Opinion-Lëvizjet e fundit të Lulzim Bashës!



Opinion-Lëvizjet e fundit të Lulzim Bashës!

Autori: Blendi Fevziu

20:59 14/01/2021

Si do të shkojë opozita në zgjedhje? Basha: Së shpejti do të tregojmë taktikën

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi këtë të enjte gjatë emisionit Opinion se preferenca e selisë që ai drejton është që të shkojë me një listë të përbashkët si opozitë e bashkuar në zgjedhje. Megjithatë ai tha se janë duke u bërë diskutimet e fundit dhe shumë shpejt do të bëhet publike taktika që do të përdoret.

“Ne kemi një preferencë të vetme, të gjithë. Jemi në fund të rakordimeve tona politike për të bërë atë që është e nevojshme në nivelin taktik, atë që Edi Rama dhe PS u mundua të zhbëjë me ndryshimin hileqare të 5 Tetorit që asnjë votë të mos shkojë kot. Ne do të shfaqim shumë shpejt taktikën tonë të 1 ose dy listave”, tha Basha.

Kreu i PD-së, deklaroi se vendimi strategjik i opozitës së bashkuar është që të shkojë si koalicion në zgjedhjet e ardhshme.

“Vendimi strategjik është një koalicion opozitar, një qasje e bashkuar që të ngërthejë jo thjesht dhe vetëm energjinë dhe fuqinë e koalicionit, por edhe të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë që janë të bindur që po vjen ora për të larguar këtë qeveri”.

Basha konfirmon kandidaturën e tij për Kryeministër

Lulzim Basha, nga studio e “Opinion” konfirmoi mbrëmjen e kësaj të enjteje se do të jetë kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit. Basha tha se opozita ka matje të qarta në terren që e nxjerrin atë favorit kundrejt Kryeministrit Edi Rama.

“Pa diskutim që kandidati jam unë. Ky është një vendim i shpallur tashmë, një vendim i cili vjen jo thjeshtë e vetëm si vendim politik i koalicionit tonë, por vjen edhe si një shprehje e vullnetit të qytetarëve. Ne kemi tashmë prej më shumë se 8 muajsh matje të qarta në terren që tregojnë jo thjeshtë në kuadrin e koalicionit, por edhe në përballjen me kryeministrin në ikje, që ka një preferencë të qartë, që unë, në detyrën time sot, si kryetar i partisë më të madhe të opozitës dhe nesër si kryeministër, të marr përsipër barrën e qeverisjes së vendit”, tha Basha.

Kryedemokrati tha ndër të tjera se sfida e opozitës është të ndërtojë një projekt të mirë që realizon plotësisht potencialet e vendit për zhvillim, pa pretenduar mrekullinë. Ai shprehu bindjen se me pjesëmarrjen masive të votuesve shqiptarë më 25 Prill do të garantohet jo vetëm ndryshimi i qeverisë, por edhe një kulturë e re politike që ka në themel zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Basha: Rama e di me informacionet që ka që do të largohet me 25 Prill

Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, vetë kryeministri Edi Rama është njeriu i parë që e di se më 25 Prill do të humbë zgjedhjet dhe do të largohet nga qeverisja.

Sipas kryeopozitarit, fakti që kreu i ekzekutivit prishi marrëveshjen e 5 Qershorit, pavarësisht kostove për integrimin, si dhe informacionet që vetë Rama ka, e bëjnë atë të vetëdijshëm për ditën e ndryshimit që nis pas zgjedhjeve.

“Paniku i Edi Ramës duke e ditur që do t’i kushtonte Shqipërisë pas 7 vitesh dështime për të hapur negociatat dhe vendosmëria për ta prishur 5 Qershorin përkundër deklaratave të SHBA, BE, OSBE-së, mori përsipër për ta prishur 5 Qershorin, tregon qartë se Edi Rama është njeriu i parë i vetëdijshëm, edhe për informacionet që ka, që 25 Prilli është dita e ndryshimit të madh që nis me largimin e tij”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha ndër të tjera se marrëveshja e 5 Qershorit ishte një marrëveshje modeste.  

