#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Intervistë me ish-presidentin Ilir Meta që ndodhet në izolim në qelinë 5 në paraburgimin e Tiranës. 11 pyetje të cilave Ilir Meta u është përgjigjur me shkrim. Inteligjenca Artificiale e ka kthyer në një intervistë të mirëfilltë duke përdorur pamjen dhe zërin e tij, pa ndryshuar përmbajtjen e përgjigjeve.

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Ilir Meta: Qelia më duket si Kavalishenca, po luaj ping-pong me sportistë nga Nigeria

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgimin 313 të Tiranës i arrestuar për korrupsion prej 5 muajsh, ka dhënë një intervistë me shkrim për emisionin Opinion në Tv Klan, që është përshtatur për transmetim me zë e figurë përmes inteligjencës artificiale.

Ish-Presidenti është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si e kalon kohën në qelinë e paraburgimit.

Ilir Meta thotë se qëndrimi në qeli i duket si pushime, duke përmendur shtëpinë e pushimit Kavalishencën, si dhe ka mësuar të gatuajë.

Si është jeta juaj në izolim? Me se merreni gjatë ditës?

Ilir Meta: Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë. Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë nuk kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do të më ndihmojnë shumë për të ardhmen.

Nuk e konsideroj kohë të humbur, por kohë të fituar.

Natyrisht që kam parë se sa njerëz të pafajshëm ndodhen këtu vetëm që dikush të mburret me statistika të cilat vrasin jetë njerëzish  dhe familjarësh.

Duhet një reformë e vërtetë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit, pasi mbi 60% e njerëzve këtu ose janë të pafajshëm ose mund të hetoheshin në gjendje të lirë, pranë familjarëve të tyre.

Duhet rishikuar Kodi Penal dhe gjithë politika penale, e cila lejon shumë abuzime në interpretim dhe shkatërron jetë njerëzish, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.

Po kështu duhen dyfishuar pagat e policisë së burgjeve, sepse kanë një punë me shumë tension dhe paga skandaloze.

Përveçse edhe vaktin e premtuar prej kohësh nuk e marrin.

Harrova të të them se në ping–pong jam më mirë se kurrë në jetën time duke mundur edhe sportistë nga Nigeria.

Arrestimi juaj pati shumë kritika. Por policia u mbrojt me idenë që ju e kundërshtuat atë. Është e vërtetë?

Ilir Meta: Cila polici? Ajo me maska apo pa maska? Po pse policë ishin ata?

Ata ishin vetëm banditë me maska, pa numër identifikimi, që nuk u prezantuan, por vetëm ulërinin dhe që nuk paraqitën asnjë copë letër të firmosur nga SPAK-u ose vetë policia e shtetit.

Po kështu, ajo që ju keni parë në videot e shpërndara nga Edi Rama, ishte vetëm një sekuencë përfundimtare e gjithë asaj maskarade kriminale.

Sepse ajo skenë bllokimi të trafikut e të kontrollit të makinave ka ndodhur për minuta të tëra, të paktën 200 metra para makinës time që ju shihni dhe ne nuk po kuptonim ç’po ndodhte , nëse këto ishin Forca Speciale që po kërkonin ndonjë bos të kartelit të Sinaloas apo këta ishin banditë të vërtetë që kishin dalë për grabitje.

Janë dhjetëra e qindra qytetarë dëshmitarë të atij terrori që përfundoi te makina ime me ulërima dhe automatikë të rëndë.

Ndërkohë që unë kisha lajmëruar në Facebook konferencë shtypi dhe në orën 14:00 më pristë për drekë një Ambasador i një vendi të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, që unë nuk kisha asnjë gardist në makinë dhe ata kishin lajmëruar, që unë isha në Prevallë për fundjavë, ku bëra edhe shumë pastime në rrjetet sociale.

Si mund të ketë justifikime për një akt të tillë?

Vetëm banda e Sorosit mund te pjellë justifikime të tilla.

Do e marrin përgjigjen më 11 Maj.

Pastaj kam dy pyetje për ju?

Si nuk u gjend një makinë policie për të futur ish–Presidentin e Republikës, por e rrëmbyen me makinë private?

Po kështu, këta banditë që pretendojnë se u shanë e kishin më të lehtë të hynin me kamera profesionale në një makinë ku askush nuk kishte armë apo me automatikë të rëndë?

Ndaj 11 Maji do të jetë një Referendum kundër kësaj bande kriminale.

A vijoni ende të besoni se ish–bashkëshortja juaj ka bashkëpunuar ose i ka dhënë dokumenta SPAK?

Ilir Meta: Unë jam shumë i qetë se askush nuk e ka mundësinë të më tradhëtojë për arsyen më të thjeshtë se nuk ekziston asnjë dokument dhe asnjë akt ligjor i Ilir Metës në 33 vite jetë publike dhe private.

