Opinion-Ku do të shkojnë ndihmat e tërmetit?

Opinion-Ku do të shkojnë ndihmat e tërmetit?

Autori: Blendi Fevziu

21:16 10/12/2019

Të ftuar: Arber Hajdari, Elvis Naçi, Adriana Kalaja, Artan Hoxha, Ervis Iljazaj dhe Arben Ahmetaj.

Elvis Naçi: Turp të flasim vidhen apo jo donacionet

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shqiptarëve pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit. Drejtuesi i Fondacionit Firdeus, Imami Elvis Naçi, deklaroi këtë të martë gjatë emisioni “Opinion” në Tv Klan se janë dhuruar rreth 6 milionë e 500 mijë euro. Ai theksoi se beson që pas një turi, donacionet të mbyllen me rreth 10 milionë euro.

Naçi solli në vëmendje donatorë të ndryshëm të cilët kanë dhuruar edhe deri në 300 mijë franga. Ai përsëriti se paratë që janë dhuruar do të menazhohen nga vetë fondacioni i tij dhe do t’i bëhen transparente Komitetit Kombëtar të Rindërtimit.

Imami theksoi se është turp të bisedohet nëse vidhen apo jo ndihmat dhe pas këtij tërmeti duhet të tregojmë një standard që i ka hije shqiptarit.

Blendi Fevziu: Ju keni thënë që reagimi ka qenë i menjëhershëm.

Evis Naçi: I jashtëzakonshëm. Me lot në sy i kanë dhënë shqiptarët lekët e tyre. Me lot ndër sy.

Blendi Fevziu: Do t’iu pyes se ju keni premtuar që në fillim që do të ndërtoni disa pallate në Thumanë. Do shohim se si është mundësia, ku do shkojnë. Kam përshtypjen që qeveria do të kërkojë t’i derdhni ca lekë.

Evis Naçi: Nuk është këtu problemi. Lekët, në veçanti unë dhe Arbri kemi thënë që transparenca do të jetë totale, por lekët do t’i menaxhojmë ne. Besoj se kemi rënë dakord. Transparenca duhet të jetë totale. Blendi ka një rrugë të mesme. Ne menaxhojmë lekët dhe transparencën ia komunikojmë Komitetit. Më fal se e bëmë dhe pak debat para se të filloni. Është turp të bëjmë sot në 2019, do vidhen apo nuk do vidhen. Të tjerët nuk kanë shtëpi Blendi, i ka zënë tërmeti, shqiptaria është në fobi.

Blendi Fevziu: Skepticizmi për ndihma ekziston gjithmonë.

Evis Naçi: Duhet ta kalojmë këtë turp. Tjetri ka donatuar 300 mijë franga, kur dëgjon këtë bisedë që do i vjedhim ne është turp.

Blendi Fevziu: Është katastrofë dhe atij i duket sikur i ka ikur mundi kot.

Evis Naçi: Prandaj them që nuk duhet biseduar fare për këtë. Duhet të jemi të përgjegjshëm që pas këtij të tërmeti të tregojmë standard që i ka hije shqiptarit.

Blendi Fevziu: Shpresojmë ta tregojmë.

Elvis Naçi: Edhe ju me “Opinionin” mund të tregoni seanca transparenca këtu. Unë bashkë me ty jemi të vendosur që do i shkojmë deri në fund.

Blendi Fevziu: Unë jam i vendosur që do i shkoj deri në fund, të shoh të paktën një njeri që të shkojë para drejtësisë. 51 viktima, asnjë person i ndaluar për momentin. Persona që kanë vendosur nën gërmadha qytetarë shqiptarë.

Elvis Naçi: Në qoftë se nuk do arrestohen do të ndodhë prapë. Duhet patjetër që të ketë arrestime dhe ta vuajnë ftohtësinë e qelisë ata që kanë prekur mbi gjakun e qytetarëve shqiptarë. 