“Nuk ka asnjë mundësi që kjo shumicë dërrmuese që kërkon ndryshim ti mbyllet goja më 25 Prill, as me  26 Prill, as me 27 Prill. E dyta nuk ka provë më të mirë për këtë se sa sjellja e kryeministrit i cili 5 Qershorin, ndonëse ishte një marrëveshje modeste. Çfarë u arrit më 5 Qershor. Identifikimi biometrik për qytetarët jo për opozitën. Nëse konsideron një standard minimal që të mos votosh ti në emër të Lorencit, Andit dhe zonjës Milori, një fitore për mua, unë them bravo të qoftë nëse e shikon të tillë. Unë them që është një fitore për demokracinë nëse realizohet. Pak rëndësi ka kjo”, tha Basha.

Basha: Taksa 9%, një nga masat e para që do marr

Lulzim Basha thotë se nëse del fitues në zgjedhjet e 25 Prillit, një nga masat e para që do të marrë është taksimi 9%. Sipas tij, ky taksim ka si qëllim të krijojë një shtresë të mesme shqiptarësh të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, garante të demokracisë dhe institucioneve të pakapura nga politika.

Mirela Milori: Pse duhet t’ju votojë dikush? Ndoshta duhet të jemi të qartë për taksat, pse duhet të të votoj, sepse çfarë taksash më ofron mua për fashën që përfaqësoj? Duhet të jemi të qartë për mjekësinë, skandale një pas një denoncohen, por çfarë do të vendosni ju në atë që nuk funksionon? Duhet të jemi të qartë për drejtësinë dhe mbi të gjitha njerëzit duan të dinë, përse do bëhet normale jeta në Shqipëri? Përse? Deri në tani jemi retorikë. Mund të kemi disa shtylla?

Lulzim Basha: Fole për taksat, padiskutim, ju e dini fare mirë që sa i përket taksave ne sjellim propozimin e taksimit të sheshtë 9 përqind, i cili do të prekë disa nga fushat kryesore të ekonomisë, duke përfshirë profesionistët që janë të parët të goditur. Taksimi 9 përqind është pjesë e një plani të tërë, që ka një synim objektiv, ndër më kryesorët të programit tonë, të rrisë dhe të forcojë një shtresë të mesme shqiptare, të pavarur financiarisht, të pavarur intelektualisht, që nuk është në mëshirën as të PD nesër në pushtet, at të atyre që do të vijnë pas nesh. Një shtresë të mesme, garante të demokracisë, një shtresë të mesme garante dhe të interesuar në institucionet e pakapura nga politika. Një politikë pa fytyrë njerëzore, që kap institucionet është arsyeja kryesore e batakut ekonomik ku kemi rënë.

Blendi Fevziu: Sa kohë ju duhet implementimi i saj, që ta dijë qytetari që voton. Taksa 9 përqind, sa kohë do marrë në implementim?

Lulzim Basha: Taksa 9 përqind do të jetë një nga masat e para.

Blendi Fevziu: Po sa kohë do të marrë për t’u implementuar?

Lulzim Basha: Në momentin që shpallet ajo është taksa 9 përqind, që në momentin e parë.

Pse duhet të të besojnë shqiptarët? Si përgjigjet Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë një paneli gazetarësh për të folur rreth lëvizjeve që po bën selia e tij tashmë që zgjedhjet e përgjithshme janë afër.

Kreu i demokratëve i ktheu përgjigje gazetarit Blendi Fevziu pasi ky i fundit e pyeti se pse shqiptarët duhet të besojnë Bashën. Sipas kryedemokratit e rëndësishme është që të mos barazohen të gjithë njësoj.

Ai u shpreh se vendi ka mundësi për të ecur përpara nëse ka një qeveri me disa prioritete. Sipas tij, Rama nuk ka lënë pas asnjë vepër përgjatë gjithë qeverisjes, ndërkohë që numëroi disa nga arritjet që janë bërë kur PD-ja ishte në pushtet.

Blendi Fevziu: Pse duhet të të besojë ty qytetari i Shqipërisë?

