“Do zgjidhja dikë mes Belindës dhe Taulantit”, ministrat e suksesshëm të qeverisë Rama sipas Markut

Në gjykimin e tij për ministrat e suksesshëm dhe më pak të tillë në qeverinë Rama, pedagogu Mark Marku u gjend i dyzuar. Ai u shpreh në “Opinion” në Tv Klan se Belinda Balluku dhe Taulant Balla janë aktivë, ndërsa Ogerta Manastirliu dhe Anila Denaj kanë menaxhuar mirë krizat.

Mark Marku: Unë mendoj që më aktiv si ministër Belinda, megjithëse unë mendoj që kemi shumë probleme me infrastrukturën pavarësisht se janë bërë investime porproblemi është që investimet e para janë zgjatur në kohë, janë vonuar, e dyta kostot…

Si ministër politik do zgjidhja dikë midis Belindës dhe Taulantit sepse mendoj që Taulanti në këtë 3-mujor ka qenë aktiv me thënë të drejtën dhe nuk e di sepse rezultatet do shihen në fund. Ka ndryshuar diçka te rendi krahasuar me ministrat e mëparshëm. Më ka pëlqyer Ogerta për administrimin e krizës së Covidit, pandemisë, edhe në aspektin menaxherial, unë nuk jam ekspert, edhe në paraqitje publike, ministri shihet edhe në një situatë krize, ka ditur të komunikojë me publikun në një moment shumë të vështirë për shqiptarët dhe për të gjithë botën dhe unë e kam parë me simpati si përfaqësim publik ministror. Jam midis-midis, do bashkoja gjysmën e Belindës me gjysmën e Taulantit, gjysmën e Ogertës me gjysmën e Anilës si profile që deri diku kanë treguar. Në rastin e financave, në kohën e Anilës kanë treguar një lloj stabiliteti në kohë krize. Për të rinjtë nuk mund të gjykojmë.

Për ministrat që konsideron dështim, Marku tha emrin e Bora Muzhaqit por ra dakord me parafolësit për mungesën e strukturës dhe buxhetit, edhe pse mendon se ministrja duhet të tregonte diçka në daljet publike.


Ministrat më të mirë? Shkullaku: Ata që punojnë më pak, nuk kanë mundësi të bëjnë keq

Ministrat e Qeverisë Rama, gazetari Armand Shkullaku i konsideron zëvendësministra. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku shprehet se ata që punojnë pak janë më të mirët sepse nuk kanë mundësi të bëjnë keq dhe nuk dalin me dosje hetimore.

Blendi Fevziu: Kush janë dështimet sipas teje?

Armand Shkullaku: Me mua lodhesh kot se unë nuk i konsideroj ministra, këta janë të gjithë zëvendësministra.

Blendi Fevziu: Kush të duken më të mirë si zëvendësministra?

Armand Shkullaku: Ata që bëjnë më pak dëm. Peleshi, Muzhaqi, që nuk punojnë. Këta po punuan, bëjnë më shumë dëme. Sa më pak të punojnë, aq më mirë është për qytetarët shqiptarë. Këta që punonin shumë, njerëzit e punës, këta dolën të gjithë me dosje. Ata që punojnë më pak, mendoj se janë më të mirët sepse nuk kanë mundësi të bëjnë keq. A e ke parë, të gjithë akuzat për kë janë bërë? Nuk ka bërë njeri për Ministrinë e Rinisë dhe as për atë të Marrëdhënieve me Parlamentin,

Blendi Fevziu: Po kush të duket më interesant? Si portret?

Armand Shkullaku: Taulanti është edhe fotozhenik.

Blendi Fevziu: Po që të duket beterr fare?

Armand Shkullaku: Ky Igli nuk është king.

Blendi Fevziu: Kë do të ndërroje?

