Të ftuar: Mentor Kikia, Artan Hoxha, Robert Rakipllari dhe Mirela Milori. Kandidatët në garë për PD: Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

Fevziu-Rakipllarit: More vesh, kjo është e turpshme! Shqiptarët nuk janë dele

“Kush humb, ikën”. Kështu u shpreh gazetari Blendi Fevziu për politikanët që humbin zgjedhjet në Europë. Por çfarë ndodh në Shqipëri? Fevziu u përfshi në një debat me analistin Robert Rakipllari, teksa ky i fundit përmendi se në vendin tonë, zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme,e sipas tij ka edhe përgjime për blerje votash.

Por Fevziu u shpreh se opozita në këto raste vendimin e merr para zgjedhjeve pasi nëse hyn në to duhet të pranosh rezultatin. Ai u shpreh se shqiptarët nuk mund të lihen në rrugë dhe t’u thuhet se Edi Rama u vjedh zgjedhjet. “Shqiptarët nuk janë dele të Edi Ramës”, shtoi Fevziu duke thënë më tej se duhet një lider që të mos i lejojë qytetarët që të votojnë Ramën. “Kush i doli për Zot shqiptarëve që t’i çonte në fitore?”, ishte pyetja pa përgjigje që shtroi Fevziu dhe që në fakt mbylli emisionin e kësaj të enjteje të “Opinion” në Tv Klan.

Robert Rakipllari: Kemi parë përgjime!

Blendi Fevziu: Më fal, këtë gjë e dije ti në zgjedhje? Hyre në zgjedhje? The që vullneti i popullit është në kuti? Pastaj o s’do ta pranosh atë do thuash që nuk hyj në këto zgjedhje…

Robert Rakipllari: T’i pranojmë këto talente të reja që dolën në zgjedhje? T’i pranojmë dhe të themi që këta janë talentet e reja të zgjedhjeve shqiptare.

Blendi Fevziu: Jo Rakipllari nuk duhet ta lesh ti, nuk mund ta lesh. Mos ma trego këtë gjë se e di se çfarë po thua. Po them një gjë tjetër që nuk mund t’i lesh shqiptarët në rrugë dhe t’i thuash që Edi Rama do ua marrë zgjedhjet gjithmonë se ua blen. Nuk ua blen sepse nuk është populli shqiptar një popull tregtar që shkon te dera e Ramës për të marrë lekët. More vesh, kjo është e turpshme. Nuk mund ta thuash. Shqiptarët nuk janë dele të Edi Ramës dhe nuk mund t’i lejosh që të votojnë Edi Ramën.

Robert Rakipllari: Këtu jemi dakord ne!

Blendi Fevziu: Po pra dhe duhet t’ia udhëheqësh atij që është lider që e merr përsipër. Kujt ia kërkon ti këtë? Kush i doli për Zot shqiptarëve që t’i çonte në fitore?

Robert Rakipllari: Kjo është histori tjetër.

Blendi Fevziu: Kush atëherë? Atëherë mos fol.

Basha nuk pranoi të vinte në Opinion, Rakipllari: Kjo nuk është normale!

Kur kanë mbetur vetëm 2 ditë nga zgjedhjet për kryetar në radhët e Partisë Demokratike, në studion e Opinion, Blendi Fevziu kishte ftuar 4 kandidatët për kreun e saj.

Megjithatë në studio ishin të pranishëm vetëm Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli. Kjo pasi kandidatja tjetër, Edit Harxhi, nuk arriti të vinte në kohë për shkak të një angazhimi në Lezhë. Ndërsa sa i përket Lulzim Bashës, Fevziu tha se ai nuk kishte dashur të vinte.

Blendi Fevziu: Falenderoj dy nga konkurrentët që ishin në studio, e treta nuk arriti dot, zonja Harxhi. Zoti Basha nuk donte të ishte në studio.

Robert Rakipllari: Fakti që Basha nuk do të përballet përpara këtyre zgjedhje, kur ndërkohë janë të gjithë këto çështje, nuk është normale. As kjo nuk është normale.

Blendi Fevziu: Është pak a shumë me stilin që kishte edhe Rama, që thoshte përse të përballem me Bashën kur unë jam fitues.

Robert Rakipllari: Jo-jo, ai nuk do përballej me kandidatët e tjerë. Rama u përball me gazetarët para zgjedhjeve, edhe ai duhet të përballej. Mund t’u flasë demokratëve, po u flet edhe shoqërisë përpara zgjedhjeve.

Artan Hoxha: Na e sjell Fevziu javën tjetër Bashën…

Kadilli: Ku gaboi Basha që humbi zgjedhjet, më ‘tërhoqi veshin’ kur…

Fatbardh Kadilli, kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, renditi këtë të enjte në emisionin “Opinion” arsyet se ku gaboi Lulzim Basha që humbi zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit.

Kadilli u shpreh se opozita ka pasur kauza rastësore. Sipas tij, selia blu nuk ka luftuar për kauzat më të rëndësishme, më e fundit ajo për ndërrimin e Kushtetutës për sistemin zgjedhor. Për këtë të fundit, Kadilli tha se ka pasur një “tërheqje veshi” nga ana e kryedemokratit.

