Presidenti. Në fund të një dite 18 orëshe ajo që unë doja të bëja ishte të shkoja te avioni e të flija, të dremisja, ndërkohë ai bënte telefonata e fliste me njerëz. Është shumë energjik! Është jashtëzakonisht shumë energjik. Është i pareshtur. Po ashtu, Presidenti Trump është në nxitim. Është shumë në nxitim që t’i bëjë gjërat…”, tha LaCivita.
Gazetari Blendi Fevziu citoi aludimet më të shpeshta që kanë qarkulluar sa i takon njerëzve që punojnë për Trump. LaCivita i rrëzoi këto të fundit, duke u shprehur se Trump konsultohet me ekipin e tij dhe madje i organizon.
“E bënte punën tonë më të lehtë ngaqë e vendoste vetë tonin dhe agjendën dhe si do të bëheshin gjërat dhe puna jonë ishte të ofronim një strukturë pas tij që të siguroheshim që do ta mbështesnim në gjërat që donte të bënte dhe gjërat që donte të thoshte dhe asnjëherë të mos dilnim përpara shefit. Kur Presidenti Trump zemërohet ose dëshiron të transmetojë diçka, është 100% i sinqertë dhe njerëzit e shikojnë atë gjë. Dhe ai nuk e fsheh… I lë të gjithë ta kuptojnë. Megjithatë ka një kapacitet shumë të madh për të falur. Një kapacitet shumë të madh. Ka mirëpritur njerëz që i janë kthyer pasi ata e kanë kundërshtuar atë. E kupton këtë gjë”, përfundoi LaCivita.
11 herë në zgjedhje! Dashamir Shehi për “Opinion”: Kam më shumë humor se këta, por…
Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) Dashamir Shehi ishte i ftuar sonte në studion e “Opinion” për të folur për situatën politike. Kjo e fundit, në “optikën” e dikujt që ka një eksperiencë të tillë padyshim shihet krahasuar edhe me politikën e dikurshme.
“Ka ndryshuar edhe morali i fushatës. Në atë kohë ishin të gjithë të barabartë, djemtë e shkolluar. Sot s’ka nevojë të jesh i shkolluar, sot janë djemtë e pasur! Nuk është pak kjo?! Kjo luan rol, jo pozitiv për mua!”, tha Shehi teksa u kthye pas në fushatën e para 34 viteve.
Drejt 11 Majit, Shehi kandidon si bashkëkryetar i koalicionit opozitar “Djathtas 1912”. Megjithatë, nuk ka një këndvështrim pozitiv për mënyrën si votohet në vend.
“Them se ka mbetur akoma një trupë elektorale që gjykon edhe personazhin, edhe voton. Është kthyer më shumë në komunikim se sa në substancë. Hy në një sallë ku gjen tifozë, ndërkohë në atë kohë gjeje qytetarë të zonës të cilëve duhet t’u përgjigjeshe”, argumentoi Shehi.
Po pse Shehi nuk pranoi ftesën e PD-së për “bashkim forcash”.
“Kjo punë ka përfunduar për 1 mijë motive, por për ato politike. Ne nuk jemi dakord me këtë lidership. Aty është e drejta e tyre të zgjedhin kë të duan, por e drejta jonë të marrim rrugën si të duam ne. I kam pas thënë (referuar Sali Berishës) që nuk vazhdon ky teatër absurd. Nuk është ndonjë shpresë e madhe. Nuk mjafton më për të mundur Edi Ramën, sepse ka një trupë qytetarësh që nuk e do Ramën, por nuk e voton më Berishën!”
Pasimet virtuale mes kryeministrit Edi Rama dhe kreu të Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha i quajti taktika për të rrëmbyer klikime.
“Kjo është për të marrë klikime. Dil nudo e do të të klikojnë të gjithë. Unë them të ndërtojmë politikë. Unë kam më shumë batutë e humor se këto, por kur flet me qytetarin sidomos për zgjedhjet, nuk mund ta kthesh në tallava. Merr përgjegjësi, flet me seriozitet.”
Për partitë e reja tha se kanë shanse në këto zgjedhje dhe madje ua uroi që të marrin sa më shumë karrige në Parlament.
Përse nuk pranoi t’i bashkohej koalicionit të Berishës? Shehi e thotë troç në “Opinion”
Partia LZHK me në krye Dashamir Shehin nuk pranoi ftesën e Partisë Demokratike për t’u bashkuar në koalicionin “Shqipëria Madhështore” për zgjedhjet e 11 Majit. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Dashamir Shehi iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me angazhimin e tij në sferën politike.
Shehi merr pjesë për herë të 11-të në zgjedhje që prej vitit 1991. Karriera e tij në polikë është e gjatë, por siç vetë ai përgjigjet mes batutash ka qenë i “mbijetuar në polikë, por jo në pushtet”.
E pavarësisht kësaj ai nuk e pa koalicionin “Shqipëria Madhështore” si një trampolinë apo mundësi për të arritur pushtetin. Në “Opinion” kreu i LZHK-së tregon se ka qenë pikërisht lidershipi i këtij koalicioni ai që nuk e ka bindur.
Pavarësisht se bashkimi në koalicion do i ofronte një listë të sigurt, Shehi shprehet se kjo nuk ia ul krenarinë, e as prestigjin.
Blendi Fevziu: Pse vendosët që të garonit në një koalicion më vete dhe nuk pranuat ftesën e Partisë Demokratike që të bëheshit pjesë e koalicionit opozitar? Ju keni qenë pjesë e Partisë Demokratike në 2 palë zgjedhjet e fundit, edhe më herët.
Dashamir Shehi: Ne jemi këta që e kemi themeluar partinë. Kjo punë ka përfunduar këtu për 1 mijë motive, por në radhë të parë për motive politike. Tek Partia Demokratike ne nuk jemi dakord për këtë lidership që është.
Blendi Fevziu: Me Berishën? Pse?
Dashamir Shehi: Për shumë motive!
Blendi Fevziu: Po atë e ka zgjedhur Partia Demokratike, nuk e keni ju në dorë!
Dashamir Shehi: Po pikërisht prandaj po them. Aty është e drejta e atyre që të zgjedhin atë që duan vetë, por është e drejta jonë që ta marrim rrugën si ta duam vetë dhe këtë nuk kuptojnë në Partia Demokratike. Thonë meqë ne e kemi zgjedhur vetë dhe jemi shumica ejani dhe ju këtu dhe bëni si ne.
Blendi Fevziu: Por, dhe nga ana pragmatiste ju do ishit në listë të sigurt me Partinë Demokratike, por në këtë rast keni mundësinë që edhe mund të mos zgjidheni.
Dashamir Shehi: Në këtë rast unë do vesh këpucët e vjetra, jo këto të sotmet dhe do të dal në fushatë siç kam dalë 30 vjet më përpara.
Blendi Fevziu: I ke akoma ato të vjetrat?
Dashamir Shehi: Po sigurisht. Mirëpo kjo nuk ma ul as krenarinë dhe as prestigjin.
/tvklan.al