Armand Shkullaku: Të gjithë papërjashtim, problemi i tyre është që për secilin prej këta mund të thuash se ka dukje të mirë si fillim dhe më pas këta ekspertët firmosin dhe ju del ndonjë dosje. Në kënetën që ata janë, do njollosen, nuk kanë çfarë bëjnë. Për një pjesë të madhe ka akuza, për Taulantin ka, për Ballukun ka, për Ogertën ka, Elisën ka kur ka qenë në doganë, Gonxhe kur ka qenë atëherë.


Julian Zylaj: Kumbaro duhet të ishte në krye të ministrave më të suksesshëm

Analisti Julian Zylaj ka renditur sipas tij ministrat më të suksesshëm dhe më pak të suksesshëm në Qeverinë Rama.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Zylaj vlerësoi ministrat Balla dhe Kumbaro si të suksesshëm.

“Besoj që ka disa ministra që punojnë më tepër se sa ne dimë se punojmë. Do doja që z.Peleshi të ishte më aktiv politikisht.

Me të njëjtin argument do doja që dhe znj.Dhuka të mbante opinionin publik më të informuar, do doja që ajo të ishte më informuese.

Sa i përket sukseseve, ka një konsensus në këtë studio për z.Balla dhe unë e shënoj edhe emrin tim në këtë listë.

Spiropali ka një peshë politike të konsiderueshme. Arrin të jetë edhe në marrëdhënie me parlamentin por edhe politikë.

Përtej vlerësimeve personale, mendoj se znj.Kumbaro duhet të ishte në krye të ministrave më të suksesshëm me rezultatet që pati turizmi në Shqipëri”, u shpreh analisti Julian Zylaj.


“Ulsi Manja dështim i Qeverisë Rama”, ja kush janë 3 ministrat më zhgënjyes sipas Baton Haxhiut

Dështimi i parë në Qeverinë Rama, sipas Baton Haxhiut, ka qenë Ulsi Manja, për faktin se nuk dha dorëheqjen pas vrasjes së ndodhur në burgun e Peqinit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu ka thënë se 3 ministrat që kanë qenë dështim sipas tij janë Ulsi Manja, Bora Muzhaqi dhe Mirela Kumbaro, ndërsa më të suksesshmit i nis nga Belinda Balluku, Igli Hasani dhe Anila Denaj.

Blendi Fevziu: Kush ka qenë dështim në qeveri sipas teje?

Baton Haxhiu: I pari për mua është Ulsi Manja për faktin që i ndodhi gjithë ajo gjë në burgun e Peqinit, vrasja spektakolare dhe nuk pati kurajo për të dhënë dorëheqjen. Sado i mirë të jesh si ministër, kur ndodhin gjëra të tilla, ti moralisht nuk mund ta ushtrosh një profesion të tillë për faktin se vrasja është akti më i rëndë që mund t’i ndodhë njeriut. E dyta, Bora Muzhaqi, kishim pritshmëri të mëdha. Vjen nga një universitet i njohur dhe vjen nga një dikaster që ka qenë i jashtëzakonshëm për performancë. Jam habitur që në të gjitha daljet publike ka bërë gafa. E treta, Mirela Kumbaro dështim dhe i emërimit dhe i punës së saj.

Por cilët janë 3 ministrat më të suksesshëm sipas Baton Haxhiut?

Baton Haxhiu: 3 më suksesshmit kam problem… Belinda Balluku dhe Igli Hasani lidhen fort me kryeministrin Rama dhe të gjithë peshën politike e kanë të lidhur me Ramën… E treta për mua më e sukssesshme është Anila Denaj. Po flas dhe më para se të bëhej ministre finance. Ka jo vetëm një profil korrekt, por shkon dhe përtej ministrave të tjerë.


Ornela Çuçi: Balla, ministri më i suksesshëm deri tani. Ministrat e Shtetit janë zhgënjim përveç Spiropalit

Pedagogia Ornela Çuçi ka renditur ministrin e Brendshëm Taulant Balla si më të mirin deri më tani në kabinetin qeveritar.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Çuçi renditi në vend të dytë ministren Belinda Balluku dhe të tretën Elisa Spiropali.

