Opinion-Kushtet e Gjermanisë dhe një marrëveshje PD-PS

Opinion-Kushtet e Gjermanisë dhe një marrëveshje PD-PS

Autori: Blendi Fevziu

20:40 26/09/2019

Të ftuar: Dashamir Shehi, Artan Hoxha, Paskal Milo, Ilirian Celibashi, Oerd Bylykbashi, Blerina Gjylameti dhe Rudina Hajdari.

Kushtet e Gjermanisë, Artan Hoxha: Shqipëria ka bërë hap pas

Analisti Artan Hoxha thotë se një vendim pozitiv me kushte i Gjermanisë për negociatat e Shqipërisë, nuk është plotësisht një lajm i mirë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Artan Hoxha theksoi se shtimi i kushteve tregon që vendi ka bërë hapa pas.

Ai vendim i këtillë mua më trishton. Nuk e kuptoj pse disa njerëz komentojnë pozitiv. PO-ja ka qenë edhe para 3 vitesh, edhe para 2 vitesh, edhe këtë vit, do jetë edhe vitin tjetër. Problemi këtu janë shtimi i kushteve. Sepse para dy vitesh diskutohej për PO pa kushte. Vjet u shtuan kushte. Shtimi i kushteve nuk është se po rrisin stekën ata, problemi është se janë dy hapa mbrapa tonat. Kjo PO me kushte nuk është gjë tjetër veçse pasqyra në ecjen mbrapsht të vendit”, deklaroi analisti Artan Hoxha.

Bundestagu gjerman miratoi sonte rezolutën për Shqipërinë, që Gjermania të votojë PO për hapjen me kushte të negociatave me Bashkimin Europian. Sipas kësaj rezoluten, Gjermania është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, por ka vendosur 9 kushte.

Ish-deputeti i PD Bykykbashi: Jemi për ndryshim të sistemit zgjedhor

Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se Partia Demokratike është për ndryshim të sistemit zgjedhor.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bylykbashi u shpreh se opozita është pro reformimit të sistemit të partive politike.

Duke diskutuar për vendimin e Gjermanisë që do të votojë pro hapjes së negociatave me BE të Shqipërisë, por duke vendosur 9 kushte, Bylykbashi theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Oerd Bylykbashi: Ne kemi treguar gatishmërinë për të diskutuar për një sistem zgjedhor i cili i jep mundësi shqiptarëve që ta përcaktojnë ata kush janë deputetët dhe përfaqësuesit e tyre.

Blendi Fevziu: Pra jeni dhe për ndryshim sistemi?

Oerd Bylykbashi: Padiskutim!

Paskal Milo: Z.Bylykbashi, e thoni publikisht që Partia Demokratike është për ndryshimin e sistemit?

Oerd Bylykbashi: Z.Milo, a e keni dëgjuar dje?

Paskal Milo: Unë e kam dëgjuar, por e dëgjuar nga ju drejtpërsëdrejti është mirë për teleshikuesit.

Oerd Bylykbashi: Ne kërkojmë reformimin e sistemit të partive politike. Pse? Sepse pa reformuar ose pa zbatuar rekomandimet, po nuk reformuam partitë politike do dështojë… Nëse ne nuk ndryshojmë mënyrën se si funksionojnë partitë politike dhe për rrjedhojë ne propozojmë ndryshimin, dështon çdo sistem zgjedhor. Sistemi zgjedhor që kishim ne 2001-2005 është nga më të mirët në botë. Dështoi në mënyrë klamoroze sepse politika shqiptare e masakroi atë sistem.

Blendi Fevziu: Në 2005 prodhoi zgjedhje normale.

Oerd Bylykbashi: Po, por dhe në 2009 ky sistem prodhoi zgjedhje normale, në 2013 bëri rrotacion politik, ky sistemi. Por ka vdekur për shkak të kushteve që kanë ikur.

Dy ditë më parë, Partia Demokratike u tërhoq nga qëndrimi i saj dhe mori pjesë duke u përfaqësuar në nivel ekspertësh në tryzën e thirrur nga OSBE për Reformën Zgjedhore.

Milo: Po nuk ndryshoi sistemi, krizat politike do të riciklohen

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, këmbënguli mbrëmjen e së enjtes në “Opinion”, se pa një ndryshim të sistemit zgjedhor, krizat politike në Shqipëri do të përsëriten.

“Unë po ju them se në rast se nuk ndryshon sistemi, do të riciklohen përsëri krizat politike. Këtu do të jemi”, tha Milo.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore.

“Duhet ndryshim i sistemit, të mënyrës se si do të votojnë qytetarët për përfaqësuesit e tyre. Sepse tani qytetarët votojnë për listën që zgjedh kryetari i partisë. Dhe nuk e dinë se kush i përfaqëson dhe ky është handikapi më i madh që ka sot procesi zgjedhor në Shqipëri. Prandaj, po nuk u korrigjua kjo, në mënyrë që qytetarët shqiptarë kur të shkojnë të votojnë, të dinë se për kë votojnë, dhe të ketë garë reale mes kandidatëve me emra të përvetshëm, vetëm atëherë mund të garantohet shprehja e vullnetit të lirë të shqiptarëve.”

Ai tha se duhen ndryshime thelbësore të sistemit që zhbëhet reforma e vitit 2008.

Në vitin 2008 nuk kishte një sistem që u mor dhe u zbatua i pastër si në vendet e tjera”, tha Milo, duke shtuar se gjithçka u bë me marrëveshje mes dy partive të mëdha, për interesa të kryetarëve të këtyre partive. /tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:40 26/09/2019

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori