#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Skënder Hita, Lutfie Muka, Lenida Halilaj, Elisabeta Imeraj, Spartak Koka, Merin Maçi, Suela Koçibellinj
Një ngjarje tronditëse ka ngritur një sërë pikëpyetjesh që është shumë e vështirë t’i japësh përgjigje, vetëm nga ana policore, vetëm nga ana e gazetarisë investigative, vetëm nga ana e investigimit apo dhe ajo e analizës psikologjike të ngjarjes. Në 13 Shkurt 2024, një familje denoncoi humbjen e kryefamiljarit, bashkëshortit dhe babait. Bëhet fjalë për Pëllumb Metën, i cili u deklarua i zhdukur. Policia e Shtetit nisi hetimin. Në fakt, aq sa do ta shohim ne nga hetimi, duket që detajet janë shumë të thjeshta në kuptimin e parë që nuk ishte thjesht një zhdukje por diçka më e komplikuar. Pas një pune 10-ditore, policia arriti të zbardhë të gjithë rastin e vrasjes. Bëhet fjalë për një baba i cili është vrarë nga fëmijët e tij, pretendohet që vrasësi është djali. Në fillim ishte vajza që e mori përsipër vrasjen, më pas ishte djali që deklaroi që ishte ai vrasës, u rikthye prapë sot gjatë seancës gjyqësore vajza për të marrë përgjegjësinë për vrasjen. Përtej kësaj, një pikëpyetje e madhe është se çfarë ka ndodhur realisht. Në cilat rrethana ka ndodhur vrasja? Bëhet fjalë për një familje ku babai ka qenë tejet autoritar dhe babai ka ushtruar dhunë apo është një histori më e komplikuar? Ajo që bën përshtypje deri tani është fakti që vrasja është kryer në gjakftohtësi të plotë dhe është një vrasje e planifikuar.
Drejtori i Policisë Durrës: Hysen Meta sa ishte kthyer nga Italia, planifikoi vrasjen e babait me Hygertën
Hysen Meta, denoncoi zhdukjen e të atit të tij Pëllumb Meta në orët e vona të 13 Shkurtit. Ai deklaroi para bluve në Durrës se “babai ishte zhdukur”. Drejtori i Policisë në këtë qytet Skënder Hita, tha sonte në “Opinion” në Tv Klan se 24 vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia dhe se planin për ekzekutimin e kryefamiljarit e kishte bërë bashkë me të motrën 19 vjeçare, Hygertën.
Sipas Hitës, familjarët e të ndjerit paraqitën edhe disa receta mjekësore në komisariat, me pretendimin se ai kishte probleme të shëndetit mendor. Por që më pas rezultoi e pavërtetë. Po ashtu, fakti që 50 vjeçari nuk kishte humbur asnjëherë më parë kontaktet dhe ishte i përkushtuar ndaj punës e familjes, e bëri Policinë të dyshojë se kishin të bënin me një krim të rëndë.
Skënder Hita: Për të denoncuar këtë rast ka ardhur dhe është paraqitur Hysen Meta, djali i madh i viktimës tashmë.
-Që jetonte si emigrant në Itali?
Skënder Hita: Shkonte dhe vinte herë pas herë, kishte qenë dhe në Angli. Pra, bënte një jetë mes emigrimit dhe Shqipërisë. Ai kishte disa ditë para ngjarjes që ishte kthyer. Në familjen e tyre bashkë me motrën kanë planifikuar vrasjen e babait të tyre.
-Sa kohë përpara, ka të dhëna?
Skënder Hita: Që në momentin që ka ardhur në Shqipëri, kanë filluar diskutimet vëlla e motër për të realizuar këtë krim monstruoz. Në këto kushte pas kallëzimit të bërë, në datë 13 në orët e vona të darkës ai vjen e thotë “babai është zhdukur”. Është bërë procedura normale e rastit. Pas kësaj janë intervistuar familjarët, kolegët, ditën tjetër dhe më datë 17 u gjet mjeti i braktisur në zonën pranë Sektor Rinia. Fakti që u gjet mjeti patjetër do shihej dhe rrugë kalimi, u zbulua dhe një makinë tjetër që e ndiqte. Këto ishin indiciet që na dhanë të kuptonim që s’kemi të bëjmë me një zhdukje, por duhej hetuar dhe duhej çuar para për të mësuar të vërtetën. I bëmë një profil analitik viktimës, nxorrëm të dhëna, ai nuk kishte humbur ndonjëherë kontaktet, jetën e kishte të lidhur te puna e te familja, i kishte afër, në këto rrethana ai s’mund të largohej dhe të linte makinën në një vend të pazakontë. Familja e tij na thanë se ka marrë dhe mjekim për të sëmurë mendor, ku na paraqitën disa dokumenta shëndetësorë dhe receta që i kishin bërë vite më parë, por nuk na rezultonte e vërtetë.
