Në studio: Denata Toçe, Saimir Kodra, Sabri Hoxha, Merin Maçi, Petrit Hala.Në lidhje skype: Familjare e vajzës 3-vjeçare

Ajo që ka ndodhur në një kopësht të Tiranës, në një kopësht që sipas të dhënave që kemi deri tani është i palicencuar, i pacertifikuar për atë aktivitet që kishte, që vepronte në mes të Tiranës, një vajzë 3-vjeçare ka thyer këmbën. Nuk e ka thyer këmbën nga pakujdesia në kushte të tjera, por sipas të dhënave të deri tanishme, por gjithsesi dua të jem i kujdesshëm , rrezikon që këmba të jetë thyer nga edukatorja e cila ushtronte dhunë sistematike ndaj 3-vjeçares.

Pra nuk është vetëm rasti i saj. Nga pamjet dhe nga filmimet që ka transmetuar emisioni “Stop’ në televizionin Klan duket që edukatorja ka probleme edhe vetë. Ka momente të caktuara që duket se mbështetet mbi tavolinë pa qenë e vëmendshme te fëmijët. Është diçka e pakuptueshme që ndodh. Babai i vajzës ka qenë po aq i traumatizuar. Ai ka dhënë një intervistë në të cilën deklarata e tij është tejet tronditëse.


“Këmba 2 herë në allçi”, halla përshkruan gjendjen shëndetësore të 3-vjeçares

3-vjeçarja e dhunuar nga edukatorja në kopshtin privat “4 Stinët” ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Halla e saj shpjegon për emisionin “Opinion” në Tv Klan se këmba që i ka thyer edukatorja Majlinda Dehima i është vendosur për herë të dytë në allçi për të shmangur ndërhyrjen kirurgjikale.

Familjarja thekson se gjendja psikologjike e vogëlushes si dhe prindërve të saj është e rënduar nga ngjarja traumatike.https://www.youtube.com/embed/N3EkOfDy6s4?si=WDZvW7fwrLsOFmtC

Familjarja: Vajza është te Amerikani, po ndiqet aty. Eshtë marrë masa më e thjeshtë e mundshme sepse ne si familjarë duam që ta shmangim ndërhyrjen kirurgjikale. Është vënë në allçi për herë të dytë dhe e vetmja gjë që na ngelet është që të lutemi që këmba t’i shkojë në vend dhe mos të ketë nevojë për gjëra të tjera.

Blendi Fevziu: Është akoma në spital ë?

Familjarja: Po, po patjetër. Me shumë besim, nesër besoj se do e nxjerrin sepse e shikojnë që fëmija dhe dua ta theksoj, edhe prindërit janë në gjendje psikologjike shumë të rëndë. Jam unë që jam halla, por prindërit pas 8 ditësh horrori që kanë kaluar… nuk e di… ne presim që ta nxjerrim sepse është më mirë që të qëndrojë në ambiente familjare sepse edhe pjesa e mjekëve, infermierëve ka traumat e veta.


“Mund ta rregullojmë ndryshe”, halla e 3-vjeçares tregon ‘zgjidhjen’ që i ofroi drejtoresha vëllait të saj

Drejtoresha e spitalit “4 Stinët”, Entela Danushi ka shkuar në spital së bashku me bashkëshortin për të folur me babain e 3-vjeçares. Sipas deklaratës së hallës së 3-vjeçares në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ajo fillimisht i ka thënë se “është shumë e qetë” ndaj çfarëdo mase që mund të merrej ndaj saj. Më tej, ajo i ka sugjeruar një tjetër zgjidhje që ka nënkuptuar pagesën.

Familjarja: Zonja ka ardhur në spital dhe në një bisedë i ka thënë mund të bësh çfarë të duash, mund të më denoncosh, mund të marrësh masat që mendon ti, unë vëlla i dashur jam shumë e qetë, i ka thënë vëllait. Dhe në ditën e parë duke ecur nëpër korridoret e Traumës, zonja e ka marrë vëllain tim, të lutem i ka thënë, më jep vetëm një sekondë vëmendje, ne bashkë mund ta rregullojmë ndryshe këtë muhabet, vetëm mos ta bëjmë të madhe sepse nuk kemi asnjë faj kështu që hajde, flasim, rregullojmë bashkë.

