E cilësoi akt mafioz, Meta shpjegon çfarë bëri KED

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, edhe njëherë ka deklaruar se procedura që ka ndjekur KED ka qenë një akt mafioz. I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit theksoi se KED është një instrument administrativ dhe kolegjial, i cili nuk ka të drejtë të marrë vendime.

Mirëpo sipas Metës, kryetari i KED ka zbatuar porosinë e partisë dhe e ka dorëzuar listën me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese ndryshe në kohë Presidentit dhe Kuvendit.   

“Këto vakanca sipas emrave janë shpallur në kohë të ndryshme. KED ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, pas Kushtetutës të respektojë ligjin dhe të mos më detyrojë mua të shkel ligjin. Të ndihmojë Kuvendin të mos shkelë as Kushtetutën e ligjin. Nuk ka imponencë KED të më imponojë mua të shkel ligjin.

Shiko çfarë ka bërë KED dhe pse është një akt mafioz. Është një akt mafioz sepse listat që janë bërë për të gjithë këto vakancat që kanë qenë të përcaktuara, këto lista që janë bërë janë miratuar në një kohë nga Komisioni i Emërimeve në Drejtësi. Kryetari, i cili ka të drejtë të përgatisë rendin e ditës, të drejtojë mbledhjet etj., për të zbatuar porosinë e partisë ka bërë që presidentit dy vakancat që i takojnë ia ka çuar në një datë, ndërsa Kuvendit që duhet t’ia jepte të ndryshme ia ka çuar shtatë ditë me vonesë të njëjtat liste.

Pse? Sepse sipas mendjes së tij inteligjente që presidentit t’i mbaronte mandati për të dytin në të njëjtën kohë me të parin që janë gjëra të ndryshme dhe Kuvendi të kishte 7 kohë ta shtynte këtë gjë. Tani Presidenti ose të detyrohej që përveç të parit ose brenda 30 ditëshit të bënte emërimin e të dytit që i takonte presidentit dhe të ishte një shkelje e qartë e Kushtetutës dhe me ligjin për Gjykatën Kushtetutën nga ana e Presidentit. Kudo që të çojë kjo gjë do të rrëzohej.

Ajo që u përpoqën ata të bënin, por që dështuan, ishte që të krijonin idenë që Presidentit i skadon afati. Unë prita Kuvendin të shprehej”, tha Meta.

Fevziu: Dekreti nuk po botohet në Fletoren Zyrtare. Meta: Po kujt po i kërcet…

Presidenti Ilir Meta thotë se zgjedhja e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nuk ekziston. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, kreu i shtetit tha se kishte qenë në pamundësi kushtetuese dhe ligjore për të zgjedhur brenda afatit 30 ditor, sepse duhej të shprehej Kuvendi, në mënyrë që ai të shprehej për vakancën tjetër. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se cila është anëtarja e Kushtetueses, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, Meta tha me bindje se është ajo që ka dekretin, pra Xhaferllari. Sa i përket botimin në Fletoren zyrtare të zgjedhjes së Vorpsit, Presidenti tha: ” Po kujt po i kërcet për Fletoren e Dvoranit”.

Ilir Meta: Unë kam qenë në pamundësi kushtetuese dhe ligjore për të zgjedhur, sepse duhet të shprehej Kuvendi për zgjedhjen e parë, pas asaj që kisha shprehur unë, në mënyrë që unë të shprehesha për tjetrin, sepse çdo akt i imi afektonte listën e Kuvendit dhe çdo akt i imi afektonte listat e mia, se listat ishin njësoj, kjo është arsyeja. Përse të shkelja unë Kushtetutën.

Blendi Fevziu: Pse u shprehët pas zgjedhjes së Arta Vorpsit dhe menjëherë zgjodhët Xhaferllarin?

Ilir Meta: Nuk ekziston zgjedhja e zonjës në fjalë dhe publikimi i paligjshëm dhe mafioz në gazetën zyrtare. Unë jam shprehur pasi Kuvendi u shpreh duke shkelur Kushtetutën, për të dyja bashkë, sepse nuk duhej të shprehej për të dyja bashkë, por ama e konsumoi të dytën vetë Kuvendi. Atëherë unë u shpreha për vakancën që më takonte mua. Dhe mes dy kandidateve që kishin mbetur në listë, që ishin zonja Vorpsi dhe Xhaferllari unë zgjodha zonja Xhaferllarin, sepse dy të tjerat ishin zgjedhur.