Vrasja e Pëllumb Metës: Familjarët e denoncuan të zhdukur, por “harruan” ta telefonojnë!
3 fëmijë morën pjesë në vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta. Por jo vetëm kaq. Ata u përpoqën ta fshihnin krimin monstruoz. Groposja e trupit të 50 vjeçarit te kasollja e bagëtive, lëvizja e makinës së tij në një vend larg banesës dhe më pas denoncimi në polici, ishin e gjitha pjesë e skenarit. Por siç duket harruan disa detaje që do i nxirrnin zbuluar.
Asnjë telefonatë nga familjarët edhe pse ata e deklaruan të zhdukur! Është ky një detaj që i bëri hetuesit të dyshojnë. Kështu ka deklaruar sonte në “Opinion” drejtori i Policisë së Durrësit Skënder Hita.
-A është e vërtetë që s’kishin bërë asnjë telefonatë pas zhdukjes së babait?
Skënder Hita: Familjarët nuk e kishin telefonuar numrin e të atit, kjo na bëri të dyshonim dhe më shumë, që patjetër kishim të bënim me ngjarje kriminale. Momentet e para ishin në vijueshmëri të deklaratës. Makina tjetër është e një komshiu aty afër, edhe ai është pyetur për rastin. Në të gjithë rrethanat, kolegët, ambientet që frekuentonte, nuk na rezultonte se kishim të bënim me një largim të beftë. Pas intervistimit të familjarëve, tek të cilët u vajt disa ditë me radhë, në një moment të caktuar Hygerta merr përsipër krimin dhe thotë se e kam bërë e vetme, e kam kryer vrasjen te kasollja. Ajo deklaronte se i ati e shoqëronte çdo ditë për në shkollë, dukej një marrëdhënie normale baba-fëmijë.
Horrori në Durrës, motra e Pëllumb Metës flet për nusen e tij: Monstër! Kishte probleme psikologjike
Rasti i Durrësit ku fëmijët vranë babain e tyre dhe më pas e varrosën në kasollen e bagëtive ka tronditur mbarë opinionin publik. Këtë të hënë, kjo çështje u diskutua në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku e ftuar në një lidhje me Skype ishte motra e Pëllumb Metës, Lutfie Muka Meta, e cila na tregoi detaje se si familja e mësoi këtë ngjarje.
Ajo u shpreh se lajmin për zhdukjen e vëllait e ka marrë nga djali i xhaxhait dhe jo nga nipërit e mbesa. Ajo kujton se ka komunikuar me Amarildon, djalin e vogël të Pëllumbit, vetëm nëpërmjet Instagramit më 19 Shkurt. Ajo rrëfen se nuk ka komunikuar as me bashkëshorten e vëllait, Blerina Metën, të cilën e konsideron “monstër” dhe thotë se “kishte probleme psikologjike me veten”.
“Nuk kam komunikuar me të se zonja, se nuk meriton ti thuash as zonjë, monstra në këtë rast, nuk pranonte që ne të kishim numër telefoni apo lidhje. Nuk donte që ne të kishim lidhje të mirë familjare. Ajo kishte probleme psikologjike me veten e saj”, tha e motra e viktimës.
Më tej, zonja Muka rrëfen se vdekjen e të vëllait e ka marrë vesh kur policia ka gjetur kufomën. Sipas saj, Pëllumb Meta ka qenë i përkushtuar në familje. Ajo thotë se ai i ka rritur në mënyrën më shembullore të mundshme. Po ashtu, kujtoi edhe momentin e fundit që është takuar me të vëllanë.
“Dy javë më përpara kur na ka vdekur një çun i çunit të xhaxhait, kemi pasur një fatkeqësi më datë 31 Janar vdiq. Me 1 Shkurt kemi bërë varrimin atje jemi parë. Edhe me zonjën që pretendon se ka qenë e mbyllur, e dhunuar edhe e shtypur. Ndërkohë zonja e ka problemin me vete që e ka mbartur nga familja e vet zoti Fevziu. Edhe këtë gjë ua ka transmetuar edhe fëmijëve fatkeqësisht”, tha ajo.
