Mjeku: Ata që nuk mbajnë maskë duhet t’i quajmë trima të marrë

Mjeku imunolog Genc Sulçebe sugjeron që të gjithë qytetarët duhet të mbajnë maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

I ftuar në “Opinion”, ai thotë se tashme duhet ta kthejmë në kulturë mbajtjen e maskave si mënyrë për të penguar virusin, ndërsa i quan “trima të marrë ose të pakulturë” ata që refuzojnë.

“Tani fatkeqësisht dhe ne duhet ta mësojmë këtë kulturë, duhet të gjithë të mbajmë maskë. Ata që nuk mbajnë maskë duhet t’i quajmë trima të marrë ose të pakulturë, sepse maska është i vetmi vendmbrojtës i rrugëve të frymëmarrjes që të fusim këtë virus në organizmin tonë dhe të pengojmë që ky virus të shkojnë tek të tjerët nëse e kemi marrë”.

Dervishaj: Autorizimet e automjeteve janë të vlefshme, me kushtin që…

Mbrëmjen e sotme, në një lidhje direkte me “Opinion”, Shefi i Rendit në Tiranë, Albert Dervishi, ka sqaruar edhe një herë orarin e lëvizjeve për qytetarët këmbësorë dhe automjetet.

Ai sqaron se për sa i takon qarkullimit të automjeteve, nëse shoferët kanë një autorizim të mëparshëm është i vlefshëm, ndërsa kujton se nuk lejohet që të lëvizin duke abuzuar, por vetëm brenda fashës së caktuar orare, nga ora 05:00 deri në 08:00 dhe nga ora 16:00 deri në 17:30.

“Sikurse jemi në dijeni në baze të vendimeve të marra nga qeveria, nga dita e djeshme ka filluar të zbatohet një fashe e re për lëvizjen e automjeteve sipas së cilës fasha do të jetë 05:00 deri 17:30 për qytetarët që do të kryejnë nevojat emergjente. Gjithmonë duhet të dalin vetëm me leje nga aplikacioni e-albania. Nga 60 minuta ata mund të lëvizin 90 minuta. Për çdo familje një person lejohet. Moshat e treta nuk do lejohen.

E veçanta është tek automjete, që do lejohen të lëvizin për nevoja me autorizim ose me vetëdeklarim, autorizimet e deritanishme janë të vlefshme, por me një kusht që askush nuk ka të drejtë të abuzojë me autorizim e lëshuar.

Nuk ka nevojë të bëjnë aplikime nga fillimi, janë të vlefshme ato që kanë pasur, por me fashat e caktuara në 05:00 deri në 08:00 dhe 16:00 deri në 17:30.

Makinat e biznesit që kanë specifikë për të lëvizur gjithë ditën, autorizimet janë të vlefshme por asnjë nga bizneset të mos abuzojë”. 

U shërua nga koronavirusi, mjeku tregon si ndihet

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka rezultuar i shëruar nga koronavirusi pas dy testeve të bëra të cilët kanë dalë negativë.

Në një lidhje direkte për “Opinion”, ai ka treguar sesi është ndjerë dhe si e ka kaluar këtë periudhë të vështirë.

Brataj thotë se ditët e para kanë qenë paksa më të vështira, por më pas e ka marrë veten dhe gjendja e tij ka qenë e mirë.

“Ditët e para kam qenë shtrirë, kuptohet që ke dhimbje gjithë andej… por kam qenë në lëvizje, javën e fundit fillova të eci nëpër banesës, kam bërë 10 km ecje brenda banesës. Nuk je në formë 100% kuptohet…”

“Kolegët ma bënë me ‘hile’…” U rikuperua nga Covid-19, mjeku tregon vështirësitë që kaloi

Pas rreth 25 ditësh në izolim, tashmë shef i Urgjencës Skender Brataj është drejt rikuperimit total nga koronavirusi.

Në një lidhje direkte me “Opinion” ai tregon se vështirësitë që ka ndjerë pasi iu shfaqën simptomat kanë qenë në ditët e para.

Ai tregon se pasi ka bërë për herë të dytë skanerin për mushkëritë, është vërejtur se pulmonet ishin të pastruara thuajse plotësisht duke mos pasur pasoja nga ky virus.

“Problemi është, pasi kalon fazën e sulmit të thuash, ditët e para, në datë 21 që mu shfaqën simptomat, kuptohet që 2-3 ditë më parë e ndjeja lodhjen, pafuqinë, por nuk ishin shfaqur simptomat. Pastaj 4-5 ditët e para normal, temperatura, dhimbje fyti, dhimbje trupit gjithandej, diarreja që vazhdoi edhe më shuam se 5 ditë. Pastaj ishte problemi i pulmoneve… unë bëra një skaner ditën e pestë, por kolegët ma bënë me “hile” dhe nuk ma treguan, pastaj bëra një skaner të dytë ku u pa përmirësimi. Tek skaneri i parë kishte dhe probleme pulmonare ndërsa në skanerin e dytë ishin reduktuar, pothuajse drejt zhdukjes”. /tvklan.al