Të ftuar: Armand Shkullaku, Andi Bejtja, Robert Rakipllari, Alfred Peza, Mustafa Nano dhe Lorenc Vangjeli.

Shkullaku: Për herë të parë më erdhi keq për Veliajn

Teksa vizitonte disa ditë më parë një prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, Edi Rama i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që të dilte në mëngjes dhe të lyente hyrjen e një pallati.

Kjo deklaratë e kreut të qeverisë u komentua këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Analisti Armand Shkullaku tha se për herë të parë i ka ardhur keq për Erion Veliajn për mënyrën se si kryeministri e trajtoi.

“Ndoshta Rama në subkoshiencë nuk e quan 30 Qershorin të zgjedhur dhe Erionin e konsideron të emëruar. Edhe për mua Veliaj këtu e kaloi me elegancë. Dihet mendimi që kam për Veliajn, por për herë të parë më erdhi keq për Veliajn për mënyrën si e trajtoi. M’u kujtua ajo mbledhja e Byrosë Politike të Enverit që thoshte “Po po, partia të ka vënë, partia të heq”. Ky thotë “unë””, tha Shkullaku.

Megjithatë, analisti tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri një gjë më të shëmtuar se Rama pas kësaj deklarate.

Ai doli në një televizion dhe tha se kryeministri nuk e kishte me të, por me administratorin e pallatit.

“Ajo që bëri më keq Erion Veliaj është më e shëmtuar se kjo e Ramës. doli në Top Channel tek Luana Vjollca dhe deklaroi që “Kryeministri nuk e kishte me mua, por me administratorin e pallatit dhe ai i ziu doli që në mëngjes dhe e leu”. Kurse këtu thotë “po, si urdhëron, ju jeni perfeksionist”. Njeriu sado që varet nga vullneti i njëshit se dihet në një parti politike, por gjithsesi duhet të ruash një lloj raporti. Mendoj që edhe dinjiteti njerëzor ka një kufi. Të paktën ta kalonte në heshtje atë gjë, mos ta justifikonte”, tha Shkullaku.

Sipas Shkullakut, nuk ka konflikt mes Ramës dhe Veliajt.  “Nuk mund të ketë konflikt mes një gjenerali dhe një ushtari”, tha ai.

Rakipllari: Rama, aktor hollivudi i nivelit të lartë

Sipas analistit Robert Rakipllari, kryeministri Edi Rama e ka menaxhuar në dy faza situatën e menaxhimit pas tërmetit. Sipas tij në fillim, kreu i qeverisë i është dukur në panik dhe i përfshirë emocionalisht me ngjarjen.

Gjithashtu sipas tij, ai u përpoq që me propagandë të mbulonte problemet me menaxhimin e situatën pas tërmetit.

“Për mua Rama e ka menaxhuar në dy faza. Në fazën e parë ka qenë në panik dhe në emocion. Po themi java e parë post tërmetit Rama m’u duk i përfshirë, i trembur nga një ngjarje që nuk e priste askush dhe duke pasur parasysh se çfarë gjërash shteti shqiptar kishte mundësi të bënte në ato momente u përpoq që me propagandë të mbulonte deficitet në pjesën e menaxhimit të parë. Po ta kemi parasysh emergjencat tona janë në atë derexhe që ishin”, tha Rakipllari.

Sjelljen e kryeministrit, Rakipllari e përcaktoi si aktor të një niveli të lartë. Kjo pasi kreu i qeverisë Rama e perfeksionoi pjesën e vet të propagandës dhe e ktheu këtë gjë në një moment për të përfituar politikisht nga situata.

Aktor hollivudi do ta përcaktoja Ramën unë. Aktor me nivel të lartë, jo nivel shqiptar. Nëse në pjesën e parë ishte në panik i përfshirë nga ngjarja, pjesën e dytë të menaxhimit të krizës Rama e perfeksionoi pjesën e vet të propagandës dhe nga momenti për të mos humbur politikisht e ktheu këtë gjë në një moment për të përfituar politikisht dhe për të dalë me petkun e shpëtimtarit nga kjo histori”, tha Rakipllari, i cili shtoi se nuk ka përplasje mes Ramës dhe Veliajt.

