Të ftuar në Opinion: Artan Shkreli, Mentor Kikia, Andi Qosja dhe Bledian Koka. Në lidhje direkte Klevis Balliu.

Gazetari tregon si ndodhi përplasja tek Astiri

Mëngjesi i së martës u shoqërua me tensione mes banorëve të Unazës së Re dhe policisë. Banorët iu përgjigjën me molotov dhe gurë punonjësve të IKMT që nisën shembjen e objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ndërkohë policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Gazetari Andi Qosja tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se si ndodhi përplasja. Ai u shpreh se kanë qenë rreth 200 banorë që kanë qëndruar kundër autoriteteve.

Ndërkohë solli në pah edhe një detaj. Për shkak se një pjesë e banorëve janë njoftuar vetëm në momentet e fundit, ata nuk kanë mundur të largojnë sendet që kanë pasur në shtëpitë, tashmë të shkatërruara.

“Një pjesë e policëve kanë qenë në pikat hyrëse dhe dalëse të rrugëve. Qarkullimi ishte i bllokuar dhe një pjesë e mirë e drejtuesve të mjeteve mbetën të bllokuar në trafik. Qëndresa fillimisht ka ndodhur në këtë vend. Kanë qenë më shumë se 150 rreth 200 banorë që prej së hënës kishin paralajmëruar se do qëndronin aty në pritje të forcave të rendit.

Sipas IKMT sot janë shembur 33 banesa. Gjatë aksionit vlen për t’u përmendur se këto banesa, një pjesë e mirë e banorëve ishin njoftuar ishin njoftuar vetëm në momentet e fundit. Një pjesë e tyre janë ende në proces legalizimi. Shumë sende dhe orendi të tyre kanë mbetur brenda objekteve që janë shembur nga IKMT dhe nuk kanë pasur kohë për t’u zhvendosur apo për t’u larguar në banesa të tjera”, tha Qosja.

Sipas tij janë parashikuar të prishen rreth 330 banesa për shkak se preke nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Deri në orën 18:00 të kësaj të marte, IKMT shembi rreth 33 banesa.

Shkreli: Aksioni për Unazën do të vazhdojë, do prishen rreth 250 ndërtesa

Aksioni për prishjen e objekteve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re do të vijojë. Zv/Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli tha këtë të martë në “Opinion” se aksioni i sotëm ishte vetëm për lotin e parë të Unazës, ndërsa puna për lotin e dytë dhe të tretë nuk ka nisur ende. Shkreli tha se në total janë rreth 250 objekte që do të prishen. Zv/Ministri u shpreh se qeveria është e bindur për ta vazhduar këtë betejë, pasi duhet t’i përgjigjet detyrimeve që ka ndaj qytetarëve.

Blendi Fevziu: Sa banesa u prishën dhe sa prej tyre ishin dakordësuar të prisheshin?

Artan Shkreli: 33 objekte, sepse nuk janë të gjitha banesa. Kjo ishte një pjesë e atyre që u bënë sot, nga të cilat pjesa më e madhe ishin dakordësuar për prishje. 21 prej këtyre ishin të shpronësuara, nga të cilët syresh i kanë marrë paratë, kurse pjesa tjetër është në procesin e plotësimit të dokumentacionit. 12 të tjerët janë skualifikuar nga ALUIZNI, nuk përfitojnë legalizim.

Blendi Fevziu: Sa do të shemben akoma në vijim të aksionit dhe si do të vazhdojë aksioni?

Artan Shkreli: Aksioni do të vazhdojë dora dorës. Domethënë fillimisht është Loti Nr 1, i cili është rrethrrotullimi Shqiponja, deri tek Lana, pak a shumë, që është dhe pjesa e cila bën dhe bllokimin më të madh të hyrjes dhe daljes nga Tirana nga njëra anë dhe lidhjen me unazën ekzistuese të jashtme. Ajo që po mendohet tani është lehtësimi sa më tepër i trafikut që lidh Tiranën me Durrësin dhe pjesën tjetër të Shqipërisë dhe pastaj do të vazhdohet me dy lotet e tjera, që për momentin nuk ka filluar puna.

Blendi Fevziu: Që i bie rreth 300 shtëpi?

Artan Shkreli: Jo, i bie rreth 240-250 maksimumi.

Blendi Fevziu: Sa prej këtyre janë të legalizuara që paguhen dhe sa janë që nuk kanë dokumente?

Artan Shkreli: Rreth 140 janë që paguhen, shpronësohen.

Blendi Fevziu: Dhe rreth 100 do shemben pa shpronësim?

Artan Shkreli: Nuk e di si do të shkojë procesi i tyre, sepse dokumentacione nuk kanë paraqitur një pjesë e madhe, pavarësisht se kanë kaluar termat kohorë, sepse nuk kanë pranuar të paraqesin dokumentacion. Dhe kur nuk paraqet dokumentacion, nuk përfiton legalizim.

Blendi Fevziu: A është qeveria e bindur ta vazhdojë këtë betejë?