Blendi Fevziu: E rregullojmë do të thotë me pagesë.

Denata Toçe: Në qoftë se nuk ke asnjë faj, nuk ke pse.

Blendi Fevziu: Por nuk e zgjidh dot me lekë…

Familjarja: Vëllai i ka thënë në qoftë se je e qetë, ne kërkojmë thjesht materialet.


Kërcënime e tallje nga shefi i krimeve për babain e 3-vjeçares, halla: Vëllai po dorëzohej kur…

Denoncimi i rastit të 3-vjeçares së dhunuar nga edukatorja Majlinda Dehimaj në kopshtin privat “4 Stinët” është denoncuar 1 ditë më pas nga nëna e saj.

Pas kallëzimit, shpjegon halla e 3-vjeçares gjatë komunikimit me emisionin “Opinion” në Tv Klan, iu është kërkuar që të marrin një raport nga Mjekësia Ligjore. Mjekësia Ligjore ka kërkuar që 3-vjeçarja me këmbën e thyer të shkojë në ambientet e tyre për ekzaminim.

Babai i vajzës i ka kërkuar drejtoreshës së kopshtit, Entela Danushit regjistrimet e kamerave të cilat ishin sekuestruar nga policia. Më daatë 4, ai telefonohet nga shefi i krimeve në Komisariatin Nr.1 i cili i ka dhënë pamjet duke ia përmendur si “nder” por ka vijuar edhe me kërcënime në rast se pamjet transmetoheshin.

Ndryshe nga ç’iu ishte thënë, pamjet ishin pa audio dhe të shkëputura. Babai i 3-vjeçares ka arritur të gjejë momentin që ka ngritur dyshime në orën 3 të mëngjesit.

Familjarja: Të nesërmen është bërë një kallëzim më datë 2 Nëntor nga kunata ime. Kallëzimi është bërë te Ergys Brahimaj. Zotëria në fjalë ka thënë që unë nuk kam çfarë denoncimi të marr sepse unë fola dje me të afërmit tuaj. Ndërkohë i është hedhur poshtë kjo, e ka marrë kallëzimin nga kunata ime dhe i ka dhënë një fletushkë për Mjekësinë Ligjore dhe i ka thënë në momentin që do kesh raportin nga Mjekësia Ligjore, bashkë me denoncimin që ke bërë do shkosh në komisariatin nr. 1.

Është drejtuar vëllai te Mjekësia Ligjore dhe i kanë thënë djalë i dashur, ti duhet të sjellësh vajzën këtu që të procedojmë. Vëllai i ka thënë nuk mund ta sjell fëmijën 3 vjeç me femurin e thyer që ju të procedoni, duhet të vini ju te spitali. Më vjen keq nuk të ndihmoj dot. Vëllai im është kthyer mbrapsht. Ne kemi qenë me shpresën se ky denoncim ka shkuar dhe mua më bëri shumë përshtypje fakti që kunata ime nuk kishte asnjë kopje të denoncimit, pra kishte bërë një deklaratë, kishte firmosur diçka, por nuk kishte asnjë kopje siç ndodh zakonisht.

Vëllai i ka dërguar mesazh Entelës duke i thënë që bën mirë të nxjerrësh pamjet filmike të kopshtit nga momenti që është futur vajza deri në momentin që ne kemi dalë të gjithë nga kopshti për ta dërguar te Pediatria.  Zonja i ka thënë të ftoj të vish t’i marrësh këto pamje në kopsht. Policia ka ardhur t’i sekuestrojë të gjitha materialet dhe i ka marrë kështu që kur të keni dëshirë jo të shkoni te komisariati, por të vini te unë t’i shikoni pamjet, unë i kam mesazhet këtu të gjitha.

Blendi Fevziu: Po edhe?