Kujtojmë se për këtë ngjarje janë lënë në arrest me burg Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta. Ndërkohë nëna e tyre, Blerina, është nën hetim në gjendje të lirë.
Policia e Durrësit e bindur që Hysen Meta është autori i vrasjes së babait. Por pse Hygerta merr përsipër krimin?
Skënder Hita, drejtor i Policisë Durrës u shpreh sonte në “Opinion” se grupi i hetuesve janë të bindur se Pëllumb Metën e ka ekzekutuar djali i madh i tij, Hyseni.
Sipas tij, ky i fundit planin e ka bërë bashkë me të motrën disa ditë pasi ishte kthyer nga emigracioni. Hita thekson se në këtë familje nuk bëhej fjalë për një baba të dhunshëm, por autokrat dhe që “s’i bëhej fjala dysh”.
Por pse Hygerta merr përsipër krimin? Sipas drejtorit të Policisë Durrës, me idenë se ajo mund të marrë një dënim më të lehtë se i vëllai. (Kodi Penal Shqiptar udhëhiqet nga parimi i humanizmit dhe ka një diskriminim pozitiv kur autori i dyshuar i veprës penale është grua apo vajzë. Që do të thotë që në rastin konkret, nëse provohet që krimin e ka kryer vajza, ajo i shpëton burgimit të përjetshëm. Pra maksimumi që mund të dënohet një grua ose vajzë është 35 vite burgim.)
-A jeni të sigurt që vrasja është bërë nga djali i madh?
Skënder Hita: Nga rrethanat e hetimit, na rezulton që motër e vëlla kanë planifikuar dhe kanë qenë prezent kur ka ndodhur ngjajra. Djali tjetër ka qenë në punë, bashkëshortja ka qenë jashtë. E kanë parë po atë ditë të 4-ërt, më tej kanë vazhduar të fshehin të gjitha gjurmët. E paraqisnin të atin, si një baba autokrat, që kishte sudnim në familje dhe ata e dëgjonin verbërisht. Aty s’bëhej fjalë për dhunë të përditshme fizike, por dhunë të mëparshme patjetër që ka pasur, apo dhunë psikologjike. Jemi të bindur që vrasjen e ka bërë djali, pavarësisht se Hygerta merr përsipër të mbrojë pjesën tjetër të familjes duke menduar që meqë është vajzë, dënimi është më i lehtë për të.
Vrasja në Durrës, motra: Nusja e Pëllumbit nuk erdhi në varrimin e babait tonë. Nëna e saj vrau vjehrrën
Motra e Pëllumb Metës, Lutfie Muka Meta, u shpreh këtë të hënë në emisionin “Opinion” se bashkëshortja e vëllait të saj, Blerina Meta, nuk donte kontakte me pjesën tjetër të familjes. Sipas saj, para se babai i tyre të ndërronte jetë, ajo nuk e ka marrë mundimin që t’i shkonte një herë tek spitali vjehrrit. Madje thotë se nuk ka lejuar as fëmijët që të shkojnë. Motra e Pëllumb Metës thotë ndër të tjera se Blerina Meta vjen nga një familje me probleme të tilla, pasi e ëma e saj ka vrarë vjehrrën dhe plagosur të shoqin.
“Zoti Fevziu kjo nuk deshte kontakt. Mua më ka vdekur baba para 1. Nuk ëstë bërë akoma 1 vit në aksident, ka ndenjur 5 javë në spitalin e Traumës në Tiranë, vëllai vinte përditë takonte babën e vet ndërkohë që bashkëshortja nuk e mori mundimin një herë të vinte. As fëmijët nuk i ka lejuar. Po të ishte ky kaq i dhunshëm, a nuk mundej ky me këtë dhunën që hidhet hipotezë, që paska qenë me e marrë me zor. Kur baba ndërroi jetë pas 5-6 javëve edhe janë komshinj dy vëllezërit, a nuk mundej ky vëlla kaq i dhunshëm ta merrte nusen e ta sillte me dhunë, sipas asaj të merrte pjesë në ceremoninë mortore? Por zonja nuk pranoi se ajo kishte monstrat e veta në kokë dhe atë gjë ia transmetoi fatkeqësisht edhe fëmijëve edhe nuk mund ta përshkruaj ndryshe përveçse një mësuese kriminele që prodhon vetëm vatra krimi. Nga ajo familje, i kërkoj ndjesë pjesës tjetër të familjes, por ajo vjen nga një familje me probleme të tilla. Ajo ka një shembull nga prindërit e saj, pikërisht nga nëna e vet me shembull krimi, se e ëma vrau vjehrrën, qëlloi vrau vjehrrën, edhe burrin por fati e deshi që burri të shpëtonte dhe bëri burg”, u shpreh ajo.
