#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Zgjedhjet e 11 majit, diskutim me përfaqësues nga beteja reale në terren e kandidatëve që vijnë nga listat e hapura.
Intervistë me ish-presidentin Ilir Meta që ndodhet në izolim në qelinë 5 në paraburgimin e Tiranës. 11 pyetje të cilave Ilir Meta u është përgjigjur me shkrim. Inteligjenca Artificiale e ka kthyer në një intervistë të mirëfilltë duke përdorur pamjen dhe zërin e tij, pa ndryshuar përmbajtjen e përgjigjeve.
Ensar Sinani, një imam në Hamburg që tenton të qëndrojë brenda islamizmit tradicional, pa u ndikuar nga radikalizmi për natën e Kadrit dhe muajin e Ramazanit.
Zgjedhjet e 11 Majit/ Blerina Gjylameti: Nuk e kemi garën me PD-në…
Deputetja dhe kandidatja për deputete e PS në Tiranë, Blerina Gjylameti, thotë se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Partia Socialiste nuk e ka garë me Partinë Demokratike por me vetveten.
E ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Gjylameti u shpreh se Partia Socialiste reflekton pas çdo mandati duke përmirësuar punën e vet.
“Kemi treguar që kemi transformuar rrënjësisht jo vetëm Shqipërinë, por çdo institucion. Ne nuk e kemi garën me PD, e kemi me vetveten. Mandat pas mandati PS ka një moment reflektimi për të bërë më të mirën nga ajo që ka bërë. Sot pas 3 mandateve edhe me dy fatkeqësitë natyrore që prekën vendin tonë, Covidin dhe tërmetin, sot ne jemi me një borxh publik që është rreth 55-56%. Ne nuk marrim para sikundër merrej në kohën e PD. Asnjëherë nuk kemi marrë borxh për të shtuar borxhin dhe pa bërë investime. Nëse flasim duhet të flasim për ata që na kanë votuar. Sot qytetarët kanë rreth 3 herë më shumë të ardhura seç kanë patur në 2013”, tha ndër të tjera deputetja Blerina Gjylameti.
Partia Socialiste është në pushtet prej 3 mandateve radhazi dhe kërkon një mandat të katërt qeverisës.
Dhunimi i 44-vjeçarit me aftësi të kufizuara, gazetari tregon gjendjen e tij: Ja çfarë thanë agresorët…
Një ngjarje e rëndë është regjistruar më 20 Mars në qytetin e Lushnjes. Bëhet fjalë për sulmin ndaj Fabjol Hysit, 44 vjeç, i cili është një person me aftësi të kufizuara, nga dy persona, konkretisht 20-vjeçari Irdi Nasufi dhe 17-vjeçari E.K.
Për të na dhënë më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ndodhet gazetari Merin Maçi, i cili shprehet se 44–vjeçari i dhunuar sapo kishte lënë ambientet e xhamisë dhe siç duket edhe në videon e transmetuar ai shfaqet i qetë.
Gazetari ka treguar më shumë mbi jetën e tij dhe vështirësitë shëndetësore ndër vite.
“Ngjarja është regjistruar në 20 Mars kur dy persona Irdi Nasufi dhe E.K sulmojnë Fabjol Hysin personin që është vënë përpara nga grushtet e njëpasnjëshme. Gjithçka nis kur 44-vjeçari shfaqet në afërsi… Ngjarja zhvillohet rreth orës 20:30 të datës 20 Mars, kur Fabjol Hysi sapo kishte lënë ambientet e xhamisë dhe në kryqëzim është hasur me dy persona dhe ky është momenti. Ai është në punë e vetë dhe nga pamjet filmike gjithë kohës mban duart në xhep. 44-vjeçari kishte probleme me dëgjimin dhe me të folurën. Është një person i cili trajtohet me ndihmë sociale dhe jeton me nënën e tij. Në vitet 1993 i është nënshtruar dy operacioneve të vështira në shtetin grek që t’i sillnin dëgjimin dhe plagët në kafkë mendohet se janë agravuar si pasojë e goditjeve. Fillimisht është goditur me grushte dhe më pas me një mjet të fortë, me një gur që është gjetur aty afër”, shprehet gazetari.
