Të ftuar:

Artur Zheji,

Dashamir Shehi, 

Luan Hajdaraga,

Ylli Gurra,

Arjan Curri

Gazetari Artur Zheji, në lidhje me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov, ka theksuar në emisionin Opinion në TV Klan, se është një vrasje që mban në vetvete shumë enigma. Zheji bëri me dije se atentatori nuk duhej eliminuar nga policia turke, pasi ai ishte burimi i vetëm, se kush qëndronte pas kësaj vrasje. Sipas tij, vrasësi kishte vetëm dy karikatorë dhe nuk mund të kishte rrezik se mund të vriste njerëz të tjerë. Eliminimi i tij, humbi shanset, për të zbuluar se çfarë fshihet pas atij sulmi.

Pyetja: A duhej vrarë vrasësi 22-vjeçar i ambasadorit Karlov? Zheji u përgjigj se kjo është një paaftësi e gjithë forcave të policisë turke. Sepse ai ishte burimi i vetëm i informacionit. Ai tha se në kohën kur ndodhi ngjarja në Ankara, ishte në redaksinë e portalit 360gradë.al, ndërsa po ndiqte ngjarjen e vrasjes, hap pas hapi. Zheji theksoi se gjithë kancelaritë botërore po prisnin reagimin e Vladimir Putinit. Sipas tij, ata ishin të interesuar për të parë interpretimin e liderit rus. “Në lidhje me ngjarjen, ekzistonin disa pista. E para, ishte shërbimet sekrete të Erdoganit. E dyta, ishin shërbimet sekrete të NATO-s. Për të hedhur në erë marrëdhënien e re ruso-turke. Këto pista kanë qarkulluar nga agjensi shumë prestigjioze. E treta, ishte kjo që thuhej se Putin i duhej si alibi për të gjetur një fajtor ndërkombëtar dhe për të krijuar një acarim më të madh, në Kiev në Krime për të dhënë një panoramë të re të eskalimit të pushtetit të tij politik, sidomos ndaj NATO-s”.

Dashamir Shehi ka thënë, në studion e Opinion, se në të gjithë botën arabe mbizotëron një frymë anti-Ruse dhe kjo si rezultat i situatës të krijuar në Siri. Sipas Shehit, Rusia si shtet mban një ngarkesë të madhe për këto lloj situatash. “Duke filluar nga Afganistani, duke vazhduar në Çeçeni, kjo nuk është një gjë e re e krijuar thjesht nga Aleppo, kjo vlen për popullin që nuk është marr me këtë punë, se po ta shohësh konflikti mes Rusis dhe botës islame është më i vjetër. Këtu po jetojmë një situatë shumë më të vështirë, kjo është më keq se lufta e ftohtë. Kjo është një luftë që ka dalë jashtë kontrollit”, është shprehur Shehi.

Luan Hajdaraga, në studion e Opinion, ka theksuar se si ka mundësi që vrasësi i ambasadorit rus, ka hyrë i pa regjistruar në një galeri arti në Ankara, por vetëm me një dokument policie. Sipas tij, kjo është e pamundur dhe një ngjarje e tillë tregon se forcat e sigurisë turke kanë qenë të pavëmendshme. Hajdaraga, bëri me dije, se me Konventën e Vjenës, shteti pritës, garanton sigurinë e trupit diplomatik. “Mënyra se si vrasësi ka hyrë në galeri, tregohet se nuk janë respektuar rregullat. Ai ka hyrë vetëm me një shenjë treguese, që tregonte se është pjesë e policisë. Por që nuk ka pasur legjitimim për të hyrë”.

Fevziu: Pse e kanë eliminuar Hajdaraga? 

Hajdaraga: Vrasësi është eliminuar nga paniku i momentit.

“Mund të themi një lajm tronditës, që pas një shekulli, vritet një ambasador apo diplomat nuk mund të themi i Rusisë, por i Perandorisë Ruse, në një situatë politike të ndërlikuar”, kështu është shprehur Ylli Gurra. Po ashtu ai ka thënë se Ambasadori rus për fat të keq në ekspozitë po mbante në distancë rojet e sigurisë ndaj edhe atentati ndaj tij u bë më i lehtë. Gjithashtu, Gurra theksoi se ka një version, i cili thotë se vrasja e atentatorit është bërë nga siguria Ruse.

Arjan Curri, pedagog i UET-së, ka theksuar se mund të ketë persona të tjerë brenda forcave të policisë dhe ushtrisë, pikërisht ashtu siç ndodhi me grushtin e shtetit, që nuk ndajnë të njëjtën agjendë politike me Ankaranë. Curri tha se pyetja është nëse në Turqi ka një shtet në hije, pra një shtet të dytë e cila nuk mendon, siç mendon politikisht Erdogan. Në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur në Ankara, ditën e djeshme, ai theksoi se ekziston një pikëpyetje e madhe në lidhje me ngjarjen, ajo është: përgjegjësia që ka shteti turk në lidhje me sigurinë e diplomatëve të huaj në vend. “Atentatori që është i një moshe shumë të re, vetëm 22-vjeç, është preh e një lloj indoktrinimi të errët, ku në ditët e sotme, fryn shumë në Lindjen e Mesme edhe në Azinë e Vogël. Indoktrinimet mund të jenë fetare, mund të jenë politike, mund të jetë edhe një lloj heroizimi personal i njerëzve të cilët ngarkohen nga gjithë ky konflikt”.