Lutfie Muka Meta tregon ndër të tjera edhe si u martua Pëllumbi me Blerinën.
“Mesa unë e kam analizuar këtë gjendje dhe nuk është një analizë e sotme, as e dy javëve të fundit që kur ka ndodhur tragjedia, kjo është një analizë 26-vjeçare qysh kur zonja, monstra ka ardhur në familjen tonë. Ajo mbase mendoj unë e ka pësuar një shok kur prindërit e saj e sollën, apo kur babai kërkoi dorën e saj për vëllain tonë dhe prindërit e saj e miratuan këtë kërkesë tonë. U martuan. Vëllai ka qenë që në ’91 në Itali. Ka ikur 14 vjeç në Itali. Kur janë martuar këta vëllai ka ardhur nga Italia, kanë bërë ceremoninë martesore, kanë ndenjur një kohë dhe ka ikur prapë. Kjo ishte jeta ik-hajde si gjithë shqiptarët. Zonja ka jetuar nga ‘97 dhe deri në vitin 2002, se në fund të vitit 2001 ka ndërruar jetë nëna jonë. Vëllai ishte në Itali. Pasi nëna ndërroi jetë, babai ishte në moshë, kjo ishte me dy fëmijë dhe vëllai nuk e pa më të arsyeshme që të jetonte dhe punonte atje por mori vendimin definitivisht të ishte pranë familjes”, u shpreh ajo.
Sipas motrës së viktimës, deklarimet e Blerina Metës në media nuk janë të bazuar në jetën reale që kishin në shtëpi ajo bashkë me fëmijët.
“Të gjithë paranojat që ka në kokën e vet do t’i fusë në këpucët e vëllait tim që të bëhet sa më e besueshme”, tha motra e Pëllumb Metës.
“Si mund të quhet një liri e marrë kur baba punon për të ardhurat e familjes, edhe ndërkohë fëmijët rriteshin, shkolloheshin dhe donin financë për të gjithë fushat e jetës edhe zonja nuk punonte, ishte shtëpiake. Vëllai punonte, kishte 22 vite që punonte roje natën dhe fëmijët erdhën në jetë, u rritën, u shkolluan, morën patentat, të gjithë kishin telefona, të gjithë dilnin nëpër kafe kur ndërkohë këto janë shpenzime financiare. Në rast se ky baba do ishte kaq i dhunshëm dhe kaq çnjerëzor, si mundet kjo familje ti kishte gjithë këto të mira?”, shtoi më tej ajo.
Kujtojmë se për vrasjen në Durrës janë lënë në arrest me burg tre fëmijët Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta, ndërsa Blerina Meta po hetohet në gjendje të lirë.
“Mos i ke bërë gjë Pëllumbit?” Koka: Hysen Metën e detyruan të bënte denoncim, djemtë bënin sikur…
Spartak Koka: Kushëriri i Pëllumbit ishte i pari që e sinjalizoi, e kishin lënë për të blerë një lopë
Tema e kësaj të hëne në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka qenë në lidhje me rastin e Durrësit, ku fëmijët vranë babin e tyre dhe më pas e varrosën në sallën e bagëtive.
I ftuar për të folur në lidhje me këtë çështje ka qenë edhe gazetari investigativ, Spartak Koka, i cili tregon se ka qenë Fatmir Meta, kushëriri i Pëllumb Metës, ai që konstatoi i pari se diçka mund t’i ketë ndodhur këtij të fundit.
Sipas gazetarit, të dielën, Pëllumb Meta dhe Fatmir Meta e kishin lënë për t’u takuar që të blinin një lopë, por kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë. Kur kushëriri tentoi ta merrte në telefon, askush nuk iu përgjigj.
Këtu filloi dyshimi i parë. Më pas, Fatmiri shkoi bashkë me vëllain e të ndjerit për te shtëpia e Pëllumbit dhe përballë ju doli Hyseni, i cili bënte sikur nuk dinte asgjë.
“I kemi detyruar ne që të bëjnë denoncim”, ishte shprehur kushëriri, ndërsa djalin e kishte pyetur: “Mos i ke bërë ndonjë gjë Pëllumbit?”
