Të ftuar në Opinion përballë Erion Veliaj sonte janë Juli Xhokaxhi, Fatos Hakorja, Edlira Gjoni dhe Mentor Kikia.

Veliaj: Do të garoj për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli për fushatën elektorale të qarkut që ai drejton. Por ndër të tjera, drejtuesi politik i PS-së për Tiranën u pyet drejtpërdrejt nga gazetarët e pranishëm në studio nëse do të jetë ai trashëgimtar i Edi Ramës në krye të selisë rozë.

Veliaj nuk iu përgjigj kësaj pyetje, por tha se do të jetë në krah të Ramës pasi mendon fuqishëm që vendit i duhet një lider si ai. Ndër të tjera, Veliaj pohoi se do të kandidojë pas dy vitesh për mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Rama jo vetëm që nuk këputet në zgjedhje, por do të thyejë një rekord në këto zgjedhje. Unë jam në krah të Edi Ramës dhe në çdo orë të ditës jam një avokat i faktit që Shqipërisë i duhet një lider i fortë si Edi Rama.

Unë për dy vjet e dhënë zoti të kem bekimin e këtij qyteti, do garoj për mandatin e tretë si kryetar bashkie i Tiranës. Kjo është dashuria e jetës sime, ky është pasion i jetës sime. Ky është obsesioni me të cilën zgjohem në mëngjes, e di që duhet të çohem të bëj punë të vështirë. Ca njerëz mërziten, ca njerëz gëzohen, por duhet të marr vendime të drejta. Me Edi Ramën kam një kënaqësi të madhe të bashkëpunoj dhe sot duke qenë se e njoh prej 15 vitesh përditë, jam garant i faktit që ky është një njeri i fortë në një moment të vështirë për Shqipërinë, na duhet dikush që është zgjuar në 4 të mëngjesit dhe jo që fle gjumë. Na duhet dikush që mirë keq i merr vetë vendimet e veta dhe jo gjiri i Lalëzit. Ky është Edi Rama”, tha Veliaj.

Veliaj: Presidenti i Republikës lolo, pi në orar të punës

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk i kurseu sulmet ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e “Opinion”. Veliaj e quajti kreun e shtetit lolo dhe të alkoolizuar dhe tha se ka dalë nga roli i tij përbashkues duke u kthyer në përçarës.

Ju shqetëson gjë LSI në qarkun e Tiranës?

Fare.

Se shoh që jeni shumë të shqetësuar me LSI më shumë se me PD-në.

Jam shumë i shqetësuar për faktin që një njeri bëhet lolo kur është i pari i vendit dhe bllokon…

Kush bëhet lolo?

Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës bëhet lolo?

Është një lolo në Presidencë, sepse në momentin që ti shkon dhe bëhesh përmbarues.

Po ju takon ju ta thoni këtë për Presidentin e Republikës, zoti kryetar i Bashkisë?

Absolutisht, kur Presidenti i Republikës bllokon jetën e 1 milion banorëve te Astiri.

Dhe ka të drejtë kryetari i Bashkisë ta quajë lolo Presidentin e Republikës?

Patjetër. Kur Presidenti i Republikës pi që në orën 7 të mëngjesin, kur Presidenti del nga funksioni i vet përbashkues dhe kthehet përçarës, kur Presidenti i Republikës rrihet me grushta me zyrtarët.

Pse pija është e ndaluar?

Jo nuk është e ndaluar, thjeshtë nuk është dinjitoze. Edhe të qenit lolo nuk është krim, është thjeshtë pa dinjitet. Pra nuk thashë është kriminel. Thjeshtë të qenit lolo dhe i pirë, në orar të punës…

Është Presidenti që keni votuar ju

Patjetër, por njerëzit ndryshojnë. Po ti nuk ke garanci që njerëzit nuk çmenden.

Veliaj tregon prapaskenat për vendosjen e listës së Tiranës: Xhafaj dhe Kodheli nuk janë përzënë

Erion Veliaj, ka qenë personi i cili ka ideuar 99% të listës së Tiranës të kandidatëve për deputetë. Në cilësinë e drejtuesit politik të këtij qarku, kreu i Bashkisë së Tiranës, tregoi se çfarë i ka thënë Rama atij dhe drejtuesve të tjerë politikë sa i përket listave.

“I tha jo vetëm Tiranës, i tha të 12 qarqeve që keni besim maksimal, jeni mjaftueshëm të pjekur si skuadër dhe secila duhet të bëjë skuadrën e vet lokale si pjesë e skuadrës kombëtare. Në fund që kemi diskutuar. Më shumë kanë thënë jo se po”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se emrat e Luljeta Bozos dhe Najada Çomos janë diskutuar së bashku me kryeministrin Edi Rama për t’iu vënë në krye të listës. Por surprizë në listën e kryeqytetit ishin tre emra, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj dhe Mimi Kodheli.