Lulzim Basha: Gjëja më e kollajtë është të jemi cinikë, të themi asgjë nuk ndryshon. Është pak edhe më cinike të detyrosh kryetarin e opozitës, të shpjegojë diçka elementare. Jemi sot më mirë apo më keq se 30 vite më parë? Sigurisht që jemi më mirë. Shumë gjëra kanë shkuar keq, por disa gjëra kanë shkuar mirë. Kjo tregon që vendi i ka potencialet. Ne nuk jemi Sahara. Ne jemi një vend që po të kesh një qeveri që ka ca objektiva të qarta që përputhen me prioritetet e njerëzve, ke mundësi të bësh 1,2,3 gjëra. Nuk ke mundësi të bësh 10, por 1,2,3 gjëra ke mundësi t’i bësh. Çdo qeveri matet me rekordin e vet. Dhe këtu dua të vij. E rrezikshme është të vendosësh shenjën e barazimit dhe të thuash të gjithë janë njësoj. Kjo në veçanti është diskursi i një partie që po largohet nga pushtet në këtë rast i PS-së, e cila kryeministri ka thënë nuk ka më të mirë se ne. Nuk ka asnjë premtim. Nuk ka asnjë vepër. Me një fjali të vetme po të më lejoni unë ia rrëzoj dhe i them që je kryeministri më i keq i 30 viteve?

Blendi Fevziu: Më i mirë i gjithë historisë thotë Batoni.

Lulzim Basha: Me një fjali të vetme. Më thoni një vepër që la?

Blendi Fevziu: Baton do ia thuash ti?

Lulzim Basha: O Blend ai ka kohë! Po ju them diçka, që atij do i duheshin 80 vjet për t’i realizuar. Po ju them futjen në NATO, rrugën e Kombit, heqjen e vizave, tunelin e Elbasanit, TAP, Ashtin, Devollin. Doni të merreni me kritikat e qeverisjes 2005-2013? Edhe mund të merremi, por në 2013 PD doli në opozitë. Me një fjali po të rrëzoj. Po të them që ka qeveri që i ka prioritetet e qarta, ky vend i ka mundësitë që qytetarët t’u shërbehet. Esenciale është do kemi një qeveri që mendon për veten e vet, kur qytetarët  ke deri këtu në ujë, ministrat janë duke darkuar në restorantet e Dubait, që kanë trefishuar pasuritë me letra, me letrat e ILDKP-së. Apo do kemi një qeveri që do të ketë prioritet njerëzit. Këtu vijmë tek ajo që më the në fillim. Ti më thua si do ta bësh, unë të filloj ta shpjegoj programin dhe pastaj më kthehesh tek pyetja e parë. Ka një shpresë dhe kjo shpresë është PD, është koalicioni ynë me një plan konkret për të çliruar ekonominë, për të çliruar vendin nga abuzivizmi, që të sjellë një qeveri të përgjegjshme.

Basha: Unë, kryeministri i parë që nuk është rritur dhe arsimuar në komunizëm

Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje se i gjithë kabineti i tij nëse do të zgjidhet kryeministër do të jetë me standardin më të lartë të integritetit, përgatitjes dhe përvojës.

Ai u shpreh se nëse zgjidhet, do të ishte drejtuesi i parë i qeverisë, i cili nuk është rritur dhe arsimuar në komunizëm, por në perëndim.

“Unë të garantoj diçka, nuk do keni vetëm kryeministrin e parë që nuk është rritur dhe arsimuar në komunizëm dhe ka formim perëndimor në gjithë kuptimin e saj, por do të ketë edhe një kabinet që do të ketë standardin më të lartë të integritetit, përgatitjes dhe përvojës”, tha Basha.

Premtoi tram për Tiranën, por nuk u bë kurrë. Basha tregon të vërtetën e tij

Biseda mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe analistit Lorenc Vangjeli u shoqërua me nota ironie këtë të enjte në studion e “Opinion”. Vangjeli u ndal në veçanti me ironi tek projekti i tramit në Tiranë, në kohën kur Basha ishte në krye të kësaj bashkie, një projekt që nuk u realizua kurrë. Për këtë Basha bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, në një takim që pati me presidentin e asaj kohe të Francës, Francois Hollande, i tha këtij të fundit se trami nuk ishte prioritet për Tiranën.

