Intervistë me At Prel Gjurashaj, Majlinda Cara, Zef Tuci, Kristo Kola, Vlash Gega

Kemi shkuar në zonën e Laçit dhe të Patokut, që ka 2 kulme tejet interesante. Edhe pse nuk duket si një pjesë aq turistike, qyteti i Laçit, udhëtimi që kemi bërë në qytetin e Laçit dhe Patokut, është një ndër udhëtimet më të bukura që “Opinion” ka ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve që kemi ndërtuar itenerare nëpër Shqipëri. Një emision mbresëlënës për arsye të disa piketave shumë të rëndësishme.

Laçi nuk ëhstë një qytet shumë i njohur, por kisha e Laçit, është një nga kishat më të rëndëishme në histori, një ndër vendet më të vizituara në Shqipëri. Ajo ka 2 deri në 2.5 milionë vizitorë në vit. Është një vend kult, një vend shumë i veçantë. Ne do ta nisim rrugëtimin tonë duke u fokusuar sa nga kisha, aq tek laguna e mrekullueshme e Patokut, aq tek historia e Laçit, në të cilën ka 2 kontraste, është superfosfati i Laçit, një prej rrënimeve më të mëdha të ekonomisë socialiste të viteve të komunizimit, e kthyer sot në një gërmadhë dhe 1 kilometër nga kjo gërmadhë ngrihet lagjia e re me fondet e qeverisë turke dhe me premtimin e Presidentit Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Një lagjie komplet model dhe shumë interesante për ta parë brenda saj.


Kryebashkiakja Cara: 2.5 milionë pelegrinë e vizitojnë kishën e Shna Ndout gjatë vitit

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, thotë se përgjatë 1 viti rreth 2.5 milionë pelegrinë vizitojnë kishën e Shna Ndout. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryebashkiakja e Kurbinit, shprehet se pelegrinazhi në kishën e Shna Ndout kulmon në muajin Mars që shënon me nisjen e “13 të Martave”.

“Popullata e Bashkisë Kurbin është 74 mijë banorë. Është e organizuar në 4 njësi administrative. Me Bashkinë Kurbin e drejtojmë anën drejt turizimin dhe ky është një ndër vendet që promovon ekonominë, vendin kryesor që duhet të krenohemi sepse në krye të qytetit të Laçit kemi kishën e Shna Ndojt. Ka pelegrinë përgjatë gjithë vitit dhe e vizitojnë 2.5 milionë pelegrinë që vijnë për ta vizituar kishën e qytetit dhe më pas kur kryhen ritet në kishë, dreka shijohet në lagunën e Patokut. Ky pelegrinazh sjell ekonomi pak për qytetin, por jo sa duhet. Kulmon në muajin Mars kur filllojnë “13 të martat e kishës së Shna Ndojt”, pelegrinazhi më i madh përfundon në 13 Qershor.”

Kryebashkiakja Cara thotë se në Malësinë e Kurbinit janë gati 13 kisha të vjetra, ndër të cilat 3 janë restauruar dhe janë bërë të vizitueshme për turistët.

“Në Malësinë e Kurbinit janë gati 13 kisha të vjetra që kemi filluar dhe bashkë me kishat një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe kemi restauruar 3 kisha të vjetra që janë bërë të vizitueshme për turistët. Pjesa më e madhe e turizmit është laguna e Patokut dhe Kisha e Shna Ndojt”, shprehet kryebashkiakja Cara.


“Restoranti që arrihet vetëm me anije”, pronari: Vendosa të bëj restorantin sepse kur vija këtu gjeja qetësi

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kristo Kola pronari i një restoranti në zonën e lagunës së Patokut ka folur rreth këtij restoranti të veçantë i cili mund të arrihet vetëm më anije dhe nga ana tjetër lehtësisht mund të kalosh në bregun e detit, rëra e të cilit është në ngjyrë të zezë nga sasia e madhe e jodit.

Kristo Kola: E kam ndërtuar nga hiçi. Këtu ka qenë baticë zbatica, bregu i patave. Këtu ne na lindi ideja të bëjmë restorant, pë rata që duan qetësi. Kjo është pjesa e detit ku përfundon laguna. Bregu është plazh dhe rërë deti me shumë jod. Pjesa e plazhi ka ujë pak, po të ecësh në këmbë del, ka një pëllëmbë ujë.

Blendi Fevziu: Vendos çadra?

Kristo Kola: Po vendosim për turistët, që konsumojnë drekën dhe dalin në plazh pastaj. Janë të gjitha kombësitë dhe është një vend që turistët kanë lënë një përshtypje të mirë. Kam qenë emigrant. Momenti që vija këtu më jepte qetësi të paparë dhe vendosa të bëj një restorant të vogël të sjell njerëzit me varke. Këtu dëgjon vetëm patat dhe rosat e egra.

Gjithashtu edhe kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ka folur mw shumw pwr breshkat tw cilat gjenden nw lagunwn e Patokut. Ajo thotw qw janw tw madhwsive tw ndryshme dhe ato breshka qw kapen tw gjalla rikthehn swrish nw det.

