#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Në studio: Agron Gjekmarkaj, Klodiana Kapo, Valmora Gogo, Koloreto Cukali, Jonila Godole, Iris Luarasi
“Vdeksh!” Komenti ndaj ish-kancelarit austriak që çoi në gjyq një parukiere, por e gjeni dot se kush e fitoi?
Pedagogia Jonila Godole ka risjellë në vëmendje rastin kur një ish-kancelar i Austrisë ka hedhur në gjyq një parkuiere për shkak të një komenti në rrjetet sociale ku mes kritikash, i uronte atij vdekjen.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Godole tregon se gjyqin e fitoi ish-kancelari, i cili në fakt nuk donte dëmshpërblim nga ajo, por thjesht t’i tregonte shoqërisë.
Jonila Godole: Po sjell një shembull para pak vitesh, ish-kancelari i Austrisë gjatë kohës së pandemisë kur e gjithë Austria u mbyll dhe në rrjete sociale filluan të shkruan njerëzit dhe të ankoheshin, një prej tyre ishte edhe një parukiere. Parukierja kishte 3 fëmijë që i rriste vetëm dhe ankohej dhe shante kancelarin dhe qeverinë austriake që po i hiqte bukën e kështu me radhë dhe në fund të komentit të vet i shkruan “Vdeksh”. E hodhi në gjyq. U bë një zhurmë e madhe. U hodh në gjyq një parukiere. E gjithë shoqëria e dënoi parkuieren që aty te komentet “që mund ta kritikosh qeevrinë dhe kancelarin, por ne nuk mund të tolerojmë si shoqëri që t’i urojmë tjetrit vdekjen”. Kush e fitoi gjyqin? E fiton kancelari. Dhe nuk është se ai donte lekë nga parukierja. Është vetëm dhe thjesht për t’i treguar shoqërisë. Ne nuk na bën më përshtypje asgjë, të shajmë, të rrihemi, t’i urojmë vdekjen njëri-tjetrin dhe pastaj të bëjmë teatër në parlament.
Blendi Fevziu: Na kanë pyetur sa është tarifa për të sharë të tjerët dhe për të hequr lajmet
Drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu ka treguar se cilat janë dy kërkesat që i janë bërë nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me median.
Duke diskutuar pikërisht për kontrollin ndaj mediave online në Shqipëri dhe rregullimin e tyre, Fevziu tregoi se i kanë kërkuar që të sulmojnë persona të tjerë kundrejt pagesës duke përdorur median. Ndërsa një kërkesë tjetër ka qenë heqja e lajmeve të caktuara kundrejt tarifës.
Blendi Fevziu: Ka njerëz që na kanë pyetur sa është tarifa për të sharë tjetrin? Fjalë për fjalë. Sa është tarifa për të sharë tjetrin. Ka të tjerë që bëjnë një pyetje akoma më të frikshme. Sa është tarifa për te hequr një lajm, sidomos njerëz që janë kapur me drogë, që janë gjetur në Perëndim, që ju kanë ngelur lajmet 7-8-10 vjet, pyesin sa është tarifa e heqjes. Këtë unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Tarifë për të sulmuar tjetrin dhe tarifë për te hequr lajmin. Dhe e thonë me lehtësinë më të madhe.
Gjekmarkaj: Kur filloi kriza në PD, portalet më quajtën “i shitur tek Edi Rama”
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj ka treguar për një periudhë të jetës kur mori një qëndrim të caktuar në fillim të nisjes së krizës në PD, ku rrëfen mes të tjerash se si u paraqit ai në media.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Gjekmarkaj thotë se të njëjtat media që para 3-4 muajsh e quanin intelektual dhe një njeri të mirëshkolluar, ishin po ato që pasi mori një qëndrim të caktuar kur filloi kriza në PD, për të njëjtat media, ai “ishte i shitur tek Edi Rama” dhe “i pashkolluar”.
Agron Gjekmarkaj: Unë kur vendosa të kandidoj dhe të hyj si deputet i Partisë Demokratike, shumë portale që kishin mbështetur opozitën në këto vite më përshëndetën dhe më vunë një sërë epitetesh si “intelektual, pedagog, i mirëshkolluar, etj, etj. Kur filloi kriza në PD, e gjeta veten protagonist për një moment të caktuar duke mbajtur një qëndrim të caktuar dhe po të njëjtat portale u turrën me një breshëri duke më quajtur “lake”, “i shitur tek Edi Rama”, duke t’i hequr gradat “pa mëshirë”, ashtu siç t’i kishin vënë. Në harkun e 3-4 muajve, ti ishe i pashkolluar, ishe arrivist, ishe servil, ishe i blerë, i shitur. Por dua të them një gjë që e kuptoj nga qëndrimi në politikë që portalet shpeshherë përdoren si “killera” edhe brenda partisë politike për të goditur njëri-tjetrin.
“Mediat online”, Valmora Gogo: Një domain linçoi zv/ministren e Brendshme, situata është alarmante
Në diskutimin për kontrollin e mediave online në Shqipëri dhe vërtetësinë e tyre, gazetarja Valmora Gogo, e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, e konsideroi alarmante situatën për portalet online anonime.
Ajo tregoi edhe një rast të ditëve të fundit, kur zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko është linçuar nga një media online.
“Situata është shumë alarmante sepse kemi arritur në fazë para disa ditësh një domain ka linçuar zv/ministren e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Romina Kuko. E ka linçuar nëpërmjet shkrimeve jo të vërteta. Kemi arritur në këtë pikë ku numri 2 i Ministrisë linçohet në këto formë. Mendo se çfarë mund të ndodhi me qytetarët e zakonshëm. Kemi arritur në këtë fazë. E kemi kaluar dhe lajmin e rrëmë si koncept, si fenomen, por jemi këtu”, tha Gogo ndër të tjera.
Godole: E rëndë ka qenë kur 7 media kanë shpifur për babain tim
Pedagogia, Jonila Godole ka treguar një rast shpifjeje ndaj babait të saj, që është përhapur në 7 media të ndryshme.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Godole thotë se mediat kishin transformuar fotot e saj dhe të personit që ato aludonin se ishte familjari i saj.
Jonila Gogole: E rëndë ka qenë kur nuk kanë shpifur për mua, se unë e përballoj, por kanë shpifur për babain tim, i cili nuk jeton më. E njëjta gjë është përhapur në 7 media, 1 media ka qenë në Shqipëri dhe të tjerat kanë qenë të regjistruara jashtë vendit të cilët kishin futur dhe një lloj transformimi të fotove të mia dhe një personi që aludonin se ishte familjari im. Si do të merreshim me të? Nuk janë gazetarë dhe asgjë, vetëm shpifin për njerëzit. Nëse do të hapësh një çështje penale, duhet të provosh qëllimshërinë që ata kishin të dëmtonin ty. Përsa i përket padisë penale ka qenë e vështirë sepse duhet të vërtetosh që e ka pasur me qëllim që të dëmtonte ty. Ligji për shpifjen është bërë më tepër për të ndihmuar atë që shpif sesa atë që kërkon të drejtën e tij./tvklan.al