Opinion – Komisioni i Venecias, mes Presidentit dhe mazhorancës

Opinion – Komisioni i Venecias, mes Presidentit dhe mazhorancës

Autori: Blendi Fevziu

21:40 30/09/2019

Të ftuar: Adnor Shameti, Erisa Xhixho, Mustafa Nano, Jordan Daci dhe Preç Zogaj. Në lidhje direkte kryeredaktori i lajmeve të Tv Klan, Fatos Hakorja.

Opinioni i “Venecias” për Metën, Hakorja: Komisioni shqyrtoi natyrën juridike

Opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për procedurën e Komisionit Hetimor Parlamentar të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta, është i natyrës juridike dhe jo politike.

Kështu është shprehur kryeredaktori i lajmeve të TV Klan Fatos Hakorja në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”.

Sipas Hakores, edhe Gjykata Kushtetuese që do të vendosë në fund nëse Presidenti Meta ka shkelur ose jo Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit, do të shqyrtojë anën juridike dhe jo politike.

Fatos Hakorja theksoi se opinioni paraprak i “Venecias” nuk ka fuqi ekzekutive, por është thjesht opinion juridik.

“Nuk ka fuqi ekzekutive, por kujtojmë këtu kontekstin në të cilin Kuvendi i është drejtuar Komisionit të Venecias. Ne i jemi drejtuar në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të kishim pasur Gjykatën Kushtetuese, mbase do t’i drejtohej, por në mungesë të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi ka gjetur si mënyrë për t’iu drejtuar për të kuptuar natyrën juridike të veprimeve të Presidentit me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit. Vetë Komisioni thotë se procedurat e shkarkimit të Presidentit janë të natyrës politike dhe juridike. Politike për shkak se ngritja e Komisionit Hetimor u bë me votat e mazhorancës. Dhe juridike për shkak se Komisioni Hetimor shqyrton natyrën juridike të akteve të Presidentit, po kështu edhe Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë natyrën juridike. Vetë Komisioni ka shqyrtuar natyrën juridike dhe jo atë politike. Po ashtu ka shmangur kontekstin politik në të cilin Presidenti thotë pse ka marrë atë vendim. Pra, deri tani opinioni është i natyrës juridike. Nuk është i natyrës politike”.

Duke komentuar raportin paraprak, kryeredaktori i lajmeve të Tv Klan u shpreh se Komisioni i Venecias do të thërrasë sërish palët, pra Presidencën dhe Kuvendin, më datë 11 Tetor për t’i dëgjuar pretendimet e tyre dhe do të japë raportin final.

“Zakonisht Komisioni i Venecias vepron në këtë mënyrë, ka vepruar në këtë formë kur Shqipëria i është drejtuar për të kërkuar mendim për çështje juridike, siç ka ndodhur me reformën në drejtësi. Kujtojmë këtu, dy herë ka dhënë opinion paraprak dhe përsa i përket ligjit të SPAK. Edhe në këtë rast ka përgatitur një opinion paraprak për t’u treguar palëve opinionin që anëtarët e tij kanë krijuar mbi natyrën juridike të kërkesave që ka paraqitur Kuvendi, nëse Presidenti ka tejkaluar kompetencat, ka patur të drejtë apo jo ligjore në anulimin e datës së zgjedhjeve. Pasi ka sjellë këtë opinion, Komisioni i Venecias është i gatshëm të dëgjojë dhe njëherë palët më datë 11 kur po ashtu do të jepet dhe opinioni final, për t’i dëgjuar dhe njëherë palët, për të bërë komentet  e tyre mbi këtë opinion paraprak”.

Fevziu: Zoti e di kur do jetë në funksion Gjykata Kushtetuese

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është padyshim një nga pikëpyetjet më të mëdha, kjo për shkak edhe të çështjes së nxehtë që ka të bëjë me shkarkimin ose jo të Presidentit Ilir Meta.

Pavarësisht vendimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, që më pas do të votohet nga Parlamenti, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të Ilir Metës.

Duke diskutuar për opinionin paraprak të Komisionit të Venecias pikërisht për këtë çështje, drejtuesi i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu tha se ngritja e Gjykatës Kushtetuese “është në dorë të Zotit”.

Blendi Fevziu: Gjykata Kushtetuese ndikohet nga opinioni i “Venecias”?

Erisa Xhixho: Është këshillimor, gjithmonë. Ka pasur raste që është marrë parasysh, ka pasur raste që s’është marrë parasysh. Gjithmonë ngelet në diskrecionin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur se çfarë vendimi do të marrë. Pastaj, se kur do të vendoset dhe kur do të hyjë në funksion Gjykata Kushtetuese, këtu është në dilemë tjetër. Sepse sot Gjykatën Kushtetuese e ke jo funksionale, 6 vakanca që do t’i plotësojë Parlamenti.