Lorenc Vangjeli: Më kujtohet që po në të njëjtën studio kemi bërë një debat për tramin e Tiranës…

Lulzim Basha: U bë projekti i fizibilitetit, filloi projekti publik, qeveria e republikës franceze vendosi ta financonte, kryeministri yt Edi Rama në takimin me presidentin Hollande, sipas raporteve zyrtare të ambasadës franceze, i tha presidentit Hollande, trami i Tiranës nuk është prioritet.

Blendi Fevziu: Që Rama i ka thënë Hollande unë nuk e kisha dëgjuar, kjo del për herë të parë. Është e sigurt kjo që Rama i ka thënë presidentit francez që tramin nuk e duam për Tiranën?

Lulzim Basha: Më ka ardhur mesazhi akoma pa ardhur nga Franca. Kishim bërë gati kredinë për të investuar tramin dhe i tha nuk e kam prioritet.

“Vendimin e kam marrë, por…”, ku do të garojë në zgjedhje Basha

Vendimin e ka marrë, por nuk e bën publik. Basha thotë se e ka vendosur në cilin qartë do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit, por gjatë emisionit “Opinion” nuk e tregoi.

Sipas tij, në fillim do t’ua tregojë bashkëpunëtorëve të tij dhe më pas do e bëjë publike si vendim. “Ky është standardi im etik”, tha Basha.

Blendi Fevziu: Basha ku do të kandidosh?

Lulzim Basha: Do ta bëj publik sapo të merret vendimi

Blendi Fevziu: Nuk e keni marrë akoma?

Lulzim Basha: Unë e kam marrë vendimin tim, por mendoj se…

Blendi Fevziu: Ku do kandidosh nuk na e thua, ekipin s’na e thua, me një apo dy lista nuk na e thua… Çfarë di 100 ditë para zgjedhjeve kryetari i opozitës?

Lorenc Vangjeli: Kësaj i thonë as të rëndon as të lëshon… ju i keni…

Lulzim Basha: Më fal, nuk të pranoj vulgaritetin…në klub po…

Lorenc Vangjeli: Pavendosmëri po të them…

Lulzim Basha: Secili tregon si deformohet para pushtetit. Për ty është pavendosmëri. E di çfarë është për mua? Natyrisht që vendimin e marr unë për veten time sepse këtë besim e kam marrë si kryetar i zgjedhur nga anëtarët. Unë kam një standard etik që ti Lorenc ndoshta nuk e kupton, ose ndoshta je mësuar me standardin etik të Ramës dhe ky nuk faji im është faji yt. Standardi etik është që para se ta them ty duhet t’ia them bashkëpunëtorëve të mi. Ky është standardi im. Ty të pëlqen Rama, kaq.

“Do të kërcejnë si prifti nga belaja”, Basha ashpërson tonet: Çela, Doshi e Dako nuk do të vallëzojnë mbi shqiptarët

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha këtë të enjte se ata që do të bëjnë të njëjtën gjë me zgjedhjet si në 2017-ën, “do kërcejnë si prifti nga belaja”. Ai foli ashpër për drejtuesin politik të PS-së për Durrësin, Ardian Çela. Sipas Bashës, Çela do të përballet me drejtësinë pas 25 Prillit. Po ashtu sipas Bashës, fati i Çelës, do të jetë “më i zi se i Vangjush Dakos”.

Lorenc Vangjeli: A ju duket juve se jeni vonë, sepse në qarqet ku do të përcaktohet qeverisja e së nesërmes në Tiranë është Veliaj që e shikoni përditë në aksion, në Durrës ka 6 muaj që një menaxher i shkëlqyer publik si Ardian Çela, po i takon për herë të dytë banorë.

Lulzim Basha: Po i takon ata që ia kanë mbetur nga dosja 339

Lorenc Vangjeli: Peleshi është më shumë në Korçë se në Tiranë.