Më pas, kandidati për kryetar i selisë blu tregoi se ku gaboi Basha edhe në fushatën zgjedhore. Sipas tij, edhe nëse do të ishte në pushtet PD-ja, do të humbte për shkak se e nisi fushatën shumë javë më vonë kundërshtarit të saj politik.

Artan Hoxha: Ku gaboi Basha që nuk i dha vlerë votës?

Fatbardh Kadilli: Gaboi sepse e para janë gabime konceptuale, opozita e përqendruar në kauza rastësore që gjenden si sende rrugës. Për shembull, protestuam një vit e gjysmë tek Astiri.

Blendi Fevziu: Më fal, kam përshtypjen që Basha kishte një program të tezave dhe si qëndronte programi dhe kur ndodhnin ngjarje, nuk kuptonte që ngjarjet prevalonin mbi tezën që ka bërë.

Fatbardh Kadilli: Ju kuptova, por po flasim për fushatën, unë po flas për konceptimin e opozitës. Konceptimi i opozitës në 8 vjet është bërë me kauza rastësore të tipit, marrim një rast, Astirin. Ndenjëm 1 vit e gjysmë të bllokuar në hyrjen e Tiranës, katandisi që e mbante dega 7 dhe 6 e PD-së se ata të Astrit morën ato Lekë që iu dhanë dhe ikën dhe ishte një kauzë politike e ngritur mbi një aferë e madhe politike. Pse nuk dolën për Check Up, për dializën? Nuk dolëm të bënim të njëjtin bllokim. Dolëm bëmë një të tillë dhe për parkun tek liqeni, u përlesh e gjithë PD-ja me deputetë dhe ish-ministra, do kalojnë mbi trupat tanë se nuk bëhej ajo gjëja. Këto janë kauza rastësore që nuk i japin vërtetësi opozitës sepse merren dhe lihen mes rrugës dhe kompromentojnë. Kauzat që merren në rrugë dhe lihen në mes të rrugës, këto e kompromentojnë besueshmërinë të qytetarit tek ty. Nuk kemi luftuar për kauzat më të rëndësishme, ndarja administrative territoriale u braktis, e fundit fare ka qenë ndërrimi i Kushtetutës për sistemin zgjedhor, personalisht e kam quajtur krim kushtetues që duhet të reagonim. Ka qenë Basha që më ka tërhequr veshin, më ka thënë je jashtë mesazhit, pra këto janë beteja konceptuale, këto janë beteja opozitare. Tjetra është gjatë fushatës, e ka konceptuar gabim opozitën dhe vijmë tek fushata. Ai Rama që ka shtetin, administratën si shtab elektoral, ka Partinë Socialiste si shtab elektoral, ka dhe shtabin e padukshëm elektoral të bandave, fillon në Shtator ta ketë prezent ekipin e vetë politik dhe punon 9 muaj, 36 javë dhe ne fillojmë në datën 8 Mars, punojmë vetëm 6 javë, 1/6 e kohës. Sikur në kushte komplet të barabarta, të kishim qenë ne në pushtet do na kishte mundur. Nuk mund të fitojë duke mbajtur prozhektorin tek vetja dhe duke evituar çdo figurë tjetër përreth tij. Duhej të rritej duke marrë peshë nga ekipi.

Përse nuk erdhi Edit Harxhi në “Opinion”

Gara e PD-së ishte në fokus të diskutimeve këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Të ftuar në studio ishin kandidatët për kryetar partie të cilët shpalosën idetë e tyre që kanë për selinë blu.

Ndër to e ftuar ishte edhe Edit Harxhi, por për shkak të një angazhimi nuk mundi të ishte e pranishme në studio.

“Edit Harxhi pritej të vinte, e kishte konfirmuar, por mbështetësit e kanë mbajtur pak më shumë se sa duhet në Lezhë se sa entuziazmi dhe nuk ka arritur dot në momentin e duhur”, tha Blendi Fevziu.  

Më herët për zgjedhjet në PD ishin të ftuar kandidatët Agron Shehaj e Fatbardh Kadilli. Një ftesë kishte shkuar edhe për Lulzim Bashën, por Fevziu tha se nga ana e tij nuk ka patur një përgjigje.

Kadilli: Kulmet e mia, mbijetesa politike 30 vjet në PD

Fatbardh Kadilli është kandidati tjetër për kryetar i Partisë Demokratike, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin Opinion. Pjesë e kësaj force politike që prej themelimit të saj, Kadilli arsyetoi përse ai mund ta çojë Partinë Demokratike drejt një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme.  

“Ne nuk kemi prodhuar dot një ofertë serioze në këto 8 vjet e fundit, kemi ripërtypur të njëjtin program që kemi pasur në 2013-n, taksa 9 %, taksa 9 %, taksa 9 %. Domethënë sikur të dalë dikush të thotë 8 %, Lul Bashën e nxjerr nga loja dhe e bën të pavlerë nëse ne e kufizojmë tek një ofertë materiale, që Rama sot i jep 5 lekë dikujt në xhep duke i blerë votën dhe ne i themi do t’i marrësh këto 5 lekë në formën e rritjes së rrogës nesër-pasnesër, ne i kemi folur njeriut materialisht, njeriut biologjik, unë flas për njeriun politik. Në 91-in ne i folëm njeriut politik. Edhe atëherë ishte një njeri i izoluar, pa asnjë lloj informacioni”.

