I ftuar: Kryeministri Edi Rama; Analistët: Fatjona Mejdini, Lorenc Vangjeli, Armand Shkullaku, Robert Rakipllari

Rama tregon pse ndryshoi mendim për mbajtjen e maskave

Në Mars të këtij viti kryeministri Edi Rama bënte thirrje që të mos përdorej maska. Në Tetor gjithçka ndryshoi, pasi qeveria vendosi të bënte të detyrueshme vendosjen e maskës edhe në çdo ambient.

Gjatë emisionit “Opinion”, ku kreu i qeverisë ishte prezent përballë disa analistëve, ai u pyet se përse ka ndryshuar mendim. Kreu i ekzekutivit u shpreh se është Komiteti Teknik i Ekspertëve që e ka vendosur këtë gjë dhe ai thjesht ka dëgjuar këshillat e tyre.

“Me cica apo me mice, kjo është çështje personale…” Rama i përveshet gazetares

Kryeministri Edi Rama nuk i fshehu notat e nervozizmit në drejtim të gazetares Fatjona Mejdini, e cila në studion e “Opinion” tentoi të ndërhynte për të bërë një pyetje. Ai kërkoi që Mejdini të mos e ndërpriste, ndërsa gazetarja u kundërpërgjigj duke thënë se nuk po i jepte mundësinë për të bërë pyetje dhe se po merreshin “me cic mice”.

Rama: Rrezikojmë një mbyllje të dytë, çfarë duhet të bëjmë për ta shmangur

Vendi rrezikon një mbyllje të dytë për shkak të pandemisë. Këtë gjë e konfirmoi kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte. Kreu i qeverisë ishte përballë një paneli analistësh ku tha se për ta shmangur këtë duhet që të respektojmë masat e vendosura nga qeveria.

Kreu i qeverisë deklaroi se deri më tani ka akoma kapacitete të lira në spitale. Rama u shpreh se strategjia për vjeshtë-dimrin ka qenë në tavolinën e tij që prej Qershorit.

Fevziu i kundërpërgjigjet Ramës: Po mirë atëherë shko bëhu dekan i Gazetarisë

Përplasjet mes gazetares Fatjona Mejdini dhe Kryeministrit Edi Rama në studion e “Opinion” ishin të shpeshta mbrëmjen e kësaj të enjteje. Por teksa i cilësoi pyetjet e saj dhe të gazetarëve në përgjithësi, “një konglomerat njerëzish që nuk dinë çfarë janë”, reagoi edhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, i cili i tha Kryeministrit se nëse nuk ishte i kënaqur me formimin e gazetarëve, atëherë mund të shkonte të bëhej vetë dekan i Fakultetit të Gazetarisë.

Debati i fortë për inceneratorët mes Ramës dhe gazetarëve

Është zhvilluar me tone të forta në studion e “Opinion” debati mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve në lidhje me inceneratorët pas akuzave të PD-së.

Kryeministri solli në studio disa pamje që sipas tij tregonin ndryshimin mes trajtimit të mbetjeve në kohën e PD-së dhe në qeverisjen e PS-së.  

Sa i përket inceneratorit të Fierit, kreu i qeverisë tha se nuk ka mbaruar investimi. Ai u shpreh se shtyrja ka ndodhur për shkak të protestave dhe bllokimeve nga opozita. Megjithatë sipas tij projekti përfundon në fund të vitit.

Kreu i qeverisë ktheu përgjigje edhe për inceneratorin e Elbasanit. Sipas tij, ky incenerator është në punë dhe prodhon energji, por për shkak të një problemi me autoritetin rregullues nuk ka marrë para.

Përballja e papritur Rama-Basha live në “Opinion”, nga akuza tek urimet për gjumin: Mbylle mos na bëj sherr kot tani

Këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka pasur një debat të papritur live mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pasi kreu i qeverisë publikoi një dokument që sipas tij tregon se Basha do të jepte me koncesion landfillin e Sharrës, ky i fundit u fut në një lidhje telefonike në studio, ku akuzoi Ramën se gënjen.

Basha u ndal tek inceneratorët e qeverisë Rama dhe tha se miliona para kanë shkuar për një person të vetëm, i cili është gjithashtu me precedentë penalë dhe anëtar i bandës së Lushnjes.

Nga ana tjetër, kryeministri iu drejtua kundërshtarit të tij duke i thënë që të flejë gjumë.

 

Rama: Fenomeni i kanabisit ka vdekur!

Kryeministri Edi Rama, në studion e “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se fenomeni i kanabisit në Shqipëri ka vdekur. Kryeministri u shpreh se mbjellje ka si kudo dhe se lufta ndaj kanabisit nuk mbaron, por është e vazhdueshme.

//tvklan.al