Të ftuar:

Alfred Peza – Gazetar

Erl Murati – Gazetar

Fatos Harkorja – Gazetar

Gazmend Bardhi – Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka treguar se çfarë i tha prokurori në zyrë kur e thirri për të dëshmuar si person që mund të ketë dijeni për kontratat e lobimit të PD në SHBA.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi tha se prokurori nuk kishte asnjë pyetje për të, edhe pse e kishte thirrur vetë si person që mund të kishte dijeni.

“Kam shkuar në zyrën e prokurorit, i them urdhro më pyet. E di çfarë përgjigje mora? Nuk kam asnjë pyetje për ty më thotë, po pate ndonjë gjë për të thënë, thuaje. Unë isha ftuar si person që mund të kisha dijeni për çështjen”, u shpreh Bardhi në “Opinion”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD tha në emision se në letër-porosinë e ardhura nga SHBA konfirmohet vetëm kontrata prej 25 mijë Dollarësh që Partia Demokratike ka bërë ligjërisht dhe asnjë shumë tjetër. Bardhi kërkoi gjithashtu që Prokuroria të bëjë publike letër-porosinë e ardhur nga SHBA.

“Partia Demokratike ka paguar dhe shpenzuar për shërbimet që i ka Prokuroria në dosje, në këmbim të shumës 25 mijë Dollarë. Ne kemi 3 ditë që i bëjmë thirrje Prokurorisë të publikojë letër-porosinë nga SHBA. Deklarata e Prokurorisë është e gënjeshtër. Në letër-porosinë e ardhur nga SHBA konfirmohet kontrata 25 mijë Dollarë dhe kontrata që ka patur lobisti me kompaninë”.

Gazment Bardhi sqaroi gjithashtu se Prokuroria nuk po heton për financime ruse të PD-së, por për mënyrën se si Partia Demokratike ka deklaruar shpenzimet e veta në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Armando Duka: Kush do të jetë tranjeri i ri i kombëtares?

Pas shkarkimit të Panuccit, Shqipëria nuk ka ende një trajner. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan shpjegoi arsyet lidhur me shkarkimin e trajnerit Panucci nga kombëtarja si dhe kandidatët e mundshëm.

Duka, tha se ai është konsultuar me stafin teknik të skuadrës dhe më pas ka marrë vendimin, pasi trajneri nuk po e inkurajonte dhe nuk po i jepte energji pozitive asaj.

“Në një lloj mënyre u vërtetua se nuk mund ta inkurajonte më skuadrën dhe nuk po i jepte energji pozitive. Nuk i kemi ndërprere marrëdhëniet vetëm se kombëtarja humbi me Turqinë. Atmosfera në ekip nuk ka qenë e pranueshme”.

Presidenti, tha se nuk ka ende një propozim se kush do jetë trajneri i ardhshëm, por janë disa emra.

“Nuk kemi marrë një propozim akoma. Kam kontaktuar me Eduardo Rejan, pas ndeshjes në Shkodër dhe me një trajner tjetër italian, që kishin ardhur për të parë ndeshjen, por nuk ka asnjë gjë konkrete.

Ndërsa për trajnerin Donadoni, Duka, tha se nuk e di nëse mund të pranojë kushtet dhe të vijë në Shqipëri.

“Donadoni për shembull është ish trajneri i Italisë dhe më pëlqen”.

I pyetur se vendimi për shkarkimin e Panuccit ishte marrë para apo pas ndeshjes me Turqinë, Duka, tha se ai ishte në testim gjatë ndeshjes me Turqinë.

“Kemi qenë në diskutime dhe kemi vendosur ta testojmë, vendimi ishte së bashku me stafin teknik të skuadrës. Kam shkuar dhe e kam takuar duke u gdhirë dhe i kam dhënë se situata nuk është e duhur”.

Sipas Dukës, nëse trajneri është shqiptar apo i huaj ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

“Nuk duhet të jetë 100 % i huaj. Ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, një i huaj dhe një shqiptar, por avantazhi më i madh që ka një shqiptar është njohja e mentalitetit, ndërtimi i raporteve me opinionin. Nuk kemi ende një trajner që të drejtojë një ekip me pretendime.

Përsa i përket pagës së një trajneri në vendin tonë shuma varion nga 200 -250 mijë Euro.