Kadilli është i bindur se është i zoti të bëjë atë që nuk ka mundur të bëjë Basha, të mundë kundërshtarin politik, Edi Ramën.

“Jam më i zoti sepse kuptoj shumë më mirë, kam ndjeshmëri më të lartë për ato që janë kauzat e qytetari. Kam vërtetësinë më të madhe si person përballë Bashës, shumë më tepër të vërteta”.

Kur i përmendin mungesën e një kulmi të madh në karrierë në radhët e PD, Kadilli thotë: “Nuk më është dhënë ndonjë investim, nuk jam emëruar asnjëherë në politikë. Basha është një i emëruar në politikë. Të sjellin nga Kosova dhe të bëjnë ministër pas 6 muajsh, e ka marrë me ndonjë fitore? Kulmet e mia janë mbijetesa politike 30 vjet në këtë parti. Ky është kulmi”.

Shehaj: Unë di si të zgjidh problemin kryesor që kanë shqiptarët

Agron Shehaj është një prej 4 emrave që garojnë për kreun e Partisë Demokratike, në zgjedhjet që do të mbahen të dielën e 13 Qershorit. Por përse duhet demokratët të votojnë Shehajn? I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion, ai rendit disa arsye.

“Unë mendoj se kam besimin e demokratëve, mendoj që demokratët e kanë të qartë që jam një njeri i pakorruptueshëm që di sesi të zgjidh problemin kryesor që kanë shqiptarët, që është papunësia, sepse e kam bërë. Nëse ka një kandidat tjetër, që ka krijuar më shumë vende punë sesa kam krijuar unë…”

Por a është suksesi në biznes i mjaftueshëm për të qenë i suksesshëm edhe në politikë?

“Absolutisht po. Pjesa më e madhe e presidentëve amerikanë janë sipërmarrës, vijnë na sektori provat, nga bota e biznesit. Pjesa më e madhe e kongresmenëve në perëndim gjithashtu.  Të flasim troç, unë mendoj që Shqipërisë i duhet një kryeministër i ndershëm dhe i zotë”, tha Shehaj më tej.

Shehaj: Vendimi “non grata” për Berishën, politik. Do të jetë pjesë e grupit parlamentar

“Nuk kam biseduar me Kim për këtë çështje”

Agron Shehaj është një prej kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën e 13 Qershorit. Ai ka qenë i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku ka folur për vizionin e tij për PD-në si dhe një sërë çështjesh të tjera, të rëndësishme në selinë blu.

Ndër to edhe vendimi për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Shehaj tha se nuk komenton këtë vendim të DASH, të cilin në fakt e quan politik. Sipas tij, e rëndësishme është që në këto momente të mendohet për të ardhmen e PD-së. Megjithatë ai i ktheu përgjigje gazetarëve në studio duke thënë se nëse do të jetë kryetar partie, në grupin e tij parlamentar do të jetë edhe Sali Berisha.

Ndërkohë, për takimin me ambasadoren amerikane Yuri Kim tha se nuk ka biseduar me të për vendimin ndaj Berishës.

Agron Shehaj: Nuk kam thënë që nuk kam asnjë koment. Kam thënë që nuk dëshiroj ta komentoj. Nuk është çështje luksi, por është çështje që unë kandidoj si kandidat i ardhshëm për PD. Duhet dhe kam ndërmend të flas për PD. Për rastin konkret thashë që mendoj që nuk e shoh të arsyeshme të komentojmë një vendim politik të SHBA-së. Nëse ti do ta komentosh, mund ta komentosh. Mendoj se nuk ka kuptim që ta komentoj.

Robert Rakipllari: Një kryetar partie çfarë zgjidhje ka për këtë çështje. Lideri i PD-së është goditur, ka një vendim nga DASH që ka një problem për korrupsion. Është goditur trashëgimia e PD nga një vendim i PD. I drejtë apo i gabuar, nuk e di. Ai kandidon për kryetar të PD-së. Kjo është një çështje fondamentale për PD. Nuk kemi të bëjmë me një çështje fakultative. Kryetari i PD-së dhe institucionet rreth saj duhet ta zgjidhin këtë çështje, ka një ide?

Agron Shehaj: Sipas teje është fondamentale, për mua, është e rëndësishme që të mendojmë për PD-në, fatin e PD-së dhe si të fitojmë zgjedhjet.

Robert Rakipllari: I fitoni këto zgjedhje duke pasur një anëtar në grupin parlamentar të tillë. Do jetë në grupin parlamentar?

Agron Shehaj: Po, absolutisht po.

Mirela Milori: Keni folur me Kim për këtë çështje?

Agron Shehaj: Nuk kam folur./tvklan.al