#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Gerta Zaimi, Berat Buzhala, Redi Shehu, Ermal Kaleci. Në lidhje Skype: Gloria Shkurti Ozdemir, Abdylvehap Ejupi

“Pas lirimit nga burgu, Erdogan u strehua te një familje shqiptare në Tetovë”

Një detaj interesant për Presidentin turk Tayip Erdogan është se ai ka jetuar për një periudhë kohore në Tetovë të Maqedonisë.

Sonte në “Opinion” në Tv Klan, ish-konsulli i Shqipërisë në Stamboll Ermal Kaleci tha se Erdogan ka jetuar për disa muaj atje në vitin 1999. Mësohet se Erdogan u strehua te një familje shqiptare pas lirimit të tij nga burgu.

Kjo pasi në vitin 1998 ai u dënua për nxitje të urrejtjes fetare për shkak se recitoi një poezi që krahasonte xhamitë me kazermat dhe besimtarët me një ushtri. Në këtë ngjarje ai u dënua me 10 muaj burg ku kreu vetëm 4 prej tyre.

Blendi Fevziu: Ç’bënte në Tetovë Erdogani?

Redi Shehu: Nuk e di, po e dëgjoj për herë të parë po…

Ermal Kaleci: Ka pasur një mik shqiptar.

Blendi Fevziu: Jetoi disa muaj apo më gjatë?

Ermal Kaleci: Jetoi disa muaj.

Blendi Fevziu: U largua nga Turqia për t’u mbrojtur dhe gjeti strehim në Tetovë, tek një familje shqiptare.

Si u “kris” marrëdhënia Erdogan-Gylen, çfarë solli përplasjen e fortë mes tyre

Këtë të enjte në emisionin “Opinion” u diskutua mbi figurën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ish-konsulli i Shqipërisë në Stamboll, Ermal Kaleci, tregoi për marrëdhënien që Erdogan ka pasur me Fetullah Gylen.

Në fillim, Gyleni, i cili fitoi famë si predikues fetar, ka pasur marrëdhënie të mira me Erdoganin. Ai e ndihmoi që partia e tij, AKP, të vijë në pushtet. Megjithatë më vonë, mes tyre ka pasur një “krisje”. Kaleci u shpreh se kjo përplasje ka nisur në vitin 2011 dhe goditjen përfundimtare e ka pasur me grushtin e shtetit në vitin 2016.

Ermal Kaleci, ish-konsull i Shqipërisë në Stamboll: Teologu Fetullah Gylen ka pasur raporte të mira me të gjithë politikanët turq. Duke vazhduar nga Turgut Ozal, Sulejman Demirel. Ai është larguar pas vitit ’98. Është shpërngulur nga Turqia dhe është zhvendosur në Pensilvani të SHBA-së. Drejtonte një rrjet shkollash dhe kryesisht në arsim. Jo vetëm, siç themi Fetullah Gylen, por në Turqi ka edhe grupime të tjera fetare. Kanë fondacione dhe kanë influencë. Ai (Gyleni) ka pasur marrëdhënie me gjithë politikanët.

S’mund ta them që kanë pasur një raport të jashtëzakonshëm, por (Erdogan dhe Gylen) kanë qenë bashkë. Nuk ka pasur asnjë problem derisa, mos gaboj, në vitin 2011 filloi një marrëdhënie e tensionuar politike ku grupimi i Gylenit, sipas mediave turke, kërkoi përqindje në deputetë, në arsim, në gjyqësor, në polici. Aty fillon krisja. Në vitin 2011, ata ndahen në heshtje dhe merr një kërcënim Erdogan duke i thënë ‘ti do humbësh zgjedhjet, pa mua je askushi’. Në vitin 2011, Erdogani merr rezultatin 21 milionë vota. Ka një kërcim. Pastaj vjen në vitin 2013 ku filloi hetimi dhe nga policia për administratën Erdogan. Pastaj filloi me gjyqësorin në 2015 dhe përfundoi më së fundmi me grushtin e shtetit në vitin 2016.  