Po të ekzistonte një i tillë jo vetëm nuk do kishit parë atë skenë kriminale rrëmbimi, që as prindërit e një vrasësi nuk e meritojnë ta shohin në televizor për fëmijën e tyre, por do kishte nisur gjykimi me kohë.

A keni dëgjuar gjë ju që Ilir Metës i kanë sekuestruar ndonjë lek apo euro apo garsionere?

Tradhëtarët i përdorin të gjithë, por edhe i neverisin të gjithë.

Ah po, që ka njerëz që kanë qenë në LSI dhe janë marrë peng nga SPAK, këtë e di e gjithë Partia e Lirisë.

Një prej tyre është edhe në listën për deputet të “Rilindjes”.

I thirrur disa herë në SPAK për lobimet për shkak të detyrave të tij por edhe se mbulonte edhe financat e LSI.

A kishte në LSI persona që pas hetimeve të SPAK- ut bënë çdo gjë për të minuar Partinë e Lirisë duke vendosur edhe përgjuesa në seli?

Po, këtë e dinë të gjithë.

A u bënë përpjekje nga këta për të sabotuar Konventën e Partisë së Lirisë kundër nepotizmit në 27 Prill të vitit të kaluar?

Po dhe dështuan me sukses.

A kishte në Partinë e Lirisë nga ata që thoshin se Meta do arrestohet sot e nesër ndaj mos e mbështesni se nuk e duan amerikanët (Soros)?

Po, kishte.

Po nga ata që pas arrestimit të Metës thërrisnin anetarë të KDK për të shkarkuar Tedi Blushin, “agjentin rus”, a kishte?

Po, por ata ishin dhe mbetën sufllaqexhinj të pavlerë dhe të pander, që kanë qenë një kosto shumë e madhe për mua dhe Partinë e Lirisë.

Ata tani janë fiks në partinë e tyre, të njerëzve pa dinjitet dhe pa karakter, që kurrë nuk kanë besuar në një ideal apo ide.

Ilir Meta flet nga burgu për Opinion: Do zgjidhem deputet nga qelia, do jem më i votuari në Tiranë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dhënë një intervistë për Opinion në Tv Klan i cili u është përgjigjur pyetjeve me shkrim. Inteligjenca Artificiale e ka kthyer në një intervistë të mirëfilltë duke përdorur pamjen dhe zërin e tij.

Meta thotë se u fut si kandidat në listë të hapur pasi është në kushte të pabarabarta për fushatë elektorale.

“Unë e kam thënë, e kam deklaruar publikisht në Konventën e Tiranës në mesazhin tim me audio se do të jem në listë të hapur në qarkun e Tiranës edhe ndër më të votuarit madje. Natyrisht kjo ka qenë kërkesë e Kryesisë e Partisë së Lirisë, por edhe sugjerimi i drejtuesve të PD-së. Për të  qenë në listë të mbyllur duke patur në konsideratë izolimin tim ekstrem dhe pamundësinë për të bërë fushatë në kushte të barabarta apo të pranueshme. Por unë nuk mund të pranojë kurrsesi e për çdo arsye se në vitin 2008 kam bërë grevë urie në parlament bashkë me disa kolegë të tjerë kundër ndryshimeve kushtetuese,  të cilat sollën edhe listat e mbyllura të kryetarëve që e kanë dobësuar kaq shumë parlamentarizmin, llogaridhënie dhe përfaqësimin e qytetarqëve. Ky është gjithashtu një rast i mrekullueshëm për të arritur një rekord të ri, të panjohur, për t’u zgjedhur deputetë nga qelia numër 5. Unë e di pavarësisht nga vështirësia për të bërë fushatë, rezultati do të jetë përtej çdo parashikimi optimist”, tha Meta.

Ai u shpreh bindshëm se më 11 Maj shqiptarët do të votojnë masivisht Ilir Metën.

“Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë e dinë përse unë jam në këtë izolim ekstrem dhe absurd. Të gjithë e dinë se rrëmbimi im kriminal ishte për të frikësuar ata dhe jo mua. Natyrisht, u inskenua dy javë para fitores së pritshme, sipas tyre, të Soros në SHBA në mënyrë që kukulla e tij atje të dilte në Zoom të falenderonte Kryeministrin kukull të Sorosit këtu për përparimet e mëdha në fushën e drejtësisë dhe arrestimet në nivelet më të larta. Kjo do të ndodhte gjatë prezantimit të një libri në Tiranë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se unë jam më i lirë këtu në qelinë Nr.5 se sa ata janë jashtë kësaj qelie ku intimidohen, bullizohen dhe nëpërkëmben çdo ditë nga një bandë që nuk njeh as Kushtetutë dhe asnjë normë njerëzore. Ndaj shqiptarët në 11 Maj do të votojnë për Lirinë e tyre në rradhë të parë dhe një votë masive për Ilir Metën do të jetë për këtë arsye”, tha Meta.

Meta tregon sa mandate do të fitojë PL: Do të jetë rezultat surprizë

Nga qelia nr. 5, ish-presidenti Ilir Meta, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai u është përgjigjur me shkrim 11 pyetjeve, ndërsa përmes Inteligjencës Artificiale është riprodhuar pamja dhe zëri i tij.

