Opinion-Çfarë po ndodh me Butrintin?




Opinion-Çfarë po ndodh me Butrintin?

Autori: Blendi Fevziu

21:51 11/05/2022

Të ftuar në Opinion: Auron Tare, Blendi Klosi, Ina Zhupa dhe Lorenc Bejko.

Ministrja e Kulturës: Butrinti nuk po jepet me koncesion

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në studion e Opinion mohon që Butrinti po jepet me koncesion. Ajo shpjegon se ky park do t’i kalojë në menaxhim një fondacioni që do të do ngrihet nga shteti shqiptar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

“(Fondacioni) Është jo fitimprurës dhe nuk është koncesion, është organizatë jo fitimprurëse. Çdo qindarkë e Butrintit qëndron në Butrint”, tha Ministrja.

Më tej ajo shpjegoi se kryetar i këtij bordi është Ministri i Kulturës, në cilësinë e ministrit. Ky fondacion kontrollon vetëm një territor që lidhet me zonën historike/arkeologjike të Butrintit dhe jo me gjithë parkun e Butrintit. Po ashtu, ministrja tha se parku i Butrintit ka ardhur për t’u rishikuar me propozim të Ministrisë së Turizmit, pra që mund të zvogëlohet në disa zona. Brenda zonës arkeologjike do ketë përmirësime të shërbimeve, por nuk do të ketë investime të reja, sqaroi Margariti.

Po përse nuk e administron vetë shteti shqiptar, përmes mënyrës që kishte duke përmirësuar administrimin?

“Kjo është një mënyrë e përmirësimit të administrimit dhe shteti shqiptar është duke e menaxhuar sitin. Që nga fillimi i këtij procesi që kemi nisur për ndërtimin e këtij modeli, një nga kritikat kryesore ka qenë mënjanimi i Ministrisë së Kulturës në këtë fondacion. Ndërkohë që Ministria e Kulturës jo vetëm është kryetare e bordit, por e monitoron me një qendër të re monitorimi pranë ministrisë, e auditon, raporton pranë UNESCO-s. Shteti është brenda në të gjithë kuadrin ligjor”, tha Ministrja.

E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse duhej Fondi Shqiptaro-Amerikan në këtë projekt, ministrja tha: “Është një nga donatorët. Unë sot jam e dëshiruar që çdokush të shohë debatin e Butrintit dhe të ndjellë sadopak entuziazëm dhe dashamirësinë që të kemi dhe të tjerë donatorë. Në të gjithë botën modele të tilla kemi shpeshherë prezencën e bankave, që janë filantropë kryesorë në gjithë botën. Në Shqipëri ndoshta ende nuk kemi arritur në këtë fazë. Ky mund të jetë një moment i mirë të parë edhe vetë bankat sesi të mund të bëhen pjesë e filantropisë në Shqipëri. Nuk po themi asnjë çudi dhe nuk po shpikim rrotën”.

“Butrinti”, Tare: Është marrë për konsulencë pastruesja e muzeut

Në emisionin “Opinion” këtë të mërkurë u diskutua në lidhje me planin për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit. E teksa mazhoranca thotë se Butrinti nuk do të jepet me koncesion, studiuesi Auron Tare tregoi se pse e konteston projektin.

Ai tha se Konventa e Unesco-s nuk lejon që qendra të tilla të menaxhohen nëpërmjet fondacioneve. Ai u shpreh se në konsulencën e bërë për këtë plan nuk është marrë asnjë specialist shqiptar, por në vend të tyre janë vënë pastruesja e muzeut dhe një pensionist.

“Ku është kontestimi jo i imi, por i të gjithë pjesëve më të mëdha të arkeologjisë. Parimi, një. Mos shkojmë tek bordi. Parimi. Konventa e Unesco-s e ’72 nuk të lejon që qëndra të tilla të menaxhohen nëpërmjet fondacioneve. I kam kërkuar publikisht meqenëse u bë ky debat, një model. Ministrja në parlament tha Versaja. Versaja doli komplet që menaxhohej nga shteti. Shiko çfarë ka ndodhur. Që ka nevojë për mirëmenaxhim ajo qendër nuk diskutohet dhe jam 100% me kryeministrin e Shqipërisë që është në rrumpallë. Kemi një fond që quhet Fondi Shqiptaro-Amerikan, i cili ka ndërhyrë në ligjin e trashëgimisë kulturore në një vend sovran dhe ministria e ka hequr nga website i vet, por vetë ADF e ka këtu dhe thotë: Kemi bërë ligjin e re, kanë lobuar në parlament, zoti Granof ka qenë atje sipër dhe thotë e kemi bërë ligjin që “the new law” do ta menaxhojë si një shoqëri private.

Çfarë ndodh? ADF ndërhyn në ligjin e trashëgimisë, ndryshon disa nene, sjell një kompani nga Anglia me një reputacion normal, nuk kanë shkruar ndonjëherë plane të tilla menaxhimi, megjithatë nuk ka gjë. Bëjnë një plan menaxhimi, i cili kundërshton planin e menaxhimit që ka paguar vetë ADF në ’11-’12 i cili thoshte që Butrinti duhej të menaxhohej nga autoritetet vendore të cilat duhen përmirësuar, por SHTETI. ADF krijon bashkë me zonjën Kumbaro, kjo është çështje e zonjës Kumbaro, zonja Margariti i ka ngelur në derë kjo punë. Kjo është Kushtetuta e Butrintit që e ka prezantuar zoti Granof me zonjën Kumbaro. Shiko çfarë ndodh këtu. E para një herë në konsulencën që është bërë nuk ka asnjë emër të specialistëve shqiptarë. Zero. Butrinti fillon me Riçard Hoxhisin në ’94 dhe mbyllet po me të në 2021. Çfarë mungon? Mundon zoti Ugolini. Nuk ka. Muson Hasan Ceka, mungon Neritan Ceka. Cilin arkeolog ka konsultuar ADF-ja? Për kuriozitet e lexova. E di kush është arkeologu apo arkeologia që është vendosur në Kushtetutën e Butrintit e prezantuar nga ADF-ja? Është zonja Liri Shametaj. Zonja Liri Shametaj është një punonjëse shembullore e Butrintit ka 30 vjet. Është një pastruese shembullore e muzeumit të Butrintit. E dua shumë, ka punuar me mua, më bënte një kafe të mrekullueshme, por është pastruesja e muzeumit. Liri Shametaj. Konsulent tjetër, zoti Asim Canaj, shef i policisë së Sarandës. Zoti Asim është një pensionist që mbjell qepë dhe patate tek bahçja e zyrës sime. Këta kanë dalë në pension dhe mbjellin qepë. Këta njerëz janë tallur me të gjithë ne që kemi dhënë kontributin tonë në Butrint”, tha Tare./tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:51 11/05/2022