“Do nis nga më të mirët me Ballën, sepse i ka fort këmbët në politikë. Ministrat e Brendshëm kanë pasur një karakteristikë, sapo kanë ardhur kanë qenë të suksesshëm. Por në fakt i gjithë suksesi i ministrave ka qenë penallti në derën e atyre që kanë ikur. Balluku e suksesshme sepse ka ndërlidhur në mënyrën shumë të mirë menaxhimin e fortë të një superministrie, ka qenë dhe shumë e fortë politikisht në zonat ku është caktuar. Do zgjedh Elisën sepse është e vetmja ministre me retorikë të fortë politike pa ministri”.

Përveç Spiropalit si ministre shteti pa portofol, të gjithë ministrat e tjerë të shtetit Ornela Çuçi i konsideron zhgënjim.

“Ndaj ministrat e Shtetit do t’i katregorizoja zhgënjim, ministrat e Shtetit nuk kanë asgjë. Përveç Spiropalit që ka bërë ndërlidhje shumë të mirë”.


Projekti i qeverisë Rama, përparësitë dhe dobësitë në analizën e Baton Haxhiut

Në diskutimin në “Opinion” në Tv Klan për ndryshimet e kryera nga qeveria Rama përgjatë viteve,  Baton Haxhiu evidenton disa pika në planin e kryeminsitrit. Analisti rendin tre pika që i cilëson si avantazhe të këtij projekti të qeverisë për të vijuar më pas me elementin e dobët sipas këndvështrimit të tij.

Baton Haxhiu: Projekti është i ndërtuar në disa pika. Rama projekton qeverisjen e tij personale në stabilitetin institucional dhe nuk do figura politike për arsye se figurat politike edhe përplasen me të dhe thonë “unë mendoj”, edhe projektohen si liderë të ardhshëm.

Armand Shkullaku: S’ka ndodhur ndonjëherë.

Blendi Fevziu: Kështu ishte për shembull mos përfshirja e Blushit në 2013 në qeveri.

Armand Shkullaku: Heqja e Ditmir Bushatit.

Baton Haxhiu: E dyta është që Rama projekton reforma afatgjata prandaj i vendos edhe kriteret e veta për njerëzit teknikë. Të gjitha projektimet për arsye se ka pasur përvojë të keqe në vitin 2013 me qeverisjen me Metën dhe projektimi i tij ka qenë i zbehur prandaj ai ka projektuar qeveritë e ardhshme mbi persona ose personalitete teknike që asnjëherë nuk thonë “unë mendoj” por kryejnë punë mbi projeksionet e Edi Ramës.

Armand Shkullaku: Firmosin pa pyetur.

Baton Haxhiu: E treta është përvoja e administratës. Meqenëse Shqipëria ka pasur ngecje në përvojën e administratës, njerëzit që e ndërtojnë administratën dhe që vijnë nga administrata janë projektuesit kryesorë të atyre ose strukturës e cila vjen pas tyre, por jo ministri të jetë politik.

Blendi Fevziu: Administrata normalisht s’duhet të ndryshojë Baton, nga lëvizjet politike.

Baton Haxhiu: S’duhet të ndryshojë, por njerëzit kryesorë që kanë ndërtuar administratë të mirë nëse kështu së paku thuhet, janë pikërisht personat teknikë. Ku janë dobësitë e kësaj gjëje? Unë fola për përparësitë dhe ajo që projekton Rama. Cila është dobësia e këtyre? Dobësia e këtyre është për arsye se personat politikë që janë benda Partisë Socialiste bëjnë presione indirekte te njerëzit këtu për projektet personale. Ky eleminim i projekteve ose projekteve personale të figurave politike të Partisë Socialiste shpeshherë kanë detyruar këtë tip administrate në atë që quhet projeksione korruptive dhe nuk janë nga këta njerëz këtu, por nga figura të fuqishme politike të cilat janë jashtë.


