Opinion| Seriali Berisha-Basha, episodi opinioni i selisë!




Opinion| Seriali Berisha-Basha, episodi opinioni i selisë!

Autori: Blendi Fevziu

20:52 13/01/2022

Të ftuar: Gazmend Bardhi përballë gazetarëve Klodiana Lala, Enton Abilekaj, Artan Hoxha dhe Andi Tela.

3 kulla në truallin e PD/ Fevziu: Kam konfirmim zyrtar nga bashkia; Bardhi: Nuk kemi informacion

Në truallin ku ndodhet selia qëndrore e Partisë Demokratike ka një projekt për ndërtimin e 3 kullave. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan Blendi Fevziu, i cili tha se ka marrë konfirmim nga Bashkia e Tiranës.

Sipas tij projekti është dërguar në bashki nga vetë pronarët e tokës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ftuar në Opinion, mohoi që të ketë dijeni dhe deklaroi se Partia Demokratike nuk ka asnjë informacion për projektin e kullave.

Blendi Fevziu: Është një çështje që ka qarkulluar së fundmi që lidhet me një projekt për ndërtimin në zonën ku është Partia Demokratike, por jo vetëm PD. Unë kam dosjen e plotë, nuk kam vetëm një fotografi, kam arritur ta siguroj sot, kam bërë një konfirmim me Bashkinë e Tiranës që pretendon që ky projekt ndodhet prej disa muajsh në Bashkinë e Tiranës, i dërguar nga pronarët që kërkon të ndërtojë 3 kulla, quhen kullat e lirisë. Kam konfirmim zyrtar dhe po ta them tani që ky projekt ka shkuar në bashki. Keni ju të dhëna për këtë projekt?

Gazment Bardhi: Zero të dhëna deri ditën kur u përdor si mashtrim publik nga z.Berisha që akuzonte PD që do ndërtonte kulla. Kemi zero informacion. Ju nxisim të verifikoni kush është porositësi i këtij projekti dhe në çfarë faze ndodhet. Selia e PD do vijojë të qëndrojë seli qëndrore e PD.  

Blendi Fevziu: Koha e projektimit është 2018-2021, bëhet fjalë për 82,000 m2 në qendër të Tiranës. Prej 1 viti ka mbërritur në bashki. Projekti është që në 2018-ën, kush investon për një projekt qindra-mijëra dollarë kur është i bindur që Partia Demokratike nuk do tërhiqej prej aty? Dhe mbi të gjitha mban edhe emrin “Kullat e Lirisë”, si “Shtëpia e Lirisë” siç quhet selia e PD.

Gazment Bardhi: Do të duhet të pyesni Erion Veliajn dhe Sali Berishën. Unë kam zero informacion për këtë çështje. Partia Demokratike ka zero informacion, nisur nga fakti që ky qenka një projekt që ndodhet në Bashkinë e Tiranës, sipas asaj që ju pohoni dhe fakti që në një ditë të zezë për Sali Berishën nxirret në publik.

Blendi Fevziu: Nënkryetari i Bashkisë më thonë tani se ka thënë se projekti është në Bashki dhe ka kushtuar 1.4 milionë Euro. Unë e dija 680,000 por mesa duket kam gabuar. Në këtë zonë është fshehur edhe një qendër tregtare që i bashkangjitej xhamisë që në vitin 2014-të u hoq nga kryeministri Rama.

Gazmend Bardhi: Që është firmosur nga Sali Berisha.

Blendi Fevziu: Dhe Lulzim Basha, të dy bashkë.

Gazmend Bardhi: Nga Sali Berisha, sepse është me leje ndërtimi në atë zonë i shkon Këshillit të Rregullimit të Territorit që drejtohet nga Kryeministri.

Blendi Fevziu: Pasi përcillet nga Bashkia. 

Protesta e PD, Gazment Bardhi: Policinë e telefonova në orën 12:27

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se gjatë protestës së 8 Janarit 2022, ka njoftuar policinë në orën 12:27 për të ndërhyrë në selinë blu.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi u shpreh se atij i ishte lënë si pikë kontakti zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Policia një ditë përpara protestës i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike një letër zyrtare ku i thotë nesër një grup qytetarësh kanë thirrur një protestë. Për çdo çështje që lidhet me zhvillimet në protestë pika e kontaktit në polici është zv/drejtori në Policinë e Shtetit. Në momentin që protesta është kthyer në një protestë masive dhune, në orën 12:27 kam telefonuar zv/drejtorin”, u shpreh Bardhi.