Shkullaku: Krimet shtetërore që po përpiqen të fshihen pas tërmetit

Armand Shkullaku është i mendimit se duke u marrë me ato çfarë thotë Kryeministri Edi Rama në takimet e tij me banorët e prekur nga tërmeti, po shmanget përgjegjësia ligjore për atë që ndodhi. Nga studio e “Opinion”, analisti thotë se janë të paktën 3 fakte, pas së cilave ka përgjegjësi shtetërore. Një prej tyre Shkullaku thotë se është Thumana, fakti që pallati që u shemb ishte shpallur i pabanueshëm që prej 21 Shtatorit.

“Unë mendoj që më e rëndësishme se sa show ose protagonizmi i Ramës është arsyeja të kuptojmë pse po e bën këtë gjë? Ose çfarë pasojash mund të sjellë kjo gjë? Për mua janë dy pasoja. E para është shmangia nga çdolloj debati që bëhet e përgjegjësive ligjore për atë që ndodhi. Janë të paktën tre, mund të jenë më shumë, por 3 që unë marr përsipër me fakte të them që ka përgjegjësi shtetërore. Thumana, mbas tërmetit të 21 Shtatorit, edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi që Bashkia i ka lajmëruar të gjithë banorët ku ndodhi tragjedia se ai pallat nuk është i banueshëm. Banorët kanë thënë që kishin shkresën nga bashkia që ai pallat nuk është i banueshëm. Deri më sot organet shtetërore kanë refuzuar, Kryeministri, qeveria që të nxjerrin këtë shkresë. Për mua futja e banorëve në një pallat që ishte shpallur rrezik shembje dhe vdekja e tyre si ajo që ndodhi është krim shtetëror”.

E dyta sipas Shkullakut është Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme, për të cilën kishte një raport ekspertësh që vlerësonte se kjo ndërtesë kishte rrezik eminent.

“Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme. Një raporti i përbërë nga katër ekspertë plus një arkitekt i Bashkisë së Durrësit i drejtohet Ministrisë së Brendshme, Zotit Lleshaj dhe i thotë që kjo godinë ka marrë dëmtime nga tërmeti i 21 Shtatorit. Nuk janë prekur strukturat mbajtëse, por ka rrezik eminent që rënia e tullave dhe objekteve të tjera mund të shkaktojë vdekje, thuhet aty. Dhe në atë godinë, edhe atë ditë që ka ndodhur tërmeti ka pasur studentë, por kanë ikur. Por ama një person që ishte brenda godinës humbi jetën, për mua edhe ky është krim shtetëror. Është paralajmëruar, janë lënë të rrinë në një godinë që ka pasur rrezik”.

Ndërsa e treta, Shkullaku thotë se është mos krijimi i Agjencisë së Emergjencave Civile që menaxhon situata të tilla.

“E treta është, mos krijimi i Agjencisë së Emergjencave Civile, ajo që menaxhon situatën. Po të marr vetëm një rast nga mungesa e kësaj Agjencie. U tha se nuk kishte kamera termike. U gjetën vetëm pas tre ditësh në depot e zjarrfikësve kamerat termike që i ishin dhuruar Forcave të Armatosura nga NATO. Pas tre ditësh zbuluam që i kishim. Ndërkohë, pas dy ditësh Veliaj bleu katër zjarrfikëse të përdorura jo në gjendje punë, në prokurim të drejtpërdrejtë dhe pa garë. Pra është krijuar gjithë ky kaos dhe për të shmangur përgjegjësinë, për të mos u ndalur te këto në shikojmë cirkun e Ramës. Dhe e dyta që shikoj me rrezik është që ne të gjithë po merremi me protagonizmin e Ramës. Është skandaloze që në një shtet normal individi të thotë po të mos isha unë çfarë do të kishit bërë ju. Këtë as Enver Hoxha nuk e ka bërë. Ne nuk duhet të varemi nga vullneti i 1-it, ne duhet të kemi strukturat”.

Vangjeli: Sot Rama shihet si shpresë në sytë e gjithë shqiptarëve

Për analistin Lorenc Vangjeli shfaqjet në ekran të Kryeministrit Edi Rama pranë banorëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit i kanë dhënë atij epërsi politike. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se në tërësi, këto dalje publike japin një mozaik të madh që është propozimi i Ramës për një mandat të tretë.

