#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Një intervistë në Nju-Jork me Belind Këlliçin, drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës dhe një prej figurave më të njohura të partisë, në të cilën janë një sërë pyetjesh. Si e realizoi ai fotografinë dhe përshëndetjen me Trump disa javë më parë? Pse u gjend gjatë zgjedhjeve amerikane në Miçigan? A pati kontakte me stafin e Trump? Pse Partia Demokratike mendon që me ardhjen e Trump do të ndryshojë diçka në raportin e saj me Uashingtonin dhe mbi të gjitha, për shpalljen e Berishës non grata?

Fotoja me Trumpin, Belind Këlliçi: Zgjati 1 minutë, i fola për izolimin e Berishës

Disa ditë më parë, drejtuesi politik i PD në Tiranë Belind Këlliçi pati një takim të shkurtër me Donald Trumpin në SHBA, takim të cilin e dokumentoi përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale.

Por si arriti të takohej me Trump? Vetë Këlliçi, në një intervistë nga Nju Jorku me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin Opinion në Tv Klan, sqaroi se ishte ftuar nga një senatore republikane në një tubim elektoral të Trumpit në Miçigan.

Këlliçi shpjegoi se takimi me Presidentin Trump zgjati 1 minutë dhe i foli për izolimin e kreut të PD, Sali Berisha.

Belind Këlliçi: Pata një ftesë për të shkuar dhe për të takuar nga afër Presidentin Trump, edhe si një shenjë falenderimi dhe mirënjohje për komunitetin shqiptar.

Blendi Fevziu: Ishte një dhënie dore e zakonshme? Sepse ju thonit që takova dhe bisedova me Trump. Tamam çfarë ishte?  Se kjo mund të ndodhi duke qenë i pranishëm në një takim, mund t’i japësh dorën, mund të shkëmbesh një përshëndetje.

Belind Këlliçi: Nuk ndodh në mënyrë të rastësishme. Nuk bën vaki që në kushtet e sigurisë që Presidenti Trump është dhe ishte gjatë fushatës, nuk ndodh që të shkosh rastësisht te ai. Do duhet të dakordësohet stafi i tij i ngushtë që një person do të shkojë do ta takojë dhe do t’i rrëmbejë aq pak sekonda apo minuta nga koha e tij. Aty kemi qenë në tubim, para se të futej në tubim, dhe ka patur disa takime të ndara ku një prej tyre kam qenë edhe unë.

Blendi Fevziu: Sa ka zgjatur ky takim?

Belind Këlliçi: Maksimumi mund të ketë qenë 1 minutë, 1 minutë e pak sekonda. Ishte një përshëndetje në shenjë mirënjohje dhe në aq pak kohë sa pata mundësi të komunikoj me të, pata mundësi të flas për faktin që ajo çfarë ka ndodhur në SHBA me goditjen politike që i është bërë Presidentit Trump përmes proceseve të ndikuara gjyqësore, me përdorimin e sistemit të drejtësisë si një armë kundër kundërshtarit politik, gjë që sigurisht e aprovoi menjëherë dhe e ka vuajtur në kurriz me proceset e panumërta politike, unë hoqa një paralele dhe me atë çka ndodh në Shqipëri në rastin e PD dhe me liderin tonë të izoluar, me doktor Berishën. Kaq ka qenë e gjithë biseda. Me zero kosto.

A do hiqet Berisha nga lista “non grata” me fitoren e Trump? Ja çfarë thotë Këlliçi nga SHBA

Drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi thotë se administrata e Donald Trump mundet që të heqë kryedemokratin Sali Berisha nga lista “non grata në SHBA”.

Gjatë fjalës së tij për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kësaj radhe nga SHBA, Këlliçi është shprehur se ka kontrakte të drejpërdrejta me punonjës të stafit të Trump.

Këlliçi ka shtuar se ju është hapur një derë për të dhënë dhe kërkuar më shumë informacion nga partnerët lidhur me situatën politike në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Me ardhjen e Trumpit, çfarë shpresoni ju që të ndryshojë?

Belind Këlliçi: Me ardhjen e Trumpit, jam i bindur se do të jetë fakt që influenca e Fondacionit Sorosit do të ulet ndjeshëm. Donatori numër 1 në ngritjen e strukturave në trajnimet në reformën në drejtësi dhe financimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, është fakt ky.

Blendi Fevziu: A mendoni ju se një administratë e re mund ta kthejë shpalljen e Berishës “non grata”?

Belind Këlliçi: Sigurisht që mundet.

Blendi Fevziu: Ambasadorja amerikane është shprehur se asnjë administratë nuk mund të kthejë mbrapsht aktin e një administrate paraardhëse.

Belind KëlliçiKjo është absurde. Ka precedentë të ngjashëm, për shembull Kryeministri i Indisë. Janë zyrtarë në shtetin e Hungarisë, e Turqisë në Maqedoninë e Veriut. Ka plot precedentë që kjo ka ndodhur.

Blendi Fevziu: A keni kontakte të drejtpërdrejta me njerëz të stafit të tij?

Belind Këlliçi: Sigurisht që po, edhe unë personalisht, edhe PD-ja. Ne na hapet dera, na hapet një mundësi për të dhënë më shumë informacion dhe për të kërkuar dhe më shumë informacion nga partnerët tanë në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe në lidhje me rastin dhe me çështjen konkrete.

Investimet në Sazan, Këlliçi: PD nuk ka sulmuar kurrë investimet e huaja, aq më tepër ato amerikane

Drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi i pyetur për investimet në ishullin e Sazanit nga dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump thotë se Partia Demokratike nuk ka sulmuar kurrë investimet e huaja dhe se është pro çdo biznesi legjitim.

Nga SHBA, gjatë fjalës së tij për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi është shprehur se PD mbështet investimet në mënyrë transparente, ku qytetarët mund të njihen me procedurat.

Blendi Fevziu: Që prej muajsh është diskutuar çështja e investimit në Sazan të Jared Kushner dhe partnerëve të tij. Partia Demokratike është në favor apo jo të këtij investimi?

Belind Këlliçi: Partia Demokratike nuk ka mbajtur asnjë qëndrim me një investim të tillë specifik, nuk ka sulmuar kurrë investimet e huaja aq më tepër investime amerikane. Partia Demokratike është pro çdo biznesi legjitim, transparent, fonde që vijnë nga jashtë dhe aq më tepër nëse janë Dollarë amerikan apo janë fonde që vijnë ngë Amerika, por Partia Demokratike as nuk bën gjueti shtrigash, as nuk është kundër biznesit  dhe as nuk gjobit e nuk godet bizneset . Për çdo biznes që bëhet në mënyrë transparente dhe qytetarë dhe opinioni publik shqiptarë ka mundësi të njihet me të gjitha procedurat padiskutim që është pro.

Ndër të tjera Këlliçi ka folur edhe për marrëdhëniet të Partisë Demokratike me ndërkombëtarët.

Belind Këlliçi: Muajin e kaluar PD është rikthyer me të drejta të plota anëtare e Partisë Popullore Europiane. Kemi rifilluar të marrim ftesat normale, standarde që i vijnë partisë tonë nga Partia Popullore Europiane. Ndjekim të gjitha aktivitetet ndërkombëtare botërore.

Për Amerikën që ju po flisni ja ku jemi jemi të dy në SHBA. Unë nuk kam ardhur këtu si individ. Unë nuk jamvetëm një individ privat, por jam një zyrtar i Partisë Demokratike. Unë kam qenë në takime të niveleve më të larta. Para katër javësh kam qenë me Presidentin aktual të zgjedhur të SHBA.

/tvklan.al