Opinion – Kur iku gjermani i fundit?


Opinion – Kur iku gjermani i fundit?

Autori: Blendi Fevziu

00:02 30/11/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Artan Lame

“Foto që e pagoi shtrenjtë Anton Harapi”, Lame: Ne ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq

Historiani Artan Lame, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan ka sjellë në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama gjatë seancës së përbashkët Shqipëri-Kosovë që u mbajt në Kuvendin e Shqipërisë të dielën e shkuar në kuadër të 110-vjetrorit të Pavarësisë.

“Nuk po shtyhem më tutje me këtë fill tragjik të fundjetës të firmëtarëve të pavarësisë që nga Luigj Gurakuqi i cili edhe pse qe në fakt ndër shumë të paktët që më vonë u nderuan, pasi u vra si tradhtar po nga dora e shqiptareve, ‘syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur, ky vigan liberator”, thotë Fan Noli në një poezi të jashtëzakonshme për Luigj Gurakuqin dhe deri tek Mit’hat Frashëri me të cilin ende sot, tani që flasim shumëkush nuk arrin dot të bëjë paqe këtu në Shqipëri të paktën, për t’i dhënë Çezarit atë që është e Çezarit dhe për t’i lënë Zotit atë që është e Zotit”, deklaroi Kryeministri Rama në seancën e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Historiani Artan Lame e ka mbështetur argumentin e Kryeministrit Rama teksa ka thënë se pas më shumë se 70 vjetësh, ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq.

Artan Lame: Kjo është një foto që e pagoi shtrenjtë Patër Anton Harapi. Shteti i ri shqiptar u formua me logjikën që derisa pas luftës të vendoset se çfarë do të bëhet, do të kthehet Zogu apo se çfarëdo forme të marrë, atëherë u shpall një regjencë me 4 përfaqësues, nga 1 për çdo religjon. Aty është Mehdi Frashëri me Patër Anton Harapin dhe madje këtu kujtoj diskutimin dhe të Kryeministrit Rama, në logjikën që pas 70 e sa vjetësh ne ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq sepse nuk duam që ata njerëz ishin brenda asaj vorbulle dhe aq dinin dhe aq mundoheshin të bënin për këtë vend. Ishin 2 “dinosuarë gjigantë” që po luftonin dhe ti duhej të shpëtoje gjallë nga kjo.

Përse Zvicra nuk u pushtua nga gjermanët? Lame: Po të donin e merrnin për 24 orë, por…

Gjatë luftërave botërore Gjermania kishte pushtuar pothuajse gjithë Europën, duke hyrë edhe në territorin e Bashkimit Sovjetik. E gjithë Europa Qëndrore kontrollohej nga gjermanët, ndërsa pjesa tjetër nga Italia.

Por përjashtim bënte vetëm Zvicra, që qëndronte si një “ishull” në mes të Europës së pushtuar nga gjermanët.

Historiani Artan Lame, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, ka shpjeguar se Zvicra nuk ishte në interesin e trupave gjermane për t’u pushtuar pasi ju shërbente si kanal për të kaluar arin gjerman.

Neutrale gjatë luftës kanë qëndruar edhe shtete të tjera, tha Lame, si Spanja, Portugalia dhe Suedia. Kjo e fundit, shpjegoi Artan Lame, shërbente vetëm si kanal komunikimi mes palëve të përfshira në luftë.

Artan Lame: Gjermania ka pushtuar gjithë Lindjen, pra ka vajtur deri afër Moskës.

Blendi Fevziu: Ka hyrë brenda Bashkimit Sovjetik. Ka pushtuar gjithë Europën Qëndrore.

Artan Lame: Po po.

Blendi Fevziu: Spanja është neutrale. Portugalia është neutrale.

Artan Lame: I vetmi shtet që mbijetonte këtej është Zvicra. Ka arsyet e veta. Për 24 orë po të donin gjermanët e pushtonin. Ka arsye sepse ishin i vetmi kanal ku mund të përfitonin nga valuta. Çdo gjë që ju duhej për ta blerë me valutë jashtë Gjermanisë, i vetmi kanal ishte Zvicra dhe i vetmi kanal ku mund të kalonte ari gjerman, kështu që Zvicra është histori më vete.

Blendi Fevziu: Ishull i paprekur nga lufta.

Artan Lame: Po. Çfarë është me të kuqe këtu është Italia. Me gri është Gjermania. Italia ka një pjesë të mirë të Jugosllavisë, Shqipërinë e Madhe, bashkë me Kosovën, dhe Greqinë, një pjesë të Greqisë, pjesën më të madhe të Greqisë, se një pjesë e kishin trupat gjermane. Dhe Tunizinë veriun e Afrikës. Kjo ishte ndarja e dy blloqeve. Mbijetonin aleatët anglezët dhe Suedia që mbeti rreptësisht neutrale. Suedia gjatë gjithë luftës mbeti neutrale, shërbente vetëm si kanal komunikimi midis palëve për të shkëmbyer robërit ose për gjëra të këtij lloji. /tvklan.al









Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

00:02 30/11/2022