Familjarja: Të nesërmen në datën 4 shefi i krimit Ylli Çako telefonon kunatën time për denoncimin që është bërë. Ajo i ka kërkuar pamjet filmike dhe zotëria i ka thënë që mua me ligj nuk më lejohet që t’ju jap juve pamjet filmike por të paktën për hatrin tuaj mund të vini t’i shikoni te rajoni i policisë nr.1. Ka shkuar im vëlla dhe zotëria i ka thënë po ta bëj ty si nder, të jap një USB me pamjet filmike, këtu i ke të gjitha me audio. Por po të them sot që nëse këto pamje publikohen, i jepen dikujt tjetër, ti personalisht do jesh penalisht i ndjekur nga unë. Kjo është thënë nga zoti Ylli Çako.

E ka vendosur USB në laptop dhe ka gjetur rreth 60 video të cilat një pjesë kanë qenë të dublikuara, pra video të ngjashme, të gjitha kanë qenë të prera dhe asnjëra s’ka pasur audio. Ka marrë Ylli Çakon në telefon, i ka kërkuar sqarim për ëktë dhe zotëria i ka thënë më fal djalë, çfarë formimi ke? Vëllai im i ka thënë kam formim të mesëm, shkollën e mesme kam bërë. Epo më vjen keq që nuk është faji im që nuk dini të përdorni një USB, aty e keni të gjithë materialin. Kam shkuar unë te spitali, kam marrë USB-në, e kam hapur, i  thashë vëllait tim këto janë të gjitha materialet që ke ti, nuk ka asgjë më shumë e as më pak. Më pas, po i shmang disa nga detajet se nuk dua të zgjatem shumë. Ka qenë pikërisht ajo natë që vëllai im ka marrë USB-në dhe i ka hapur videot një e nga një sepse zoti Ylli Çako nuk kishte kohë ti shikonte.

Blendi Fevziu: Dhe ka gjetur momentin?

Familjarja: Po. Pikërisht në orën 3 të natës në momentin që ka qenë duke u dorëzuar sepse ishte një fragment shumë i shkurtër më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që e kapa sepse ne kaq material kishim, kaq na u mundësua, nuk kishim asnjë pamje tjetër. Ky ka qenë momenti që ne kuptuam që diçka nuk shkonte me këtë çështje.

Familjarja shton se videot me audio i kanë parë për herë të parë nga emisioni “Stop” i cili bëri publik rastin.


“Bllokojini derën shefit të policisë”, Fevziu thirrje prindërve: Denonconi çdo rast dhune

Drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu u ka bërë thirrje prindërve që të denoncojnë çdo rast dhune ndaj fëmijëve të tyre. Këtë thirrje, Fevziu e bëri duke marrë shkas nga ngjarja e vajzës 3 vjeçar në kopshtin “Stinët” që ju thye këmba nga edukatorja.

Fevziu insistoi që çdo rast të denoncohet, edhe nëse nuk kanë besim te institucionet.

Denata Toçe: Fakti që prindërit nuk denoncojnë është kjo, nuk kanë besim nga sistemi. Nuk ka ndëshkueshmëri. Nuk ka ndëshkueshmëri dhe shkojnë i drejtohen Saimirit.

Blendi Fevziu: Fakti që s’ke ndëshkueshmëri s’do të thotë që mos shkosh ta denoncosh. Të paktën ta kesh se pastaj ata…

Denata Toçe: Sot instanca më e besueshme është programi investigativ.

Blendi Fevziu: Jam dakord, po të lutem mos ju thuaj prindërve që mos denonconi më, se pastaj… ta bëjnë edhe mos i ndahen derës së policisë, ore t’i zënë rrugën në qoftë se shefi s’e ka bërë.

Denata Toçe: Do heqin dhe nja 2-3 persona nga puna.

Blendi Fevziu: Epo mirë të paktën dhe ashtu të bëhet. Po jo dhe mos ta denoncojë.

Denata Toçe: S’po them mos e denoncojnë, s’kam besim tha.

Blendi Fevziu: Po mirë prapë atje të rrish, para derës së policisë. Atje mos e lër as shefin, as shefin e krimeve, asnjërin brenda. Mund mos kenë besim te sistemi por kjo nuk do të thotë mos denoncojnë.