“Sot e gjithë Shqipëria është laborator i tij, skena e tij luan politikisht, njerëzisht, me pragmatizëm, me emocion. Doli nga parlamenti, salla që mbizotëronte me batutë në të gjithë rrethanat dhe ai sot është në terren ku ka të drejtë të fjalës së parë dhe të fundit, në kamerën e tij përballë njerëzve që janë fatkeq. Se çfarë u thotë, kjo është tjetër gjë. Po ta gjykosh ditë pas dite, takim pas takimi, në këtë kult të individit që po e rindërton nga e para edhe njëherë, mund të gjesh shumë gjëra që nuk shkojnë. Por këto janë copëza të mozaikut, këto gurë të vegjël. Këto detaje të vogla që gënjejnë vetëm një sy naivi ose të pa stërvitur, japin një mozaik të madh dhe ky mozaik i madh është propozimi i Edi Ramës për mandatin e tretë”.

“Në mandatin e tretë ai do të risjellë triumfin ose dështimin e tij në këtë histori, të tërmetit. Është shumë cinike të flasësh për epërsi politike në këtë moment, por është e vërtetë që ai e ka fituar këtë epërsi. Sot ai është në sytë e të gjithë shqiptarëve, shihet si shpresë”.

Vangjeli thotë gjithashtu se tërmeti ishte momenti që na tregoi se ne jemi lakuriq.

“Ne jemi duke u marrë me pasojën dhe jo me shkakun dhe ky është gabimi i madh. Shkaku është shumë më lart, shkaku nuk është as tërmeti, as Edi Rama, por janë të gjithë bashkë. Tërmeti ishte momenti që na tregoi që ne jemi lakuriq, që ne jemi të bërë bashkë në një shoqëri, por jo komunitet”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka konflikt mes Kryeministrit dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Vangjeli tha:

“Nuk ka konflikt të Ramës me askënd. As më Zv/kryeministrin, as me kryetarin e Bashkisë, me askënd. Të gjithë ata janë si rrathë bashkëqendror të cilët shikojnë një kulm të vetëm që është Edi Rama. Nuk ka konflikt, ata të gjithë ata janë për shkak të Edi Ramës”.

Bejtja-Pezës: Po flet budallallëqe! Ish-deputeti: Edhe ti fole dhe unë nuk të thashë gjë…

Debati mes palëve nuk ka munguar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”. Teksa Alfred Peza po fliste për punën e bërë në terren pas tërmetit të 26 Nëntorit, Andi Bejtja ndërhyri duke i thënë se po fliste budallallëqe. Palët shkëmbyen replika, ku nuk munguan edhe batutat.

Alfred Peza: Është tjetër gjë të analizosh propagandën dhe pjesën e komunikimit publik, nëpërmjet mjeteve dhe instrumenteve të ndryshme, përfshirë dhe rrjetet e internetit dhe rrjetet sociale dhe është tjetër gjë komplet të analizosh dhe të shkosh në terren për të parë…

Andi Bejtja: O Fredi, po të them duhej rrethuar pallati në Thumanë pas 21 Shtatorit.

Alfred Peza: 3 herë më ke ndërprerë Bejte.

Andi Bejtja: Po flet budallallëqe.

Alfred Peza: Tani, ore Bejtje po edhe ti fole budallallëqe dhe unë nuk të thashë gjë.   

Andi Bejtja: Ma kundërshto budallallëkun tim.

Alfred Peza: Po jo më nuk ta kundërshtoj budallallëkun, se ka të tjerë që na e gjykojnë.

Andi Bejtja: Unë po të them, pallati në Thumanë duhej rrethuar, kavalishenca duhej rrethuar… çfarë po flet mor burrë?

Alfred Peza: Ma lër më ma lër, tani 3 herë…

Andi Bejtja: Tani të dëgjoj gjithë ditën propagandën…

Alfred Peza: E thamë që në fillim që nuk jemi dakord, po ma lër ta them sipas mënyrës time dhe ta ndajë opinioni.

Andi Bejtja: Ore ti mund të thuash edhe që Fevziu ka flokë, po s’ka flokë.

Alfred Peza: Tani për sa i përket përgjegjësive mund të shikoni që Prokurori i ri i Përgjithshëm, sipas asaj që unë e lexova, dha një mesazh sepse njerëzit kanë nevojë për këtë mesazh, që do mbajnë përgjegjësi dhe ai dha garancinë që do t’i shkohet deri në fund, do të ketë përgjegjës direkt me emër dhe mbiemër.

Andi Bejtja: O Fevzi ti hape temë tjetër, ai flet tjetër.

Akuzat e prokurorisë, Salianji: Janë thashetheme

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji i konsideroi si thashetheme akuzat e Prokurorisë ndaj tij në lidhje me çështjen “Babale”. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai deklaroi se prokuroria e akuzon se ka vendosur në shërbim SHISH dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëmtuar qeverinë.

