“Rasti i shqiptares me mutacionin e Covid nuk ekziston”, Manastirliu: Kemi dyshime të arsyeshme që…

Disa ditë më parë në mediat gjermane u raportua se një shqiptare, e cila kishte hyrë në Gjermani nëpërmjet Rinasit, kishte rezultuar me mutacionin e ri të Covid. Por këtë të mërkurë, ministrja Ogerta Manastirliu, mohoi që ky rast të ketë ekzistuar.

Ajo u shpreh se nga informacionet e marra nga Instituti Robert Koch në Gjermani nuk ka të dhëna zyrtare që një shqiptare të ketë qenë e infektuar me mutacionin e ri. Ministrja e Shëndetësisë tha ndër të tjera se përveç virusit po luftohet edhe me infodeminë.

“Më lejoni të them diçka. Në fakt ne jemi duke bërë dy luftëra paralel, po luftojmë me virusin, dhe jemi duke luftuar me infodeminë. Rasti që ka dalë në një media gjermane dhe më pas është dhënë në mediat tona në një konfirmim zyrtar që kemi marrë nga instituti Robert Koch më të cilin ISHP është në një lidhje periodike nuk ka pasur asnjë të dhënë zyrtare që ky rast të ketë ekzistuar. Nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare nga instituti Robert Koch që ky rast të ekzistojë”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se një nga arsyet që bëri ekspertët që të forconin masat ishte edhe dyshimi i arsyeshëm që në Shqipëri të kenë hyrë variantet e reja të Covid.  

“Jo, kemi dyshime të arsyeshme nga laboratori i virologjisë i ISHP-së që në Shqipëri ka probabilitet të qarkullojnë këto variante. Kemi dyshime të arsyeshme për shkak të sinjaleve laboratorike po ashtu lidhur me prekjen e fashës së grupmoshave të reja gjatë kësaj periudhe. Janë një seri situatash që na kanë çuar në këtë vendimmarrje”, tha Manastirliu.

Masa të reja për 2 javë, çfarë do të ndodhë nëse infektimet nuk ulen

Duke nisur nga dita e enjte, në vendin tonë hyjnë në fuqi masat e reja antiCovid, që parashikojnë kufizimin e lëvizjes nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, mbylljen e bizneseve përgjatë këtij fashë orari, si dhe mësim online për shkollat e mesme në qarqet me risk të lartë.

Këto masa të prezantuara këtë të mërkurë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve do të jenë në fuqi për 2 javë. Por çfarë do të ndodhë pas këtij dy javëshi. A rrezikojmë të shkojmë në masa më strikte në ditët në vijim, nëse numri i infektimeve nuk ulet?

Në një lidhje me emisionin “Opinion”, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha gjithçka do të varet në zbatimin ose jo të këtyre masave përgjatë kësaj kohe.

“Masat do të qëndrojnë 14 ditë, këto dy javë do të jenë javë vendimtare dhe ndaj kërkohet nga të gjithë një sakrificë. Janë dy javë, kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh. Zbatimi i masave, të atyre që kemi patur dhe atyre që fillojnë nesër, duke filluar nga orari i kufizimit në orën 8 të darkës deri në 6 të mëngjesit, nga kufizimi i bareve-restoranteve… Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme dhe mënyra sesi ne do të reagojmë në këto dy javë do të jenë përcaktuese nëse do të kemi një shtrëngim të mëtejshëm, apo do të kemi një lehtësim të tyre”, tha Manastirliu.

“Përfundojmë me të paktën 12 mijë viktima”, parashikimi i zymtë i Sali Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një parashikim të zymtë për situatën e pandemisë në Shqipëri. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan ai u shpreh se vetëm në 3 ditët e fundit ka pasur vdekje më shumë se sa 5 muajt e parë të vitit 2020. Ish-kreu i qeverisë tha se me këtë ritëm të lartë të vdekjeve numri i viktimave nga Covid mund të arrijë deri në 12 mijë në fund të vitit.

Sali Berisha: Pra çfarë kemi të bëjmë? Në 6 muaj në Shqipëri vdiqën 6049 qytetarë më shumë se 5 vite të tjera në mesatare të marra së bashku. Këtu janë dy gjëra. Ka studime të shumta. E para njëherë, vdekshmëria, për ata që bëjnë diagnoza të sakta, për SHBA-në, për Belgjikën vdekshmëria e tepërt nuk ka një diferencë shumë të madhe me vdekshmërinë nga Covid. Ka një diferencë 10% ta zemë, 15% por jo një diferencë 500%. Çfarë ka tjetër, fatalitet këtu? A e dini ju që vetëm këto 3 ditët e fundit ka pasur 10 vdekje më shumë në Shqipëri se 5 muajt e parë të viti 2020 se deri më datën 31 Maj.