Ndër të tjera sa i takon dëshmive të autorëve të kësaj ngjarje gazetari shprehet se sipas tyre shkak ka qenë sjellja e 44-vjeçarit kundrejt shakave që ata kanë bërë me të.
“Të paktën sipas dëshmive të dy personave të vënë nën akuzë gjithçka ka ardhur për shkak të sjelljeve që ai kishte kundrejt shakave që perosna të tjerë bënin kundrejt tij, por nga informacionet që unë kam 44-vjeçari shpesh ishte në qendër të sulmeve bullizuese që i vinin në dukje mangësitë që ai kishte sa i takon vështirësive të tij në të folur dhe të dëgjuar. Në momentin që e kanë goditur ata janë justifikuar se kur ata kanë bërë shaka në drejtim të tij dhe nga e tij është bërë një veprim që sipas tij ka qenë ofendues dhe kjo ka agravuar situatën. Është në gjendje të rëndë dhe të gjitha goditjet i ka në kokë. Këtij sulmi fizik i bashkohet edhe një 17-vjeçari E.K që e godet edhe me shkelm”, thotë Maçi.
Sa i takon gjendjes shëndetësore të tij gazetari shprehet se ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rënduar shëndetësore.
“I është dhënë ndihma në Spitalin e Lushnjes dhe më pas është në spitalin e Traumës ku vijon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore. Është një gjendje që nuk mund të ndahet pasi goditjet i ka në pjesën e kokës”, thotë gazetari.
Grigels Muçollari: PD në pushtet, do të dyfishojë pensionet minimale dhe do vendosë taksën e sheshtë
Kandidati i PD për deputet në Tiranë në zgjedhjet e 11 Majit, Grigels Muçollari, premtoi se Partia Demokratike do të dyfishojë pensionet minimale nëse merr pushtetin.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan përballë rivalëve politikë të PS-së, Muçollari u shpreh se dyfishimi i pensioneve nga PD do të realizohet me financim direkt nga buxheti i shtetit.
“Në 2013 pensioni mesatar ishte deri në 13 mijë lekë të reja. Aktualisht pensioni mesatar është 18 mijë lekë të reja. Me 18 mijë lekë sot blenë më pak se sa blije me 12 mijë lekë 12 vjet më parë.
Dilni me fjalë boshe si pasaporta europiane. Pasaportë europiane nuk ka pa zgjidhur hallin e pensionistëve. PD i jep zgjidhje me program. Ne e zgjidhim, dyfishim të pensionit minimal, rritje me 20% të çdo pensioni tjetër dhe në fundviti indeksim. Si realizohet kjo? Realizohet me financim nga buxheti i shtetit. Me 8.5 miliardë Euro që ka buxheti i shtetit nuk do shkojë më shumë se 3% të buxhetit të shtetit.
Kjo zgjidhet më tej duke vendosur një politikë shumë të mirë ekonomike dhe taksa e sheshtë do japë mundësi për më shumë punësim, për rroga më të larta në sektorin privat. Këto do sjellin rritje te kontributeve shoqërore”, tha ndër të tjera Muçollari.
Zyla i bindur për fitoren: Partia Socialiste do ta çojë vendin në një majë të pathyeshme
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Julian Zyla kundërshton mendimin e kandidatit të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmetit se “PS nuk ka çfarë t’i ofrojë më Shqipërisë”. Në diskutimin në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Zyla thotë se Partia Socialiste sheh drejt së ardhmes, ndryshe nga Partia Demokratike që është drejtuar nga e shkuara.
Më tej, ai thotë se edhe retorika e përdorur nga kundërshtarët politikë tregon një mundësi të humbur për të ndryshuar qasjen e përgjithshme pavarësisht rezultatit. Në fund, Zyla përmbyll duke u shprehur se “PS do ta çojë vendin në një majë jo vetëm historike, por të pathyeshme”.