Dashamir Shehi, në lidhje me politikën ruse në botë, ka theksuar se ata po përfitojnë kudo ku ka një keqadministrim shteti dhe një vakum perëndimor. Shehi tha se rusët kanë qenë gjithnjë alternativa e botës atje ku ka dështuar Perëndimi. Sipas tij, kjo situatë është krijuar, pasi Perëndimi ka pasur një krizë të madhe financiare. “Perëndimi ka hallet e veta, tani asaj i dhimbset më shumë situata e keqe financiare që po përjeton, sesa do t’i dhimbsen realitetet që po përjeton bota. Edhe kjo është një aspekt që ka ndikuar. Sepse resurset që mund të përdoreshin për të mbyllur këtë lloj krize, sigurisht që Perëndimit i janë dashur për të mbyllur krizën e vet brenda shtëpisë së vet”. Shehi tha, se edhe sot, nëse Perëndimi do të tregonte dhëmbët si në kohën e Reganit, Rusia do të tërhiqej nga disa situata të cilat nuk e afektojnë direkt atë. “Rusia ka dy situata për të bërë. Ka një situatë për të mbrojtur prestigjin dhe territorin e vet. E dyta, është situata globale, pra rusët reagojnë në një mjedis ndërkombëtar në politikën globale, ku kanë qenë faktor të dorës së parë, janë larguar për disa vjet. Perëndimi duhej të bëhej gati që këto një ditë do të vinë. Tani, a e justifiokon kjo këtë lloj situate në botë? Unë mendoj se këtu ka edhe faktorë të tjerë. Është dobësia perëndimore, është një lloj krize morale që pati edhe kapitalizmi në vetvete, se nuk qenka mënyra më e mirë për të administruar botën, të gjithë këto lloj krizash kanë influencuar”.

Ngjarja në Gjermani

Arjan Curri, ka theksuar në lidhje me tragjedinë e Berlinit, se situata në Gjermani është kaotike dhe ngjarja nuk është rastësore. Curri tha se ne bëmë një analizë të rolit të Perëndimit dhe Rusisë si një lloj ekulibri bipolar në skenën politike botërore, ne lamë mënjanë faktin e polit të tretë që kërkon të lindë dhe që është poli i islamit politik. Ndër të tjera, ai bëri me dije se deri para 100 vjetësh Lindja, islami e konceptonte veten si një Kalifat dhe ky instikt i rikthimit të një organizimi politik me anë të një Kalifati dhe një kalifi në krye drejton islamin por edhe garanton paqen botërore të vendeve që organizohen kryesisht me anë të besimit dhe fesë islame, është duke i rikthyer në formën e vet më të shëmtuar.

Dashamir Shehi, në lidhje me terrorizmin islamik që ka shpërthyer kryesisht në Europën Perëndimore, ka theksuar se është një gjendje alarmante, pasi ekziston një luftë asimetrike. Sipas tij, nëse një vend perëndimor ka 200 tanke, një organizatë terroriste ka 200 kamikazë. Shehi theksoi se kjo lloj lufte është shpallur dhe kjo është ekstremizmi i fundit i islamit. “Me këta është në luftë Perëndimi”. Shehi tha se në botën islamike u destabilizuan realitetet të mëdha të kësaj bote si Egjipti, Libia, të cilat janë në një kaos total. Nga kjo situatë ka shpëtuar vetëm Tunizi dhe gjithë pjesa tjetër është shkatërruar. Po ashtu Shehi dhënë disa arsye se përse Perëndimi dështoi të parandalonte gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar në Siri nga lufta. “Unë them se Perëndimi dështoi për disa arsye, Siria e Aleppo është një hallk e një zinxhiri kjo është e dukshme sepse këtu u këput zinxhiri. Dështimi i Perëndimit ka filluar prej vitesh në raportet që ka me këtë pjesë të botës. Se jemi edhe në të involvum në këtë lloj konflikti, kemi ushtarë në Afganistan, domethënë nuk jemi jashtë kësaj loje të madhe. Perëndimi ka lënë disa njolla të zeza filloi me Palestinën, vazhdoi me Afganistanin që u bë 15-16 vjet luftë,më pas me Irakun e cila u bë 13-14 vjeçare dhe nuk ka një dalje. Dhe e fundit fare, përfunduam tek Pranvera Arabe, nuk qe dhe shumë pranverë, siç e tregoi koha, doli pak si dimër kjo pranvera Arabe”.

Ndër të tjera, Ylli Gurra, ka bërë me dije, se Perëndimi ka dështuar në vendet e Botës Arabe, pasi sot aty po shohim përplasje mes njerëzve që janë të së njëjtës fe. Pra janë popull i fesë islamike dhe kjo sipas Gurrës vjen sepse Perëndimi ka bërë investime të gabuara siç i quajti ai tek udhëheqësit diktatorial në këto vend. “Investimi i Perëndimit, në klikat e diktatorëve, të Afrikës së Veriut, të Lindjes së Mesme dhe të vendit të gjirit, prodhoi atë që sot pas 30 vitesh ne shohim. Jemenj Perëndimi prodhoi lumenj gjaku që janë mes qytetarëve të së njëjtës fe. Brenda Islamit në Jemen, brenda Islamit në Egjipt, të cilat po i kthehen si bumerang Perëndimit, sepse investimet që bëri tek Mubaraku apo edhe tek Assadi”, është shprehur Ylli Gurra.