Të ftuar në studio: Spartak Koka, Artan Hoxha, Emin Barçi, Plarent Ndreca, Tomorr Alizoti, Fitim Zekthi; Në lidhje skype: Erinda Ballanca

Video ekskluzive | Pak çaste pas vrasjes së Klodian Rashës

Ndonëse kishte kaluar mesnata dhe lëvizjet në kryeqytet ishin të pakta për shkak të kufizimit të lëvizjes, ka qenë një shofer, i cili ka filmuar se çfarë ka ndodhur disa momente pas vrasjes së Klodian Rashës.

Bëhet fjalë për drejtuesin e automjetit që ndalohet fillimisht nga efektivi Nevaldo Hajdaraj dhe kolegu i tij para se të ndiqej dhe më pas të qëllohej 25-vjeçari.

Në të gjithë ngjarjen, shoferi del nga makina vetëm pas të shtënës së parë të policit. Pas kësaj, efektivët i kanë kërkuar atij të largohet.

Në këto pamje të siguruara nga gazetari Spartak Koka dhe të publikuara mbrëmjen e kësaj të marte në Opinion, shihet momenti kur forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Bëhet fjalë për disa makina policie, motorë të “Shqiponjave” dhe rreth 16 efektivë të rendit.  

“Kjo është video e filmuar nga një prej personave dëshmitarë, të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria. Është drejtuesi i automjetit. Po të kthehemi në videon e parë është një drejtues mjeti i cili del pas të shtënës së policit për të parë se çfarë po ndodhte, për herë të parë pas 2 minutash e 43 sekondash që zhvillohet e gjithë ngjarja. Është ky person i cili pas disa minutash i është thënë të largohej dhe ka filmuar teksa është rrotulluar. Ka ikur, i kanë thënë të largohet pa i verifikuar dokumentet dhe është dashur 5 ditë që të gjendej se kush ishte personi i cili kishte qenë në automjetin privat. Është rrotulluar në krahun tjetër të rrugës dhe ka bërë një video. Ora që pretendon zotëria rreth orës 1:16. Shiko makinat e policisë, 1, 2, furgoni kemi 3 motora të  “Shqiponjave”, rreth 16 punonjës policie, kemi 2 makina të tjera. Në këtë video nuk kuptohet është transportuar drejt spitalit, apo jo”, tha gazetari Spartak Koka.  

Një natë më parë, në emisionin Uniko, gazetari Spartak Koka transmetoi për herë të parë pamjet ekskluzive të vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Në pamjet e fiksuara nga këndi i një kamere, duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe të patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”.

E gjithë ngjarja, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda. 

Ballanca: 128 të mitur të shoqëruar gjatë protestave, mes tyre edhe 12-vjeçarë

356 persona janë shoqëruar gjatë gjithë këtyre ditëve të protestave në kryeqytet pas vrasjes së Klodian Rashës. 128 prej tyre janë të mitur, pra persona nën moshën 18-vjeçare.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, u shpreh këtë të martë gjatë emisionit “Opinion” se mes tyre ka edhe fëmijë të moshës 12-vjeçare. Ajo shtoi se policia ka kryer veprimet në mënyrë të shpejtë në mënyrë që t’i lirojë sa më parë, por e ka kryer këtë me probleme proceduriale.

Ballanca tha se prej të miturve vetëm 4 janë arrestuar ndërsa pjesa tjetër është liruar.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve janë shoqëruar 356 persona prej të cilëve 128 të mitur. Nën 18, fillojnë nga 12 vjeç. Ka pasur të shoqëruar nga 12 vjeç për shkak se në momentin e parë kur policët i kanë ndaluar nuk kanë ditur, ose nuk kanë qenë të sigurt në lidhje me moshën reale. Nga të gjithë këta persona të shoqëruar, për momentin që janë shoqëruar janë kryer veprimet pavarësisht se me probleme proceduriale, janë kryer veprimet në një kohë të shpejtë, është munduar policia pavarësisht se ka shkelur disa procedura për thirrjen e prindit apo psikologut, i ka kryer procedurat për të miturit shpejt që t’i ndalojë dhe të mbajë të arrestuar vetëm 4 të mitur, ndërsa të tjerët janë liruar”, tha Ballanca.

Avokatja e Popullit u shpreh se gjenda në komisariatet e Tiranës nuk është  e mirë për kushtet normale të akomodimit dhe shoqërimit. Sipas saj, situata është rënduar pasi ka pasur një mbipopullim duke anashkaluar situatën e distancimit social.

“Gjendja e komisariateve në Tiranë nuk është e mirë. Nuk është e mirë për kushtet normale dhe kapacitetet normale të akomodimit dhe shoqërimit, lëre më pastaj situatën e distancimit social për shkak të pandemisë dhe në rastin konkret ne kemi vënë re një mbipopullim, një numër shumë të madh personash të shoqëruar”, tha Ballanca. /tvklan.al