“Vajzën ma dhunuan edukatoret në 2 kopshte”, psikologia Toçe tregon rastin e nënës nga Shkodra

Pas rastit të rëndë të publikuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan për dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares në kopsht, psikologia Denata Toçe ka treguar një tjetër ngjarje të rëndë në Shkodër.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, psikologia thotë se e ëma e një vajze i ka treguar se fëmijën e saj ia kanë dhunuar edukatoret në 2 kopshte, një në privat dhe një në shtetëror. 

Psikologia Toçe ka shtuar se këto edukatore që ushtrojnë dhunë mbi fëmijët, nuk kanë frikë nga asgjë.

Denata Toçe: Të premten e javës së kaluar më vjen një rast nga Shkodra, e ëma e vajzës, pra fëmijës, më tregon se në 2 kopshte, e kam hequr për shkak të dhunës dhe shenjave që i kam gjetur në trup tek vajza ime, jo nga fëmijët, por nga edukatoret e kopshtit. Më tha që “i kam parë me sytë e mi”. Njërin e kishte gjetur dhe në kamera dhe ishte detyruar që ta hiqte, një në shtetëror dhe një në privat, në të dyja kopshtet dhe ka mesazhe pa fund që më vijnë nga prindërit dhe më thonë se janë dëshmitarë të dhunës dhe që e kanë parë edhe tek të tjerët edhe nuk kemi ku shkojmë. Të gjithë tek Saimiri do të shkojmë? Ngrejnë komisione hetimi kur ndodhin këto ngjarje dhe nuk ngrejnë komisione që të jenë monitorimi të edukatoreve. Këto nuk kanë frikë nga asgjë. Të kesh frikë nga sistemi, të kesh etikën e punës, por nuk bëhet fjalë fare. Pa asnjëlloj kushti. Unë mendoj që ka prindër edhe injorantë edhe nuk marrin vesh. Ne duhet ta gjykojmë nga sistemi. A ka një sistem që i kontrollon këto edukatore?


Rasti i dhunës në kopsht, gazetari: Ky hetim do të merrte udhë nga dy momente, ngrihen dy vepra penale

Emisioni “Opinion” në Tv Klan ditën e sotme ka trajtuar temën e dhunimit të vajzës 3-vjeçare në kopshtin “Stinët” i denoncuar nga “Stop”. Në studio i pranishëm është edhe gazetari Merin Maçi i cili ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen.

Gazetari ndër të tjera ka përmendur edhe pretendimin e babait të 3-vjeçares lidhur me praninë e drejtoreshës së kopshtit në ambientet e spitalit të Traumës si dhe kërkesës nga mjeku ligjor që vajza të paraqitet në ambientet e mjekësisë ligjore. Këto dy momente sipas gazetarit mund të ndihmonin ti jepej udhë këtij hetimi.  

“Sa i takon ngjarjes është e rëndë, jo vetëm për pamjet, por të gjitha procedurat. Krahas pamjeve filmike nga komunikimet që kam pasur edhe me prokurorinë e Tiranës ka një verifikim mbi thëniet e babait të vajzës sa iu takon prezencës së drejtoreshës së kopshtit në ambientet e spitalit të Traumës, ku nëse do të vërtetohet kjo gjë dhe të gjitha thëniet… Në momentet që është prezantuar si e tillë apo që ka bërë një tentativë për të fshehur ngjarjen ngrihen dy vepra penale; moskallëzimi i krimit dhe fshehje e zbardhjes së të vërtetës. Ka edhe veprime hetimore sa i takon mjekësisë ligjore po nga babai i vajzës ka patur një pretendim se nga ana e mjekut ligjor nuk ka pasur prezencë dhe i është kërkuar që vajza të paraqitet në mjekësinë ligjore. Këto dy momente pra ajo e paraqitjes në spital dhe tjetra ajo e mjekësisë ligjore që do merte udhë ky hetim konfirmojnë një problematikë që nxjerr ky kopësht.”