Blendi Fevziu: Kush është anëtare e Gjykatës Kushtetuese? Arta Vorpsi apo Mardisa Xhaferllari?

Ilir Meta: Po kjo histori ka përfunduar.

Blendi Fevziu: Po Zonja Vorpsi është botuar në Fletoren Zyrtare.

Ilir Meta: Është ajo që ka dekretin e presidentin, mbaroi historia.

Blendi Fevziu: Kush ka dekretin e Presidentit, Marsida Xhaferllari?

Ilir Meta: Po ajo e ka.

Blendi Fevziu: Po ky dekret nuk po botohet në Fletoren Zyrtare.

Ilir Meta: Po kujt po i kërcet për Fletoren e Dvoranit.

Zgjedhjet, Meta: Nuk kam patur kohë për Shkodrën dhe Vorën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

I pyetur se kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar bashkie në Vorë dhe në Shkodër, Meta deklaroi se nuk ka pasur kohë të mendojë për këtë çështje.

Gjithashtu ai u shpreh se i di mirë detyrimet e tij kushtetuese.

Blendi Fevziu: Kur do ketë një datë për zgjedhjet në Shkodër, ku nuk ka një kryetar bashkie dhe në Vorë ku kryetari i Bashkisë është shkarkuar?

Ilir Meta: Nuk kam patur kohë fare që të mendoj për këtë gjë.

Blendi Fevziu: Si nuk keni pasur kohë, ky është detyrim kushtetues?

Ilir Meta: Unë i di shumë mirë detyrimet e mia kushtetuese.

Blendi Fevziu: Atëherë kur do të ketë një datë zgjedhjesh?

Ilir Meta: Unë ju thashë shumë qartë që di detyrimet e mia kushtetuese.

Blendi Fevziu: Nuk keni një datë?

Ilir Meta: Nuk e di. Kjo nuk është një çështje që më takon mua të flas aq më tepër sot. Unë kam ardhur këtu për Gjykatën Kushtetuese.

Minishengeni ballkanik, Meta: Nuk ndaloj iniciativa për të bërë foto

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në parim në Ohër që i hap rrugë idesë së krijimit të një minishengeni në Ballkan.

Presidenti Ilir Meta deklaroi këtë të enjte se nuk ndalon asnjë iniciativë të askujt për t’u takuar, diskutuar apo për të bërë foto. Megjithatë për sa i përket kësaj çështje, ai theksoi nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se nuk ka pasur asnjë konsultim nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Metës, kjo iniciativë duhej të konsultohej që në fillim me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit. Meta deklaroi se është pro çdo iniciative që i forcon rrugën europiane Shqipërisë.

“Unë nuk ndaloj asnjë iniciativë të askujt për t’u takuar, për të diskutuar, për të bërë foto. Nuk kam pasur ndonjë konsultim nga ana e kryeministrit. Problemi është që çdo iniciativë rajonale duhet t’i shërbejë faktorizimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe forcimit të projektit të integrimit europian të Shqipërisë apo dhe të shqiptarëve në tërësi. Shqetësimi im është që nisma të tilla duhet të diskutohen për impaktin që kanë me grupet e biznesit dhe me njerëz që kanë disa vlera. Nuk e kuptoj një iniciativë rajonale ku nuk konsultohet që në fillim Kosova, Mali i zi dhe vende të tjera të rajonit. Unë jam pro çdo iniciative rajonale e cila e forcon rrugën europiane të Shqipërisë. Energjitë tona duhet të jenë në kushtet e Bundestagut sepse vetëm ato na çojnë përpara dhe do të përmirësojmë edhe atë klimë mosbesimi që ekziston ndaj Shqipërisë për të  gjitha ato probleme”, tha Meta.

Presidenti: Praktikisht parlamenti është vetëshpërndarë

Për Presidentin Ilir Meta kriza politike zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Sa i përket mundësisë të shpërndarjes së parlamentit, Meta thotë se praktikisht parlamenti është i vetëshpërndarë. Nga studio e “Opinion”, Presidenti thotë se askush nuk beson më në parlament. Madje ai është i mendimit se deputetët e mazhorancës janë në një situatë të rëndë, pasi u ka ikur vlera, duke qenë se për opozitë parlamentare kanë deputetë të cilët as e kishin menduar që mund të shkonin si vizitorë të Kuvend e jo më të ishin pjesë e tij.