Lulzim Basha: Ard Çelën e pret një fat i zi meqë ma hape këtë se kupa është mbushur ndërkohë që ata dhe kushdo që i rrinë nga mbrapa të marrë atë që meriton dhe më 25 Prill do kërcejnë si prifti nga belaja të bëjnë një të njëmijtën e asaj që kanë bërë në 2017. Kaq po ju them. Ard Çelën po ta garantoj në këtë studio se nuk e japin të tjerët se i mbush me lekë, Ard Çelën e pret një fat më i zi se Vangjush Dakon.

Blendi Fevziu: Çfarë fati?

Lorenc Vangjeli: E përcaktoni ju këtë?

Lulzim Basha: Prokurori më i dobët në botë ka lënë aq gjurmë sa Ard Çela do të ballafaqohet me drejtësinë dhe drejtësia më e kapur në botë do të ketë kohën më të vështirë për të rrasur në burg Ard Çelën për atë që ka bërë. Mbajeni mend këtë që po ju them. Shënoji mirë. Le ti shënojë dhe Ard Çela. As Ard Çela, as Tom Doshi dhe as Vangjush Dako dhe askush tjetër që mendon se do të vallëzojë mbi shqiptarët më 25 Prill nuk do t’i shpëtojë asaj që e pret pas 25 Prillit. Pikë. Kaq.

Lorenc Vangjeli: Ndryshuat tonalitetin e zëri. Ju garoni për kryeministër dhe jo Prokuror të Përgjithshëm.

Lulzim Basha: Një kryeministër që nuk do ta pengojë drejtësinë të bëjë punën e vet. Pikë. Kaq. Të jesh i sigurtë që drejtësisë nuk do t’ia lidh.

Çfarë do të bëjë Basha për shëndetësinë: Paraja do të ndjekë pacientin

Strategjia e PD-së sa i takon shëndetësisë është që paraja e buxhetit të shtetit të ndjekë pacientët dhe jo koncensionarët.

Kryetari i selisë blu, Lulzim Basha, gjatë emisionit “Opinion” mbrëmjen e së enjtes tha se paratë për buxhetin e shtetit për shëndetësinë dhe paratë e kontributeve duhet të shpenzohen në mënyrë që të garantohet shërbimi njësoj si në institucionet e shëndetit privat.

Sipas tij, institucionet e shëndetit publik duhet të fitojnë autonominë, vetëadministrimin dhe të shkojnë drejt konkurrencës për ofrimin e shërbimeve.

“Paraja të ndjek pacientin, sot paraja e taksapaguesit shqiptar, paraja e buxhetit nuk ndjek pacientin. Sot paraja shkon një grusht koncensionesh, sot paraja keqpërdoret dhe abuzohet në një sistem të administrimit të shëndetit publik që kanë mbetur në kohën e para 1990-ës. Hapi i parë është stabilizimi i kësaj situate. Një gjë duhet ta mbajnë mend të gjithë ata që na ndjekin shuma totale që harxhojnë shqiptarët përmes taksave dhe që pastaj qeveria i çon tek sistemi shëndetësor përmes shpenzimeve që i nxjerrin nga xhepi për spitalet private, spitalet jashtë shtetit, për udhëtimin për hotelet. Për paratë që paguajnë nëndorë apo ryshfetet, shuma totale mjafton që ne të garantojmë një sistem shëndetësor me standarde shumë më të larta se mesatarja e rajonit”.

Buxheti i shtetit për shëndetësinë dhe paratë e kontributeve të sigurimeve shëndetësore të mos shpenzohen me këtë skemë që ka mbetur në vitin 1990-të, por të shpenzohen në mënyrë të tillë që të garantojnë shërbimin si në institucionet e shëndetit publik ashtu edhe në institucionet e shëndetit privat. Për të arritur këtë duhet urgjentisht që të parat, shëndeti publik, mos të jetë më siç është kthyer sot në institucione të komanduara nga Ministria apo Kryeministri, por të fitojnë autonominë, vetëadministrimin dhe të shkojnë drejt kompetivitetit, drejt konkurrencës dhe ofrimit të shërbimeve. Kyç për këtë është kostimi i shërbimeve. Ne jemi i vetmi vend në Europë që nuk ka kostimin e shërbimeve”, tha Basha./tvklan.al






Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:59 14/01/2021