Protesta e 8 Janarit, Bardhi: Në selinë e PD ishte 1 nga 6 drejtorët më të rëndësishëm të Gardës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka treguar sot versionin e tij të ngjarjeve të datës 8 Janar, kur në selinë e PD u zhvillua protestë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi hodhi akuza kundër policisë duke thënë se është vonuar për të ndërhyrë. Ai thotë se ka folur me disa zyrtarë të lartë të policisë dhe i ishte thënë se duhet të bënte kërkesë më shkrim dhe jo me telefon.

Numri 2 i PD ka treguar se ditën e protestës në selinë e PD ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës, i cili ishte për të mbrojtur Lulzim Bashën.

Kam njoftuar zv drejtorin e Policisë, e kam telefonuar dhe mbi bazën e kërkesës të disa kolegëve i kam kërkuar që të ndërhynte. Ai ma tha se po njoftonte dhe policia po mbërrinte. Njëkohësisht në seli me mua ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës. Ishte drejtori i mbrojtjes së personaliteteve. Po ashtu dhe drejtori i Gardës njoftoi policinë.

Kam ritelefonuar pas 10 minutash, më pas kam marrë drejtorin e Policisë së Shtetit 4 herë dhe pasi kishin mashtruar delegacionet ndërkombëtar… Pasi kam telefonuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, më ka kërkuar që të dërgojë shkresë zyrtare. E kam njoftuar me mesazh dhe kemi bërë njoftim publik. Më pas ka ndërhyrë policia e shtetit”, tha ai.

 Për sa i përket ndërhyrjes së policisë, Bardhi u shpreh se ka qenë brutale, pasi personat që kanë qenë brenda selisë janë rrezikuar nga gazi lotsjellës.

Së pari policia ishte e vonuar dhe ndërhyrja ishte brutale dhe ka rrezikuar jetën jo vetëm që ata ishin jashtë, por dhe ata që ishin brenda godinës. Ne që ishim brenda nuk dinim ku të shkonim, pasi kishte shumë gaz”, shtoi numri 2 i PD.

Përse mban bodigardë? Gazment Bardhi: Kryejnë shërbime pranë meje

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është pyetur nëse ka të punësuar truproja.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi tha se ka punonjës të cilët kryejnë shërbime pranë tij.

Kam punonjës të cilët kryejnë shërbime pranë meje. Është shoferi im, janë punonjës që ushtrojnë detyrën e tyre pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike”, tha Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi tregon çfarë ndodhi në selinë e PD pasi u shpërnda protesta

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka treguar se çfarë ka ndodhur pas protestës së 8 Janarit në selinë e PD.

Numri 2 i PD tha pas protestës prokurorët kanë kontrolluar çdo ambient brenda selisë dhe janë pyetur të gjithë personat përveç deputetëve.

Brenda selisë së PD ishin punonjës të Gardës dhe kanë qenë të pajisur me pajisje të ndryshme. Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e çdo ambienti, kanë hyrë dhe në zyrën e deputetëve dhe tualetet e brendshme. Prokuroria ka pohuar se brenda selisë së PD pse përveç materialeve që posedoheshin nga Garda nuk ka pasur asnjë lëndë e jashtëligjshme.

Çdo person që ka qenë brenda selisë së PD, përveç deputetëve, i janë nënshtruar një kontrolli fizik dhe u janë marrë në pyetje duke treguar emër, atësi, mbiemër dhe numrin e kartës së identitetit”, tha ai.

Më tej Bardhi ka pranuar se brenda selisë së PD ditën e protestës kanë qenë dhe anëtarë të partisë, përveç zyrtarëve të lartë.

Gazment Bardhi: Kishim informacione se godina e PD do të përfshihej nga flakët në 8 Janar

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” se ditën e protestës së 8 Janarit ka pasur informacion se godina mund të përfshihej në flakë.

Ka pasur një informacion se godina mund të përfshihej në flakë, ka pasur informacione të besueshme se mund t’i vihej flaka godinës”, tha Bardhi.