Julian Zyla: Shqiptarët edhe me një sy mbyllur dhe një sy hapur nuk i manipulon dot. Të flasësh, të jesh te argumenti i largimit nga Shqipëria dhe pastaj të përmendësh rritjen natyrore që lidhet me prirjen e lindshmërisë dhe rezultati mund të ketë qenë me uljen e lindshmërisë në vite që është një fenomen mbarëbotëror, sidomos në vendet në zhvillim. Nuk i manipulon dot shqiptarët. Të thuash, nëse argumentin e kuptova drejt ose synimin e manipulimit e kuptova drejt që nga 2005-2013 vendi ka qenë aq i mirë dhe shqiptarët nuk kanë ikur, e përsëris, një sy mbyllur, një hapur nuk i manipulon dot. Sa i përket betejës politike, unë besoj që ka një forcë që në pamje të parë sheh drejt së shkuarës, pamje të parë të listave flas.
Blendi Fevziu: Për PD-në e ke fjalën?
Julian Zyla: Patjetër. Ka një forcë politike që me gjithë forcën e pushtetit sheh drejt së ardhmes.
Blendi Fevziu: Ju po thoni PS është e ardhmja, PD është e shkuara? Pse?
Julian Zyla: Edhe në një analizë të përmbajtjes së listave se mua s’më pëlqen t’i përmend njerëzit si vota apo si kandidatë, por të njerëzve që garojnë, nëse ti bën fushatë me njerëz të së shkuarës, unë kisha kënaqësinë të vija me dy të ftuar që mendova janë ndryshe nga ata politikanë të PD dhe shpeshherë ndoshta, të PS që mund të ketë pasur retorikë të ngjashme dhe dëshira ime është që meqë kam kënaqësinë të kem përballë dy njerëz që i vlerësoj sa i përket mentalitetit që të paktën unë shpresoja të sillnim dhe dëgjoj një retorikë që e kemi dëgjuar prej 30 vjetësh, është për të të ardhur keq sepse është një mundësi e humbur edhe për PD që pavarësisht rezultateve, pavarësisht betejave politike, të paktën të kemi ndryshim në qasje, që ta shohim të pasqyruar edhe te njerëzit, edhe te mënyra sesi njerëzit e shohin dhe përjetojnë politikën, të kemi një lloj rritjeje të pozitivitetit te njerëzit. Kushdo ka idetë e veta për mënyrën që është më e mira për ta çuar vendin përpara.Të biem dakord për ca shtylla që të ndryshojnë dhe të përmirësojnë mënyrën e të bërit politikë. Sa i përket pse PS fiton, PS është e vetmja forcë politike në Shqipëri që gjithmonë e ka lënë vendin më mirë se ç’e ka gjetur. Tani është momenti që me mbështetjen e të gjithëve, Partia Socialiste do ta ngrejë vendin në një majë që është jo vetëm historike, por që do të bëhet e pathyeshme.
11 Maji, Alimehmeti: PS nuk ka se çfarë jep më, shqiptarët të shikojnë xhepin e tyre
Kandidati i PD për Tiranën Ilir Alimehmeti në studion e Opionin ka rikthyer në vëmendje premtimet që PS ka bërë në 2013, ku thotë se në spitalet tona sot nuk ka shëndetësi falas.
“Ndoshta ata i kanë harruar premtimet që dhanë në 2013 se pastaj nuk dhanë më. Ku është shëndetësia falas dhe e kujtomë se çfarë ndodh në spitalet tona, se kjo shëndetësia falas e PS. Kur merr qeverinë, kur merr administrimin e të gjithë popullit je aty për të gjithë shqiptarët, nuk je aty vetëm për ata që mendon se të kanë votuar.
Njerëzit çfarë bëjnë në një vend që është kaq i mirë shtohen apo pakësohen? Nëse qenka kaq i mirë njerëzit duhet të ishin shtuar rinia, duhet të na ishte shtuar rinia jo të ikte rrugëve”, tha Alimehmeti.
Për Alimehmetin nëse Shqipëria do të ishte një vend i mirë atëherë rinia nuk do të ikte nëpër botë.
“Një vend që është i mirë rritet në numra në njerëz, qeverisja është për njerëz jo për kështu elemente të çuditshme. Rinia pa na ikën, dhe po na ikën me familje, fëmijë nuk lindin më, mosha mesatare është rritur dhe po shkon drejt plakjes. Çfarë vjen pas plakjes besoj të gjithë ne e dimë. Ky është rezultati makro. Unë ftoj të njerëzit të shohin xhepin e tyre, të shohin familjet e tyre, a i kanë motrat e vëllezërit aty, a i kanë kalamajt aty. Të shohin ekonominë e tyre personale, a është ajo siç ka qenë dhe siç e prisnin.
Dhe me këto mend në kokë duke parë familjen e vet të shkojnë më 11 Maj. Dhe duhet të kuptojnë diçka nuk ka më se çfarë jep PS sepse ju e shifni çfarë po ndodh. Vazhdojnë përsërisin të njëjtat gjëra”, tha Alimehmeti.
“Hodhën poshtë premtimin e tyre për buxhetin”, Alimehmeti: E vërtetë shëndetësia është falas, por…
Kandidati i PD për Tiranën, Ilir Alimehmeti në studione emisionit “Opinion” në Tv Klan u ndal tek buxheti për shëndetësinë.
Alimehmeti u shpreh se në 2013, PS ka premtuar buxhet 5% të PBB, por në fakt tashmë e ka vetëm 2.9%, ku përmendi edhe amendamentin e PD që e rrëzuan.
Demokrati u shpreh se kanë të drejtë kur thonë shëndetësia falas pasi sipas tij ‘shëndetësia është falas, por smurëlliku kushton, sa je i shëndetëshëm nuk të kushton.
Ilir Alimehmeti: Jua them unë shumë thjeshtë. 5% të PBB e premtuan shpenzimin në Shëndetësi në 2013, në 2025 pas 12 vitesh që e shkruajnë buxhetin vetë e kanë 2.9%. Amendamenti i PD në Dhjetor të 2024 ishte për t’u bërë 5%, e hodhën posht amendamentin. Hodhën posht premtimin e vet të 2013. Tani thotë që paratë janë shtuar. Jo keni premtuar 5% e keni 2.9%.
Blerina Gjylameti: 260 me 750, aritmetikë është më shumë apo është më pak.
Ilir Alimehmeti: Tani se jeni nga fusha ekonomike besoj e keni të qartë edhe fuqinë blerëse. Kur thotë shtohen barnat, sa njerëz nga ju nuk kanë ilaçe more zotëri. Sa njerëz nga ju paguajnë më shumë para nga xhepi për t’i blerë ato ilaçet se na qenkan shtuar, por qenkan shtuar vetëm për disa. Po për ju a janë shtuar? Kanë të drejtë kur thonë shëndetësia falas. Shëndetësia është falas, smurëlliku kushton, sa je i shëndetëshëm nuk të kushton. Kujtohuni sa herë duhet të shkoni në farmaci kujtohuni për të gjitha skandalet.
Ndër të tjera Alimehmeti është ndalur edhe tek mosha e tretë dhe shërbimi shëndetësor që sipas tij specializimet mungojnë për këtë moshë.
“Fjalën geriatri e keni dëgjuar. Nuk është dëgjuar në 12 vite. Është specializimi i mjekësisë që merret me moshën e vjetër. As nuk e dinë se çfarë është jo më të kenë ndonjë diçka. Po plaket popullata a ka nevojë për shërbim shëndetësor për moshë më të vjetër sepse po shkojmë drejt plakjes”, shprehet Alimehmeti.