Haxhiu: Vaksinat erdhën nga dy vende mike

Nuk është një shtet, por dy që kanë dhuruar vaksinat e para antiCovid për Shqipërinë. Është ky mendimi i analistit Baton Haxhiu, i cili këtë të hënë në studion e “Opinion” tha se emrat e vendeve nuk janë bërë publike për arsye sepse vaksinat ishin të dedikuara për njerëzit e tyre.

“E para punës një fjali që më bëri përshtypje nga kryeministri ishte “unë jam lypësi më i mirë i të gjithë lypësave për vendin tim, ose për qytetarët e mi”. Fakti që është një fjali e tillë tregon se nga dy vende ka marrë vaksinën. Për hir të konfidencialitetit nuk bëhen publike për arsye se vendet nuk kanë dashur të bëhen publike sepse realisht ato vaksina ia kanë dedikuar njerëzve të tyre. Shikojeni datën 1, kryeministri thotë që me datën 11 do të vaksinohen mantel bardhët dhe një pjesë e trupës shëndetësore”.

Gazetari Blendi Fevziu e pyeti analistin për emrin e vendit, por ai refuzoi që ta tregonte. Megjithatë tha se pas nisjes së vaksinimit sot, dozat e ardhshme që do të vijnë do të jenë të Pfizerit direkt.

Blendi Fevziu: As ti nuk e di nga kanë ardhur? Nuk ka mundësi ti mos ta dish.

Baton Haxhiu: Po pse ta flas? Nëse nuk e flet kryeministri pse ta flas unë?

Shqipëria nisi vaksinimin kundër koronavirusit sot. E para që mori vaksinën në vendin tonë ishte shefja e Infektivit, Najada Çomo, ndërsa më pas injeksioni iu dha edhe kryeministrit Edi Rama.

Darka tek Nusreti, Mazniku: Çdo gjë u vendos dhe u pagua nga kompania

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku, ka sqaruar mbrëmjen e kësaj të hënë në emisionin “Opinion” videon e publikuar në rrjetet sociale ku një delegacion i shtetit shqiptar shfaqej në një prej lokaleve më të njohura të Dubait siç është ai i Nusretit.

Mazniku tha se ajo video është nxjerrë nga konteksti. Sipas tij çdo gjë është caktuar nga pala pritëse, kompania Emaar, me të cilën po negociohet për disa projekte të rëndësishme në Shqipëri.

Hoteli, makinat që i kanë shoqëruar, madje edhe darka tek restoranti i njohur, sipas Maznikut, janë vendosur dhe paguar nga pala pritëse.

“Së pari ajo situatë dhe ajo video e nxjerrë jashtë konteksti edhe unë po të isha në Tiranë do ndihesha keq dhe ndoshta i revoltuar me qeveritarët e mi. Unë i mirëkuptoj qytetarët dhe ndaj është e nevojshme tu shpjegojmë më shumë atyre. Në kontekstin e një vizite zyrtare në të cilën janë pala ftuese se ku në cilin hotel qëndrohet, në cilin restorant hahet dreka, darka, e kështu me radhë është proces që pala e ftuar ka pak çmund të vendosë. Në rastin konkret ne u ftuam aty, madje menuja ishte caktuar nga pala pritëse, ashtu siç ishte hoteli, makinat që na pritën në aeroport”.

Sipas Maznikut, të gjitha shpenzimet e delegacionit shqiptar gjatë qëndrimit në Dubai janë marrë përsipër nga kompania Emaar.

“Të gjitha shpenzimet e delegacionit shqiptar gjatë periudhës së qëndrimit në Dubai ishte të marra përsipër nga kompania. Kishte përfaqësues të kompanisë gjatë darkës, por që nuk dalin në video”, tha Mazniku.

Mazniku: Dua t’u kërkoj falje qytetarëve që panë një video jashtë kontekstit

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” i kërkoi falje qytetarëve shqiptarë, për faktin që siç tha ai, morën një informacion jashtë konktekstit, duke iu referuar një videoje të publikuar në rrjetet sociale ku delegacioni shqiptar shfaqej në një prej lokaleve më të njohura të Dubait, siç është ai i Nusretit.

“Unë dua t’i kërkoj falje përsa mundemi shqiptarëve, për faktin që morën një informacion jashtë konteksti në të cilin padyshim situata dukej shumë e shëmtuar. Edhe unë po të isha qytetar shqiptar ta shihja nga shtëpia, do të ndihesha shumë keq po të shihja qeveritarët e mi në atë situatë. Por e vendosur në atë kontekst, pakçka kishim ne që mund të bënim në këtë situatë. Kur neve na vijnë njerëz në Shqipëri për delegacion, ne mundohemi t’i çojmë si në pritjen zyrtare, ashtu edhe në pritje të tjera në vende të mira të mundshme që të kemi një situatë dinjitoze dhe aty padyshim që dikush mund të fotografojë, por ama nuk mundemi të themi nuk mund të shkojmë këtu se kemi frikë mos na fotografon dikush. Pra në thelb ishim në një situatë jashtë zgjedhjeve tona”.

Më herët, Mazniku tha se të gjitha shpenzime te delegacionit shqiptar gjatë periudhës së qëndrimit në Dubai ishte të marra përsipër nga kompania Emaar, me të cilën po negociohet për disa projekte të rëndësishme në Shqipëri.

