#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

“Është një nga emisionet më të vështira që unë personalisht kam zhvilluar në këto 27 vite, jemi në vitin e 28-të, është shumë i vështirë për arsye se është përtej asaj unë njoh. Është përtej asaj ndoshta që njohin pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Është përtej asaj që njeh pjesa më e madhe e globit. Bëhet fjalë për Inteligjencën Artificiale (AI). Kur unë kam nisur emisionin, në atë kohë nuk kishte as SMS, kishte vetëm një telefon që thuhej ‘alo’, në gjithë Tiranën ishin 740 telefona. Sot, pas 28 vitesh, Inteligjenca Artificiale mund të transformojë gjithçka në jetën tonë”, kështu u shpreh në hyrje të emisionit mbrëmjen e kësaj të hëne, gazetari Blendi Fevziu.
Por çfarë është Inteligjenca Artificiale (AI)? Pjesa më e madhe e shqiptarëve, me gjasë e kanë dëgjuar atë nga emri i Mira Muratit, njërës prej personazheve të përfshirë në AI, në kupolën e zhvillimit të saj, e cila ka lindur, është rritur, e shkolluar në vitet e para në Vlorë. Më pas është transferuar në Kanada, në Japoni, në SHBA me një jetë mjaft interesante. Dhe u bë shumë e njohur duke ardhur në krye të grupit që merrej me AI.
Inteligjenca Artificiale po kthehet në debatin më të madh të globit lidhur me atë se ku po shkon bota. Çfarë mund të realizojë AI? Ku mund të na çojë ajo? Përtej kësaj, vetë Inteligjenca Artificiale ka hapur një debat, kur ajo mund të përdoret në sensin pozitiv, pra për të ndihmuar njerëzimin dhe kur ajo mund të përdoret si një armë ‘vrasëse’? Çfarë është AI në vetvete?