Naçi: Shqiptari nga Zvicra dhuroi 300 mijë franga për të prekurit nga tërmeti

Tërmeti tragjik i 26 Nëntorit ngjalli një solidaritet të jashtëzakonshëm, tek shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, të cilët nga çdo cep i globit dhuruan për të prekurit nga kjo fatkeqësi. Elvis Naçi, i ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” zbuloi se në vetëm 24 orë, vetëm në Zvicër, shqiptarët atje kishin dhuruar 1 milionë franga.

“Ne kemi filluar maratonën, ditën e enjte. Ditën e premte kur kam parë numrin e llogarisë së Zvicrës që ka fondacioni Firdeus, kanë qenë 1 milionë franga, vetëm në Zvicër. Sot janë 45 milionë franga në Zvicër, 1 milion euro në bankën Credins. Nga shqiptarët e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë, etj. Për hir të së vërtetës vendi që unë them mban rekord është Zvicra, për shkak se ne bëmë një filtër dhe nga 4 milionë franga, 80 përqind, janë shqiptarët e Zvicrës”.

Përgjithësisht Naçi tha se donatorët ishin shqiptarë të Kosovës.

Përgjithësisht janë shqiptarë të Kosovës, edhe të Maqedonisë, por ngaqë të Kosovës janë më shumë. Për hir të së vërtetës ata sikur mezor e kishin pritur të bënin diçka të mirë, të jashtëzakonshme, me zemër, me shpirt për Shqipërinë. Edhe në maratonë, shumica e telefonatave ishin të Zvicrës. Në Kosovë ka pasur me mijëra mesazhe, telefonata, bllokohej gjithçka, ishte interesi i jashtëzakonshëm.

I pyetur nëse ka pasur nga ata që kanë premtuar, por nuk kanë dhuruar, Naçi tha se në rastin e kësaj tragjedie, 90 përqind e atyre që kanë dhënë fjalën e kanë mbajtur atë.

“Ka një ndryshim që tërmeti ishte tjetër gjë, ndërsa emisioni i zakonshëm e besoj atë që thoni ju. Kurse për tërmetin nuk bën njeri shaka, të enjten kur kemi bërë ne maratonën e parë njerëzit po nxirreshin nga gërmadhat, nuk është koha për të bërë shaka. 90 përqind e atyre që kanë dhënë fjalën e kanë donatuar”.

Naçi zbuloi edhe personin që kishte dhuruar shumë më të madhe të parave. Bëhet fjalë për një shqiptar nga Zvicra i cili dhuroi 300 mijë franga.

“Ai i cili ka pasur donacionin më të madh ka qenë nga Zvicra, shqiptar. 100 mijë franga në fillim, pastaj 200 mijë franga, 300 mijë franga në total. Në fillim u nxit nga nëna, sepse kthehet nga puna, ka një firmë shumë të madhe në Zvicër dhe nëna i thotë të rroftë që punon, shiko çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Dhe ai direkte telefonon në studio dhe thotë 100 mijë franga me zemër dhe shpirt për Shqipërinë. Unë e marr të nesërmen vazhdonte këtu të nxirreshin kufoma, apo dikush i gjallë. Ishte situata shumë e rëndë. Ai më tha nuk doja ta thoja aty, por unë i shtoj edhe 200 mijë franga, të cilat janë edhe të kaluara. Më tha të lutem mos e thuaj, por tani të mos i themi edhe këto… dhe i kaloi edhe 200 mijë franga. Pra një individ i vetëm kaloi 300 mijë franga, që është gati 10 përqind e shumë së mbledhur në Zvicër. Ka pasur dhe shumë shoqata, xhamia dhe Kisha”.

Ahmetaj: Dëmi nga tërmeti, 700 milionë deri në 1 miliard euro

Arben Ahmetaj thotë se dëmi paraprak nga tërmeti mund të jetë 700 milion deri në 1 miliardë euro. I ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “Opinion”, Ahmetaj theksoi se kjo nuk është një shifër zyrtare dhe se shifra deri në 1 miliard euro llogaritet bashkë me dëmin në infrastrukture.