Më tej numri dy i PD shtoi se personat që kanë përdoret fikëset e zjarrit nuk kanë qenë të trajnuar për ta bërë një gjë të tillë.

Gazment Bardhi: Nuk ka patur përgatitje apo mendim se do të përdoreshin fikëset e zjarrit. Nuk kishte një mendim që do të përdoreshin fikëset e zjarrit. Bombolat e zjarrit janë përdorur në mënyrë spontane. Atë ditë kishte më shumë fikëse zjarri se kishte informacione se mund të kishte zjarrvënie.

Momenti që dera goditej, njerëzit që ishin në katin e dytë perceptonin se nga momenti në moment mund të shembej, sepse godina është e madhe pa kolona mbajtëse. Sallat janë shumë të mëdha dhe kishte një tundje saqë ne nga momenti në moment shikonim njëri tjetrin dhe gjykonim që për 1 minutë, 30 sekonda dyshemeja e sallës ku ne ishim mund të shembej nga momenti në moment.

Gazment Bardhi akuzon Agron Kuliçajn dhe Tonin Vocajn, zyrtarët e policisë reagojnë në Opinion: Gati të ballafaqohemi

“Me një skenar të parapërgatitur nga segmente të caktuara nga brenda Policisë së Shtetit me në krye Tonin Vocajn, një lidhje e vjetër miqësie dhe po të doni kriminale e ish-zyrtarëve të lartë të korruptuar. Përpara se të ndërtonin këtë skenar, ne kishim dijeninë e plotë që Tonin Vocaj së bashku me ish-zëvendës drejtorin e Policisë së Shtetit Agron Kuliçajn po ndërtonin një skenar për të inkriminuar zyrtarët e PD”.

Kjo deklaratë e në emisionin Opinion e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka nxitur reagimin e ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj dhe drejtorit aktual të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.

Kuliçaj reagoi duke i kërkuar drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu se është gati të ballafaqohet me Bardhin, por ky i fundit nuk ka pranuar.

Po kështu, reagoi edhe drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj duke kërkuar ballafaqim.

Por Gazment Bardhi refuzoi që të replikonte më të, duke thënë se Tonin Vocaj do të ballafaqohet me drejtësinë dhe e akuzoi për prishje provash në vendngjarje dhe inskenim të akteve kriminale.

Blendi Fevziu: Tonin Voci më kërkon të ballafaqohet me ju z. Bardhi, jeni i gatshëm ta bëni?

Gazment Bardhi: Tonin Voci do ballafaqohet me ligjin dhe unë e garantoj personalisht…

Blendi Fevziu: Është i gatshëm të ballafaqohet tani me ju.

Gazment Bardhi: E garantoj personalisht që do të përballet me ligjin. Kaq është përgjigjia ime për të. Nuk ul unë nivelin për të diskutuar me një person që është faktuar më shumë se një herë që i shërben krimit, inskenon akte kriminale për të fajësuar njerëz të pafajshëm si dhe prish provat. Ai zyrtar policie….

Blendi Fevziu: Çfarë prove prishi?

Gazment Bardhi: Në më shumë se sa një rast.

Blendi Fevziu: Në raste të mëparshme thua?

Gazment Bardhi: Dhe unë e garantoj publikisht që do të përballet me ligjin. Ai është një kriminel brenda Policisë së Shtetit që është përpjekur…

Klodiana Lala: Denoncojeni dhe nxirrni raste publike sepse nesër mund ta bëni për gjithësecilin zyrtar policie dhe qytetar të thjesht.

Gazment Bardhi: S’po e bëj për çdo zyrtar. Mund të kisha akuzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk po e akuzoj.

Akuzat e Bardhit, Policia e Shtetit: Hedhim poshtë çdo aludim, kemi ndërhyrë në kohë për protestën

Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të Gazment Bardhit në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Policia në një njoftim për mediat sqaron se ka ndërhyrë konform ligjit në protestën e PD dhe hedhin poshtë akuzat e bëra nga Bardhi.

Reagimi i plotë:

Policia e Shtetit referuar deklaratave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi gjatë emisionit në Opinion në TV KLAN, sqaron dhe informon opinionin publik dhe të gjithë ata që janë të interesuar se:

Reagimi për ndërhyrjen gjatë protestës së ndodhur në datën 8 janar, është bërë konform ligjit dhe rregullave që përcaktojnë qartësisht detyrat e Policisë së Shtetit dhe rastet se kur  ndërhyhet në ambientet e një selie të një partie politike.