Spartak Koka: Ka qenë Fatmir Meta, kushëriri i Pëllumb Metës, djali i xhaxhait, ai i cili ka sinjalizuar i pari dhe ka konstatuar se Pëllumb Metës diçka i ka ndodhur. Ishte njeriu më i afërt në komunikimet e përditshme me të. Të shtunën ka humbur kontaktet Pëllumb Meta; të dielën kishin lënë që të blinin një lopë, ndërkohë të dielën nuk i është përgjigjur në telefon. Është shqetësuar, ka telefonuar vëllain Pëllumbit, Ramazanin, dhe i ka thënë: “E ke parë gjë Pëllumbin?”
“Dy-tre ditë ka që e kam parë”, i ka thënë.
Të hënën kanë telefonuar djalit, sepse i binte vazhdimisht numrit dhe numri i dilte i fikur. Kanë telefonuar Hysenin dhe ai e dha edhe një intervistë sot dhe tha: “Isha unë që shkova në shtëpi. E mora në telefon të hënë”. “Të martën pastaj”, tha, “jemi mbledhur bashkë me vëllain e Pëllumbit dhe i kemi vajtur në shtëpi. Në shtëpi na ka dalë Hyseni dhe djali tjetër dhe bënin sikur nuk dinin asgjë. I kemi detyruar ne që të bëjnë denoncim”. “I kam thënë”, tha, “mos i ke bërë ndonjë gjë Pëllumbit?”
Sepse sipas tij kishte një lloj kontradiksioni Hyseni me babain. Sipas tij nuk ka dal për të komunikuar me ta, as me vëllain, as me të, bashkëshortja dhe është ai të cilit i kanë insistuar gjatë gjithë kohës. Vëllai i Pëllumb Metës na thotë diçka tjetër. Na thotë që: “Mua më ka sinjalizuar Hysen Meta për gjetjen e makinës, me datën 17. Dhe kur kam vajtur në vendngjarje, ka qenë Hyseni ai i cili më tha: ‘Xhaxhi, ja ku është makina’”.
Blendi Fevziu: Ju keni intervistuar edhe bashkëshortin e viktimës, çfarë thotë ajo?
Bashkëshortja flet për dhunë. Dhunë fizike ndaj saj që në momentin që është martuar; dhunë të cilën e ka duruar gjatë gjithë këtyre viteve në mënyrë sistematike. Nuk flet për dhunë psikologjike ndaj fëmijëve, por jo për dhunë fizike. Dhe sipas saj, nëse do e denonconte këtë dhunë mund të rrezikonte. Ai mund të lirohej dhe mund ta vriste.
A ishte data 1 Mars afati i fundit për fejesën e detyruar të Hygertës?
Fejesë me detyrim për të bijën 19 vjeçare. Ky ishte motivi fillestar që 3 të rinjtë deklaruan në polici, për vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta. Madje bashkëshortja e të ndjerit, Blerina përmendte datën 1 Mars si një afat për t’i kthyer përgjigjie pozitive familjes me të cilën 50 vjeçari donte të lidhte krushqi.
Gazetari Spartak Koka e pyeti pikërisht për këtë detaj drejtorin e Policisë Durrës Skënder Hita sonte në “Opinion”. Ky i fundit u përgjigj se ky afat rezulton i pavërtetë dhe se është alibi e familjarëve.
Spartak Koka: A ka patur një afat limit se nëna e fëmijëve tha se ka pasur një afat limit për kthimin e përgjigjies për fejesën e detyruar. Në hetimet tuaja rezulton një datë 1 Mars për kthim përgjigjie?
Skënder Hita: E gjithë familja e përfshirë në këtë krim ka pasur gjithë mundësinë e mundshme të përdorë alibi dhe të fshehë këtë krim për kaq ditë. Kjo mendoj është pjesë e alibisë, dhe jo një ultimatum fiks që ne patjetër në 1 Mars duhet të kthejmë përgjigjien pozitive për këtë mblesëri.
Spartak Koka: Nga ana e familjes tjetër, ata që kërkonin dorën e vajzës është pranuar kjo data 1 Mars?
Skënder Hita: Ata janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit, për të gjithë dinamikën si është zhvilluar, por në asnjë moment s’ka dalë kjo datë.
Spartak Koka: E kanë marrë përgjigjien refuzuese ata?
Skënder Hita: E kanë marrë. Por, vajza në deklarimet e saj thoshte që babai i saj insistonte për këtë fejesë.
