Të ftuar: (Në Skype) Evis Kushi-Ministre e Arsimit, Ermal Hasimja, Denata Toçe, Besart Xhaferri dhe Dean Çelaj. (Në Studio) Arlinda Dudaj, Belina Budini, Elsa Skenderi Rakipllari, Floida Kerpaçi, Mark Marku, Eni Nasi.

Si do të bëhet mësimi? Kushi: Vendimin e marrin vetë shkollat në bashkëpunim me ZA

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka sqaruar këtë të martë mënyrën se si do të zhvillohet mësimi në shkolla duke marrë shkas pandeminë. Kushi u shpreh gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se çdo shkollë e merr vendimin e saj në bashkëpunim me Zyrën Arsimore.

Ministrja tha se pjesë e strategjisë është fleksibiliteti. Sipas saj nga 1760 shkolla në të gjithë Shqipërinë vetëm 400 të tilla kanë aplikuar mësimin e kombinuar.

Pjesa më e madhe e shkollave sipas Kushit kanë zgjedhur të funksionojnë sipas skenarit të parë, prezencës fizike të nxënësve në shkolla pasi numri i tyre është më i vogël.

Sipas Kushit, situata më shqetësuese është në qendrat e mëdha urbane.

Evis Kushi: Vendimi i parë që morëm ishte që në zbatimin e varianteve të kësaj strategjie të kishte fleksibilitet midis shkollave të ndryshme në qytete të ndryshme.

Blendi Fevziu: Si do funksionojë? Kush do rrijë në shkollë? Sa do të ketë online?

Evis Kushi: Çdo shkollë bazuar në numrin e nxënësve, në specifikat e saj, në numrin e infektimeve, sepse situatat nuk janë njësoj si në Tiranë në qendër apo në zona periferike. Çdo shkollë merr vendimin në bashkëpunim me ZA-në…

Blendi Fevziu: Pra është vendim autonom i shkollës në bashkëpunim me Zyrën Rajonale Arsimore?

Evis Kushi: Pra sëbashku dhe me Zyrën Arsimore marrin vendimin se cilin variant do të aplikojnë. Nga 1760 shkolla që kemi në të gjithë territorin në 1360 shkolla mësimi vazhdon sipas skenarit të parë. Pra në të njëjtën mënyrë siç ishte deri tani sepse numri i nxënësve në shkolla është i vogël.

Blendi Fevziu: Po flasim për shkolla që kanë peshën më të madhe…

Evis Kushi: Në qendrat e mëdha ku situata e pandemisë është më e rënduar kemi vendosur që cikli fillor që do të thotë nga klasa 1 deri në 5 dhe maturantët të vazhdojnë me të njëjtin skenar.

Ministrja e Arsimit: Ekziston edhe skenari i mbylljes së shkollave

Shkollat mund të mbyllen dhe mësimi të vijojë vetëm online nëse situata e pandemisë në vendin tonë përkeqësohet. Këtë gjë e konfirmoi këtë të martë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Kushi tha se ekzistojnë tre skenarë për zhvillimin e mësimit. Aktualisht në shkollat në vend po aplikohen skenari i parë që ka të bëjë me prezencën fizike të nxënësve në klasa dhe skenari i dytë që ka të bëjë me mësimin e kombinuar.

Nëse Komiteti Teknik i Ekspertëve do të sugjerojë mbylljen e shkollave, Kushi tha që Ministria e Arsimit është përgatitur për mësimin online.

Blendi Fevziu: Cilat janë skenarët në të ardhmen. Nëse pandemia mund të përkeqësohet mund të shkojmë në mbyllje totale të shkollave?

Evis Kushi: Patjetër që ekziston dhe ky skenar, ne i kemi përgatitur që në fillim të vitit tre skenarë. I pari skenari me prezencë fizike në shkollë, i dyti skenari i mësimit të kombinuar dhe i treti mësimi online. Këtë vendim nuk e marrim ne. Nëse Komiteti i Ekspertëve do të sugjerojë që situata e epidemisë është përkeqësuar në një nivel që do të na duhet, patjetër që ne do ta marrim këtë vendim, por nuk mund ta them në këto momente nëse do ta marrim pas dy javësh, pas 3 javësh apo nëse do ta marrim apo jo sepse është Komiteti i Ekspertëve që sugjeron hapat që do të marrë qeveria. Është dhe ky skenar dhe janë të publikuar që në fillim të këtij viti shkollor.

Përse ra platforma akademi.al dhe çfarë duhet të bëni nëse bllokohet

Qindra mësues dhe nxënës nuk arritën të bënin mësim online këtë të hënë. Shkak u bë bllokimi i platformës mësimore Akademi.al. Përfaqësuesi i kësaj platforme, Dean Çelaj, në një lidhje me emisionin “Opinion” sqaroi shkaqet e këtij bllokimi dhe se çfarë duhet të bëni në rast se kjo përsëritet.

Sot më thonë që platforma ka pasur një bllokim, çfarë ndodh kur bllokohet platforma e komunikimit online?

Ne e kemi ndarë platformën, kemi një server që mban faqen e reklamës dhe një server shumë herë më i fuqishëm, që mban tamam platformën, aplikacionin. Sot, në atë moment kanë qenë diku tek 600 mijë klikime, kështu që faqja që ne mbajmë faqen reklamuese ra. Por aplikacioni që mban mësimin online, që aksesohet tek app.akademi.al, ajo nuk ka rënë në asnjë moment dhe kjo është bërë vetëm për çështje kostosh.

Si e sqaroj unë një prind apo një të ri që më thotë të njëjtën gjë, që më ka rënë, pra çfarë duhet të bëjnë ata në një rast tjetër të ngjashëm?

Ne për momentin e kemi hequr fare atë faqen e reklamës. Të gjithë user-at kur futen tek akademi.al kalojnë direkte tek aplikacioni, nuk është më faqja e reklamës. Për herë tjetër, nëse kjo gjë ndodh të futen në app.akademi.al./tvklan.al