Si u vendos fati i Berishës në krye të PD-së, Ceka: Nuk kishte zgjidhje tjetër

Neritan Ceka ka bërë një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” këtë të mërkurë.

Ai ka treguar se si u zgjodh në krye të PD-së, Sali Berisha dhe se si së bashku me Preç Zogajn kanë qenë dy personat që kanë vendosur fatin e drejtuesit të PD-së asokohe.

Sipas Cekës, nuk kishte zgjedhje tjetër përveç Berishës atëherë dhe vendimin e mori pa e ditur se ç’pasoja do të kishte më vonë.

“E vendosa pa i thënë njeriu. Votova dhe bëra njëfarë kështu. Thashë, shiko ne do votojmë po gjithë bota e di që është Sali Berisha para se të votohej. Preçi nuk e tha. Thashë një të vërtetë pa e ditur se ç’pasoja do kishte kjo zgjedhje. Në atë kohë nuk kishte zgjedhje të tjera”, tha Ceka.

Takimi në mesnatë me kundërshtarin e fortë politik dhe shtrëngimi i duarve që nuk u pa kurrë

Neritan Ceka, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, në “Opinion”, kujton takimin në vitin e vështirë të 1997-s me Presidentin e asaj kohe, Sali Berisha. Ndonëse ishin kundërshtarë të fortë politikë, Ceka e kujton kështu bisedën me të:

“Mu drejtua, siç e ka, Neritan, Preç ju kam sulmue, por e kam bërë për lojë politike. I thashë ore doktor, i lemë këto hyrje sepse po na ikën vendi, nuk kam hall tjetër. Unë nuk e kam ndërmend të iki nga Shqipëria prandaj hajde të gjejmë një zgjidhje si do dalim. Tha mirë. U ulëm dhe biseduam. I thashë pa zgjedhje të parakohshme nuk ka rrugëdalje, do bëjmë zgjedhje të parakohshme, të vijë një qeveri tjetër dhe gjejmë një rrugëdalje, sepse vetvetiu ulen tensionet. 4 ditë përpara ai ishte rizgjedhur president. Tha mirë…”, tregon ndër të tjera Ceka.

Ai kujton më tej se marrëveshja mes partive politike u arrit pas disa ditësh. Ceka tregon gjithashtu edhe për momentin kur i dha dorën Berishës para kamerës, por kjo nuk u dokumentua kurrë sepse nuk kishte kasetë.

“Ka një moment historik që unë i kam dhënë dorën, përpara kameras, por për fat kamera nuk kishte më kasetë… dhe nuk e filmoi momentin që unë i dhashë dorën dhe thashë Doktor hajde të bëjmë Shqipërinë”.

Ceka: Rama, çdo ditë në kërkim të belasë

Neritan Ceka zhvilloi një intervistë ndryshe mbrëmjen e kësaj të mërkure, ku dha një rrëfim të jetës së tij gjatë gjithë viteve si në politikë, po ashtu edhe në profesionin e tij si arkeolog.

Gjatë emisionit “Opinion”, Ceka u pyet edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se raportet me të janë indiferente ndërsa shtoi se po të merresh me të, të gjen belaja.

Neritan Ceka: Imagjino ti që vjen dhe kësaj i thonë ‘hajde baba trego’ mungesën e respektit që ka një establishment politik që ka ardhur tani. Këta mendojnë që janë Skënderbeu, se këta vijnë për herë të parë, Para këtyre s’ka pasur asnjeri!

Blendi Fevziu: Çfarë raporti ke me Ramën?

Neritan Ceka: Me Ramën? Krejt indiferent. Është një njeri që s’ke pse merresh me të se e gjen vetë belanë. Çdo ditë në kërkim të belasë, duke filluar edhe nga ndryshimi i orareve. Pse duhet ta bënte? Se i bën ai. Blendi, politikani prandaj na thuhet një njeri i thjeshtë.

Ceka: Nano bënte për çerek ore, atë që Berisha e bënte për një vit…

I ka njohur të dy nga afër dhe mes Sali Berishës e Fatos Nanos, Neritan Ceka veçon këtë të fundit.

“Si vizionar ka qenë padyshim Nano. Nano me një çerek ore bënte atë që Berisha e bënte për një vit, e që se bëri dot. Pra, shkonte në zyrë, se unë kam qenë Ministri i tij, i bije telefonit nga ora 8 e gjysmë, në 9, nuk ishte, në 10, në 11 nuk ishte. I bije në 2  e gjysmë, thoshte sekretarja erdhi dhe iku. Pra në atë gjysmë orë që rrinte në zyrë, bëri reformën e privatizimit, në mënyrë më të suksesshme për rrëmujën e Shqipërisë, bëri reformën e arsimit, shkollat private, bankat private, i krijoi ai. Bëri TV, ja këtu jemi për shkak të Nanos. Mediat i mbajti në xhepin e xhaketës doktori dhe i vetmi që i nxori dhe i bëri media europiane, ishte Nano”, tha Ceka në një intervistë në emisionin “Opinion”./tvklan.al