Ndryshimet në qeveri/ Shkullaku: Ndaj një pjese të tyre ka akuza, janë nën hijen e SPAK-ut

Gazetari Armand Shkullaku thotë se ndryshimet në qeveri po bëhen pasi ka akuza në SPAK ndaj një pjese të ish-anëtarëve të kabinetit qeveritar.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Shkullaku shprehet se gjëja që e nervozon më shumë kryeministrin Rama është që një nga ministrat e qeverisë që ai drejton të thotë “kryeministër, unë mendoj që…”.

Armand Shkullaku: Kriteri i përzgjedhjes në këtë rast është më tepër siguria dhe besnikëria. Të gjithë këta emra që përmende dhe disa të tjerë që Rama i ka marrë me vete, kanë qenë njerëzit e tij besnikë në bashki. Kriteri i parë tek Qeveritë Rama, sidomos gjatë fundit mandatit të dytë dhe këtë 2-vjeçar është që të mos ekzistojë koncepti “Unë mendoj”. Gjëja më e madhe që nervozon më shumë Ramën është që një nga ata i thotë “Kryeministër unë mendoj që…”.Ky është kriteri i parë.

Kriteri i dytë është mungesa e personalitetit politik. Ai zgjedh të gjithë këta njerëz. Vetëm ne themi që ministri duhet të japë prova që është ministër. Jo. Ekzekutivi është përfaqësimi më i lartë i vullnetit të popullit. Njerëzit që duhet të jenë në këtë përfaqësi, duhet të kenë nivel të lartë politik, duhet të jenë figura. Kjo ka ardhur për 2 arsye, që profili i lartë politik, ministri edhe nëse nuk ka aftësi të jashtëzakonshme në menaxhim, do të zgjedhë dikë tjetër poshtë tij që të jetë menaxherial. Ai është një njeri politik në radhë të parë. Duke qenë një njeri me peshë politike, kjo e kufizon dhe në veprime të tjera që mund të jenë abuzive etj etj.

Ndryshimet që ndodhën në 2008-ën na çuan në një ligj elektoral që listën e deputetëve e bën kryetari i partisë. Nuk ka asnjë vlerë profili politik sepse këta po t’i çosh të kandidojnë për mazhoritarë, sigurisht që nuk marrin asnjë votë sepse nuk i njeh njeri, votat i merr Edi Rama.

Elementi i tretë i kësaj qeverie dhe i qeverive të mëparshme është që janë nën hijen e SPAK-ut. Rama për qejf mban ata që kishte. Që nga koha që ndryshoi Tahirin dhe Beqajn, ishin të dy nën akuzë. Ndryshimet e fundit u bënë pasi ndaj një pjese të tyre ka akuza në SPAK.


Mark Marku:  Emërimi i Gonxhes si ministër, testim për Bashkinë e Tiranës

Analisti dhe pedagogu Mark Marku e sheh futjen e Blendi Gonxhes në qeveri si ministër, një testim të Kryeministrit Rama për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Mark Marku thotë se Gonxhe është figurë politike, por jo partiake.

“Gonxhe është figurë politike po nuk është figurë partiake. Gonxhe nuk është as ekspert. Duhet kuptuar brenda një konceptim menaxherial që ka Rama në qeveritë e tij. E konsideron shtetin si ndërmarrje të madhe. Prurjet e tij as nuk janë risi as tronditje për partinë e vetë. Gonxhe ka pasur një periudhë konsumi për shkak të faktit kur ishte nënkryetar i Bashkisë Tiranë, bashkia ishte shumë e diskutueshme për shumë probleme dhe Gonxhe ishte në fokusin e sulmeve, por ishte binom i pandarë me Edi Ramën. Pati një periudhë stand by që i ka sfumuar atë perceptim dhe tani kthehet”.

Hyrjen e Blendi Genxhes në qeveri, Mark Marku e vlerëson edhe si një lloj ekuilibri në kabinetin qeveritar.

“Mendoj që është më shumë një testim për Bashkinë e Tiranës por nga ana tjetër është riekuilibrim. Sepse aty ka 4-5 fugura që të lëvizin politikisht që të kërkojnë një lloj protagonizmi politik. Duke shtuar një aktor të ri shton një rrezik për secilin, krijon më shumë pol. Një minilojë atë e bën ai aty, edhe për kënaqësinë e vetë, kënaqësinë e lojës së pushtetit”, u shpreh Marku.

