“Ah more profesor je mbrapa, rruga për t’u pasuruar është politika”, Plasari tregon historinë me…

Historiani Aurel Plasari ka qenë këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, në një rrëfim ndryshe mbi jetën e tij dhe për historinë e Shqipërisë.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, lidhur me atë që mund të konsiderohej si defekti më i madh i shoqërisë shqiptare gjatë këtyre 30 viteve, Plasari tha se në grupin e politikanëve është marrja përsipër e punëve për të cilat nuk janë të zotë dhe nuk janë ekspertë.

“Kurse këtu vijuan me këmbëngulje, siç vijojnë edhe sot. Edhe unë nuk kam dashur ta besoj për çfarë vijojnë një kategori dhe jam tronditur kur e kam dëgjuar nga njëri prej tyre, deputet politikan; ishim jashtë në një udhëtim dhe unë po pyesja çfarë e keni këtë kështu, si Noli, me thonj, me dhëmbë me kthetra? Dhe më thotë njëri: Je mbrapa profesor, se ti nuk e di që rruga më e mirë për t’u pasuruar është politika.

Kjo nuk është një shpikje shqiptari, por në botën demokratike ky është një anormalitet, kurse të praktikohet e të thuhet…domethënë më bëjnë mua budalla, që nuk e kuptoja…. Tashmë mbasi kam dëgjuar atë tezë jam në gjendje t’i gjykoj; grupimin politika, klasën politike, zhganin politik. Sigurisht ka njerëz që kanë hyrë për ideale, por janë shumë të dallueshëm sepse në një moment të caktuar thonë: po largohem. Ndërsa i dalloj ata që me thonj e me dhëmbë nuk largohen”, tha Plasari.

Aurel Plasari për Edi Ramën: Dikur ishte person i këndshëm, sot e shoh ndryshe

Historiani Aurel Plasari thotë se Edi Ramën e ka njohuar vite më parë kur ka mbajtur detyrën e ministrit të Kulturës.

Në një rrëfim ndryshe në emisionin Opinion në Tv Klan, Aurel Plasari thotë se dikur Rama ka qenë person dashamirës dhe i këndshëm.

Ndërsa sot, sipas tij, Kryeministri Rama është një person tjetër.

E kam njohur në një udhëtim jashtë. Një person i këndshëm, dashamirës. Nuk ishim në shkollë bashkë. Njohja ka ndodhur kur kam bashkëpunuar në kohën kur ka qenë ministër i Kulturës. Kam pasur mendimin që detyrën e një ministri Kulture mund ta bënte edhe me ekstravagancën e tij. Ishte një njeri me të cilin mund të debatoje. Sot unë e shoh ndryshe në shumë situata. Por jam kufizuar të bëj ato kritika që kam menduar që lidhen me fushën time siç ka qenë kauza e teatrit. Por kam menduar që nuk më takon mua t’i bëj kritikën totale. Kritikën totale le t’ia bëjnë ata që janë në konkurrencë politike me të”, u shpreh Aurel Plasari.

Aurel Plasari: PD të riorganizohet ose të mbyllë “dyqanin”

Historiani Aurel Plasari mendon se Partia Demokratike duhet të riorganizohet dhe të krijojë programe të reja alternative për të fituar pushtetin.

Në një rrëfim ndryshe në emisionin Opinion në Tv Klan, Plasari tha se nëse PD nuk arrin të riorganizohet, atëherë do të humbasë lidhjen me pushtetin dhe do të konsiderohet që e ka kryer misionin dhe duhet të “mbyllë dyqanin”.

Blendi Fevziu: A është në një moment delikat Partia Demokratike, duke pasur parasysh që të djathtat dhe të krejt Lindjes u zhbënë dhe u riorganizuan.

Aurel Plasari: Unë nuk jam anëtar i asaj partie. Mendoj që ka nevoja të ngutshme të një riorganizimi, të një platforme të re, të një programi të ri, jo thjesht të konkurrencave unë, ky. Nuk është çështje një individi ose katër individësh. Është çështje e një programimi të ri të asaj force ose të mbyllë dyqanin!

Blendi Fevziu: Si të mbyllë dyqanin?

Aurel Plasari: Po ka parti që e kanë kryer misionin, mbyllen.

Blendi Fevziu: Ju mendoni që po nuk u riorganizua, nuk ka shanse të tjera?

Aurel Plasari: Po patjetër!

Blendi Fevziu: Mbase i ngelet në dorë pushteti kur të lodhen njerëzit me Ramën?

Aurel Plasari: Demokracia nuk funksionon kështu që meqënëse lodhen me të, vjen ky tjetri. Nuk është ky kushti në demokraci. Në demokraci konkurrojnë programet, platformat.

Rishkrimi i historisë së Shqipërisë, Plasari: Akademisë së Shkencave i takon që të bëjë këtë gjë

Historiani Aurel Plasari është përfshirë sot në debatin për rishkrimin e historisë së Shqipërisë. I ftuar emisionin “Opinion” në Tv Klan, Plasari është shprehur se është i mendimit që historia mund të rishkruhet, pasi dalin në dritë fakte të reja dhe shikohet e shkuara ndryshe.

“Një pjesë e shqetësimit që lind sot është me tekstet që do të prodhojë Akademia e Shkencave. Unë nuk jam pjesë e atij grupi punë ne Akademinë e Shkencave, por i takon që të bëjë këtë gjë, nuk është për të bërë promovime dhe funerale.

I takon që të bëjë vepra të tilla, por nuk duhet që këto tekste të imponohen me dhunë. Në të gjithë botën ka tekste akademike dhe tekste të tjera alternative”, tha Plasari.

Sipas Plasarit duhet të ketë tekste alternativë, dhe të mos ketë vetëm një tekst që t’u imponohet të gjithëve.

“E gjithë çështja është nëse do të kërkojë shoqëria alternative, duhet parë nëse e kanë fuqinë për këtë gjë apo jo. Mua më duket se nuk e ka shoqëria fuqinë për të krijuar alternativën”, shtoi ai./tvklan.al