Shameti: Opozita organizoi protestat. Duma: Nuk kanë asnjë provë

Kë dëmtuan politikisht protestat pas vrasjes së Klodian Rashës? Ishte kjo tema që u diskutua këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Për përfaqësuesin e PS-së, deputetin Adnor Shametin, kanë humbur qytetarët shqiptarë pasi është prishur qetësia e tyre. Ai tha se ka prova me zë dhe figurë që përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare janë organizuesit e protestave.

“Ka humbur prishja e qetësisë së shqiptarëve. Dua të sqaroj që qëndrimi i kryeministrit Rama ka qenë një qëndrim korrekt. Është e provuar me zë dhe me figurë që organizatorët e protestës kanë qenë përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare. Kemi foto dhe video të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare në këto protestat e organizuara në ditët e fundit në Tiranë”, tha Shameti.

Por nga ana tjetër, përfaqësuesja e PD-së, Grida Duma, mohoi gjithçka. Ajo tha se PS-ja nuk ka asnjë provë, pasi në se do ta kishte do ta kishte bërë me kohë publike.

Duma tha se ka qenë vetë në protestë, por si qytetare dhe nënë. Protestat e të rinjve ajo u shpreh se i ka konsideruar si “një lloj qelize Pranvere arabe”.

“Nuk ka asnjë provë sepse nuk ka. Nëse do të kishte një provë të vetme të jeni të sigurt se PS-ja e ka nisur 2013-ën e ka nisur marrjen e mandatit duke fajësuar kundërshtarin. Nuk e bëmë dot Shqipërinë se kështu na e lanë ata, nuk e ulë dot borxhin se na e lanë ata. Kjo është mënyra me të cilën i qasen problemit. Unë ju siguroj, në atë protestë jam gjendur ndonjë ditë. Nuk e kam bërë publike. Arsyeja pse jua them këtë, se nuk ka qenë në qëllimin tim të dukem aty, por në qëllimin tim së pari si qytetari së dyti si nënë sepse shikoja 15-vjeçarë, çuna dhe vajza të reja. E kam quajtur një lloj qelize Pranvere arabe atë protestë”, tha Duma.

Haxhiu: Rama nuk është dëmtuar nga protestat

Analisti Baton Haxhiu mendon se nga protestat e fundit në Shqipëri nuk e kanë dëmtuar kryeministrin Edi Rama. Gjatë emisionit “Opinion”, Haxhiu arsyetoi se Rama nuk është dëmtuar për shkak të dhunës që u përdor në tubime.

Blendi Fevizu: Është dëmtuar Rama nga kjo protestë?

Baton Haxhiu: Jo, sepse protesta nuk u shndërrua paqësore, por në protestë të dhunës.

Sipas analistit, në protesta kanë dalë të pakënaqurit. Haxhiu tha se qytetarët e Tiranës nuk e duan dhunën. Personat që kanë dashur ta ashpërsojnë protestën sipas Haxhiut kanë qenë politikë.

“Protestuesit janë të pakënaqurit. Të pakënaqurit janë gjithmonë të gatshëm të organizohen. Por në përvojën time, të asaj çfarë ka ndodhur në vitin 2011, Tirana nuk e do dhunën. Qytetarët në Tiranë e gjykojnë saktë, se cili e bën dhunën dhe ju e dini çfarë ka ndodhur në zgjedhjet lokale 2011 edhe pse ka qenë një demonstratë e madhe. Prapë po them që çdo përpjekje për ta kthyer çdo demonstratë në demonstratë të dhunës unë  mendoj se qytetarët e marrin vendimin siç e kanë marrë dhe atëherë. Duhet të themi që gjithmonë një grup i vogël anarkistësh që nuk kanë një kontroll të duhur janë të gatshëm të shkojnë nga dhuna. Nëse do menaxhohej mirë dhe do kishte qëllim kjo protestë unë konsidero që shumica në protestë është shumë më e rëndësishme se dhuna. Ajo që i ka munguar kësaj proteste është që njerëzit të cilët kanë dashur ta ashpërsojnë protestën, kanë qenë njerëz politikë. Ata që kanë dalë në protestë nuk kanë qenë njerëz politikë. Ata në një moment kanë protestuar kundër vrasjes që ka bërë polici. Esenca pse protesta nuk është shndërruar në protestë masive është që politika menjëherë e përdori në një farë kuptimi ia dha shijen e dhunës  që kjo protestë ka qenë rast që 24% e të pakënaqurve të hyjë në vallen për ta ndryshuar Shqipërinë”, u shpreh Haxhiu.

Marku shpërthen: Jeni hajdutë mor, do vidhni edhe hunjtë e gardhit/Gonxhe: Nuk është ky niveli…

Emisioni i sotëm i “Opinion” është shoqëruar nga një debat i fortë mes analistit Mark Marku dhe drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe.

Marku shpërtheu ndaj Gonxhes pasi tha se shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria sepse qeveria ka vjedhur. Ai iu drejtua drejtorit të Transportit Rrugor duke i thënë se ka vjedhur shqiptarët dhe i ka përzënë ata nga vendi.

Nga ana tjetër Gonxhe u përgjigj duke thënë se nuk është ky niveli që duhet të ketë debati.

Blendi Gonxhe: Nëse ka një armik të madh që na ka ndodhur, përveç pandemisë e të gjitha këtyre është humbja e shpresës, është depresioni i shoqërisë sepse humbi shpresa.

Mark Marku: Po pse humbi shpresa?

Blendi Gonxhe: Dhe ky nuk është faj i Ramës as i dikujt tjetër. Nuk ka lidhje.

Mark Marku: Pse ikën 300 mijë shqiptarë para se të ndodhte kjo?

Blendi Gonxhe: Sepse shteti që na le ti në 2013-n ishte mizerabël, por nuk dua që të merrem me këtë gjë.

Mark Marku: Pse ikën pasi erdhën ju pra?

Blendi Gonxhe: Kujt i tregoni tani ju se pse kanë ikur shqiptarët në 2013-n jeni në vete apo jo?

Mark Marku: Po çfarë që duhet të mbash kompanitë tuaja…

Blendi Gonxhe: Rri ore tani. Janë dy botë të ndryshme.

Mark Marku: Ua vodhe pasurinë zotëri, ti me gjithë soj e sorollopin tënd i vodhe dhe i përzure shqiptarët nga Shqipëria.

Blendi Gonxhe: Bëje personale diku tjetër, jo me mua.

Mark Marku: Jeni hajdutë mor. Pikë. Dhe për këtë ikin shqiptarët. Nuk ikën nga Covid. 300 mijë shqiptarë ikën se po i vidhni, po i rripni o zotëri. Dhe po i poshtëroni. Jeni hajdutë ordinerë.

Blendi Gonxhe: Nuk është ky niveli.

Mark Marku: Po mor po, ia keni vjedh gjithçka, i keni lënë pa bukë. Po na bën diskurs, po na bën moral, na mbani ne që ti vjedhim… ore do u vidhni edhe hunjtë e gardhit.

Blendi Gonxhe: Kaq i mirë ju dukem unë, por unë jam dhe i paeksperiencë./tvkan.al