Meta është pyetur për pritshmëritë e tij në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe nuk është druajtur të bëjë një parashikim të guximshëm. Ai siguroi se rezultati do të jetë një surprizë.

Blendi Fevziu: Partia e Lirisë duket që të ketë një firo të madhe. A keni frikë se ajo do jetë më inferiore se sa rezultati i LSI në 2021?

Ilir Meta: Kjo pyetje më shton humorin i dashur Blendi. Nëse Partia e Lirisë ishte keq, pse duhej rrëmbyer në mënyrë kriminale Ilir Meta? Unë kam qenë në hetim nga Altin Dumani që në Dhjetor 2019 me porosi të Ramës dhe McGonigalit. Asnjëherë unë nuk i jam shmangur drejtësisë dhe as SPAK- ut. Çështja CEZ–DIA i takon vitit 2010 dhe është gjykuar brenda vendit dhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë dhe nuk ka asnjë lidhje me mua. Ajo ka qenë një marrëveshje midis CEZ (kompania publike e Çekisë) dhe DIA një kompani private. Po kështu është e provuar që kjo lidhje  është krijuar përmes partneres amerikane të Z. Ismaili dhe nuk kishte asnjë lidhje me personin tim. Po kështu dihet që me z. Ismaili kam patur shoqëri që nga viti 1993 ose 1994, ashtu siç dihet që me ty kam luajtur që fëmijë te oborri i Shkollës së Kuqe, por as unë dhe as ti nuk mbajmë përgjegjësi për njëri–tjetrin, por vetëm për veten. Ndaj të jesh i bindur i dashur Blendi se rezultati i Partisë së Lirisë  do të jetë surprizë dhe mos harro se të kam surprizuar edhe herë të tjera.  Si për shembull kur të dhashë parashikimin në garën që sajoi Nano në KPD pas zgjedhjeve për kryeministër. Ose në 2013 kur më pyesje gjithmonë a do i merrnim 71 – 72 mandate, pasi sipas rezultateve të 2009 dhe sondazheve, kaq ishte maksimumi. Apo në 2017 kur pas 17 Majit, Edi dhe Luli u bënë bashkë për të shuar LSI dhe ajo u shtua me 19 mandate dhe 230 mijë vota. Por këtë surprizë jam i bindur që s’do e harrosh se është nga qelia Nr. 5. Mos harroni, politika është kimi dhe jo aritmetikë. Dhe tani ka hyrë në lojë kimia e patriotëve kundër aritmetikës së mercenarëve.

Blendi Fevziu: Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ilir Meta: Pritmëritë e mia janë të qarta. Koalicioni ynë mbi 80 mandate dhe Partia e Lirisë 12 mandate (pra 4 + 8).

Nga Presidenca përfundoi në qelinë nr.5/ Ilir Meta: Isha i përgatitur, kisha lajmëruar edhe miqtë

Ish-Presidenti, ish-kryeparlamentari dhe ish-Kryeministri Ilir Meta, prej rreth 5 muajsh ndodhet i paraburgosur në qelinë nr.5 pasi po hetohet nga SPAK për korrupsion.

Në një intervistë me shkrim nga qelia për emisionin Opinion në Tv Klan dhe përshtatur përmes inteligjencës artificiale, Ilir Meta thotë se arrestimin e tij e priste të ndodhte dhe kishte lajmëruar edhe miqtë e tij.

Sa e vështirë është të kalosh nga President, Kryeministër, kryetar partie në i burgosur në qelinë Nr.5?*

Ilir Meta: Isha i përgatitur për këtë që do të ndodhte dhe i kisha paralajmëruar të gjithë miqtë e mi të vërtetë. Ndaj Konventën e 27 Prillit e organizova befasisht e po kështu edhe ndryshimet statutore e programore në një kohë rekord.

Jam i bindur që qelia ime mban Nr.5 sepse më kujton çdo ditë 5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus, programin aq konciz e thelbësor të Partisë së Lirisë.

Gjatë krizës së Kosovës për dy muaj në Kukës kam kaluar situatë shumë më të vështira, kur flija në zyrën e Prefektit duke vendosur dy kolltuqe tek përballë njëri–tjetrit. Këtu më duket lule.

Çfarë të kanë mësuar këto muaj izolimi?

Ilir Meta: Në korridoret e burgjeve kam takuar njerëz shumë më me vlera dhe karakter se në  “korridoret” e politikës. Po kështu kam kuptuar dhe ndjerë atë që thoshte Musine Kokalari, se lirinë duhet ta kërkojmë brenda vetes. Dhe unë fatmirësisht ndihem i lirë. Një mëngjes kur hyra te salla e pingpongut lexova në tabelë që ishte shkruar: I lir means Freedom. Falenderova edhe një herë nënën time që zgjodhi këtë emër për mua.