Opinion-Për çfarë ranë dakord PD-LSI?



Opinion-Për çfarë ranë dakord PD-LSI?

Autori: Blendi Fevziu

22:00 01/03/2021

Firmosi marrëveshjen me Bashën, Kryemadhi: Përse zgjodhëm këtë strategji për zgjedhjet

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar përse ka firmosur sot një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe koalicionin opozitar.

Kryemadhi tha se marrëveshja është “pjesë te të gjithë angazhimit tonë opozitar kundër qeverisë së Rilindjes dhe Edi Ramës”.

Më tej ajo u shpreh se me Partinë Demokratike është rakorduar për të gjithë strategjinë zgjedhore se si mund të arrihet që të rrëzohet qeveria e Edi Ramës. Për sa i përket ndarjes në lista, Kryemadhi tha se është bërë për të pasur sa më shumë përfaqësim nga të rinj dhe të reja në të dyja listat zgjedhore.

“Në PD ka shumë djem dhe vajza që duhet të jenë në lista, dhe shumë vajza dhe djem në LSI kanë të drejtë për të qenë në listë, dhe nëse do ishim në një listë të përbashkët shumë mund të mbështeteshin pa u përfaqësuar”, tha ajo.

Po ashtu ajo tha koalicioni është para dhe paszgjedhor. “Ky është një koalicion parazgjedhor dhe paszgjedhor, është një koalicion programor për të dy partitë”, shtoi kryetarja e LSI.

Sa i përket votave për qeverinë e ardhshme numri një i LSI tha se të gjitha do të jenë bashkë, pasi ky është koalicion i madh nga e majta në të djathtë.

“Sigurisht që jemi koalicion, jemi të gjithë bashkë. Jemi bashkë nga e majta në të djathtë. Ky koalicion vlen për qeverisjes, ka një harmonizim të programeve tona. Për taksën e sheshte ne e kemi thënë që jemi për 9%”, u shpreh më tej ajo.

Paralajmërimi i Kryemadhit në Opinion: Do të publikojmë fakte se si Edi Rama manipuloi skemën politike

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi paralajmëron se pas dy ditësh do të publikojnë të dhëna që sipas saj do të tregojnë se si Kryeministri Edi Rama ka manipuluar skemën politike shqiptare.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Kryemadhi tha se përmes këtij denoncimi të LSI-së do të zbulohet e gjithë skema e Ramës.

“Po ju jap fjalën sot nga emisioni juaj që shumë shpejt brenda 2 ditësh do të keni një denoncim të fortë nga Monika Kryemadhi se si Edi Rama e manipuloi skemën jo vetëm të “Kingmaker” por manipuloi skemën politike, e cila tregon qartazi se cila është ndërhyrja dhe impakti dhe kjo 184 dhe 339 s’janë asgjë, janë zero.

Ju do më kërkoni pastaj në Opinion aty. Aty do kuptojmë dhe fytyrat ëngjëllore. Tashmë socialistët e ndershëm do të shpërthejnë për të treguar të vërtetën e realitetit politik shqiptar dhe duhet t’i japim fund pazareve politike, duhet t’i japim fund konfliktit të interesit të ministrave, duhet t’i japim fund konfliktit të grupeve ekomomike-financiare të cilat janë të lidhur me politikën, me median dhe me këdo tjetër. Pas kësaj të jeni të bindur që nuk ka humbje për opozitën, por përkundrazi ka përgjegjësi të madhe sepse kjo opozitë që është sot, jo për shkak të votës shqiptare por kjo opozitë që është sot është për shkak të manipulimit, të falsifikimit, të grabitjes të identifikimit jo vetëm politik por edhe ekonomik të shqiptarëve”, deklaroi Monika Kryemadhi. /tvklan.al







Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:00 01/03/2021