Majlinda Cara: E veçanta e lagunës së Patokut është se prej vitesh po dalin breshka të madhësive të ndryshme dhe këtu prej vitesh bëhet matrikullimi i këtyre breshkave. Ka breshka që bijen në rrjeta që gjenden të matrikulluara. Ka pasur të madhësive të ndryshme, por po të shikojmë përgjatë lagunës restorantet kanë zhgualle për zbukurime, të kapura nga peshkatarët.

Blendi Fevziu: Breshkat që kapen të gjalla kthehen në det?

Majlinda Cara: Po rikthehen në det. Bëhet matrikullimi kur janë të pashërura.


“Në restorant kanë ardhur edhe izraelitë”, Tuci nga laguna e Patokut: Specialitet kemi dhe “karkalecin patate”

“Opinion” ka qenë në lokalin e Zef Tucit, një mirditor, i cili arriti të blejë tokë në lagunën e Patokut dhe ka ngritur një restorant që vizitohet shumë nga të huajt. Ai ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu rrugëtimin e tij në këtë zonë e po ashtu edhe një version të kulinarisë në Patok.

Tuci shprehet se restorantin që ai drejton e frekuentojnë më shumë shqiptarët. Ai shton se 40% e turistëve që vijnë në restorant janë të huaj, mes të cilëve edhe izraelitë.

“Ka 13 vjet që punoj vetë personalisht, të gjitha i bëj me gjithë punëtorët. Ky vit ka qenë shumë i mirë. Më shumë shqiptarë kemi pasur. Të huajt 40%, janë me kombësi italiane, grekë, gjermanë, izraelitë.”

Zef Tuci ka treguar specialitetet e restorantit të tij, ku ka veçuar “karkalecin patate”.

Zef Tuci: Specialitet kemi të gjitha prodhimet e peshkut të lagunës dhe një pjesë të detit. Këto janë prodhimet e detit.

Blendi Fevziu: Punoni dhe me krudot?

Zef Tuci: Po. Në Adriatik janë 2 lloj karkalecash, i bardhi dhe tigri. Ky është karkalec i bardhë, në gjuhën popullore, quhet “karkalec patate”. Ky është shumë i shijshëm.

Blendi Fevziu: Si mo, “karkalec patate”? Të vij ta shikoj se “karkalec patate” nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë.

Zef Tuci: Atje nga Kavaja e quajnë “patate”.

Blendi Fevziu: Është i shijshëm ë?

Zef Tuci: Do ta provojmë.

Gjatë vizitës së Patok, gazetari Blendi Fevziu ka takuar një çift holandezësh që kanë vizituar Shqipërinë, të cilët kanë treguar eksperiencën e tyre në vendin tonë.


Shpëtoi fëmijën nga mbytja, lutja e veçantë e besimtarëve drejtuar Shën Vlashit

Itinerari i emisionit “Opinion” në Tv Klan është drejtuar drejt veriut të Shqipërisë, në Laç. Qyteti njihet për kishën e Shën Ndout e cila mbledh besimtarë të të gjitha religjioneve në çdo ditë të vitit.

Përgjatë vizitës në kishën e Laçit, i shoqëruar nga Atë Prel Gjurashaj, Blendi Fevziu hyn edhe në shpellën e Shën Vlashit. Shenjti u fsheh në këtë shpellë kur kërkohej nga romakët. Pjesa e poshtme e shpellës, e cila nuk përdoret ka një thellësi prej 14-15 metrash.

Në hyrje të saj ndodhet edhe ikona e Shën Vlashit. Atë Preli shpjegon se besimtarët kanë një lutje të posaçme në ditën e meshës së Shën Vlashit.

Atë Prel Gjurashaj: Është i njohur edhe për një mrekulli  që ka bërë.

Blendi Fevziu: Që është?

Atë Prel Gjurashaj: Që në atë kohë vazhdojnë ta kujtojnë çdo ditë për festën e tij. Në kokën e tij është një fëmijë që ka qenë duke ngrënë peshk dhe i ka mbetur ferra e peshkut.

Blendi Fevziu: I ka mbetur hala.

Atë Prel Gjurashaj: Dhe me intervenimin e tij ai e ka liruar prej vdekjes se ishte duke u mbytur. Që atëherë ka mbetur tradita e krishterë që kur kremtojmë meshën në festën e tij që është më 3 Shkurt, gjithmonë lutemi për besimtarët me dy qirinjtë e bekuar, lutemi me një lutje të posaçme për ndërmjetësimin e Shën Vlashit “të liroftë Zoti prej çdo sëmundjeje të fytit”. Merret vesh, shtojmë “edhe prej çdo sëmundjeje tjetër”.


“Nëse do të ma kthesh në jetë fëmijën…”, At Prel Gjurashaj: Premtimi i nënës i kthyer në mrekulli nga Shna Ndou

“Nëse do të ma kthesh në jetë, atëherë unë aq sa peshon fëmija im, aq bukë do të ju jap për bamirësi njerëzve”, ishte ky premtimi që At Prel Gjurashaj thotë se një nënë i bëri Shna Ndout për të ja kthyer në jetë personin e saj të shtrenjtë që ishte mbytur në një enë me ujë, nga dhe ku ka marrë emrin “buka e Shna Ndout”.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, At Prel Gjurashaj ka dhënë mjaft detaje interesante për Kishën e Laçit.