Takimi Greqi-Turqi, Haxhiu zbulon prapaskenat: Rama ka negociuar prej kohësh

Rinisja e bisedimeve mes Turqisë dhe Greqisë dhe roli i Kryeministrit Edi Rama si negociues ka qenë një nga çështjet që u diskutua këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Analisti Baton Haxhiu tha se vendimi që dy palët të ulen në tryezë pas takimeve që pati Rama si në Turqi dhe Greqi është një lajm i mirë për Shqipërinë. Ai u shpreh se Rama ka negociuar për një kohë të gjatë me të dyja palëve.

“Mendoj se Shqipërisë nuk i ka ndodhur asgjë më mirë se sa kjo. Ulemi nesër pasnesër dhe flasim për Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë për mënyrën si qeveris. Po flasim për një gjë që duhet respektuar. Po thonë që është refuzuar negocimi. Mark ai ka negociuar për një kohë të gjatë dhe nuk është refuzuar negocimi, por në momentin që bëhet publik…”, tha Haxhiu.

Më tej, Haxhiu tha se nuk është e habitshme që dy liderët e vendeve përkatëse të takohen pikërisht prej këtij lehtësimi që është mundësuar sipas tij nga kryeministri Rama.

“E shihni që zoti Edi Rama nuk del në publik edhe pse iu përmend emri fakti që një njeri shkon në një darkë me kryeministrin dhe shikojeni si e përcjell ministri i jashtëm i cili është jashtëzakonisht i interesuar të përfundojë këtë marrëveshje. Negocimet në nivel të ekspertëve shkon njëherë në Turqi pastaj në Greqi. Meqë është ndërprerë në vitin 2016, radha e ekspertëve për të negociuar shkon në Stamboll dhe pika e fundit është marrëveshja politike që i takon ministrave të jashtëm dhe pastaj kryeministrave.  Mos u befasoni që një ditë mund ta shihni edhe sulltanin siç e thua ti (Erdoganin) në Greqi duke iu referuar pikërisht këtij lehtësimi, dhe mos u habisni që zotin Mitsotakis ta shihni në Stamboll pikërisht për shkak të këtij lehtësimi”, tha Haxhiu.

Rama, ndërmjetësues edhe për një çështje të nxehtë mes SHBA-së dhe Turqisë

Disa vjet më parë marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së do të arrinin pikën më të nxehtë pasi Ankaraja arrestoi një prift amerikan me akuzën se mbështeti grushtin e shtetit në vitin 2016.

Analisti i njohur, Baton Haxhiu, ka zbuluar këtë të hënë se edhe për atë rast, kryeministri Edi Rama ka negociuar për ditë të tëra për lirimin e priftit. “Rama nuk po e bën për herë të parë”, tha ai duke iu referuar ndërmjetësimit që po i bën edhe Turqisë dhe Greqisë.

Sipas Haxhiut, Rama është munduar të ndërhyjë në një moment kur Amerika ka vendosur sanksione ndaj shtetit turk.

Edi Rama: 2 vjet e gjysmë herët e kemi pasur një debat për priftin. Rama nuk po e bën për herë të parë. Ka qenë ndërmjetësues edhe për lirimin e priftit që ka qenë i burgosur në Stamboll dhe negociata ka zgjatur disa ditë. Pastori që u arrestua si mbështetës i grushtit të shtetit. Rama për ditë të tëra ka negociuar për priftin.

Agim Nesho: Ti mbushte mendjen Erdoganit?

Baton Haxhiu: Ti mbushte mendjen Erdoganit për arsye se ndodhi një gjë shumë e rëndë nëse ju kujtohet kur Amerika vendosi sanksione ndaj Erdoganit. Pikërisht ndodhi ai negocim.

I dërgoi dhuratë, por ambasadorja amerikane e ktheu. Fevziu zbulon arsyen

Blendi Fevziu tregoi mbrëmjen e kësaj të hëne për një dhuratë që i kishte dërguar Ambasadores Amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, para Krishtlindjeve dhe faktin se ajo e kishte kthyer mbrapsht atë, për shkak se ligji amerikan nuk i lejon zyrtarët që të pranojnë dhurata, të cilat kushtojnë më shumë se 20 dollarë, nga individë dhe 392 dollarë nga shtetet.

“Para Krishtlindjeve i çova Ambasadores Amerikane një dhuratë modeste, që ishin dy sumbulla jeleku të bëra me filigram. Një gjë që ka një çmim relativisht modest. Pasi e mori dhuratën dhe pasi më falenderoi, më çoi një mesazh që tha nuk mund ta pranoj. Dhe pasi më çoi një letër zyrtare, që është kjo këtu (tregon celularin), më thotë se nuk mund ta mbajmë, se ligji amerikan nuk lejon më shumë se 20 dollarë dhuratë të marrë nga individët dhe 392 dollarë nga shtetet. Pra, mbi 390 dollarë nuk lejohet nga shteti dhe mbi 20 dollarë nga individi. Dhe e ktheu dhuratën me gjithë falenderimet për xhestin. Ambasadorja Yuri Kim e ktheu…”

Gazetari tregoi se në përgjigje, ambasadorja kishte cituar edhe ligjin që e përcakton këtë, ndërsa lexoi edhe një fragment nga letra e saj.

“Dhe thotë: Ne do t’ju kthejmë këtë dhuratë, jo për t’ju ofenduar, as për t’ju vënë në siklet, por sepse kjo është në respekt dhe në mos shkelje të ligjit të qeverisë së SHBA dhe në respekt të taksapaguesve amerikanë”./tvklan.al