I ftuar Artan Lame, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës

Problematika e pronave, Artan Lame: Kërcënimet i kam referuar tek organet ligjzbatuese

Kreu i Kadastrës Artan Lame thotë se merr vazhdimisht kërcënime nga më të ndryshmet. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lame është shprehur se kushdo që merret me çështjet e pronave, has në kërcënime të ndryshme.

Ai vetë personalisht ka marrë kërcënime që nga qytetarët e thjeshtë të cilët zvarriten prej vitesh në procese gjyqësore, e deri tek kërcënimet serioze. Këto kërcënime, Lame thotë se i ka referuar në organet ligjzbatuese.

“Ka ndonjë shqiptar që ka të bëjë me pronat dhe nuk është kërcënuar ndonjëherë? Ka patur kërcënime të të gjitha llojeve. Vijnë që nga më të ulëtat, nga masa e njerëzve që iu ka ardhur në majë të hundës dhe deri te kërcënimet serioze që unë i kam referuar aty ku duhet, tek organet ligjzbatuese”, është shprehur Artan Lame.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ruhet nga policia, Lame e mohoi një fakt të tillë.

Sa i përket drejtorëve të Kadastrës në qarqe nëse janë kërcënuar, Artan Lame u shpreh: “Bëra një kërkim tek drejtorët e mi, nuk më rezulton asnjë nga drejtorët aktualë të jenë nën mbrojtjen e policisë”

Artan Lame tregon si u tjetërsua pylli i Spillesë

Kreu i agjencisë së Kadastrës, Arta Lame, shpjegoi këtë të mërkurë se si u transformua zona e yllit të Spillesë. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lame tha se këshilli bashkiak ka ndryshuar statusin e pyllit.

Pastaj janë marrë disa banorë të fshatit, të cilëve iu është dhënë prona. Ata e kanë shitur më vonë pronën, derisa të humben gjurmët. Kreu i Kadastrës theksoi se edhe pse shteti e di që zona e pyllit të Spillesë është publike, në fakt aty ka disa pronarë tokash.

Lame theksoi se pronarët e tokave janë koperturë.

Artan Lame: Kjo nuk është një çudi e Lalëzit. Ky është një fenomen i përhapur në bregdetin shqiptar. Ky është pylli i Spillesë. Është një nga të vetmet pyje bregdetare që ka mbetur i akoma i paprekur dhe pazënë. Këtu është deti, fasha e rërës, fasha e pyllit dhe zona e tokave bujqësore. Çdo rrip nga këta ka nga një fshatar dhe kjo fasha këtu që vazhdon dhe nga mbrapa janë toka bujqësore që kanë qenë të kooperativës. Në ‘91-shin u prish kooperativa dhe këta ndanë tokat. Absurdi është që toka kooperative ndahen dhe sot. Ndanë kooperativën dy-tre vitet e para me ato të famshmet AMTP. Pas ‘95-s ku mbaruan rrinin te klubi i fshatit dhe thonin çfarë mbeti ndonjë gjë tjetër pa ndarë. Mbeti kjo kodra e Zenelit pa ndarë. Çfarë është kodra e Zenelit? Është tokë e pafrytshme. Hajde e ndajmë, e gjeti tre veta nga fshati dhe ndan tokën. Ata tre veta merrnin nga një 5 lekësh dhe toka rishitej. Vajti ‘97, ‘98, 2000 u mbaruan tokat. Çfarë ka mbetur është kjo zona e pyllit. Pylli nuk lejohet të ndahet se nuk ishte tokë kooperative. Çfarë ndodhi? U mblodhën dhe thanë po sikur t’ia ndryshojmë statusi kësaj zone. Statusi ndryshohet nga këshilli bashkiak. I ndryshohej statusi nga pyll në tokë bujqësore, gjenden tre fshatarë. Konsiderohej sikur nuk ishin plotësuar me tokë dhe iu jepej parcela në Spille. Pastaj rishitej dhe e merrnin. Kjo bëhej për dy arsye. Që mos ti mbetej atij dhe e dyta pas kalimit të dytë, të tretë fillojnë humbasin gjurmët. Ne pyllin e Spillesë që dimë se është shtet sot kjo është gjendja aktuale.

Blendi Fevziu: Shteti e di për shtet dhe këto janë 100 veta që i kanë tokat?

Artan Lame: Sa persona kanë parcelat kanë edhe tokat.