Ndër të tjera Maçi u shpreh se ajo çfarë i ka bërë përshtypje është edhe njoftimi i ministrisë së Arsimit e cila një ditë pas denoncimit nga “Stop” ka dalë në një njoftim që thotë se sështë ngritur një grup task force për verifikimin e të gjitha kopshteve

“Nga ana e komisariatit të policisë ditën e ngjarjes krahas përgjegjësisë që kanë tre agjentët apo edhe gjithë zinxhiri drejtues. Nga ana e ministrisë ka një reagim në momentin që Stop ka bërë publikimin e pamjeve filmike. Më ka bërë përshtypje njoftimi i ministrisë së Arsimit që thoshte se është ngritur një grup task force për verifikimin e të gjitha kopshteve. Policia ka faj për këtë dhe ka marr kostot e pezullimit të tre policëve. Ministria e Arsimit e ka nxjerë që është i palicencuar një ditë pas publikimit nga Stop.”

“Justifikimi i tretë dhe më absurd”, halla e 3-vjeçares zbulon çfarë i tha drejtoresha kunatës së saj

Gjatë lidhjes me emisionin “Opinion” në Tv Klan, familjarja e 3-vjeçares së dhunuar nga edukatorja, përmenden justifikmet që drejtoresha e kopshtit “4 Stinët” i ka thënë kunatës së saj.

Në momentin që vëllai i saj ka shkuar për të marrë vajzën në kopsht pas lajmërimit nga drejtoresha, e ka gjetur 3-vjeçaren duke qarë dhe me këmbën e fryrë. Drejtoresha i ka thënë “e ka pickuar diçka”. Pas mbërritjes së 3-vjeçares në Spitalin e Traumës ku mjeku ka kërkuar informacione për gjendjen e fëmijës, ajo ka thënë “nuk e di, ka rënë nga krevati”.

Nënës së vajzës ajo i ka thënë një tjetër justifikim, të cilin halla e përmend gjatë komunikimit me “Opinion”. Kujtojmë që rasti i 3-vjeçares u denoncua në emisionin “Stop”.

Familjarja: Mjeku ka pyetur, i është drejtuar vëllait tim. Vëllai im i ka drejtuar dorën zonjës drejtoreshë dhe zonja drejtoreshë thjesht ka thënë nuk e di, mendojmë që ka rënë nga krevati sepse nga zonja drejtoreshë kanë ardhur 2-3 justifikime. Justifikimi  i tretë, i fundit fare dhe më absurdi ka qenë kështu ma ke sjellë vajzën, i ka thënë kunatës.

Blendi Fevziu: “Kështu ma ke sjellë vajzën?”

Familjarja: Po, ky ka qenë justifikimi i tretë që është harruar të përmendet, jo më pak i rëndësishmi por kështu ma ke sjellë vajzën, unë nuk i kam bërë asgjë fëmijës tënd.


Kopshti “Stinët” i palicensuar/ Procedohet penalisht Daniel Danushin, Kodra: Është bllokuar ai që merret me gipsin

Në lidhje me ushtrimin e paligjshëm të palicensuar të kopshtit privat “Stinët” në kryeqytet, shefi i Komisariatit Nr.1 në Tiranë, Petrit Hala, thotë se ka nisur procedimi penal për Daniel Danushin për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Lidhur me këtë njoftim të Halas, drejtuesi i emisionit investigativ “Stop” që denoncoi dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares në këtë kopsht, thotë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se Daniel Danushi merret me gips referuar të dhënave në QKB.

“Ekstrakti tjetër i QKB-së, Entela Danushi, person fizik, kopsht për fëmijët. Është bllokuar ai që merret me gipsin, jo kjo që ka bërë kopshtin”, thotë Saimir Kodra.


