Të ftuar: Spartak Koka, Artan Hoxha, Lindita Çela, Jetmir Olldashi, Jordan Daci dhe Lorenc Vangjeli.

Atentati, gazetari Koka: Shoferi i prokurorit i preu rrugën makinës së autorëve

Shënjestër e atantatit të 3 Nëntorit në rrethrrotullimin e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet të ketë qenë Pëllumb Muharremi që njihet edhe me nofkën “Rrumi”.

Ky është informacioni që ka dhënë gazetari Spartak Koka në emisionin “Opinion” në Tv Klan, referuar të dhënave hetimore të deritanishme.

Sipas gazetarit, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka parë një makinë të dyshimtë dhe i bllokoi rrugën.

Më pas, mjeti i dyshimtë doli nga ana tjetër e rrugës dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi.

“Automjeti i autorëve fillimisht ka tentuar t’i dalë nga krahu tjetër. Andi Maloku ka evidentuar një lëvizje të një automjeti të dyshimtë dhe i ka prerë rrugën. Automjeti më pas i ka dalë nga krahu tjetër dhe në të dhënat paraprake dyshohet që shënjestër e atentatit të ketë qenë Pëllumb Muharremi. Makina ka dalë nga rruga me qëllim që t’ju shpëtojë plumbave. Në atë që thuhet deri tani kanë qenë objektiv për t’i vrarë sepse goditja ka qenë drejtpërdrejtë mbi automjet. Dyshohet që ngjarja të ketë të bëjë me pistën e hakmarrjes”, ka thënë gazetari.

Gazetari Spartak Koka sqaroi gjithashtu se Pëllumb Muharremi ka 4 emra.

“Personazhi “kryesor” i njohur dhe me pseudonimin “Rumi” kishte 4 emra. Emrin e parë Pëllumb Muharremi, emrin e dytë Pëllumb Ymeri, emri i tretë është Aleksandër Dako i datëlindjes 1973, këtë mbiemër e ka marrë në vitin 2007. Mbiemrin tjetër Aleksandër Laho e ka marrë në vitin 2012, pra Aleksandër Laho 8/3/1973”.

Nga sulmi me armë, mbetën të plagosur të tre personat që ndodheshin në makinë; prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Pellumb Muharremi i njohur edhe si i “forti” Shijakut.

Atentati, gazetarja: Procedimi i vetëm penal që ka pasur “Rrumi”

Pëllumb Muharremi është një nga personat, i cili u plagos së bashku me prokurorin Arjan Ndoja në atentatin e 1 Nëntorit. Muharremi, ose siç njihet në zonë me nofkën “Rrumi nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare.

Gazetarja Lindita Çela deklaroi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ndaj tij ekziston vetëm një procedim penal. Sipas saj bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2007 ku Pëllumb Muharremi mbante një identitet tjetër, Pëllumb Ymeri.

Në procedimin e atij viti, Muharremi akuzohej për një plagosje në qendër të qytetit të Durrësit, por prokuroria nuk arriti ta zbardhë ngjarjen dhe akuzat u rrëzuan në gjykatë.  

“Ka patur me emrin Pëllumb Ymeri në vitin 2007. Është arrestuar në Qershor të vitit 2007 me emrin Pëllumb Ymeri për plagosje në atë kohë. Plagosje në qendër të qytetit, ndaj disa personave që prokuroria nuk arriti ta zbardhi ngjarjen. Çuditërisht sipas dokumenteve shtetasi Pëllumb Ymeri nuk ka qëndruar në burg, por ka shkuar fillimisht në spitalin rajonal dhe thotë që për arsye të rënda shëndetësore. Më pas procesi i hetimit është bërë në gjendje të lirë. Më pas të tëra akuzat ndaj shtetasit Pëllumb Ymeri janë rrëzuar në Gjykatën e Durrësit. Më pas hetimet nuk kanë filluar më tej.

Çështja e Rrumit mendoj se ka më shumë problematikën tek institucionet në zbardhjen e komplet rekordeve të këtij personi. Zyrtarisht është vetëm ky rast kur ka një proces penal ndaj tij. Ky është i vetmi procedim penal që ka ky person dhe të mos harrojmë që ka një mbështetje politike qoftë edhe në zonën ku punon”, tha Çela.