Blendi Fevziu: Po thoni që për 45 ditë ka një numër të barabartë me 5 muaj të vitit të kaluar?

Sali Berisha: Jo zotëri për 45, unë të them për 3 ditët e fundit. Ke 43 vdekje. Gjer me datën 31 Maj, ke pasur gjithsej 33 vdekje. Nga pardje gjer sot ke fiks 43 vdekje dhe këto janë nga Covid. Dua të them se me këtë revansh të papërmbajtur të valës së vdekjeve Shqipëria do të përfundojë në fund të vitit jo me 6 mijë, por ju garantoj me të paktën 10 deri në 12 mijë vdekje.

“Nuk jam as xhail, as i paaftë”, Brataj ‘përplaset’ live me Berishën

Në lidhjen në Skype që pati mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Opinion”, ish-Kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu akuzat si ndaj qeverisë, komitetit teknik ashtu edhe ndaj vetë sistemit shëndetësor në vend. Por fjalët e tij nuk u pritën aspak mirë nga Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, njëkohësisht anëtar i Komitetit, i cili ndodhej në studio. Brataj po i kundërpërgjigjej deklaratave të Berishës, kur ky i fundit ndërhyri sërish, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk kishte asgjë personale.

Skënder Brataj: Zoti Berisha më thirri mua në kauzë, tha njëri nuk duhet të jetë aty ‘Alo alo’.

Blendi Fevziu: Me ty e  kishte?

Skënder Brataj: Besoj se po… Megjithëse kam kujtimet më të bukura sepse e kam pasur presorin tim dhe mbaj mend akoma leksionin e pre dhe post kariko me atë filozofinë e tij që ta fuste në tru me pahir dhe atë kujtim dua të ruaj. Dhe e dyta jam një ish-nxënës i tij, anëtar i Komitetit, dhe nuk jam as xhail as i paaftë. Plus nuk është vetëm, nuk e di kujt iu referua ‘kunata’,  por profesor Kalo, Silva, janë shumë njerëz që janë profesorë dhe …

Sali Berisha: Zoti Fevziu, qëndrimi im nuk ka asgjë personale, qëndrimi im ka të bëjë më një filozofi sepse ka me qindra njerëz që kanë humbur jetën, sepse janë pa ndihmë. Sepse janë me qindra të sëmurë që nuk shkojnë në spital sepse urgjenca u thotë nuk jeni për spital.

Skënder Brataj: Jo Zoti Berisha nuk është e vërtetë. Nuk është, më jepni një numër telefoni dhe të gjej thirrjen dhe bisedën. Presor kam kujtimet më të bukura nga ju që nga Fakulteti i Mjekësisë.

Sali Berisha: Jo jo zotëri unë merrem nga mëngjesi deri në darkë me këtë problem, sepse kjo është një tragjedi e madhe kombëtare.

Skënder Brataj: Unë merrem 24 orë zoti Berisha.

Sali Berisha: Edhe unë merrem 24 orë të jesh i sigurt. Dhe merrem me të gjithë mundësitë e mia dhe lexoj e ndjek çdo gjë…

Eksperti: Riinfektimet ndodhin, për çfarë duhet të bëni kujdes

Riinfektimet mund të ndodhin edhe pse të rralla për këtë periudhë kohore. Epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaroi këtë të mërkurë nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se për momentin shkalla e riinfektimeve është në raportin 1 për 1000 persona.

Megjithatë ai tregoi se në nivel global nuk ka një rast të dokumentuar mirë që një person të ketë humbur jetën pas riinfekimit. Sipas tij shumica e rasteve të riinfektimit janë më të lehta, por bëri thirrje për kujdes. Kjo për shkak se ekspertët nuk kanë shumë informacion në lidhje me transmetueshmërinë e sëmundjes pas riinfekktimit.

“Duhet të kemi parasysh që ka kritere se si dokumentohet një riinfektim. Ka raste riinfektimesh, por ka edhe shkallë evidencash për riinfektimet, ka shkallë të ulët, shkallë të mesme dhe evidencë të fortë. Ajo që duhet të japim si mesazh është që riinfektimet ndodhin. Janë në një shkallë 1 për 1000 për këtë periudhë kohe. Por deri më sot nuk ka rast riinfektimi të dokumentuar mirë që ka pasur pasojë vdekjen, ndërkohë që kemi 2 milionë e kusur vdekje në nivel global flas. Supozohet që shumica dërrmuese e rasteve të jenë më të lehta. Por kujdes! Nuk dimë gjë mbi transsmetueshmërinë tek tjetri”, tha Alimehmeti./tvklan.al