“Prokuroria thotë që ia kam dhënë “Babales”, por nuk ia kam dhënë këtij tjetrit, Alizotit ishin 400. Pra unë i kam marrë njërit, por meqenëse kam 200 mijë euro të pajustifikuara dhe i ka marrë një njeri nga bota e krimit, e kuptoni ça institucioni? Në të gjithë pretencën, që ka prokuroria janë vetëm thashetheme që unë kam vendosur në shërbim edhe Shërbimin Shtetëror edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të gjitha këto për të dëmtuar qeverinë thotë. Unë qeverinë dua ta dëmtoj gjithë ditën, por nuk jam unë ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj”, tha Salianji i cili shtoi se fillimisht duhej mbyllur hetimi për trafik narkotikësh dhe pastaj të kalonte në hetim tjetër. Sipas tij prokuroria në mënyrë të qëllimshme personazhin kryesor, Agron Xhafajn e la që të largohej.

“Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me 3 persona që nuk i kam takuar kurrë. Nuk kam takuar kurrë Fredi Alizotin. Nuk kam asnjë kontakt me të”, tha ai.

Sipas Salianjit, prokuroria ka bërë të njëjtën pretencë fjalë për fjalë si Edi Rama.

“Ju e mbani mend që ka thënë që kam një akt ekspertim. E ka bërë në të njëjtën linjë logjike që ka qenë komplot shtetëror i PD, prokurorisë dhe SHISH në dëm të qeverisë”.

Ish-deputeti solli detaje edhe rreth Alfred Alizotit, personazh i përfshirë në këtë çështje. Salianji deklaroi se ai ka 30 kontakte telefonike me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Ky Alizoti në përgjime i thotë mamasë që më jep 3 mijë lekë që të vij në Tiranë. S’ka 3 mijë lekë të vjetra në përgjime. Pastaj ka lekë pafund vendos në shërbim drejtorin e policisë së fierit, nëndrejtorin e policisë, drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ky person që unë i kam premtuar 200 mijë euro që nuk e dëgjova në gjyq të thotë që nuk ia kam premtuar kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ky personi ka nja 30 kontakte telefonike me Taulant Ballën”.

Materiali audio i Agron Xhafajt, i dërguar për ekspertim sipas Salianjit, nuk është dërguar në mënyrë ligjore pasi është marrë një material i dërguar nga avokati i tij që të mos nxirreshin audiot 100% të ngjashme.

“Prokuroria nuk ka çuar zërin që ka marrë me ekspert. Dokumenti që ka çuar prokuroria, apo materiali që ka çuar në Britani ka çuar një material që ka sjellë avokati Geron Xhafajt, Ardian Visha. Nuk ka çuar materialin sipas ligjit. Sepse kur merret materiali në forma të ndryshme e nxirrte të ngjashëm 100%, këta kanë çuar një material të dobët. Ashtu sikurse kanë bërë hilen tjetër. Nuk kanë çuar materialin bruto”, tha Salianji.

Salianji: Alizoti, i dënuar 5 herë dhe shërbyes i policisë

Sipas ish-deputetit Ervin Salianji, prova e vetme që ka prokuroria ndaj tij është Alfred Alizoti. Ish-deputeti u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se nuk ka pasur asnjëherë kontakt me këtë person.

Ai solli këtë të enjte disa detaje të tjera rreth Alizotit, për të cilin prokuroria në pretencë kërkon ndaj tij 3 vite burg.  Sipas Salianjit, Alizoti është dënuar më parë për vepra të ndryshme penale dhe është informator i Policisë së Shtetit.

“Prova kryesore është Alfred Alizoti i arrestuar 5 herë më parë dhe shërbyes, informator i Policisë së Shtetit. Ka pesë dënime të ndryshme. Për mashtrim siç po mashtron tani, për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe trafik droge. Është dënuar nga 91-shi deri më sot. Është njeri problematik. Këta kanë gjetur një njeri që siç thoshte 200 mijë euro për mua thoshte edhe për Taulant Ballën dhe Ard Veliun. Pse ky person qenka i besueshëm kur thotë një budallallëk për mua dhe nuk qenka i besueshëm kur thotë për ata të tjerët. Këtu është ngritur akuza. Edhe diktatura kur ngrinte akuza kërkonte dy dëshmitarë. Këta kanë një dëshmitar të diskretituar”, tha Salianji. /tvklan.al