Pjesë nga diskutimi në studionin e “Opinion”:

Petrit Hala: Sot nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë kryer të gjitha veprimet për referimin e materialeve proceduriale për rastin për mbylljen… Ka nisur procedimi penal për shtetasin Daniel Danushi për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Saimir Kodra: Policia nuk le plakën që të shesë spinaq… Por mbetemi tek thelbi sapo tha policia që ka filluar procedimi penal për Daniel Danushin, thotë për 3 vepra. Po të fushësh në QKB-në e Daniel Danushit thotë shërbime në fushën e ndërtimit, punime gipsi, lyerje, restaurimi, rinovime ndërtesash e tërrci e vërrci. Është ky Daniel Danushi. Ekstrakti tjetër i QKB-së, Entela Danushi, person fizik, kopsht për fëmijët. Është bllokuar ai që merret me gipsin, jo kjo që ka bërë kopshtin.

Petrit Hala: Nuk është ndjekur nga ana e Komisariatit, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila ka strukturat. Në këtë komunikatë, më erdhi për Daniel Danushin.

Saimir Kodra: Apo edhe ti nuk di gjë, ke edhe ti habi si puna ime.

Petrit Hala: Jo, unë nuk kam habi. Jam kryer veprimet ditën e sotme.


Flet halla e 3-vjeçares së dhunuar nga edukatorja: Qante dhe thoshte “obobo ç’i bëra vetes!”

Rasti i 3-vjeçares së dhunuar nga edukatorja që u bë publik përmes emisionit “Stop” në Tv Klan po trajtohet edhe në “Opinion”. Në lidhje direkte me emisionin, ndodhet halla e vajzës e cila jep detaje të tjera rreth historisë tronditëse.

Sipas kërkesës së saj, portreti i familjares është mbuluar për të ruajtur identitetin. Ajo nis menjëherë të shpjegojë se në çfarë rrethanash është informuar për ngjarjen dhe si ka rrjedhur gjithçka deri në momentin që mbesa e saj ka shkuar në Spitalin e Traumës.

Familjarja: Atëherë unë jam njoftuar në datën 1 Nëntor nga im vëlla. Ndodhet në Spitalin e Traumës sepse i kanë sakatuar vajzën. Kështu është mënyra se si jam informuar unë.

Blendi Fevziu: Kush të informoi kështu?

Familjarja: Im vëlla më ka thirrur mua. Në momentin që kanë shkuar te Trauma më ka treguar të gjithë historinë. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 15:20 të datës 1 Nëntor. Ata janë informuar të dy nga edukatore Entela Danushi sepse unë e shikoj që e gjithë vëmendja është përqendruar te zonja, në qoftë se mund ta quaj zonjë, Majlinda Dehima. drejtoresha e kopshtit është zonja Entela Danushi. Zonja Danushi i ka marrë në telefon të dy prindërit duke i njoftuar që vajza rënkon, qan, nuk është e qetë, ju lutem të vini ta merrni. Janë nisur nga puna për në kopsht. E kanë gjetur vajzën poshtë një komodine duke qarë me dënesë, ishte zverdhur, këmba ishte fryrë dhe në të njëjtën gjendje e ka gjetur edhe Entela  Danushin dhe zonjën Majlinda. Zonja Majlinda e cila është edukatorja ka qenë duke thënë “obobo ç’i bëra vetes” dhe ka qenë duke qarë. Si asnjëherë më përpara zonja drejtoreshë i është ofruar vëllait që ta marrin fëmijën dhe ta çojnë te Pediatria sepse mendonte se e kishte pickuar një insekt.

Blendi Fevziu: Sepse këmba kishte pësuar fryrje ë?

Familjarja: Po, pikërisht. Thyerja vinte pikërisht nga fraktura e femurit. Janë nisur për në Pediatri. Mjekja për të mos alarmuar prindërit i ka thënë më vjen keq por ky nuk është rast për këtu tek ne, është rast për tek Trauma. Menjëherë nga aty janë nisur për tek Trauma. Gjatë rrugës im vëlla ka pyetur drejtoreshën duhet të më tregosh se çfarë ka ndodhur sepse unë duhet të di se çfarë t’i them mjekut. Zonja ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i cili ka qenë gjatë gjithë kohës duke dhënë vështrime ironike, duke bërë komente sarkastike që ne s’i bëmë gjë fëmijës tënd kështu që mblidh veten. Këto janë fjalët që i ka thënë ai vëllait tim.

