Jozefina Topalli: Basha është i shitur, nuk njeh ligj, votë dhe parim

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Jozefina Topalli e ka quajtur Bashën si një kryetar i shitur, diktator dhe një njeri që nuk e njeh ligjin, votën dhe parimin.

Blendi Fevziu: Zonja Topalli, ju s’mund të ishit atje sepse krijuat një parti të re, por normalisht do ishit po të mos kishit qenë e angazhuar në një parti tjetër?

Jozefina TopalliNuk ka lidhje partia, ajo ishte lëvizje, ishte një lëvizje që ka filluar përpara asaj që shohim sot dhe që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Blendi Fevziu: Do ishe e pranishme sot në sallë?

Jozefina Topalli: Unë mezi erdha dhe këtu sepse sapo kam ardhur nga jashtë, por kjo nuk ka lidhje je apo nuk je prezente. Këtu ka lidhje me qëndrimet ndaj një momenti kritik, kyç të një force politike që nuk është opozitë. Zoti Berisha kishte thënë që kryetari është i thyer, në fakt kryetari është i shitur.

Blendi FevziuPo si shpjegohet që ky kryetar mori gjithë Partinë Demokratike historike, të fundit Zoti Berisha dhe të gjithë ju dhe ju nxori nga partia dhe e kontrollon partinë vetë? Kjo tregon dhe një aftësi jo të vogël të këtij personi.

Jozefina Topalli: Diktatorët nuk janë të paaftë.

Blendi Fevziu: Diktator Lulzim Basha?

Jozefina Topalli: Ky është problemi i juaji dhe kur them i juaji, është problem i shumë njerëzve të cilët duke thënë se “hë mo ai nuk ka gjë në dorë se është Berisha që i vendos” etj, por fakti është që ai njeri nuk lë votë, nuk lë fjalë, nuk lë diskutime, nuk njeh ligj, nuk njeh parim. 

Topalli: Është emergjente ndërtimi i një opozite të vërtetë, fillon me largimin e Bashës

Jozefina Topalli në emisionin “Opinion” në Tv Klan është shprehur se është emergjente ndërtimi i një opozite të re e cila fillon me largimin e Lulzim Bashës. Ky rithemelim i opozitës duhet të bëhet me njerëz me peshë që besojnë në interesin publik dhe jo në interesin personal.

Jozefina Topalli: Është emergjente ndërtimi i një opozite të vërtetë që fillon me largimin e atij që mban vulën sot dhe me rithemelimin, me ribashkimin, me një projekt të qartë, me njerëz të cilët kanë karakter, me njerëz të cilët kanë peshë, me njerëz që besojnë në interesin publik dhe jo atë personal, dhe jo me persona të cilët shohin se si po ndahen tenderat dhe pse ato të Edi Ramës marrin më shumë se këto të opozitës dhe këtu merr fund çdo gjë.

Ky vend lëngon se nuk ka vetëm një qeveri të korruptuar, për herë të parë në historinë e tre dekadave, ka një lidership të opozitës së korruptuar. Deri më tani pse nuk e përmendim këtë element se është shumë thelbësor që e bën tërësisht të varur opozitën nga qeveria dhe kjo është degradimi. Kur fillon degradimi tek partia, vazhdon tek shteti dhe tek të gjitha.

Jemi pas tre dekadave, ka nevojë njeri që të mos ngjitej me kolltukun. Ka nevojë për qarkullim, për ide të reja, ka nevojë për projekte të reja.

Blendi Fevziu: Nuk po ndodh me asnjë forcë politike.

Jozefina Topalli: Sepse janë të kapura nga të dy kryetarët e partive të cilët merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin, duhet të themi të vërtetat dhe shtuar kësaj korrupsionin që kanë. /tvklan.al