“Kërkoj ndjesë sepse nuk është shifër as zyrtare, unë mendoj që duhet të jetë diku tek 700 milionëshi, e ndoshta edhe më sipër. Ndërsa konsekuencat mund të jenë edhe njëherë se kaq. 700 milionë deri në 1 miliardë, me gjithë infrastrukturën e dëmtuar flas, jo thjeshtë banesat, shkon te 1 miliardëshi. Por gjithsesi prap e them dhe dua ta ngul që nuk është një shifër zyrtare”.

Ish-ministri tha se një vlerësim paraprak të dëmeve nga tërmeti pritet të dalë më 16 Janar.

“Dua ta ndaj me ju që Ministri Çuçi, po punon me Bankën Botërore, me Kombet e Bashkuara dhe me Komisionin me një metodologji që bën vlerësimin paraprak të dëmeve dhe me 16 Janar do të na dalë vlerësimi i parë i dëmeve në bazë të kësaj. Dhe është vlerësim prap paraprak”.

Arbër Hajdari: 70% e donacioneve për tërmetin nga Amerika

Rreth 2 milionë euro ka arritur të grumbullojë fondacioni “Fundjavë Ndryshe” nga donacionet e shqiptarëve pas tërmetit të 26 Nëntorit. Themeluesi i saj, Arbër Hajdari, theksoi se 70% e fondeve kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë emisioni “Opinion” në Tv Klan këtë të martë, Hajdari shtoi se dhurime ka pasur edhe nga Zvicra, Gjermania, Kosova dhe Maqedonia. Ai tha se pret që kjo shifër të rritet në ditët në vijim.

Nuk kemi bërë një maratonë për të grumbulluar fonde, por kemi krijuar një link “Go fund me” që sot grumbullon 30 mijë donatorë të të gjitha shumave. Ka edhe njerëz që kanë dhuruar edhe nëpërmjet platformave PayPal apo banka. Përafërsisht shkon 2 milionë, 2 milionë e pak euro. Presim të vijnë edhe të tjera pasi transaksionet bankare zgjasin disa ditë. Neve na rezulton që 70% e fondeve janë nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara pasi dhe atje kemi pasur edhe rrjetin. Pastaj është dhe Zvicra, Gjermania, Kosova. Ne kemi 70% nga Shtetet e Bashkuara. Edhe në Kosovë dhe Maqedoni ka pasur, por është shumë e vogël në krahasim me atë që ka ardhur nga Perëndimi”, tha Hajdari.

Por përveç fondeve, fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka qenë shumë aktive edhe gjatë ditëve të tërmetit ku ka shpërndarë ndihma në zonat e prekura.

“Kishim gjendje aty te qendra ku erdhe dhe ti. Aty filloi shpërndarja masive e gjërave që kishim dhe aty filloi gjendja e solidaritetit. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë në terren. Ditën e parë kemi krijuar një link për dhurime online. Ndihmat më të mëdha kanë ardhur qoftë nga njerëzit e thjeshtë që kanë dhuruar me aq sa kanë pasur mundësi, por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Greqia, shqiptarë të Greqisë. Kanë ardhur kamionë pafund që ditën e parë. Përveç ndihmave që dërgonin në sheshin “Nënë Tereza”. Kemi punuar në disa fronte. një grup grumbullonte, një grup seleksiononte, një grup shpërndante”, tha Hajdari.

Naçi dhe Hajdari: Shtëpitë ekologjike me kosto 100 euro metri si variant alternativ ndërtimi

Elvis Naçi dhe Arbër Hajdari zbuluan mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” idenë për ndërtimin e shtëpive ekologjike, për të prekurit nga tërmeti. Ata thanë se këtë ide ia kishin propozuar Kryeministrit dhe se kishin gjetur edhe fabrikën që i prodhon këto shtëpi në Turqi. Bëhet fjalë për banesa me beton të presuar, një teknologji ekologjike e re dhe janë shtëpi që i bën në përmasat e dëshiruara. Kostoja e kësaj shtëpia është 100 euro metri katror.