Për Majkon, Veliaj tha se, “Secili që ka qenë drejtues historik i PS, përfshirë dhe vetë Edi Ramën, Gramoz Ruçin, Taulant Ballën, Niko Peleshin, Damian Gjiknurin, janë të gjithë në kufi të listës. Njeriu më i njohur në Tiranë që ka qenë dy herë kryeministër, disa herë ministër, tamam me titullin senator është Pandeli Majko dhe ishte gëzim për mua kur Pandi kapi strategjinë, por ishte nga ata që vrapoi më shpejt që ne të sigurohemi që të dalim me ato 19 mandate, por ndoshta të marrim ndonjë surprizë”.

Ndërkohë për Xhafajn dhe Kodhelin që janë më poshtë në listën e Tiranës, Veliaj u shpreh se po bëjnë një fushatë të mirë.

“Xhafaj dhe Kodheli, janë të dytët që ndoshta s’kanë qenë kryeministra, por hyjnë në radhët e socialistëve si njerëz që kanë një logo të emrit të tyre përtej dhe logos së PS-së. Kur bëhet një fushatë korrjesh, ka autokombajnë që është trëndafili me grusht që është logoja jonë, por ka edhe drapër të atyre njerëzve që përtej logos së partisë kanë reputacionin e tyre. Është një mënyrë për t’u thënë që të gjitha kontributet që keni dhënë, të gjithë respektin që keni gjeneruar, është koha që ta bashkoni me të PS-së”, tha Veliaj.

Veliaj mohoi që Xhafaj dhe Kodheli të jenë përzënë nga PS-ja për shkak se janë vendosur në mesin e listës së Tiranës.

“Po të ishte për të përzënë nuk do ishin fare në listë. Unë besoj se këta të dy kanë një shans më të madh se disa të tjerë për të thyer listën. Unë besoj që kanë shans për të hyrë në parlament. Po bëjnë një fushatë shumë të mirë. Nuk është fare sekret, janë të dy miq të dashur të mitë”, tha Veliaj.

Veliaj tregoi edhe strategjinë që është ndjekur për këtë listë. Ai u shpreh se në krye të listës qëndrojnë personalitete që kanë të bëjnë me luftën ku është përqendruar vendi tani, pandemia dhe rindërtimi. Ndërkohë mesi i listës sipas tij është plotësuar me emra që kanë pjekuri politike.

Veliaj: Qentë sterilizohen që të mos sulmojnë fëmijët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka sqaruar në emisionin Opinion në lidhje me praktikat që Bashkia e Tiranë ndjek për qentë endacakë. Veliaj bëri me dije që punonjësit e bashkisë pasi konstatojnë qentë endacakë, i marrin i vaksinojnë, i sterilizojnë dhe më pas i lënë sërish të lirë.

“Ka një ligj për veterinarinë në momentin që një kafshë është agresive sillesh si me një njeri që është agresiv. Edhe me vendim gjykata që praktikat e Bashkisë së Tiranës janë në zbatim të ligjit. Ligji thotë këtë që kafshët izolohen për t’u vaksinuar dhe pastrohen, sterilizohen që mos riprodhohen. Vetëm vaksina për një qen në Bashkinë e Tiranës kushton 50 euro, aq është çmimi, i gjithë kiti është 50 euro. Jemi e vetmja bashki në Ballkan që ka këtë trajtim, kemi një protokoll, është certifikuar nga organizata evropiane për mbrojtjen e kafshëve, ne trajnohemi me organizatën britanike për mbrojtjen e kafshëve. Jo nuk kemi vrarë qen, bashkia e zbaton këtë vetëm me kafshët e sëmura në mënyrë terminale. Ligji i veterinarisë thotë: Nëse një kafshë është me një sëmundje terminale apo leshmanjozë që pastaj me kafshim jep sëmundjen e tërbimit, kjo kafshë eutanazohet, si në shumë vende të botës eutanazohen njerëzit që janë me sëmundje terminale”, tha Veliaj.

Grusht shteti? Veliaj: Ka mesazhe të tjera që tregojnë lidhjen e kontrollorëve me politikën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, hodhi akuza të forta nga Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke thënë se ai ka qenë personi që ka kultivuar atë që qeveria e quan grusht shteti. Gjatë emisionit Opinion, Veliaj tha se pas bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit ka prova që qëndron kreu i shtetit.