Blendi Fevziu: I kanë të njëjtat persona apo kanë futur banditë?

Artan Lame: Jo jo fare. Aty gjen gjithë botën. Emrat aty janë koperturë. Prokuroria e zbuloi në një moment të caktuar dhe shpërtheu. U bënë gjyqe, u dënuan njerëz, por ama prokuroria nuk u mor me produktin e veprës penale. Toka iu mbeti atyre. 

Përse bandat përplasen për tokat? Artan Lame shpjegon arsyet

Përplasjet kriminale mes bandave për të zaptuar pronat në Shqipëri janë një problem shqetësues që kanë marrë vëmendje kohët e fundit. Drejtori i Kadastrës, Artan Lame, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan shpjegoi se kanë ndodhur dy fenomene në kohë të ndryshme.

“Deri pak kohë përpara bëhej kjo gjë: Kur përplaseshin, shkonin te Hipoteka përkatëse dhe atje paraqiteshin. Hipoteka nuk përdorte sistem elektronik. E dyta, shikonte kush ishte më i forti ose kush paguante më shumë dhe regjistronte atë. Ai që mbetej, ose do shtyhej më poshtë ose do shtynte ndonjë tjetër dhe ai do sistemohej. Mbetej tjetri dhe do shtyhej dhe ky.

Sot ç’a ka ndodhur? Kanë ndodhur dy gjëra. E para, që mbaroi Shqipëria. E ndanë të gjithën. E dyta, ne po vendosim kontrollin mbi aparatin e brendshëm të institucionit. Në atë palo sistem që kishte Kadastra, kishte 1750 përdorues. Ishte lënë me qëllim që kushdo të hynte. Në momentin që ne e kemi ulur në 850 ata që kanë akses në sistem, nuk kanë mundësi ta shtyjnë më poshtë”, shprehet Artan Lame.

Çfarë pronash ka shteti? Si përgjigjet Artan Lame

Artan Lame deklaroi këtë të mërkurë se shtetit i kanë mbetur në përgjithësi tokat e pafrytshme në zonat bregdetare. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan, kreu i Agjencisë së Kadastrës tha se shteti nuk ka më në pronësi prona të mëdha.

Blendi Fevziu: Çfarë tokash i kanë mbetur shtetit?

Artan Lame: Përgjithësisht i kanë mbetur toka të pafrytshme. Toka të kripura. Përgjatë bregdetit ka sa të duash toka të kripura që Enveri i thau. Në momentin që ra Enveri ranë dhe gjithë impiantet që bënin thithjen pastrimin e ujërave dhe është rikthyer sërish situata moçalore. I ka mbetur një pjesë e Karaburunit sepse edhe një pjesë e Karaburunit jo më larg se para disa muajsh iu rikthye shtetit një sipërfaqe rreth 5 hektarë në Karabarun që ishte marrë po me këtë sistemin e kthimit të pronave.

Blendi Fevziu: Prona të mëdha ka shteti më?

Artan Lame: Vallaj maja e Korbit mund të jetë e shtetit akoma.

Blendi Fevziu: Flas në bregdet, flas në troje serioze.

Arta Lame: Jo mo burrë ku kanë lënë gjë.

Blendi Fevziu: Nuk ka asnjë?

Artan Lame: Ka njollëza. Copëza. Meqë pashë, poshtë Butrintit. Poshtë Butrintit ka një situatë tjetër. Kjo është fusha e Vrinës dhe kjo pjesa këtu ishte tharë në kohën e Enverit dhe tani po e merr uji. Në 92-shin kur iu nda kooperative ishte e thatë dhe u nda ajo. Nga kanali dhe deri në kufi me Greqinë është një mish-mash pronash. Janë me dhjetëra pronarë, por janë pronarë bashke me shtetin.

“Kanë dalë 2 mijë pronarë në kodrën e Porto Palermos”

Zaptimi i tokave ka nxjerrë me pronarë edhe gjirin e Porto Palermos që ka qenë historikisht tokë shtetërore gur e shkëmb, dhe jo tokë bujqësore. Jo vetëm kaq, por ishte edhe zonë ushtarake. Ndërsa sot në këtë kodër kanë dalë pronarë. Drejtori i Kadastrës, Artan Lame ka thënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se në kodrën e Porto Palermos janë rreth 2 mijë pronarë të cilët kanë parcela nga 100 metra.

Artan Lame: Këtu jemi në një dramë tjetër që është për të ardhur keq. Jemi në mbylljen e gjirit të Porto Palermos.