Kanë arritur te Trauma. Rasti është marrë menjëherë nga mjeku. Vëllai im është shoqëruar dhe nga zonja Entela bashkë me bashkëshortin. Gjatë ambientevve të spitalit të urgjencës së Traumës zonja Entela ka ndaluar dhe i ka thënë oficerit ose policit i cili duhet të marrë përsipër rastin, të pyesë se çfarë ka ndodhur, pse është fëmija në spital, i ka thënë asgjë serioze sepse ne jemi të afërmit dhe vëllai im nuk e ka dëgjuar këtë gjë sepse normalisht ka qenë i zënë. Oficeri është kthyer mbrapsht dhe kaq, nuk është se ka pyetur më.


Saimir Kodra zbulon një tjetër skandal: Nesër do publikojmë rast tjetër dhune nga e njëjta edukatore në kopsht

Majlinda Dehima, edukatorja e cila i theu këmbën vajzës 3 vjeç në kopshtin privat “Stinët”, ngjarje që u denoncua nga emisioni Stop në Tv Klan, rezulton të ketë shfaqur sjellje të dhunshme edhe në raste të tjera.

Në emisionin Opinion në Tv Klan, drejtuesi Blendi Fevziu lexoi një mesazh ku thuhej se kjo edukatore ishte larguar nga një kopsht shtetëror në zonën e Freskut se kishte ushtruar dhunë ndaj një fëmije.

Në kuadrin e këtyre denoncimeve, drejtuesi i Stop, Saimir Kodra, i ftuar në Opinion, tha se ditën e nesërme do të publikojnë një tjetër rast dhune me protagoniste të njëjtën edukatore.

Blendi Fevziu: Kam një mesazh, por gjithsesi dhe mesazhet duhet bërë kujdes sepse duhen verifikuar, por unë po e lexoj. Gjithmonë me një pikëpyetje. Thotë: Po shikoj emisionin, doja të thoja që edukatorja ka qenë më parë e punësuar në një nga kopshtet e shtetit te zona e Freskut dhe është larguar për arsye se ushtronte dhunë.

Saimir Kodra: Po ta them ty sot, po e zbuloj skenarin e emisionit tim nesër, kam një rast tjetër që kjo i ka tërhequr veshin një fëmije, e ka dhunuar dhe është mavijosur 8 ditë dhe e kanë larguar nga ky kopsht. Po kjo edukatore. Kështu që i besoj atij mesazhit që të ka ardhur se nuk është çudi.


“A është marrë masë për edukatoren sot?” Kodra përballet me shefin e Komisariatit nr.1: Prokuroria nuk i ka pamjet!

Drejtuesi i emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan është përballur mbrëmjen e sotme me shefin e Komisariatit Numër 1 në Tiranë, Petrit Hala, në lidhje me rastin e denoncuar nga “Stop” përsa i përket dhunës së ushtruar ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat “Stinët”.

Saimir Kodra e ka pyetur Halan në “Opinion” se pas pamjeve që “Stop” ka transmetuar ditën e sotme ku duket qartësisht momenti i thyerjes së këmbës së vajzës, a është marrë ndonjë masë, ndërsa Hala i përgjigjet se të gjitha pamjet policia i ka siguruar që 1 ditë pas ngjarjes, më 2 Nëntor, të cilat thotë se janë në prokurori duke u hetuar.

Nga ana tjetër, Saimir Kodra thotë se Prokuroria nuk i ka pamjet teksa ka shtuar se u desh që “Stop” ta denonconte rastin që të merreshin masa, edhe pse oficerët e Policisë Gjyqësore kanë pasur dijeni për ngjarjen e denoncuar në polici para disa ditësh nga familjarët e të voglës.

Saimir Kodra: Komisariati Numër 1 ju është referuar atyre që unë transmetova, megjithëse e kishin të gjithë DVR aty brenda. Ka sot e 8 ditë që akoma nuk e kanë zbardhur.

Saimir Kodra-Petrir Halas: A është marrë ndonjë masë për edukatoren sot? Pas pamjeve, a është marrë ndonjë masë?

