#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Sylvinho Mendes

Trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho Mendes: Ftesën ma ka bërë kreu i FSHF-së Armand Duka

Federata Shqiptare e Futbollit arriti marrëveshjen me trajnerin Sylvinho Mendes Campos Júnior për të marrë drejtimin e ekipit tonë kombëtar në fillim të këtij viti. Sylvinho ka zëvendësuar në këtë detyrë italianin Edoardo Reja, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, trajneri Sylvinho Mendes ka treguar se ftesa për të qenë trajner i ekipit tonë kombëtar i ka ardhur nga Presidenti i Federatës, Armand Duka.

Blendi Fevziu: Si ndjeheni që tani jeni trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit?

Sylvinho Mendes: Është një ndjesi e mirë! Ndjehem mirë, para së gjithash sepse njerëzit këtu janë shumë mikëpritës, njerëz që të bëjnë të ndjehesh vërtet mirë, të bën të ndjehesh si në shtëpi. Jam prej 2 – 3 ditësh këtu në Tiranë dhe ndjehem shumë mirë.

Blendi Fevziu: A dinit diçka mbi Shqipërinë para se të vinit këtu?

Sylvinho Mendes: Pak, shumë pak në fakt, por pashë që Tirana është nje qytet i bukur, shumë mirë.

Blendi Fevziu:  Si ju erdhi ftesa për të qenë trajner i Kombëtares Shqiptare të Futbollit?

Sylvinho Mendes: Shiko, unë jetoj në Portugali, në qytetin e Portos…

Blendi Fevziu: Qytet i bukur…

Sylvinho Mendes: Po qytet i bukur, po… ftesën ma ka bërë Presidenti  i Federatës, Armand Duka që të organizonim një darkë në Milano. Unë kam jetuar në Milano për 4 vjet  dhe shkova atje, bëmë këtë darkën, folëm për futbollin, për projektin, çfarë mendoj për futbollin edhe për stafin…

Blendi Fevziu: …dhe kështu nga kjo darkë në Milano, nisi pra kjo aventurë…

Sylvinho Mendes: E drejtë, një aventurë e bukur.

A do të jetojë bashkë me familjen në Shqipëri? Përgjigjet trajneri i ri i Kombëtares, braziliani Sylvinho Mendes

Trajneri i ri i ekipit të Kombëtares Shqiptare, braziliani Sylvinho Mendes Campos Júnior ka dhënë më shumë detaje rreth detyrës së tij të re dhe mënyrës së përshtatjes me të.

I ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, trajneri Sylvinho Mendes Campos ka treguar planet që ka për të jetuar në Shqipëri dhe a do t’i bashkohet dhe familja e tij.

Blendi Fevziu: Ju keni vendosur të qëndroni në Shqipëri. Do të sillni këtu edhe familjen, apo do të jeni vetëm?

Sylvinho Mendes: Jo, sepse familja ka disa probleme… Unë jam i martuar, bashkëshortja ime jeton në Portugali, kam një djalë 17 vjeç, luan futboll dhe vitin që vjen do të shkojë në universitet. Vajza ime është 20 vjeç, jeton në Madrid,  ka jetën e saj tashmë atje.  

Blendi Fevziu: A është e vështirë të jesh trajneri i një Kombëtareje?  

Sylvinho Mendes: Po, patjetër që po. Duhet të vlerësojmë gjithçka. Unë dua të jem pranë njerëzve më të cilët do punoj, më pas edhe monitorimi i djemve, pra gjithçka që duhet, por gjithsesi  është punë e bukur, e bukur por dhe me përgjegjësi  të madhe.

Blendi Fevziu: A do të ndryshojë ndonjë gjë në filozofinë e lojës së Kombëtares Shqiptare?

Sylvinho Mendes: Me të gjithë respektin e botës , nuk po flas për taktikën, por qëndrimin/ të sjellurit sipas meje sigurisht që po…

Blendi Fevziu: Po flas në përgjithësi.

Sylvinho Mendes: Patjetër, sigurisht! Është e drejtë sepse dikush mund të mendojë ndryshe… Nuk e kam fjalën për taktikën, flas për qëndrimin, të sjellurin, pasi siç thashë Kombëtarja është një frymë ndryshe, është shpirti i një vendi, është përfaqësuese e njerëzve të vendit. Për këtë sigurisht do të bëjmë gjithçka të mirë./tvklan.al