Te ftuar:

 

Liri Belishova – Ish Antare e Komitetit Qendror te Kartise Komuniste te Shqiperise

 

 

Liri Belishova ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, pjesëmarrëse në Luftën për Çlirim, e ndëshkuar nga regjimi si një ndër kundërshtaret më të rrepta të Enver Hoxhës

Mbrëmjen e kësaj të mërkure në ‘Opinion’ po ritransmetohet një intervistë ekskluzive që ajo ka dhënë për gazetarin Blendi Fevziu në vitin 2004, intervista e saj e fundit dhënë për mediat.

Belishova teksa ishte duke folur për diktatorin Enver Hoxha, është shprehur se ai ishte i rrepte dhe kërkoi vetëm të përqëndronte gjithë pushtetin në duart e tij, duke eliminuar intelektualët dhe duke mos menduar për bashkimin e shqiptarëve.

“Tek Enver Hoxha ishte shumë i rreptë, tek Enver Hoxha ka dominuar më shumë se sa përpjekjet për bashkimin e gjithë popullit shqiptar dhe në radhë të parë të patriotëve të shquar e të figurave të dalluara, të intelektualve, është përpjekur si ta bënte më të lehtë përqendrimin e gjithë pushtetit në duart e Partisë Komuniste.  Ai nuk donte që në Frontin Nacional Clirimtar të merrnin pjesë intelektual, por kërkonte ti luftonte”, u shpreh Belishova

Ajo njihet edhe si gruaja që sfidoi diktaturën. Gjatë viteve 1946 dhe 1947  ishte kryetare e Shqipërisë e Rinisë Popullore (Rinia Popullore). Vdekja e bashkëshortit të saj, Nako Spiru, në vitin 1946, një vetëvrasje e supozuar, çoi në shkarkimin nga roli i saj dhe ajo u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim.

Gjatë një interviste dhënë në vitin 2004 në Opinion, Belishova hidhte dyshime se bashkëshorti i saj është vrarë dhe jo vetëvrarë.

“Unë kam thënë për Nako Spiron dhe kjo vlen për të gjithë ata që kanë vrarë veten: Nuk ka vetëvrasje, ka veç vrasje. Se kur e vë njeriun në pozita të atilla që ai thotë ‘më mirë vdekja’, atëherë e ke vrarë. Dhe të vrasësh veten nuk është kollaj”, deklaroi Belishova.

Po ashtu Belishova ka treguar edhe për momentet e fundit të jetës së tij, ajo tha se nuk e lejuan të futej brenda, kur ai ishte në minutat e fundit të jetës. Belishova u shpreh se pak minuta para se të ndërronte jetë, kishte dëgjuar një klithmë të fortë nga ai në spital.

“Kur ishte në momentet e fundit nuk më lejuan ta shihja. Në spital e gjeta gjallë, por mua nuk më lejuan ta shihja. Kam qëndruar deri në orën 10:05 kur ai dha frymë. Kjo është pikëpyetje e madhe, përse nuk më lejuan ta shihja? Përse nuk më lejuan kur ai ishte gjallë. Mehmet Shehu në të vërtetë e lejuan. Mehmeti ishte brenda, mua nuk më lan. Para së të më thoshin që ka vdekur unë dëgjova klithmën e tij. Që bërtiti ohh, sa kishte në kokë. U turra tek dera, mirëpo derën nuk ma hapi njeri. Pas disa sekondash doli Mehmeti dhe më tha. Është e kot Liri, vdiq, prit sa ta rregulloj. Pas disa çastesh më futën brenda, por ai tashmë kishte vdekur”, u shpreh Belishova

Ka qenë vetëm 16 vjeçe kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit.

Në moshën 18-vjeçare u bë anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste.

Kjo është Liri Belishova, që adoleshente në luftë humbi syrin, ndërsa pas lufte humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spirun e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj.

Ajo ka qenë ndër të vetmet komuniste që ka kërkuar falje për bashkëpunimin me diktatorin Enver Hoxha, ndërsa përgjatë një interviste të dhënë për emisionin ‘Opinion’ përballë gazetarit Blendi Fevziu, rrëfeu shumë nga krimet që kanë ndodhur në periudhën e luftës dhe pas saj.

Blendi Fevziu: A

 ndjeni përgjegjësi që keni qenë pjesë e këtij mekanizmi?

“Shumë të madhe. Jo vetëm që ne nuk i realizuam premtimet që i dhamë popullit; por edhe ëndrrat tona, për të cilat sakrifikuam rininë tonë dhe ëndrrat e shokëve që na janë vrarë nëpër duar, që nga Qemali tek Margarita e tek shumë shumë të tjerë. Dëshmor u quajt edhe Nako Spiro, sepse as ëndrrat e tij nuk i realizuam, por i shkaktuam popullit shumë dëme. Dhe pjesa më e dëmshme, më e dhimbshme patjetër, kanë qenë represionet.

Blendi Fevziu

Megjithatë, ende askush, nuk ka kërkuar një falje publike për këtë…

Unë gjej rastin për veten time, që të kërkoj ndjesë, t’i kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim sepse duke u nisur që t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme. Unë për veten time e ndjej veten krenare, që luftova pa kursyer asgjë, kundra okupatorëve dhe këtë e quaj pozitive, kur i bëj gjyqin Liri Belishovës. E quaj pozitive që munda të kuptoj, nën ndikimin edhe të Nako Spiros, atë që po ndodhte në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe në rini unë kam mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe e kam mbështetur Nako Spiron, jo vetëm si bashkëshortin tim, por e kam mbështetur pikërisht sepse ai mbrojti interesat e Shqipërisë. Dhe, atëherë, unë jam dënuar jo vetëm se isha gruaja e Nako Spiros, por se kisha mbajtur qëndrime, që u quajtën atëherë antijugosllave. Qëndrimet nuk ishin antijugosllave, ato ishin të mbroheshin të drejtat e Shqipërisë. E quaj veten prapë, me një meritë që në 1960, kur në lëvizjen komuniste filluan të kristalizoheshin dy rrugë, ajo e filluar me Kongresin e 20 të Partisë Komuniste të BS-së, që u quajt revizioniste, por që ishte në fakt, një rrugë reformatore, liberale dhe një rrugë paqësore, një rrugë që e lehtësoi shumë rrugën e popujve të këtyre vendeve dhe e bëri më të lehtë tranzicionin. Unë mbajta një qëndrim të drejtë. E justifikoj veten edhe me këtë gjë, që mosha ishte shumë e re dhe indoktrinimi nuk të lejonte, sepse ishte dhe mungesa e informacionit. A e dini që unë nuk e dija që egzistonte një Oruell në botë, pale veprat e tija. Unë nuk dija se çfarë kritike i bëhej komunizmit”.