I denjë për një “sulltan”, pallati luksoz i Erdogan me mbi 1100 dhoma

Që nga viti 2014, Tayip Erdogan ushtron detyrën e Presidentit të Turqisë. Por, rruga e tij politike është shumë e gjatë dhe nuk dihet kur e ka fundin.

Sonte në “Opinion” po diskutohet mbi jetën dhe pushtetin e këtij lideri. Pallati Presidencial në Ankara është padyshim një ndër pikat ku duhet të ndalemi.

Me mbi 1100 dhoma  ku 1024 prej tyre janë zyra, Pallati Presidencial në Ankara është më i madh se vetë Shtëpia e Bardhë apo Kremlini. Brenda saj gjendet një librari e cila është qendër botërore për restaurimin e kaligrafisë osmane.

Po ashtu, Pallati Presidencial ka edhe një xhami, një qendër konferencash dhe një galeri arti me dhurata të mbledhura gjatë kohës që Erdogan ka ushtruar detyrën e Presidentit të Turqisë. Arkitektura e saj është e frymëzuar nga arkitektura osmane ndërsa spekulohet se ndërtimi ka kushtuar 330 deri në 615 milionë dollarë.

“Nuk më arrestuan”, Berat Buzhala flet për arsyen pse nuk shkon dot në Turqi

Gazetari i njohur, Berat Buzhala, u shpreh këtë të enjte në emisionin “Opinion” se Turqia i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që ta arrestojnë. Kjo ka ndodhur, siç tha gazetari, kur Turqia “ka filluar ta trajtojë Ballkanin si vilajet të Perandorisë Osmane”. Për këtë arsye, Buzhala tha se nuk ka qenë as në Turqi dhe as në shtetet afër saj.

Blendi Fevziu: Ti u ke bërë thirrje atëherë që qytetarët e Kosovës të bashkoheshin me puçistët?

Berat Buzhala: Kur ka filluar të trajtojë Ballkanin si vilajet të Perandorisë Osmane ka lëshuar urdhër, ka shkuar ambasadorja turke tek ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe i ka thënë arrestojeni Beratin. Fatmirësisht nuk më kanë arrestuar sepse ka pasur një ndikim të madh të shteteve mike, i kanë shkuar qeverisë së Kosovës…

Blendi Fevziu: Në Turqi ke shkuar ndonjëherë?

Berat Buzhala: Jo, as në shtetet që janë afër Turqisë.

Blendi Fevziu: Prandaj s’ke dëgjuar ti për Erdoganin se nuk e ke parë Stambollin në vitet e fundit?

Berat Buzhala: Kjo është propaganda e egër që bëhet e erdoganistëve që e lidhin fatin e Turqisë me Erdoganin. Unë nuk e përziej atë gjë.

Gjithçka për sigurinë e Erdogan! Mjete të blinduara, 15 truproja e miliona euro

Një pjesë e emisionit të sotëm të “Opinion” i dedikohet Presidentit turk Tayip Erdogan, jetës dhe pushtetit të tij.

Erdogan është njeriu që i ka dhënë rëndësi të veçantë sigurisë jashtë vendit. Ai raportohet të ketë 12 ose 15 truproja, në udhëtimet jashtë vendit përdor avionin qeveritar, makina që përdor është e blinduar e modelit “Mercedez Maybach S600”, mjeti është rezistent ndaj sulmeve me armë zjarri, por edhe atyre me armë kimike dhe ka një kosto rreth 1.6 milionë euro.

Mediat turke raportojnë se për 10 muajt e parë të vitit 2021, Turqia shpenzoi rreth 18.2 milionë dollarë për sigurinë  e Presidentit Erdogan, buxhet ky që e tejkalon atë të krimit kibernetik, policisë, narkotikës, kontrabandës apo krimit të organizuar.

Kujtojmë se në Nëntor të vitit të shkuar, Erdogan anuloi vizitën e tij në samitin e Glasgow pasi sipas tyre Britania e Madhe nuk mundi të përmbushë protokollet e kërkuara për sigurinë./tvklan.al