“Kësaj shtëpie i del kostoja 100 euro metra katror. E përfunduar me pllaka, domethënë pa mobilie brenda. Këto janë të montuara, nuk është 3D, janë aktuale. Kjo është shtëpi 240 metra katrorë, që i kanë bërë njerëzit atje të mëdha. Ne po diskutojmë që ta marrim edhe më lirë, sepse do të bashkojmë forcat, si ne si fondacioni Firderus, që kur të bëjmë porosinë në fabrikë ta bëjmë për shumë. Edhe qeveria do të bashkohet bashkë në këtë projekt. Do të jemi të gjithë bashkë nëse do të jemi në këtë projekt“, u shpreh Hajdari.

Ndërsa ish-Ministri Arben Ahmetaj, i cili është kryetar i Komitetit Kombëtar të Rindërtimin, tha se fizionomia e këtyre shtëpive ka të bëjë kryesisht me zonat rurale, sepse ka familje që u është dëmtuar shtëpia pa kthim ndoshta dhe nuk duan të lëvizin nga toka e tyre.

Ahmetaj: A janë në terezi, na ofruan apartamente me 650 euro metri katror

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi dëmtime të shumta në banesa duke lënë në qiell të hapur familje të tjera. Një nga idetë për të sistemuar këta njerëz është edhe blerja e apartamenteve që janë bosh.

Por gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të martë, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi se ka kontaktuar me sipërmarrës të cilët do t’i linin këto apartamentet me një çmim deri në 650 euro metri katror.

Sipas Ahmetaj kjo është tallje me popullin. Nëse apartamentet nuk jepen tek 300-3500 euro metri katror atëherë nuk ia vlen që të blihen pasi buxheti i shtetit nuk mund të blejë në funksion të ndërtuesve.

Blendi Fevziu: Ahmetaj iu bëra një pyetje, stoku i apartamentit me kosto. Hajde merre vesh koston, por kishte një ide.

Arben Ahmetaj: Unë po ua them në atë që kemi testuar me sipërmarrës çmimi është shumë i lartë përtej asaj që do paguante dhe një qytetar me të ardhura të mesme dhe të larta. Nëse nuk do të vijnë tek kostot që janë 300, 350 metri katror le të themi kostot një nga një me cent që kanë harxhuar për ndërtimin e tyre nuk ia vlen t’i blesh, do t’i ndërtosh. Unë pyeta një sipërmarrës i thashë “nëse qeveria bën thirrje për ofertë sa mendoni që mund të jetë çmimi”? E dini sa ishte çmimi që filluan?

Blendi Fevziu: Sa thanë?

Arben Ahmetaj: 650, 700 metri katror.

Blendi Fevziu: Po 700 vlen në treg të lirë.

Arben Ahmetaj: A jeni në terezi? Pse do dalë buxheti i shtetit të blejë apartamente në funksion të këtyre.

Blendi Fevziu: Edhe një gjë tjetër Ahmetaj ishte se sipas të dhënave që dëgjova nga shoqata e ndërtuesve bëhej fjalë për 2000 apartamente bosh.

Arben Ahmetaj: Do numërohet kosto. Në qoftë se vjen dikush me këtë ofertë është tallje me hallin e popullit. Pse ça kemi dalë ne, të zgjidhim hallin e ndërtuesit se paskan këta apartamente bosh. Ne do ndërtojmë nga e para me kosto 300-350 dhe do u tregojmë qytetarëve se transparenca është e detyrueshme. U kemi prezantuar dje edhe Arbrit edhe Elvisit një aplikacion ku do të jetë çdo cent i numëruar se ku do të shkojë.

Elvis Naçi: Nuk dua t’i paragjykoj. Ja ku jemi sot. Le ti lemë të na i japin me 300-350-400 ja ku jemi, fusha është e hapur.

