Të ftuar në Opinion: Baton Haxhiu, Blendi Salaj, Kreshnik Çollaku dhe Preç Zogaj

Baton Haxhiu: Shqipëria, peng i lidershipit të Kosovës

Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu thotë se Shqipëria është peng i lidershipit politik të Kosovës prej një kohe të gjatë, dhe sipas tij, kjo e ka penguar në proceset integruese në Bashkimin Europian.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Haxhiu deklaroi se Kosova është një prej pengesave të integrimit të Shqipërisë në BE dhe projekteve të tjera ekonomike në rajon.

Baton Haxhiu: Kosovocentrikët janë paraqitur në Kosovë vonë. Kosova ka pasur një dashuri pa kushte me Shqipërinë dhe kjo dashuri nuk është më, është shndërruar në diçka tjetër. Është shndërruar në një moment kur Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë racionalitet tjetër. Nuk janë më dy elita të gatshme që të bashkohen pa një debat të ashpër të cilët realisht projektojnë interesin. Albin Kurti është jashtë këtyre dy ekipeve. Projektimin e Shqipërisë dhe Kosovës nuk e sheh mbi këto interesa. E sheh diçka idealiste, diçka që duhet të ndodhë dhe diçka që realisht e projekton si një njeri që mund t’i bashkojë këto duke i anashkaluar të gjitha interesat të cilat mund t’i kenë këto debate dy shtetet. Ka një kohë të gjatë që Shqipëria është peng i lidershipit të Kosovës. Lidershipi i Kosovës ka merita të jashtëzakonshme për luftën, për çlirimin. Por ka një dekadë që Shqipëria është peng i veprimeve goxha të ngurta karshi bashkësisë ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të zhvillohet dhe e ka shumë të vështirë qoftë integrimin, qoftë projektet e tjera ekonomike me rajonin, qoftë raportet me vendet fqinje për shkak të Kosovës. Unë mendoj që është koha e fundit…

Blendi Salaj: Ti po thua që Kosova e ka penguar Shqipërinë?

Baton Haxhiu: Unë mendoj që është një prej pengesave.

Kreshniko Çollaku: Unë mendoj të kundërtën. Unë mendoj që të paktën në çështjet që lidhen me ekzistencën e Kosovës dhe politika e jashte, qasja në raport me të tjerët Ballkan apo më gjerë, Shqipëria dhe Kosova duhet të ishin të unifikuara. Në rast se jo të unifikuar, të paktën të ecin në korsi paralele.

Zgjedhjet në Kosovë, gazetarja tregon detajet e fundit nga procesi i numërimit të votave

Gazetarja e Tv Klan në Kosovë, Blerta Dalloshi Berisha , ka dhënë detajet e fundit nga procesi zgjedhor në Kosovë. Në një lidhje direkt për emisionin “Opinion”, gazetarja është shprehur se tashmë po verifikohen votat nëse ka parregullsi.

Tani janë dërguar votat nga qendrat e numrit dhe po verifikohen nëse ka ndonjë parregullsi”, tha Blerta Dalloshi Berisha.

Më tej e pyetur se kur mund të formohet qeveria e re, gazetarja tha se do duhet të pritet dhe disa ditë.

Nuk ka ende asnjë afat, por këtë herë duket se partitë e kanë pranuar humbjen dhe mund të ecet pak më shpejt”, tha reporterja.

Për sa i përket formimit të qeverisë së Kurtit, Blerta Dalloshi Berisha u shpreh se Vetëvendosje mund të bashkojë votat me minoritetet jo serbe.

“Mund ta bëjë vetëm me komunitete të tjera pakicë, por jo me komunitetin serb. Por deri në 5 Maj, Vjosa Osmani do të qëndrojë si ushtruese e detyrës së Presidentes dhe Kurti do duhet të ketë 80 vota për të zgjedhur Presidentin e ri”, tha ajo.

Në fund tregoi se janë duke u pritur për t’u numëruar dhe zarfet me votat e diasporës.

Janë 42 mijë zarfe, por nuk dihet sa vota janë pasi ka familje me 6 apo 7 anëtarë që mund të jenë futur më shumë vota në një zarf”, u shpreh Dalloshi Berisha./tvklan.al