Petrit Hala: Të gjitha pamjet që janë marrë, janë marrë që ditën e parë në datën 2.

Saimir Kodra: A u zbardhën se unë e di që ju i keni marrë?

Petrit Hala: Po punohet për t’i zbardhur. Janë në Prokurori dhe po punohet…

Saimir Kodra: Prokuroria nuk i ka pamjet.

Petrit Hala: Të gjitha i ka.

Saimir Kodra: Të jemi korrektë. Kam konfirmim nga Prokuroria, në Prokurori nuk kanë vajtur pamjet.

Petrit Hala: Unë vij si përfaqësues i Policisë së Shteti dhe të gjitha pamjet që janë marrë që ditën e dytë…

Saimir Kodra: Nuk ka kryer asnjë veprim, si policia, ashtu edhe prokuroria.

Petrit Hala: Janë të gjitha në material të përcjellë nga ana jonë në procedimin penal që është nisur në këtë rast.

Saimir Kodra: Ai materiali që më erdhi mua është 80 orë material, 6 kamera nga ora 8 e deri në orën 15 e 07.

Petrit Hala: Janë kryer të gjitha janë kryer veprimet proceduriale të plota.

Saimir Kodra: Nuk besoj ashtu se ka që 8 ditë dhe akoma nuk ka… U desh që ta nxirrja unë…

Petrit Hala: Edhe këto pamje që keni marrë janë me këqyrje.

Saimir Kodra: Pse nuk reaguat atëherë?

Petrit Hala: Po ndiqet nëpërmjet prokurorisë.

Saimir Kodra: Mundet që në këto pamje që sot patë tek mua të mos kishit reaguar në 8 ditë? Çfarë do të bëni pas këtyre pamjeve?

Petrit Hala: Për atë mosreagim të oficerëve të policisë, ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mori masë të menjëhershëm për pezullimin nga puna të 3 policëve.

Kujtojmë se pas denoncimit të nënës së vajzës së vogël 3-vjeçare që u dhunua në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë, rasti shkoi në Komisaritatin Numër 1 dhe u hetua nga shefi i krimeve Ylli Çako. Ky i fundit ka sekuestruar pamjet filmike të kopshtit, ku duket qarta dhuna. Por ai nuk ka vazhduar me procedurën për arrestimin e personit apo personave që kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës.

E inflirtuara: Si kaluat?

Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Mirë.

E inflirtuara: Unë jam halla e vajzës së dëmtuar. Kopshti vazhdon të jetë i hapur dhe është në punë. Ne nuk dimë asgjë se çfarë po bëhet. Nuk është marrë asnjë masë. Çfarë është bërë të paktën sepse ne nuk dimë asgjë?

Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Materiali është dërguar në prokurori dhe po vazhdon hetimi. Kjo është e gjitha. Unë përsëri po i shikoj, po i hap pamjet filmike.

Pas transmetimit të “Stop”, Ylli Çako u pezullua nga puna.


Përlotet në studio psikologia Denata Toçe: Këto nuk janë edukatore

Rasti i dhunës së vajzës 3 vjeç në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë është trajtuar gjerësisht në emisionin Opinion në Tv Klan.

Ngjarja ka ngjallur reagim të ashpër publik, ndërsa psikologia Denata Toçe e ftuar në studion e Opinion, është përlotur pasi ka parë pamjet e transmetuar nga emisioni Stop se si edukatorja i thyhen këmbën vajzës së vogël në kopsht.

“Ishte thjesht një gocë e vogël që po këndonte. Vetëm po vinte veten në gjumë një vajzë e vogël 3 vjeç që po vinte veten në gjumë. Dhe ajo i tha ç’a po bën ku je këtu. E kupton çfarë kapacitet kanë këto edukatore.? Këto nuk janë edukatore. Ajo që mua më dhemb është që në të gjitha kopshtet e Tiranës…këtu legjitimohet dhuna që në familje. Këtu të gjuash është pjesë e edukimit”, u shpreh psikologia Denada Toçe.

/tvklan.al