Blendi Fevziu: S’dihet kur do të plotësohet, është histori tjetër.

Erisa Xhixho: Jo këtë Dhjetor, as në Janar por kush e di kur vihet në funksion Gjykata Kushtetuese.

Blendi Fevziu: Atë s’e dimë, atë vetëm Zoti e di.

Erisa Xhixho: Jemi një vend unikal pa Gjykatë Kushtetuese.

Blendi Fevziu: Reformën në drejtësi e kanë votuar të gjitha palët.

Erisa Xhixho: Patjetër! Mënyrë si u implementua kjo reformë dhe procesi shumë i ngadaltë i Vettingut ka bërë këtë situatë. Blendi Fevziu: Gjykatën Kushtetuese Zoti e di se kur do jetë në fuqi!

Si e komenton opinionin e Venecias deputeti që firmosi shkarkimin e Metës

Nëse Venecia do të thoshte që Presidenti ka zbatuar Kushtetutën, pra nuk ka shkelje a do ta pranonte mazhoranca vendimin e Venecias apo do ta quanit lobim?

“Unë si pjesëtar i atij Komisioni Hetimor që ka një autoritet kuazi gjyqësor në veprimtarinë e tij, kam thënë gjithmonë, që raporti apo opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias do të çmohet në tërësi me të gjitha provat e tjera të administruara gjatë veprimtarisë së këtij Komisioni Hetimor”.

Kjo ishte përgjigja e deputetit socialist Adnor Shameti, i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Opinion, ku u fol për raportin paraprak të Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti Ilir Meta i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese kur vendosi fillimisht të anulojë zgjedhjet e 30 Qershorit e më pas t’i shtyjë ato.

Deputeti Shameti u shpreh se Shqipëria prej vitesh gëzon asistencën e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe se i vinte mirë që Presidenti Meta e njohu autoritetin e këtij raporti.

“Komisioni i Venecias është një organ këshillimor i Këshillit të Europës, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria dhe është i përbërë nga një grup ekspertësh të së drejtës kushtetuese, ndihmën dhe asistencën e të cilëve ne e kemi pasur prezente në Shqipëri që nga hartimi i Kushtetutës në 98-n, për çdo problem ligjor dhe kushtetues. Mua më erdhi shumë mirë që Presidenti i Republikës e njohu autoritetin e raportit të Venecias dhe i tillë duhet të jetë qëndrimi edhe në përfundim me raportin përfundimtar”.

Shameti tha se gjuha që ka raporti paraprak i Komisionit të Venecias i jep zgjidhje kërkimeve që ka bërë vetë Komisioni Hetimor i ngritur nga mazhoranca.

“Unë si pjesë e grupit nismëtar prej 55 deputetësh që kemi nisur procedurën ligjore për shkarkimin e Presidentit, si dhe si pjesëtar i Komisionit Hetimor, dua të sqaroj që kemi qenë shumë të përgjegjshëm në artikulimin e një kërkese të tillë. Është rasti i parë dhe i vetëm në historinë post komuniste të Shqipërisë që bëhet një procedurë për shkarkimin e Presidentit”.

Blendi Fevziu: Në gjithë historinë e Shqipërisë, sepse nuk është kërkuar ndonjëherë shkarkim.

“Aq më mirë atëherë, në të gjithë historinë… Gjej rastin të bëj dhe një paralele me SHBA sepse jemi para një procedure impeachment për presidentin në detyrë. Kemi qenë shumë seriozë dhe shumë të përgjegjshëm në ngritjen e kësaj kërkese dhe ka qenë vetë Komisioni Hetimor që i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, pasi është ai që ka legjitimitetin të paraqesë kërkesë para Komisionit të Venecias, që e kemi ngritur këtë çështje, nga përgjegjshmëria dhe për hir të transparencës, që të jemi të qartë ne, të jetë i qartë gjithë opinioni publik, për atë shkelje kushtetuese”.

“Në bindjen tonë, gjuha që ka raporti paraprak i Komisionit të Venecias i jep zgjidhje atyre kërkimeve që ne kemi parashtruar. Kërkimi themelor është, a e ka shkelur apo nuk e ka shkelur Kushtetutën Presidenti i Republikës, me veprimet apo mosveprimet në vazhdën e zgjedhjeve të 30 Qershorit”./tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:40 30/09/2019

AZHBR
UKT
UKT
Doktori