Spartak Koka: Sepse duke bërë këtë pyetje zoti Fevziu mund të ngremë një hipotezë tjetër që siç e ka thënë Hysen Meta, po citoj këtu “me babain kishte konflikte të shumta pasi ai e fyente gjithmonë pasi ai për momentin ishte papunë, herë pas here fyente dhe të ëmën e të motrën. Atëherë i bie që mund të kemi një rast që konflikti ka qenë mes djalit dhe babait dhe janë solidarizuar vëllai tjetër e motra, apo dhe nëna.
“Turp t’u vijë”, motra e Pëllumb Metës akuza të rënda për familjen e tij: Hyseni e dinte mirë jetën e luksit!
Ngjarja në Durrës ku Pëllumb Meta u vra dhe u gropos nga fëmijët e vet tronditi opinionin publik.
E tronditur nga kjo ngjarje u shpreh edhe motra e viktimës, Lutfie Muka Meta, e cila ishte në një lidhje Skype për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ajo hodhi akuza ndaj bashkëshortes së vëllait të saj, Blerina Metës.
“Flet si bilbil aty dhe mundohet që të gjitha hipotezat që hedh tani në media, apo që raporton, janë totalisht jo të bazuara në asnjë moment në jetën reale që ata në shtëpi kanë. Do që të gjitha paranojat që ka në kokë t’i fusë në këpucët e vëllait tim që të bëhet sa më e besueshme”, tha ajo.
Sa i përket dy nipërve dhe mbesës që akuzohen për vrasjen, ajo ndalet tek Hyseni që thotë se pëlqente jetën e luksit. Akuza hedh sërish ndaj Blerina Metës që thotë se i ushqeu fëmijët që t’i hidhen kundër babait të tyre.
“Kur vëllai kishte humbur direkt më ka shkuar mendja tek fëmijët sepse mendoja fëmijët po rriteshin, se djali i madh kishte pretendime. Ai s’punonte, por pretendime kishte. E dinte shumë mirë jetën e luksit se ka ardhur tek unë në Holandë. U mundua të ikte dhe siç janë ligjet e çdo shteti që po të ikësh jashtë shteti duhet të kesh një farë finance në xhep, se pavarësisht se ai po vinte tek halla, duhet të kishte një farë finance në xhep, edhe vëllai im, ky babai kaq i keq i përshkruar që turp t’ju vijë atyre që e përshkruajnë kështu. Turp! Kjo është një traumë e madhe jo vetëm për ne që na ka zënë kjo fatkeqësi makabre, por kjo është traumë për të gjitha familjet shqiptare që keqinterpretohen nga çdo njeri që nuk është i përgjegjshëm për familjen që rrit dhe sjellin të tilla monstra siç është zonja që ka ushqyer të tre fëmijët t’i hidhen kundra babës. Djali deshte jetë luksi, erdhi në Holandë edhe e pa sesi ishte. Vëllai i mori paratë borxh dhe e ka sjellë të shihte Europën. O ti motër le të shkojë ta shohë Europën tha dhe le të kthehet se vjen me mendime të tjera. Ky ishte ai babai kaq i keq? Pse nuk e thotë zonja këtë gjë që ky babai mori para borxh dhe e çoi djalin jashtë që të shihte Europën?”, tha e motra e viktimës.
Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin.
Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë.
“Jo vetëm vrasjen! Motër e vëlla planifikuan shumë mirë dhe alibinë”
Nga studio e emisionit “Opinion”, Drejtori i Policisë së Durrësit Skënder Hita, tha se fëmijët e Pëllumb Metës, jo vetëm që e planifikuan së bashku vrasjen e tij, por u koordinuan për të ngritur alibinë, për të përfshirë njëri-tjetrin, madje duke rënë dakord se çfarë do të thonin.
“Kanë qenë të koordinuar të gjithë dhe e kanë ngritur shumë mirë alibinë, për të përfshirë njëri-tjetrin, si do themi, si do përfshijmë të gjithë dhe e kanë bërë të paramenduar dhe të planifikuar shumë mirë”, tha Hita.
Më herët, po në studion e “Opinion”, kreu i Policisë së Durrësit tha po ashtu se vrasjen Hygerta dhe Hysen Meta e planifikuan sapo 24-vjeçari ishte kthyer nga Italia. Hita po ashtu u shpreh se në momentin e vrasjen, kanë qenë të dy prezentë, motër e vëlla dhe se policia e Durrësit është e bindur se vrasësi është Hysen Meta (Lexo më shumë)./tvklan.al