Madje sipas tij, ishte organizuar që kjo lëvizje nga kontrollorët e trafikut ajror të kishte efekt domino. Kjo sipas Veliajt do të realizohej nga një organizatë të përndjekurish fiktive që ka kërkuar në Bashkinë e Tiranës, të hyjë në grevë urie.

Juli Xhokaxhi: Ju kam dëgjuar edhe sot, kam dëgjuar edhe kryeministrin dhe ministren Balluku, grusht shtetit, fajin e ka Saliu, fajin e ka Ilir Meta duket, është krijuar një lloj mendimi tek opinioni gati në urrejtje për këta kontrollorë. Nuk shkon kjo gjë, se duket sikur hedh një pjesë të qytetarëve kundër të tjerëve. Se ju brenda politikës bëni çfarë të doni? Brenda qytetarëve pastaj nuk shkon kjo gjë. Duhet me patjetër të përdorni në këto përmasa? Duhet ta ekzagjeroni deri në këto përmasa.

Erion Veliaj: Opinioni im është që Po këtu kishte një besëprerje nga një komunitet shumë i vogël që ka një rëndësi shumë të madhe. Varet jo pak lufta me pandeminë, sepse nga aeroporti a vijnë vaksinat. Varet jo pak një sërë procesesh me shëndetin, të atyre që kishin skeduluar një operacion, varet një pjesë e atyre që donin të shkonin në një takim me mjekun, atyre që po prisnin të përcillnin për në Sharrë dhe Tufinë të afërmit e tyre. Mua kjo nuk më duket shaka, sidomos kur ligji e thotë mirë, nëse nuk bie dakord në negociatë, ti shkon në gjykatë. Nëse ti në televizionin ku punon do ta zgjidhje mosmarrëveshjen duke u shtrirë në tavolinën e lajmeve dhe do thoshe nuk largohem nga këtu, do shkelje ligjin dhe besimin që përdor valët e hapësirë publike për të zgjidhur një mosmarrëveshje personale duke cënuar atë që është pronë publike.

Juli Xhokaxhi: Pse është grusht shteti i iniciuar nga Presidenti i Republikës dhe ish-Presidenti i Republikës? Këtë mund ta sqarojmë dhe në rast se keni fakte dhe prova pse nuk i arrestoni se të bësh një grusht shteti duhet të shkosh në burg?

Erion Veliaj: Është një proces. Do shikohet që kush ka qenë që e ka frymëzuar. Mua më rezulton që ka dhe WhatsApp-e të tjera, ka edhe mesazhe të tjera që provojnë lidhje me faktorë të politikës.

Juli Xhokaxhi: Po na i thoni pra?

Erion Veliaj: Le t’i lemë kohë prokurorisë t’i zbardhë të gjitha. Sepse më rezulton që lidhja me Presidentin e Republikës, e para e punës u bë publike, ishte njeri që e ka kultivuar. Sot u vazhdua me tentativa të tjera që dështuan. Ishin krijuar organizata fiktive të përndjekurish që sot do të futeshin në grevë urie. Ja po ta them një lajm sot. Sot edhe një kërkesë në Bashki të Tiranës dhe në polici të një organizate të pëndjekurish që nuk kisha dëgjuar kurrë që do të futemi në grevë urie.

Blendi Fevziu: Për çfarë arsye?

Erion Veliaj: Për këstet e të përndjekurve që unë i pagova të shtata. Saliu i dha një meqë ra fjala, ne si socialistë dhamë 7 këste. Thjesht po të them që ka mjaftueshëm indicie. E gjithë koincidenca është që këtu është përgatitur një efekt domino i disa ndërhyrjeve parazgjedhore të cilat kishin vite që mund të ishin shprehur ose edhe pas dy javësh. Për faktin që po dëgjojmë për këto dy raste, jam i bindur që do të ketë të tjera, provon që kjo ka një prapaskenë politike. Dhe po ju them, diçka di pa e them, që provohet në më shumë se një mënyrë që Presidenti i Republikës jo vetëm që e ka kultivuar, që anëtarë të LSI-së jo vetëm që janë  pjesë e koordinimit. Është negociuar dhe mënyra kur do të dilnin  në media për të pasur një efekt sa më të madh në publik. Fatmirësisht kjo dështoi. Fatkeqësisht ata fatkeqë se unë besoj janë masha të politikës, janë para drejtësisë, Ilir Meta me Sali Berishën sot janë zhdukur. Shpresoj që t’ia dalin mbanë në përballje ligjore, por në përballje morale ata sot janë besëprerë, na kanë prerë në besë të gjithë. /tvklan.al