Kryeministri Edi Rama e ka propozuar Blendi Gonxhen si ministër të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.


“Personazh i bërë vetë, kontravers”/ Shkullaku për propozimin e emërimit të Gonxhes ministër: Befasi

Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është befasi për gazetarin Armand Shkullaku, aq sa është e tillë për të dhe krijimi i një ministrie të tillë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku thotë se Goxhe është një personazh politik dhe publik i angazhuar prej vitesh në politikë.

Blendi Fevziu: A ishte befasi kthimi i Gonxhes?

Armand Shkullaku: Po, ministër ishte një lloj befasie. Më befasi ishte ministria vetë, unë do e kisha gjetur me kuptim nëse do të ishte ministër i Ekonomisë dhe Turizmit, meqë janë 2 sektorë që ndërlidhen, por i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndoshta jemi i vetmi vend që kemi bashkë…

Ornela Çuçi: Në fakt është koncepti anglez i ekonomisë krijuese në njëfarë mënyrë. Aktualisht, në Angli është parë që 30% të ardhurave të buxhetit të shtetit vjen prej nga shfrytëzimit të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe të inovacionit.

Armand Shkullaku: A ka një ministri në Angli që është e Ekonomisë dhe Kulturës?

Ornela Çuçi: Nuk ka, është koncepti i fundit anglez.

Armand Shkullaku: Pra, jemi rast unikal, këtë doja të thosha, pavarësisht konceptit. Futja e Gonxhes në ekzekutiv ka vetëm nëse do e quaja si pozitiv që ka të bëjë me futjen në përfaqësim të njerëzve që kanë një profil politik, publik. Gonxhe është një personazh i bërë vetë. Gonxhe ka qenë në zhermet e politikës, ka qenë i tillë me ulje dhe ngritje. Nuk është gogël. Qoftë kur ka qenë shef kabineti në 98-2000, qoftë kur ka qenë nënkryetar bashkie, nga e cila iku për të ruajtur kokën e Ramës, u bë kurban Gonxhe kur u bë mocioni në Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Ramës për digën e liqenit, ka qenë një personazh kontravers. Gonxhe është nga ata personazhe që është aktiv, ka vullnet.


Gonxhe ministër, Baton Haxhiu: Mund të jetë projekt i Ramës për Bashkinë Tiranë

Blendi Gonxhe është propozuar nga Kryeministri Edi Rama si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, propozim që pret ende firmën e Presidentit Bajram Begaj për ta dekretuar.

Analisti Baton Haxhiu e sheh këtë lëvizje të Kryeministrit Rama si një manovër për ta projektuar Blendi Gonxhen si kandidat për kryetar bashkie të Tiranës për zgjedhjet e vitit 2027.

“Ky binomi cili ka funksionuar që nga viti 1990 e ka pasur një përplasje publike me opinionin publik dhe akuzat që kanë qenë në llogaritë e Gonxhes dhe Rama ka luajtur me harresën por asnjëherë një post politik publik.

Gonxhe të rralla i ka pasur paraqitjet publike. Nuk e di a projektohet si kryetar i bashkisë, por Rama më shumë se kryeministrin e do shumë Bashkinë e Tiranës. Mendoj që besueshmëria nuk i takon dikujt që në një moment të caktuar dhe natyrshëm që një Tiranë e cila i duhet pas vitit 2027 është e lidhur shumë me Blendi Gonxhen. Nuk shoh tjetër. Mund të jetë gjithçka por mendoj që ky është projekti i Ramës”, theksoi Baton Haxhiu në emisionin Opinion në Tv Klan.

Edhe gazetari Armand Shkullaku kishte të njëjtën teori, që emërimi i Blendi Gonxhes si ministër po projektohet për Bashkinë Tiranë në vitin 2027.

/tvklan.al