Blendi Fevziu: A ka nevojë vendi për zgjedhje të parakohshme?

Ilir Meta: Ka kaluar me kohë koha e zgjedhjeve të parakohshme, sepse kjo krizë që ka ardhur këtu, vetëm me zgjedhje zgjidhet, nuk zgjidhet me asgjë tjetër.

Blendi Fevziu: Është rifolur disa herë për një mundësi tuajën për shpërndarjen e parlamentit, e rishihni si zgjidhje?

Ilir Meta: Tani, parlamenti praktikisht është vetëshpërndarë, në mënyrën sesi është sjellë.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë merr vendime, aprovon ligje.

Ilir Meta: Po patjetër, edhe ai ka botuar atë në Fletoren Zyrtare, këto janë gjëra që ndodhin. Parlamenti është vetëshpërndarë praktikisht. Askush nuk beson më në atë parlament. Bile edhe ata deputetë të mazhorancës janë në një situatë edhe më të rëndë, sepse shumë prej tyre kanë eksperiencë, kanë një personalitet, u ka ikur vlera, sepse tani ngaqë kanë ardhur disa deputetë të rinj që se kishin menduar që as mund të shkonin si vizitorë në parlament, këtyre u ka rënë vlera fare, se nuk ka njeri nevojë as për votat e këtyre. Këta ose do të futen në rresht ose do të ikim nga listat fare. Ai parlament është vetëshpërndarë. Më vjen keq që po e them këtë gjë, nuk dua ta them këtë gjë. Unë kam treguar respekt parlamentit, kam vajtur edhe tek një komision i paligjshëm parlamentar për të hetuar presidentin, i paligjshëm totalisht. Por kam vajtur vetëm për t’i thënë që shiko, unë jam president, unë vij. Pse vij? Vij se e respektoj parlamentin, respektoj qytetarët shqiptarë. Po vij këtu se unë nuk kam frikë nga akuzat tuaja, hajde mi bëni akuzat, çfarë keni, ku e kam shkelur Kushtetutën?

Çfarë do të bëjë Ilir Meta pas përfundimit të mandatit

Presidenti Ilir Meta ka mandat deri më 24 Korrik të vitit 2022 dhe nuk ka ndërmend që të largohet nga ky post përpara kësaj date. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit deklaroi se nuk ka pasur kurrë në plan që të dorëzonte mandatin për t’u vënë në krye të opozitës.

Meta është një ndër politikanët me më shumë përvojë. Ai ka qenë kryeministër, kryetar Kuvendi dhe President. Të gjitha këto i ka realizuar në një moshë relativisht të re.

Presidenti iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se çfarë do të bëjë pasi të mbarojë mandatin e Presidentit dhe nuk zgjidhet më në krye të shtetit. Meta bëri një krahasim të vetes me Isa Boletinin dhe theksoi se ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri në të mirë dhe në të keq.

Blendi Fevziu: Ka pasur komente se ju mund të dorëzoni mandatin e presidentit për t’u vënë në krye të opozitës…

Ilir Meta: Kurrë!

Blendi Fevziu: Në asnjë rast?

Ilir Meta: Deri më 24 Korrik 2022 nuk ka detyrë më të rëndësishme, më të shenjtë më të nderuar për mua se sa President i Republikës së Shqipërisë. Pikë dhe nuk lëviz kjo gjë.

Blendi Fevziu: Në 24 Korrik 2022 që ju mbaroni mandatin tuaj dhe nëse nuk rizgjidheni çfarë do bëni, do dilni në pension në moshën 53-vjeçare? Shumë detyra i keni marrë në moshë të re. Kryeministër 30-vjeç, kryetar Kuvendi tek të 40-tat…

Ilir Meta: Unë kohë për të menduar për këtë gjë nuk kam patur sepse edhe punët dhe angazhime kam pasur shumë. Për mua nuk ka asnjë rëndësi se ku do të jetë Ilir Meta më 25 Korrik në mëngjes. Për mua ka rëndësi se ku do të jetë Shqipëri më 25 Korrik. Unë kam atë filozofi, atë përgjegjshmëri që kishte Isa Boletini. Kur është Shqipëria mirë, thoshte unë jam mirë, kur është Shqipëria keq edhe unë keq. Për mua ka rëndësi të jetë Shqipëria mirë. Kudo që të jetë Ilir Meta është shumë mirë, se Ilir Meta ka vendosur që në të mirë dhe në të keq të jetë në Shqipëri dhe me shqiptarët këtu.