Artan Shkreli: Natyrisht, qeveria është në plotësim të detyrave të veta kushtetuese dhe ligjore për të zhbllokuar Tiranën.

Blendi Fevziu: A mund të vazhdojë punimet dhe a mund të kontrollojë qeveria që i gjithë ky proces i shembjes dhe ndërtimit të Unazës së Re të vazhdojë me forca speciale të FNSH dhe me qindra policë?

Artan Shkreli: Po natyrisht. Qeveria duhet t’i përgjigjet detyrimeve ndaj qytetarëve. 

Përplasjet me policinë, ish-deputeti: Një person rrezikon të mos ecë më

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar këtë të martë se ka qenë policia ajo që nisi konfliktin tek Unaza e Re.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai deklaroi se policia ka hedhur gaz lotsjellës në banesa ku ndodheshin gra dhe fëmijë.

Sipas Balliut, policia ka goditur me gurë, ndërsa një person rrezikon të mos ecë më për shkak të dëmtimeve.

“Për të sqaruar disa çështje. E para të fokusohemi te dhuna që është bërë sot dhe po ju them nuk e kanë iniciuar banorët. Banorët kanë qenë brenda dhe janë hedhur nga xhamat e furgonave të policisë. Është hedhur brenda banesave të Skënder Dodës, ku ishin futur zonja, gra, fëmijë dhe qytetarë. Ia kanë hedhur gazi brenda nga xhami pa zbritur ene.

Policia i ka goditur me gurë. I ka hedhur nga tarraca. Kemi një person që rrezikon të mbetet përjetësisht me probleme me këmbët e tij që është zoti Artur Muja. I kanë thyer kockat e thembrës. Zotëria që është këtu rrezikon të ketë probleme gjithë jetën këtu. Ky zotëria është invalid dhe ja çfarë i kanë bërë Gent Allës këta. Zotëria tjetër është 70 vjeç dhe nuk e kanë iniciuar këta , por janë sulur si kriminelë, banditë dhe kush flet për ta është përfaqësues i krimit”, tha Balliu sipas të cilit, banorët e Astirit kanë kërkuar dialog. 

Angela Martini vjen me një libër: Diçka që më prek shpirtin

Angela Martini është një prej modeleve më të njohura shqiptare. Prej vitesh ajo është larguar nga Shqipëria dhe ka vazhduar karrierën e saj në Amerikë.

Së fundmi, Angela ka shkruajtur një libër të ri të quajtur “Dashuri, shpresë, dritë”. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Angela Martini ka rrëfyer sesi lindi ideja për të shkruajtur librin.

Angela Martini: Për mua nuk është komplet biografia e jetës deri tani. Është biografia kur kam qenë unë e vogël. Për jetën time dhe mamin tim.

Blendi Fevziu: Është për jetën tuaj midis Shkodrës dhe Zvicrës dhe historisë së mamasë dhe babit të cilët u divorcuan në një moment të jetës së tyre kur ju ishit e vogël dhe ju mundoheshit të gjenit ekuilibrin mes të dyve. Unë që e kam lexuar e di që është një histori tipike shqiptare e atyre viteve. E vuajtjve e sakrificave, mbi të gjitha e të gjithë atyre investimeve që prindërit bënin për fëmijët e tyre. Kur e lexon duket gati-gati e pabesueshme. Nga lindi ideja për librin.

Angela Martini: Lindi ideja që unë nuk doja të bëhesha modele më dhe doja të bëja diçka që më prek mua shpirtin ose njerëzve. Diçka që mundem të lë shenjë time në këtë botë. Më erdhi ideja për librin.

Blendi Fevziu: Edhe sepse duket sikur në libër më shumë protagoniste është mamaja e juaj sesa ju.

Angela Martini: Po, por unë e shkruaj prej syve të mi si e kam parë unë jetën e nënës time dhe çfarë kam mësuar unë nga nëna ime.

Blendi Fevziu: A është e vështirë të shkruash një libër mes nënës dhe babait?

Angela Martini: Nuk është e vështirë nëse shkruan të vërtetën.

“Njerka nuk më donte, babai s’më besonte”

Modelja e njohur, Angela Martini, ka shkruar një libër të quajtur “Dashuri, shpresë, dritë”. Ajo që nga mosha 10-vjeçare është shkëputur nga Shqipëria dhe fillimisht ka jetuar në Zvicër.

Angela Martini rrëfeu në “Opinion” në Tv Klan se njerka nuk e donte. Këtë gjë ajo e ka mbajtur të fshehtë për vite me radhë pasi edhe babai nuk e besonte.

“Njerka nuk më donte. Jo vetëm tek ngrohtësia, por mashtrimet, shpikjet. Babai nuk më besonte në fillim edhe atëherë unë e lashë këtë punë dhe e kam mbajtur sekret derisa jam bërë 18 vjeçe derisa ja tregova nënës sime”, tha Angela.

Angela ka treguar se lëvizja nga Shkodra për në Zvicër ka qenë një nga gjërat më të vështira që ka përjetuar në jetën e saj. 

/tvklan.al