Opinion – Inceneratorët, kush janë të arrestuarit e radhës?


Opinion – Inceneratorët, kush janë të arrestuarit e radhës?

Autori: Blendi Fevziu

23:30 17/11/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Artan Hoxha, Klodiana Lala, Fatjona Mejdini, Eni Ferhati, Eugen Beci, Faraudin Arapi, Luan Baçi

Arapi ju bën ftesë publike Lalës dhe Baçit të vizitojnë inceneratorin e Fierit. A pranojnë gazetarja dhe deputeti?

Administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi i ka bërë ftesë gazetares Klodiana Lana dhe deputetit të PD-së Luan Baçit që të vizitojnë inceneratorin e Fierit teksa ka thënë që për këtë do të marrë leje nga prokuroria. Ftesa është pranuar nga gazetarja Klodiana Lala dhe deputeti demokrat Luan Baçi.

Blendi Fevziu: Të vijë Baçi ta vizitojë bashkë me Lalën?

Faraudin Arapi: Po, të vijnë.

Klodiana Lala: Nuk e lejon prokuroria, nuk mund ta merrni këtë premtim përsipër.

Blendi Fevziu: Do ta marrë Arapi autorizimin?

Faraudin Arapi: Unë do të marr autorizimin nga prokurori si administrator i shoqërisë.  

Blendi Fevziu: Arapi po të fton, do të shkosh?

Klodiana Lala: Premtim publik, do të shkoj.

Blendi Fevziu: Edhe ju Baçi do të shkoni?

Luan Baçi: Patjetër që po.

Blendi Fevziu: Pasi të shkoni, ju të dy do të ktheheni prapë në emision.

Faraudin Arapi: Duhen 5 këste rreth 2 milionë Euro që inceneratori i Fierit të fillojë punën

11 urdhër-arreste janë lëshuar nga SPAK për inceneratorin e Fierit, nga të cilat janë ekzekutuar 5, pasi Prokuroria Anti-Korrupsion dyshon për aferë.

Administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi, thotë në emisionin Opinion në Tv Klan se duhen edhe 5 këste nga buxheti i shtetit që ky incenerator të fillojë të funksionojë dhe të prodhojë energji. Këto 5 këste, sipas Arapit, kanë vlerën e rreth 2 milionë Euro.

Fatjona Mejdini: Thatë që prodhimi  i energjisë do të fillojë brenda këtij viti, le  të themi në muajin Dhjetor. në qoftë se thatë ju do të kalohen disa para nga autoriteti. Sa para prisni ju që të kalojnë ende në mënyrë që të filloni prodhimin e energjisë.

Faraudin Arapi: Kontrata e koncesionit ka 72 këste të mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit. Deri më tani janë financuar 67 këste. Mbyllja e plotë e vlerës së projektit dhe e kontratës së koncesionit ka të bëjë me 5  këstet e tjera të livrimit i cili bën testimet bën kolaudimet, bën situacionin përfundimtar, bën planin e dorëzimit të objektit dhe nëse këto fonde, në qoftë se nuk pengohen, realisht, se duke thënë që janë tejkaluar fondet, nuk janë tejkaluar fondet e financimit buxhetor.

Fatjona Mejdini: Sa para janë në këto 5  këste që ju prisni të merrni?

Faraudin Arapi: Këto janë para që me nëpërmjet programit të investimit..

Fatjona Mejdini: Po sa para janë o zoti Arapi?

Faraudin Arapi: Janë afërsisht 2 milionë Euro.

Fatjona Mejdini: Domethënë duhen dhe 2 milionë Euro të tjera në mënyrë që ne të presim?

Faraudin Arapi: Jo të gjitha. Zbatimi i kontratës kërkon për 5 këste dy milionë euro. Nga këto për ta vënë në punë, për të filluar procesin e djegies duhen jo më shumë se 1.3/ 1.4 milionë euro. Për të realizuar fillimin e procesit të djegies.

Artan Hoxha: Këto s’i merrni dot më se i  keni marrë 3.1 milionë euro për këtë vit nga buxheti i shtetit.

Blendi Fevziu: Po vitin tjetër mo burrë ç’rëndësi ka.

Artan Hoxha: Po që të mbarojë brenda vitit.

Blendi Fevziu: Nëse tha zoti Arapi.

