Të ftuar:

Spartak Koka – Gazetar

Artan Hoxha – Gazetar

Ermal Vija – Gazetar

Ferdinand Dervishi – Gazetar

Në lidhje telefonike:

Vjollca Arapi – Bashkeshortja e biznesmenit te vrarë

 

Vrasja e 26-vjeçarit Jurgen Kurti mbrëmjen e së hënës në Tiranë mblodhi një panel gazetarësh këtë të martë në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. I ftuar në studio, gazetari Spartak Koka tha se deri në këto momente, pista kryesore e policisë për vrasjen e Kurtit është ajo e hakmarrjes, për vrasjen e ndodhur në 2017-n në Durrës.

“Përsa i përket pistave janë shumë, janë disa, por më kryesorja, aty ku është fokusuar policia është ajo e hakmarrjes, për shkak të ngjarjes të vitit 2017, ku mbeti i vrarë Agim Arapi. Në dijeninë dhe informacionet që disponon sot policia dhe grupi hetimor nuk ka informacionet për konflikte të tjera. Në vendimin e Gjykatës së Durrësit sqarohet se burimi i konfliktit natën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë Jurgen Kurti, për shkak se disa muaj më parë Konstandin Ekonomi, vjehrri i Kurtit ka marrë në pronësi një lokal-piceri dhe administrator kishte vendosur Jurgen Kurtin. Këta kanë qenë komshinj me Arapin. Pas një farë kohe ata nuk kanë pranuar t’i japin qiranë. Këtu na nisur sherri, fillimisht mes bashkëshortes së Agim Arapit, Vjollca Arapi dhe Jurgen Kurtit. Jurgen Kurti është ndjerë i fyer dhe ka marrë në telefon vjehrrin e tij. Nga ana tjetër, Vjollca Arapi pretendonte se ishte kërcënuar me vrasje nga Jurgen Kurti. Në këtë moment në dyqan kanë ardhur Konstandin, Kujtim Ekonomi dhe Agim Arapi dhe këtu në konflikt e sipër, prokuroria thotë se ka qenë Vjollca Arapi ajo që ka goditur fillimisht Kujtim Ekonomin me makinë llogaritëse dhe sherri ka precipituar”, tha Koka.

Për ngjarjen në fjalë Jurgen Kurti u la i lirë, ashtu sikurse vjehrri i tij, Konstandin Ekonomi. Ndërsa Kujtim Ekonomi u dënua me 5 vjet burg për vrasje nga pakujdesia. Pretendimi i Vjollca Arapit ka qenë që Kujtim Ekonomi duhet të dënohej me vrasje në rrethana cilësuese, si dhe të merreshin në përgjegjësi penale dhe Jurgen Kurti dhe Konstandin Ekonomi.

Por në një lidhje telefonike në “Opinion”, Vjollca Arapi, bashkëshortja e të ndjerit tha se as ajo dhe as të afërmit e saj nuk kishin asnjë lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti.

“Kur mua më ka vdekur burri, ka qenë një debat banal, i kërkova qiranë. Ai (Jurgeni) ishte në efektin e drogës, ishte i bardhë dëborë. Jurgen Kurti u kap dhe u lëshua po atë natë, ka ardhur urdhër të që lirohej që atë natë. Burri im ka vdekur në një mënyrë shumë të keqe, mbyllën qepenat dhe ma masakruan. Kam dalë e terrorizuar, nuk e shikoja që ishte Jurgeni brenda. Kisha frikën e Kujtimit dhe Konstandinit, sepse Konstandini më kishte kapur mua nga duar dhe nuk më lëshonte. Kjo është e vërtetë, unë nuk kam përse të gënjej. Janë pamjet filmike që dëshmojnë. Pas 3 muajsh kur kam parë që Konstandin Ekonomi doli nga burgu kam kërkuar vendimin e pushimit te prokurori dhe nuk ma ka vënë kurrë në dispozicion. Edhe kur janë hapur në gjykim kamerat filmike gjyqtari nuk ka komentuar dhe nuk na ka lënë edhe neve për të folur. “

Zonja Arapi konfirmoi gjithashtu se pas vrasjes së një nate më parë, në shtëpinë e saj kishin qenë efektivët e policisë.

“Policia ka ardhur dje për të bërë kontroll dhe kanë qenë shumë të sjellshëm, kanë bërë verifikimet e tyre, është detyra e tyre. Unë jam e pafajshme. Fëmijët nuk i kam këtu, jetojnë jashtë”.

E pyetur nëse ishte e sigurt se asnjë prej familjarëve nuk ishte i përfshirë në ngjarjen e mbrëmshme në kryeqytet, Vjollca Arapi tha: “Absolutisht jo, jam shumë e sigurt dhe jam shumë e pastër, nuk kam frikë. Asnjëri nga ne, unë nuk kam lidhje nga asnjë”.

Misteri i vrasjes tek liqeni!