#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Në studio: Elton Sterkaj, Midjana Hoçja, Paulo Gjoka, Shaban Pasmaçiu, Erion Pllumbaj, Armend Pire, Valbona Arapi, Jonida Shkjau

Bujtina me turistë zviceranë, ikin dritat. Pronari: Gjithë natën gjeneratori ndezur, harxhova mbi 100 Euro karburant

Bujtinat Adora në Fierzë janë një investim rreth 2 milionë Euro i bërë nga sipërmarrësi Paulo Gjoka. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ai tha se shumica e vizitorëve të huaj janë spanjollë.

“Vizitorët kryesorë shumica janë të huaj por dhe shqiptarët shumë. Nuk ka turistë më të mirë se shqiptarët. Të huajt janë kryesisht spanjollë, gjermanë, shumë zviceranë, francezë, por dominojnë spanjollët. Vitin e kaluar ishin spanjollë”.

Gjoka shprehet i kënaqur me investimin që ka bërë, pavarësisht se shpeshherë përballen me mungesën e energjisë elektrike. Ai ka treguar edhe një rast kur ka patur klientë zviceranë dhe u detyrua të mbante gjeneratorin ndezur gjithë natën që turistët të mos shkruanin përshtypje negative.

“Shumë i kënaqur jam, pavarësisht problemeve që kemi gjithmonë, probleme pafund që kemi me energjinë elektrike. I akomodon gjithë njerëzit nëpër dhoma, u shërben mirë me çfarë të mundesh e me sa të mundesh, në momentin më të mirë të ikin dritat. Ti ndez gjeneratorin, duhet të rrish gjithë natën me gjenerator. Kam patur 2 zviceranë në të gjithë dhomat kohë dimri dhe më ikën dritat për gjithë natën dhe u detyrova të harxhoj më shumë se 100 e ca euro karburant që të lija gjeneratorin gjithë natën ndezur vetëm që mos shkruanin keq në Booking”.

Gazetari që kultivon trëndafila/ Pire: Prindërit më thanë ‘të shpëtosh nga vuajtjet e fshatit’, por doja të lidhesha sërish me tokën

Gazetar në profesion, por merret dhe me kultivimin e trëndafilave, ky është Armend Pire.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Pire tregon se si prindërit e këshilluan që t’i ikte fshatit për të vazhduar ëndrrën e tij për Gazetari.

“Prindërit më nisën nga Kuçova drejt Elbasanit për të studiuar për Gazetari, ishte një nga ëndërrat e mia të hershme dhe më thanë që do të shkosh në qytet për të shpëtuar nga vuajtjet e fshatit. Prindërit kanë 25 vjet që merren me perime në Kuçovë.”

Pavarësisht kësaj, lidhja me tokën ishte më e fortë për Armend Piren, të cilit i lidhi ideja për kultivimin e trëndafilave.

“Ideja për të kultivuar trëndafila, “Kopshti i Trëndafilave” është quajtur ferma, lindi spontanisht, pra çfarë të bëjmë diçka ndryshe për t’u lidhur sërish me tokën. Konkurrencë nuk gjeta tek trëndafilat. Unë si gazetar terreni, kam lëvizur shumë nëpër Shqipëri dhe kam ndjekur protestat e fermerëve dhe trëndafila në sera nuk kam parë. Pjesa më e vështirë ka qenë bindja e prindërve. Fidanët i kam gjetur në Elbasan dhe vijnë me shartesë nga Holanda. Kemi rreth 3 mijë rrënjë, të cilat i kemi shpërndarë në afro 2 dynym e gjysmë. Kemi 5 variante ngjyrash. Ne shitjet e para i kemi nisur, tani kam marrë “feedbackun” e parë. Kemi shitur trëndafilat për buqetë që marrin pikat e dyqave të luleve që bëjnë buqetat e tyre. Kanë kaluar vetëm 6 muaj.”

Armend Pire ndihet i kënaqur, por edhe i shplodhur nga ana mendore kur gjendet mes trëndafilave dhe punon për kultivimin e tyre.

“Jam i kënaqur, por më shumë jam i shplodhur sepse Tirana të mbigarkon disi dhe distanca me Ndroqin është shumë e shkurtër dhe shkoj më shumë në fundjavë, por edhe gjatë javës edhe për t’u shplodhur nga ana mendore.”

Fevziut i heqin kuriozitetin, i tregojnë ushqimet nga Lushnja që hanë suedezët

Valbona Arapi është një sipërmarrëse e cila është përfaqësuese e “Elian Export” në qytetin e Lushnjes që eksportojnë prodhime të ndryshme bujqësore në Ballkan dhe Europë.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Valbona Arapi tha se për vitin 2022, kompania e tyre e mbylli bilancin me 900 kamionë eksportë.

Ajo ka shuar edhe një kuriozitet të drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu se çfarë ushqimi preferojnë në Suedi.

Valbona Arapi: Vitin 2022 e kemi mbyllur me 900 kamionë eksport.

Blendi Fevziu: 900 kamionë? Ku shkojnë 900 kamionë?

Valbona Arapi: Në Ballkan dhe në Europë.

Blendi Fevziu: Ku në Europë? Se mbaj mend në Ukrainë ka pasur eksport.

Valbona Arapi: Edhe Ukraina normalisht që punojmë.

Blendi Fevziu: Tani është bllokuar?

Valbona Arapi: Jo vazhdojmë prapë. Janë vende siç është Gjermania, Suedia, Italia, të gjitha.

Blendi Fevziu: Ma hiq një kuriozitet. Suedezët çfarë hanë?

Valbona Arapi: Speca.

Mjeke dhe me stallë lopësh, Hoçja: Merrem prej 3 vitesh, jam e kënaqur

Mjekja e Përgjithshme Pediatre, Midjana Hoçja prej 3 vitesh ka krijuar një stallë lopësh ku merret dhe me mbarështimin e qumështit.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoçka tregon se ideja për stallën e lopëve i erdhi pas periudhës së pandemisë, në të cilën thotë se e kuptoi më mirë rëndësinë e ushqimit.

Midjana Hoçja: Jam Midjana Hoçja me profesion mjeke dhe prej 3 vitesh kam një stallë lopësh ku merremi dhe me mbarështimin e qumështit.

Blendi Fevziu: Je mjeke?

Midjana Hoçja: Mjeke e Përgjithshme Pediatër.

Blendi Fevziu: Dhe merresh dhe me lopët dhe mbarështimin e lopëve? Nga të erdhi ideja e stallës?

Midjana Hoçja: Ideja e stallës erdhi pas një periudhe të vështirë që kaloi gjithë bota, pas pandemisë ku të gjithë kuptuam se gjëja ku duhet të fokusohemi është ushqimi dhe lindi dëshira për t’u marrë për këtë stallë dhe kam 3 vjet që merrem me këtë. Jam e kënaqur deri tani./tvklan.al