At Prel Gjurashaj: Këtu ishte vendosur dhe statuja e vjetër e Shna Ndojt e këtu ka qenë edhe statuja e vjetër…

Blendi Fevziu: A keni gjetur foto të vjetra të kishës?

At Prel Gjurashaj: Ka një foto nga jashtë si ka qenë në atë kohë.

Blendi FevziuShërbesat fetare kur bëhen?

At Prel Gjurashaj: Rregullisht bëhen 3 ditë shërbesat fetare. Kryesisht është mesha e shenjtë për ne katolikët që është ngjarja kryesore e fesë. Këtu është ungjilli dhe buka e Shna Ndout që praktikisht lidhet me një mrekulli tjetër që e ka bërë Shna Ndou.

Blendi Fevziu: Që është?

At Prel Gjurashaj: Një grua kishte një fëmijë nja 20 muajsh dhe doli për të bërë disa punë jashtë shtëpisë së saj dhe la fëmijën vetëm në shtëpi. Thuhet se fëmija ra në enë të madhe të mbushur me ujë dhe u mbyt. Kur nëna erdhi në shtëpi dhe pa fëmijën e mbytur, u dëshpërua dhe kërkoi Zotit për ndërmjetësimin e Shna Ndout për të ja kthyer në jetë dhe në jetë dhe i bëri një premtim: Nëse do të ma kthesh në jetë, atëherë unë aq sa peshon fëmija im, aq bukë do të ju jap për bamirësi njerëzve. Që atëherë është ndërtuar “buka e Shna Ndout” ku njerëzit japin kontributin e vet për njerëzit që janë në hall.


Kisha Shna Ndou, At Prel Gjurashaj: Gjithçka ka filluar me mrekullirat në vendet e tjera, një çift u bënë prindër pas 22 vitesh

Emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është ndalur tek kisha ‘Shna Ndou’ në Laç ku At Prel Gjurashaj ka treguar detaje lidhur me kishën dhe historinë e saj. Gjatë tregimit të tij At Prel Gjurashaj tregon edhe për rastin e një çifti në Itali të cilët nuk kishin pasur fëmijë për 22 vite dhe gruaja i ka kërkuar ndihmë Shën Nout arriti të kishte fëmijë ku ishte me probleme fizike por gruaja i ka kërkuar një mrekulli të dytë, shërimin e fëmijës e cila po ashtu ka ndodhur.

At Prel Gjurashaj: Sot madje janë pak. Dita e Martë më e frekuentuar, por janë shumë të frekuentuara edhe e Shtuna edhe e Diela. Vijnë nga gjithë vendi dhe fetë. Gjysma janë krishtere dhe katolikë dhe gjysma tjetër janë muslimanë, bektashianë , ortodoksë dhe besimtarë të tjerë.

Blendi Fevziu: Si ka mundësi që kisha e Lacit merr edhe besimet e tjera pra ka fituar statusin e një vendi të shënjtë?

At Prel Gjurashaj: Besoj nga karizma e madhe që ka ky shenjt që është Shna Ndou i Padovës.

Blendi Fevziu: Cila është historia e Shna Ndou të Padovës

At Prel Gjurashaj: Shna Ndout ishte një prift agustinian që jetonte në Lizbona. Kur kanë kaluar franceskanët e parë që po shkonin në Afrikë. Ky i ka parë këto françëskanë kur janë kthyer nga Maroku gjithë të vrarë se janë martirizuar të gjithë pse kishin shpallur ungjillin e Jezu Krishtit në Marok. Këtij i ka bërë përshtypje sa është bashkuar edhe ai me françeskanët. Edhe ai ka dasht me shku në Marok, por pse ka qenë i sëmurë është dashur të kthehet dhe ka përfunduar në Itali ku ka ndenjur për 10 vite. Është i varosur në Padova.

Blendi Fevziu: Kur është ndërtuar kisha?

At Prel Gjurashaj: Kur kanë ardhur françeskanët e parë kanë ndërtuar shtëpinë e parë edhe kishën e parë në shekullin e 14. Legjenda e vjetër tregon se ka dasht të ndërtohet në krahun tjetër, por kur kanë grumubulluar materialin ditën e nesërme e kanë gjetur të gjithë materialin këtu edhe kanë menduar që kjo është dëshira e zotit që të ndërtohet këtu.

Blendi Fevziu: Pse pretendohet se kisha është një vend i shenjtë?

At Prel Gjurashaj: Gjithçka ka filluar me mrekullirat në vendet e tjera. Në Itali në shekullin 16 është bërë një mrekulli për një çift që për 22 vjet nuk kishin fëmijë. Gruaja duke kërkuar ndihmë Shën Ndojit lindi fëmijë pas 22 vitesh, por me deformime fizike dhe ajo i kërkoi zotiti një mrekulli të dytë që t’ja shërojë fëmijën  dhe ndodhi mrekullia e dytë. Prej atëherë është përhapur edhe këtu./tvklan.al