#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

E ftuar: Lea Ypi

Lea Ypi: Nuk dua që fëmijët e mia të rriten me shumë mundësi, udhëtime dhe të ardhura

Shkrimtarja Lea Ypi, e cila është edhe lektore në Angli ka folur për jetën e saj në Britani të Madhe.

E ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Lea Ypi thotë se jeta në Britani të Madhe është ajo që ka dashur nga aspekti i ambicieve profesionale.

Ypi ka shtuar se “nuk do që fëmijët e saj të rriten me shumë mundësi, me shumë udhëtime, me shumë të ardhura, ndërkohë që fëmijët e komshinjve të tyre nuk kanë asnjë mundësi”.

Blendi Fevziu: Si është jeta juaj në Britaninë e Madhe?

Lea Ypi: Unë jam pjesë e elitës që përfiton nga ky sistem në të cilin ne jetojmë dhe nuk kam mungesa.

Blendi Fevziu: Me se merreni aktualisht?

Lea Ypi: Studioj, jap mësim në universitet, ndjek studentët e doktoratës, shkruaj.

Bendi Fevziu: A është kjo jeta që ke dashur për veten tënde?

Lea Ypi: Sigurisht që është për veten time nga ana e ambicieve profesionale, por kur mendoj për shoqërinë në të cilën jetojnë fëmijët e mi, jam shumë e shqetësuar, sepse kur mendoj se kur një shoqëri është aq e çarë dhe aq e pabarabartë, kaq shumë diskriminim, pavarësisht se ti si familje ke privilegje, nuk është një shoqëri që do të duash që fëmijët e tu të rriten. Nuk dua që fëmijët e mia të rriten me shumë mundësi, me shumë udhëtime, me shumë të ardhura, ndërkohë që fëmijët e komshinjve tonë nuk kanë asnjë mundësi. Unë ndonjëherë keqkuptohem kur e them këtë sepse më thonë që “shiko se ti je mirë, ke para, të ardhura” dhe unë them se ata që kanë para dhe të ardhura, që kanë privilegje mund të flasin, të varfrit nuk kanë zë, nuk kanë përfaqësim.

Lea Ypi: Retorika ndaj shqiptarëve në Angli është bërë negative

Emigrantët shqiptarë në Angli janë shënjestruar shpesh nga politikanë dhe zyrtarë britanikë gjatë ditëve të fundit, që kulmoi me atë të Sekretares së Brendshme britanike e cila i etiketoi shqiptarët si “pushtues”. Kjo deklaratë shkaktoi reagoi dhe bëri që të shtunën të protestonin në Londër emigrantët shqiptarë.

Një ndër to ka qenë edhe shkrimtarja Lea Ypi, e cila është edhe lektore në Angli.

E ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Lea Ypi thotë se retorika ndaj shqiptarëve në Angli është ashpërsuar dhe është bërë shumë negative. Sipas saj, kjo tendencë ka filluar 10 vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Çfarë perceptimi ka për shqiptarët në Britaninë e Madhe?

Lea Ypi: Në kohët e fundit retorika është bërë shumë negative, në fakt ka qenë një problem i vazhdueshëm ky i imazhit shqiptar në mediat britanike që janë trajtuar si…

Blendi Fevziu: I vazhdueshëm çfarë domethënë? Prej sa kohësh? Është një gjë e viteve të fundit?

Lea Ypi: Unë kam lëvizur në Britaninë e Madhe në 2009-2010 dhe që atëherë imazhi i shqiptarëve në media ka qenë gjithmonë ai i grupeve kriminale, trafikantëve.

Blendi Fevziu: Që prej 10-12 vitesh përpara?

Lea Ypi: Po. Kjo retorikë ka qenë gjithmonë aty. Tani është shtuar.

/tvklan.al