#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar në Opinion: Preç Zogaj, Baton Haxhiu, Esmeralda Mulaj, Bledi Bajraktari, Fitim Zekthi. Ne lidhje: Lindita Arapi – DW, Bonn

“Gjermania do të humbasë mirëqenien”, gazetarja Arapi: Për të mbaruan vitet e arta

Nga Gjermania, gazetarja Lindita Arapi ka folur mbi situatën e Gjermanisë në ditët e sotme dhe atë që e pret këtë shtet.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” gazetarja Arapi është shprehur se duke qenë se Gjermania është shumë e varur nga gazi rus, po përballet me një situatë jo shumë të mirë përsa i përket aspektit ekonomik.

Arapi thotë se për Gjermaninë kanë mbaruar vitet e arta dhe e presin vite shumë të vështira.

Lindita Arapi: Gjermania ka një situatë më ndryshe, është shumë e varur nga gazi rus. Për Gjermaninë mbaruan vitet e arta, e presin vite shumë të vështira. Vitet që e presin me të gjithë këto probleme nga rritja e çmimeve që priten të vazhdojnë rritjen, inflacioni etj kanë për ta rënduar shumë shtetin gjerman.

Njerëzit e njejnë pasigurinë. Unë mund të them një lajm të sotëm zyrtar nga Zyra e Statistikave: Çdo i pesti gjerman në bazë të statistikave, ka një të ardhur neto më pak se 16 mijë e 300 euro në vit, i bie 1 mijë e 400 euro në muaj.

Shtresën e varfër gjermane dhe shtresën me mesme, çmimet po e rëndojnë, megjithatë shteti po reagon fuqishëm. 200 miiliardë euro do të bëhen gati, si një “ombrellë” shpëtimi për industrisë gjermane. Frika më e madhe është se e ardhmja e industrisë gjermane po vihet në rrezik. “Gjermania do të humbasë mirëqenien”, tha Ministri i Financave i Gjermanisë./tvklan.al  

Hashim Thaçi në Hagë/ Alfred Moisiu: Kjo është padrejtësi, 2 vite në paraburgim pa akt-akuzë

Ish-Presidentët e Shqipërisë vizituan në Hagë javën e kaluar ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte.

Një ndër ta është edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu, i cili vizitoi nga afër Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së që mbahen të burgosur në Hagë.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Moisiu e konsideron të padrejtë burgosjen e tyre dhe e konsideron të çuditshme që prej 2 vitesh Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij mbahen në paraburgim pa asnjë akt-akuzë.

“Qëllimi i kësaj vizite ishte për t’i takuar, për t’i parë. Dhe për t’u dhënë edhe kurajo atyre por edhe për të pasur një impakt sa më të gjerë. Krahas kësaj ne shkuam për të mbështetur edhe luftën e UÇK, të shqiptarëve të Kosovës, dhe ajo ka qenë një luftë për liri, një luftë për arritjen e lirisë. Ky ishte qëllimi jonë për të treguar solidaritetin e gjithë shqiptarëve në mbështetje. U bë 2 vjet, akoma nuk ka akt-akuzë dhe kjo është e çuditshme. Të bësh 2 vite në paraburgim… Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe në këtë aspekt është një gjë që nuk duhet të ndodhte, është krejtësisht e padrejtë. Mesa duket qëllimi është që ujkun ta bëjmë qengj dhe qengjin ta bëjmë ujk”.

Duke komentuar takimin me ish-luftëtarët e UÇK në Hagë, Alfred Moisiu tha se u shprehën atyre mbështetjen për të kaluar këtë situatë.

“Qe një kënaqësi si nga ana jonë dhe ata shumë të kënaqur ishin që u takuan me ne, se e kuptuan që ne shkuam për t’i dhënë një mbështetje, për t’i treguar botës që këtu po bëhet padrejtësi. Na erdhi shumë keq sepse sigurisht që koha bën të vetën, është zbardhur më shumë se sa ishin. Kishin një farë pezmi”, deklaroi ish-Presidenti Moisiu. /tvklan.al

Topi: Askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e UÇK-së, shumë njerëz bëhen merak se po na mërzitet Vuçiç

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, mblodhi ish-krerët e shtetit shqiptar për të udhëtuar drejt Hagës për një vizitë me drejtuesit e UÇK-së në kohën e luftës.

Mes tyre ishte edhe ish-Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, i cili rrëfeu në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë vizitë dhe arsyet e saj. Ish-Presidenti Topi u shpreh se kjo ishte një vizitë në shenjë solidariteti dhe mbështetje politike.

Bamir Topi: Padyshim ishte një vizitë në shenjë solidariteti dhe e dyta një mbështetje politike pasi e gjithë historia e çlirimit të Kosovës ku UÇK ishte dhe mbetet dhe do të jetë një misionare e historisë së kombit shqiptar, në kushtet e genocidit serb dhe për më tepër që ende ka pozicione që vijnë kryesisht nga Serbia dhe aleatët të Serbisë të deklaruar ose jo, e bëjnë të domosdoshme që njerëz që kanë drejtuar shtetin shqiptar të deklarohen dhe politikisht për nevojën e kujtesës. Kanë kaluar 2 dekada dhe mua më rezulton se harresa ka ndodhur dhe po ndodh, diku pa qëllim sepse është njerëzore sepse kur kalojnë vitet, gjëra dhe mund të mbesin. Ajo që po ndodh, pa dashur që të interferoj në çështjet e drejtësisë, ne besojmë se do të ketë një vendimmarrje në fund për t’i çliruar nga akuzat, ne në planin politik. Do të vazhdojmë të ngrejmë zërin, boll të kemi raportin e Dick Martyt i cili e ka vendosur ekzistencën e një shtëpie të verdhë, patjetër që kjo të bën të revoltohemi, në planin njerëzor, pse jo dhe profesional.

Ish-Presidenti Topi ka deklaruar se takimi me ish-krerët e UÇK-së ka qenë vëllazëror dhe sprova e tyre i ka forcuar ata.

“Takimi ishte vëllazëror, gjendja e tyre ata janë në kushte izolimi. Po sprova e tyre është e tillë që i ka lejuar atyre që të forcohen si karakter.”

Gjatë intervistës, Ish-Presidenti Topi është shprehur se askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e UÇK-së.

“Si e konsideroni aktakuzën që është ngritur për krime. Së pari, unë dua të rikthej pikërisht situatën e tmerrshme të genocidit serb në Kosovë, në Bosnje. Kam të freskëta imazhet e atij eksodi, kam parasysh vrasjet masive, kam në vëmendje solidaritetin e botës demokratike. Nga kjo pikëpamje, njerëz të pambrojtur, njerëz që u sulmuan nga makineria serbe, patjetër që na nevojë që dikush të ju dalë zot fateve të vendeve të tij dhe nga kjo pikëpamje askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e UÇK-së. Patjetër që ka shumë pozicione të kompromentuara polItike. Disa vende jo vetëm që nuk e kanë njohur, por nga individë apo qarqe qoftë dhe nga vendet demokratike, duket se ka një ndjeshmëri të pabazuar tek  emocionet e Vuçiç, duket se shumë njerëz bëhen merak se po na mërzitet Vuçiç. Në raport me Kosovën, deklaratat e tij politike shpeshherë janë dhe provokative.”