Analisti paralajmëron zhvillime për atentatin ndaj prokurorit: Nesër do dëgjoni…

Një person është shoqëruar gjatë ditës së sotme lidhur me hetimet intensive që po zhvillohen nga prokurorët e krimeve të rënda për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në autostradën Tiranë-Durrës.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, analisti Lorenc Vangjeli thotë se ditën e nesërme pritet të bëhet publik emri i tij. Sipas tij, ky person dyshohet se është vrasës me pagesë.

Ndërsa gazetari Koka saktësoi se i shoqëruari është person me precedent penal.

Blendi Fevziu: Ajo që më thatë ju si lajm është që një person që dyshohet se është një nga tre…

Lorenc Vangjeli: Nesër ju do të dëgjoni emrin e tij.

Spartak Koka: Është një person me precedent të mëparshëm penal.

Lorenc Vangjeli: Mendohet se është vrasës me pagesë dhe punon për llogari të një grupi kriminal në Durrës. Interesi shumë milionësh për Gjirin e Lalzit është ajo çfarë shpjegon dinamikën e të gjithë asaj çfarë ndodhi. 

Hipoteka e Vlorës pa drejtues, Hoxha: Zyrtarët kërcënohen nga grupet kriminale

Gazetari Artan Hoxha deklaroi këtë të hënë se situata e krimit në lidhje me pronat është më e rëndë në Vlorë se në Durrës. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai theksoi se prej 6 muajsh asnjë person nuk pranon të bëhet drejtor i Hipotekës së Vlorës.

Shkak për këtë bëhet një vendim i Gjykatës së Apelit për një pronë në Jalë, ku drejtuesve u kërkohet të mos ekzekutohet. 

“Atje situata është edhe më e rëndë se kaq. Kemi 6 muaj që nuk pranon njeri që të bëhet drejtor Hipoteke. Si është e mundur që nuk pranon njeri të bëhet drejtor Hipoteke? Sapo i del emri për kandidat drejtor Hipoteke, te dera e shtëpisë i shkojnë dhe i trokasin pronarët e pronave me letra dhe që nga ai moment të gjithë drejtuesit e Hipotekës së Vlorës u kërkohet vetëm një gjë, të çregjistrohet një vendim i Gjykatës së Apelit. Është dhënë një pronë në Jalë dhe kërkojnë që të mos ekzekutohet. Ai vendim është i formës së prerë dhe nuk kanë ça i bëjnë. Ti do ta kesh nesër zotin Lame dhe do ta sqarojë më mirë pse policia ka rritur nivelin e sigurisë përfshi dhe zotin Lame. Kush i kërcënon ata? Pse policia lokale nuk ka mundësi të ndërhyjë. Ai është territor 75.000 metër në një nga plazhet më të bukur në Jalë”, tha gazetari Hoxha.

Ndër të tjera, gazetari theksoi se shteti ka kapitulluar që momentin që zyrtarët nuk marrin detyrën pasi shprehen se u rrezikohet jeta nga grupe kriminale.

Nëse hetimi për çështjen e pronës në Jalë thellohet, sipas Artan Hoxhës do të dalin gjëra shumë të mëdha që fshihen nga pas.

“Asnjëri nuk e merr përsipër. Nuk ka kapitullim më të madh sesa zyrtarët e shtetit të mos marrin detyrën se thonë rrezikohet jeta dhe familjet tona nga grupet kriminale. Po të hetohet ajo do dalin gjëra më të mëdha. Grupet e Vlorës kanë edhe një gjë tjetër, kanë treguar që janë të qëndrueshme në aktivitetin e tyre. Atje kush e ka bërë falsifikimin, banditët në rrugë apo ata me kostumin e shtetit. Edhe në Vlorë është luftë bandash, por banda janë me kostumin e shtetit dhe bandat e “mala vita-s” kështu operojnë zakonisht”, theksoi Hoxha. /tvklan.al