Faraudin Arapi: Nëse mbështetja financiare do të realizohet dhe kontrata do të quhet e mbyllur ne do i mbyllim objektin në afat.

“Mos gënjeni”, debat mes Baçit dhe administratorit të inceneratorit të Fierit: Ju mbaj mend nga firmat piramidale

Administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi thotë se inceneratori i Fierit do të fillojë të punojë brenda vitit.

Në një lidhje për emisionin Opinion në Tv Klan, Arapi thotë se ndezja e kaldajës në incenerator do të bëhet nëse mundësohet financimi i menjëheshëm.

Blendi Fevziu: Kur do të punojë inceneratori?

Faraudin Arapi: Me grafikët e punimeve që kemi ne, datat do të bëhet me vazhdimin e këstit të mbetur për vazhdimin e kontratës, nëse financimi do të bëhet menjëherë, ne do ta mbyllim brenda vitit ndezjen e kaldajës.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi ka pasur një “përplasje” me administratorin shtetëror të Fierit, Faraudin Arapin.

Baçi ka dhënë argumentet e tij në lidhje me inceneratorin e Fierit, por këto nuk janë mirëpritur nga administratori shtetëror i inceneratorit, i cili i ka thënë Baçit se po gënjen.

Luan Baçi ka deklaruar se inceneratori i Fierit nuk vihet në punë se inxhinerët që punojnë aty thonë se teknologjia është shumë e vjetëruar. Kjo deklaratë, sipas Arapirt nuk është e vërtetë i cili ka ftuar gazetarin Fevziu që të shikojë nga afër teknologjinë në inceneratorin e Fierit.

Luan Baçi: Më vjen vërtetë habi se si Arapi merr në mbrojtje gjithë historinë e inceneratorit të Fierit nga fillimi e deri në fund. Arapi, është një administrator i vendosur nga organet gjyqësore për periudhën kur është bërë bllokimi i inceneratorit dhe shpallur në kërkim pronarët e inceneratorit. Mendoj se Arapi duhet të fillojë të japë shpjegime. Unë nuk besoj se ka qenë në dijeni se si është zhvilluar veprimtaria e inceneratorit. Arapi nuk e di se kur kanë filluar negociatat e para, Subashi ka miratuar në një mbledhje shumë të shpejtë, jo në Fatos siç tha Arapi, por vendimi i parë i Këshillit Bashkiak, madje është bërë vendim që të ndërtohej në Njësinë Vendore Portëz. Pas protestave të banorëve pasi donin të ju merrnin tokat, u detyruan të mblidhnin Këshillin Bashkiak në formën jo ligjore dhe të bënin një tjetër vendim për në Brostarë, aty janë përballur përsëri me protestat e qytetarëve dhe të banorëve të zonës. Dhe një vendim tjetër të Këshillit Bashkiak e kanë çuar në Kallm, në veri të Fierit. Aty kanë shpronësuar toka të banorëve dhe për interesa të firmave ngulën këmbë për ta ndërtuar aty. Për afatet e ndërtimit ka qenë afati i parë dhe ju keni një dalje të Subashit dhe të Kryeministrit që kanë qenë për në Shtator të vitit 2019, kanë bërë një shtyrje të afatit për në Shtator të 2021, pastaj për në Prill të 2022-shit.

Faraudin Arapi: Mos gënjeni! Ti nëse do të bësh politikë, bëj, unë nuk bëj.

Luan Baçi: Nuk po gënjej fare unë. Unë ju mbaj mend nga firmat piramidale, i keni menaxhuar shkëlyqer në 97-ën  dhe më vjen vërtet keq sepse unë prisja një mendim profesional nga ana juaj. Unë po them fakte dhe argumente dhe ju jeni krejtësisht gabim dhe po vazhdoni të mashtroni. Inceneratori i Fierit nuk vihet në punë se inxhinerët që punojnë aty thonë se teknologjia është shumë e vjetëruar.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë kjo?

Faraudin Arapi: Të bëj ftesë publike, ju personalisht. Hajde shikojeni dhe thoni, shikojeni teknologjinë bashkëshkohore.

Luan Baçi: E kanë lyer me bojë, por nuk vihet në punë.

 Kujtojmë se Faraudin Arapi ka qenë kryetar i Këshillit Mbikqyrës të firmave piramidale.