Hedhim poshtë çdo akuzë, aludim apo insinuatë të shprehur gjatë këtij emisioni, dhe jo vetëm për implikime të zyrtarëve të Policisë në skenarë akte dhune gjatë protestës dhe menaxhimit të gjithë situatës.

Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë me vonesë, por ka kryer detyrat e saj bazuar në aktet ligjore e nënligjore dhe ka menaxhuar me profesionalizëm e paanshmëri protestën e datës 8 janar 2022.

Keqardhje për zëra të pavërtetë dhe dashakeqës ndaj punës së Policisë, e cila edhe për masat e marra në protestën e datës 8 Janar ka marrë vlerësimet maksimale nga OSBE dhe organizma e partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Bardhi akuza zyrtarit të policisë: I shërben krimit; reagon Tonin Vocaj: Kallëzim penal për shpifje

Drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj ka reaguar për herë të dytë pas akuzave që ka bërë në Opinion Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Ky i fundit e akuzoi Vocajn si person që “i shërben krimit”, që “prish provat” dhe që “inskenon ngjarje kriminale”.

Pas këtyre akuzave, Tonin Vocaj ndërhyri në emisionin Opinion për herë të dytë duke paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal për shpifje ndaj Gazment Bardhit.

Blendi Fevziu: Tonin Vocaj thotë: Deklaratë personale në emër tij. Lidhur me deklaratat e z.Gazment Bardhi në emisionin Opinion, hedh poshtë me neveri të gjitha shpifjet dhe akuzat që hedhin baltë mbi figurën time dhe atë të Policisë së Shtetit. Kam 40 vite pa ndërprerje që jam pjesë e Policisë së Shtetit dhe gjatë gjithë karrierës time nuk kam qenë asnjëherë pjesë e inskenimeve dhe manipulimit të provave, por kam ushtruar detyrën time me devotshmëri dhe përgjegjshmëri vetëm në zbatim të ligjit. Pas këtyre akuzave jam duke konsideruar me seriozitet një kallëzim penal për shpifje ndaj z.Bardhi.

Gazment Bardhi: Pushka top. Nga nesër, të gjitha informacionet që i janë dërguar partnerëve ndërkombëtar për një kriminel që është në krye, e përsëris, është kriminel, është një njeri që ka tentuar të inskenojë ngjarje të pavërteta për të implikuar individë të pafajshëm në ngjarje të sajuara prej tij. Ka qenë personi që personalisht ka mbajtur 11 zyrtarë të PD me urdhra ndalimi të paligjshëm të Policisë së Shtetit. E dini pse? Kanë lagur me ujë protestuesit. Për këtë kanë qëndruar anëtarë të Këshillit Kombëtar 72 orë. Ka gjuajtur me bidon thotë. Urdhrin për t’i mbajtur 72 orë në qeli anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD dhe zyrtarë të tjerë të PD e ka dhënë personalisht ky person që unë po flas dhe Prokuroria ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm.

Gazment Bardhi kundër Lulzim Bashës: Nuk jam dakord që kemi 99.5% të votave

Gjatë debatit të brendshëm në Partinë Demokratike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ky i fundit ka deklaruar pak kohë më parë se ka 99.5% të votave të anëtarësisë.

Por nuk mendon kështu Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan u shpreh se deklarata e Lulzim Bashës ishte bërë për t’ju përgjigjur pretendimeve të palës tjetër.

Blendi Fevziu: Je dhe ti dakord siç deklaron dhe Lulzim Basha që Basha, ju dhe mbështetësit e tij keni 99.5% të Partisë Demokratike?

Gazment Bardhi: 
Jo nuk jam dakord. Por sigurisht që dhe ju e kuptoni që ajo deklaratë e kryetarit të partisë ka qenë deklaratë për t’iu përgjigjur një kakofonie shifrash që thuheshin nga mëngjesi deri në darkë. Kryetari i partisë është votëbesuar nga anëtarët e partisë jo më larg se 6 muaj më parë nëse s’gaboj me më shumë se 80% të votave.  /tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:52 13/01/2022