Blendi Fevziu: Gjithsesi në këtë 30-vjeçar keni ju përgjegjësi se ku është Shqipëria zoti Meta? Ju personalisht.

Ilir Meta: Padyshim që kam përgjegjësitë e mi, por për një gjë jam i sigurt dhe i ndershëm para të gjithëve. Nuk njoh një politikan tjetër, më falni për mungesën e modestisë në këtë aspekt, që të ketë pasur angazhim, përkushtim dhe të ketë bërë sakrifica apo zgjidhje politike për integrimin e vendit europian të Shqipërisë se sa Ilir Meta. Edhe dorëheqjet i kam bërë për shkak të krizave që krijonin këto të tjerët. Pastaj gabimet janë normale, por unë u jam nënshtruar gjykimit të njerëzve.

Meta: Duan të marrin Presidencën për ca firma që hedhin në erë interesat kombëtare

Presidenti Ilir Meta nuk i kurseu akuzat ndaj mazhorancës mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”. Sipas tij, mazhoranca po kap të gjitha institucionet në vend dhe kërkon të marrë edhe Presidencën. Arsyeja sipas Metës ka të bëjë me “dy-tre firma” të cilat mazhorancës i duhen nga presidenti. Pavarësisht insistimit të gazetarit Blendi Fevziu, kreu i shtetit nuk pranoi të zbulonte se për çfarë firmash bëhej fjalë, por theksoi se “e duan se u duhet ajo zyrë që dikush aty të hedhin ca firma, që hedhin në erë interesat kombëtare të Shqipërisë”.

Ilir Meta: Ne kemi një grupim i cili dëshiron të kapë të gjithë shtetin edhe nuk dëshiron të respektojë as Kushtetutën, as parimet e shtetit të së drejtës, as parimet e balancës dhe kontrollit, kërkon të eliminojë llogaridhënien.

Blendi Fevziu: Po ju ku e keni përgjegjësinë tuaj në këtë situatë?

Ilir Meta: Shikoi të gjitha institucionet si i ke sot… A kemi një problem, kemi presidentin. Edhe e duan ata edhe presidentin.

Blendi Fevziu: Mazhoranca mund t’ju shkarkojë ju.

Ilir Meta: Po po patjetër, më ka shkarkuar prej kohës. E duan ata edhe presidentin, jo vetëm që të mos i krijojë këto shqetësimet për gjithë këto shkeljet e Kushtetutës, me të gjithë këto tmerret. Por e duan se u duhet ajo zyrë që dikush aty të hedhin ca firma, që hedhin në erë interesat kombëtare të Shqipërisë, por që mund të hedhin në erë edhe interesat kombëtare të shqiptarëve. Por deri në 24 Korrik 2022, ato firma në atë zyrë nuk hidhen.

Blendi Fevziu: Cilat janë këto firma, për çfarë konkretisht?

Ilir Meta: Unë kaq di të them.

Blendi Fevziu: Po çfarë janë këto firma që mazhoranca do një president që t’ia firmosë?

Ilir Meta: Unë të gjitha nuk do t’i them. Ata duan nja dy firma aty, si firma e atij që çoi të gazeta atë ditën e shtunë më 7 Nëntor, ky kryetari i KED.

Blendi Fevziu: I duan firmat për çfarë?

Ilir Meta: I duan se kanë disa detyrime ata, ndërkombëtare, përveç të tjerash apo jo.

Blendi Fevziu: Po flisni për rikorrigjimin e kufijve, ajo s’ka lidhje me Shqipërinë…

Ilir Meta: Tani unë nuk të thashë se për çfarë bëhet fjalë

Blendi Fevziu: Po flisni për marrëveshjen e detit me Greqinë?

Ilir Meta: Unë të thashë që ka nja 2-3 firma që duhen, se duhet ai institucion, po tani atë institucion, Kushtetutën nuk e kam mbrojtur kot siç e kam mbrojtur. Edhe në fund fare nëse bien të gjitha institucionet, presidenti është i popullit./tvklan.al