“Rolin e zhurmuesit mos e bëj”, përplasen Faraudin Arapi dhe Klodiana Lala: A flasim pak për milionat e vjedhura?

Administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi dhe gazetarja Klodiana Lala kanë pasur një “përplasje” në emsionin “Opinion” në Tv Klan.

Gazetarja Lala i ka kërkuar Arapit që të tregojë se a është bërë vjedhje në inceneratorin e Fierit, ndërsa administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Arapi i është drejtuar duke i thënë se “rolin e zhurmuesit mos e bëj”.

Klodiana Lala: Inceneratori nuk punon. Për çfarë do të flisni? Hetimin e bën Prokuroria, këtu jeni pa rol.

Faraudin Arapi: Rolin e zhurmuesit mos e bëj.

Klodiana Lala: Rolin e zhurmuesit nuk e bën njeri. Hiqe këtë fjalë dhe qëndron brenda kornizave që të takon sipas ligjit dhe sipas moralit.

Faraudin Arapi: Rolin e zhurmuesit mos e bëj.

Klodiana Lala: E mbrojtët qeverinë, bravo ju qoftë, problem është: A flasim pak për milionat e vjedhura? Këtë na thuaj se ke 6 muaj aty me laps dhe me letër. A është bërë vjedhja se kjo i intereson shqiptarëve? Këtë na thuaj.

Klodiana Lala: Ju jeni një person që keni detyra të përcaktuara nga ligji.

Administratori i inceneratorit të Fierit: Kontrata koncesionare e përfundimit të ndërtimit ishte 24 Tetor 2022

Administratori shtetëror i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi thotë se ky objekt e kishte afatin e përfundimit në 24 Tetor 2022 dhe jo në vitin 2019.

Në një lidhje për emisionin Opinion në Tv Klan, Arapi thotë se mbështetja financiare nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Fierit është 32.8 milionë Euro.

Faraudin Arapi: Inceneratori i Fierit ka një kontratë koncesionare me vlerën rreth 32.8 milionë Euro. Punimet e ndërtimit dhe të përfundimit të saj kanë patur si afat përfundimtar kohor 24 Tetorin 2022.

Blendi Fevziu: Afatin e shtyrë se afatin primar e kanë patur në 2019.

Faraudin Arapi: Jo, jo. Këto janë të pasakta. Unë jam administratori i ngarkuar nga Gjykata Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Blendi Fevziu: Kur duhet të mbaronte me kontratën koncesionare dhe jo me ju?

Faraudin Arapi: Kontrata koncesionare është 24 Tetor 2022. Këto janë të gjitha trillime, shpifje. Investimi në objekt është investim i taksapaguesve shqiptarë, pra ka mbështetje financiare nga buxheti i shtetit në vlerën 32.8 milionë. Unë kam ardhur në këtë detyrë duke filluar nga Dhjetori 2021 dhe e vazhdoj. Unë mbështes hetimin e pavarur të Prokurorisë dhe nuk kam ardhur për askënd nga ata. Kam vënë në shërbim të organit të akuzës gjithë dokumentacionin. Impianti, godina është aty, ajo është një vepër arkitekturore, është në fazën përfundimtare. Unë nuk përfaqësoj Klodian Zoton, nuk përfaqësoj punën e bërë nga paraardhësit, unë jam shteti, përfaqësoj shtetin. Si kanë punuar ato kompani, janë objekt i hetimit të SPAK. Mbështetja financiare e buxhetit është realizuar deri më tani 29.8 milionë, plus 5 milionë të investuara për ndryshimin e tipologjisë së terrenit, deri më tani objekti është 37 milionë vlerë investimi, jo nga fondet buxhetore. Ka ndryshuar vendi i depozitimit të mbetjeve urbane në Fier, nga Patosi në Mbrostar. Deri sa doli leja e ndërtimit, më pas filluan punimet ndërtimore. Kontrata  e koncesionit e ka 6 vjet, nga të cilat 20 muaj i ka ndërtim, 4 vite operim dhe 6 muaj transferim Bashkisë së Qarkut Fier.

SPAK nxorri 11 urdhër-arresti për inceneratorine Fierit, nga të cilët janë arrestuar 5 persona dhe të tjerët janë në kërkim. /tvklan.al









Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:30 17/11/2022