Blendi Fevziu: E bleni me këtë çmim.

Elvis Naçi: Ja pra të na e japin dhe do ta blejmë.

Ahmetaj: Ku do jenë lagjet e reja që do ngrihen për ndërtesat pas tërmetit

Kreu i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se në Tiranë janë identifikuar tre toka të cilat do të përdoren për të ndërtuar lagje të reja për të prekurit nga tërmeti.

“Do të ketë lagje të reja patjetër, sezbën dhe tokat në Tiranë janë identifikuar, janë 3 grupe. Një është tek ish-autotraktorët, 1 është tek bregu i lumit, që është pjesa më e madhe shtetërore dhe një është tek ish-Kombinati”.

Ahmetaj tha më tej se në Laç toka shtetërore do t’i jepet kompanive që do të ndërtojnë në emër të shtetit turk.

“Në Durrës po inspektohet pjesa shtetërore. Në Laç do të jepet pjesë shtetërore, le të themi kompanive që do të ndërtojnë në emër të shtetit turk. Të njëjtën gjë po e bëjmë në Thumanë. Mbledhja ishte e ditës së djeshme me të gjithë kryetarët respektivë të të gjitha bashkive”.

Elvis Naçi: Po të na shikosh ne me Ramën thua njeri është zv/kryeministri tjetri Ministër i Brendshëm

Në këtë fazë pas tërmetit të 26 Nëntorit, drejtuesi i fondacionit Firdeus, Imami Elvis Naçi, theksoi se duhet koordinim mes palëve.

Pasi foli për mënyrën si mund të koordinohet më mirë puna mes fondacioneve dhe qeverisë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, Naçi bëri edhe një batutë duke thënë: “Po ta them këtë si me shaka, por po të na shikosh ne me Ramën thua njëri është zv/kryeministri, tjetri ministër i Brendshëm po ta shikosh në këtë pamje”.

“Po ta dëgjoni zotin Ahmetaj me vëmendje ne nuk kemi ku shkojmë sepse do të bëjmë punë primitive. Në qoftë se unë me Arbrin sot fillojmë duke ndërtuar bëhemi kaotikë. Të them një fakt. Janë ata që kanë pasur viktima, familjet ne i kemi vizituar. Unë i thashë “për ju nuk ka shtëpi 20 mijë euro. Ju lutem ku e doni si e doni”, thjesht me i lehtësuar se ata kanë pasur dramë. Sa po i gjenim shtëpi merr Rama dhe thotë “ju lutem shumë, faleminderit për dëshirën e mirë që keni, por ka dalë një vendim qeverie që familjarët që kanë pasur viktima qeveria tashmë e ka marrë vendimin që do të kenë shtëpitë e tyre dhe janë gati të marrin çelësat”. Pse e them këtë? Koordinimi se unë jap, Arbri jep, ai jep dhe krijohet kakofoni”, tha Naçi. 

Hajdari i kthehet Naçit: O Hoxhë! Është hera e 27 që më ndërpret, më lër ta mbaroj

I bashkon misioni për t’iu gjendur pranë shqiptarëve në nevojë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë diferenca mes tyre, e ndoshta edhe përplasje, si në rastin e sotëm në studion e “Opinion”. Teksa diskutonin për idenë e shtëpive ekologjike, Arbër Hajdari dhe Elvis Naçi shfaqën divergjencë për këtë projekt, të cilin thanë më herët se ia kishin prezantuar edhe Kryeministrit Edi Rama. Por duket se ajo që e nervozoi më shumë Arbër Hajdarin ishte fakti që sipas tij iu ishte ndërprerë fjala gjatë emisionit në mënyrë të përsëritur. Naçin e akuzoi se e kishte ndërprerë rreth 27 herë, ndërsa tha se i jepej fjala më pak nga të gjithë, “edhe pse kam volumin më të madh të punës ca keni bërë të gjithë ju bashkë”.


/tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:16 10/12/2019
Grupi