Blendi Fevziu: Po kjo ka qenë shtetërore?

Artan Lame: Jo vetëm shtetërore, por ishte gur! Ishte dhe zonë ushtarake. Këto janë parcela 10×10, pra nga 100 metra.

Blendi Fevziu: Sa pronarë ka vetëm kjo kodër?

Artan Lame: Ma ha mendja mund të dalin 2 mijë.

Blendi Fevziu: 2 mijë pronarë vetëm në kodrën e Porto Palermos? Porto Palermo ka qenë zonë ushtarake. Si ka dalë me pronarë?

Artan Lame: Është ndarë me 7501. Kanë ndërruar bonitetin, e kanë kthyer nga shkëmb në tokë bujqësore dhe pastaj kanë filluar… Imagjinino sikur secili këtu të bëjë vilën e vetë, do mbytin njëri-tjetrin.

Lame: Deputetë, ministra, prokurorë e gjykatës kanë prona në Sarandë

Në Sarandë qytetarët refuzonin të bënin legalizimin e banesave dhe pallateve. Dhe arsyeja është sepse një pjesë e konsiderueshme e politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve rezultojnë pronarë dhe nuk duan të figurojnë si të tillë.

Ky fakt është pranuar nga drejtori i Kadastrës, Artan Lame, i cili në studion e “Opinion” në Tv Klan deklaroi se Saranda ishte i vetmi qytet ku procesi i legalizimeve ecte me ritme të ngadalta pikërisht për këtë arsye.

Saranda ishte qyteti i vetëm që nuk na ecte legalizimi i pallateve. Kur unë pyes çfarë ka, më thonë që vetë ata që i kanë apartamentet nuk duan të bëjnë legalizimin, sepse kjo do bënte regjistrimin në Hipotekë dhe janë të deputetëve, të ministrave, ish-ministrave, ish-prokurorë, gjykatës, këtij lloji njerëzish. Është i vetmi qytet që nuk donin të legalizonin pallatet. Sepse do duhej të vinin një emër mbi të. Kështu që aty duket se sa është e përzier politika”, u shpreh Artan Lame.

Përse largohen drejtorët nga Hipoteka e Vlorës?

 

Janë presionet ato që i kanë detyruar ish-kryetarët e Hipotekës së Vlorës që të largohen nga ky post. Kështu u shpreh këtë të mërkurë në studion e “Opinion” në TV Klan, kreu i agjencisë së Kadastrës, Artan Lame. Ai tha se në Vlorë dhe përgjithësisht në jug, hipotekat regjistronin prona pa i parë fare.

Lame tha se nuk i rezulton që të ketë presione nga politika, megjithatë mund të jetë bota e nëndheshme e krimit që lëviz për këto çështje.

Blendi Fevziu: Pse ikin kryetarët?

Artan Lame: Bregdeti i jugut nuk është regjistruar. Të gjendur përpara presionit në gjithë këto vite, Hipotekat e vjetra në Vlorë, përgjithësisht në jug kanë gjetur këtë lloj zgjidhje. Regjistronin vendime pa i parë fare. Vinte njeri me këtë vendim dhe e regjistronin, vinte tjetri me një vendim tjetër e regjistronin. në këtë moment po fillojmë regjistrimin për herë të parë në jug dhe të krijojmë një harta ku të mbivendosen. Në momentin që do mbivendosen i themi të shkojnë në gjykatë.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me Hipotekën e Vlorës?

Artan Lame: Kjo po ndodh!

Blendi Fevziu: Po pse ikin atëherë?

Artan Lame: Presioni!

Blendi Fevziu: Nga kush?

Artan Lame: Ka njerëz që e mbajnë presionin, ka njerëz që nuk e mbajnë. Ka dhe raste të tjera largimesh, ndodhin dhe do ndodhin. Bën presion ai që është në gjendje të bëjë presion. 

Blendi Fevziu: Janë presione që vijnë nga krimi apo nga politika?

Artan Lame: Jo nga politika nuk më rezultojnë të vijnë presione. Ndoshta është krimi, bota e nëndheshme, e lidhur me politikën që pastaj, politika vë këtë pjesë për të lëvizur. Të mos harrojmë që kjo është e vetmja mënyrë për të vënë rregull mbi këtë situatë. 

Pjesa e III-Libri më i fundit i Preç Zogajt

/tvklan.al