Opinion – Kush po e sulmon Ilir Metën nga Austria?




Opinion – Kush po e sulmon Ilir Metën nga Austria?

Autori: Blendi Fevziu

22:03 17/05/2022

Të ftuar në Opinion: Brisida Shehaj, Lorenc Vangjeli, Julian Zyla dhe Preç Zogaj.

Akuzat e gazetës austriake për Metën, Preç Zogaj: Këto janë goditje poshtë brezit

Një shkrim i gazetës austriake “Kronen” disa ditë më parë që bënte akuza të forta në adresë të Presidentit shqiptar, ka ngjallur reagimin e Ilir Metës.

Analisti Preç Zogaj, në emisionin Opinion në Tv Klan, e konsideroi këtë artikull si “goditje poshtë brezit”.

Sipas tij, shkrimi nuk ka asnjë emër dhe asnjë dokument të publikuar për t’i bërë më të besueshme këto akuza.

Akuzë e rëndë dhe bëhet më e rëndë për shkak se bëhet edhe nga një gazetë e madhe. Gjëja më e mirë që ka bërë Meta që ka njoftuar padi gjyqësore. Edhe paguhen dhe ato gazeta. Për shkak të postit që ka Meta dhe për shkak të jehonës që ka një artikull i tillë është një detyrim që ta çojë në gjykatë dhe ta publikojë mundësisht padinë. Presidenti të publikojë padinë që do bëjë për këtë artikull.  

Përpos i mungon emri, mungojnë dhe referimet. Hidhen akuza, por ne e dimë të gjithë që kur përmendet një vendim gjyqësor publikohet. Që artikulli të bëhet i besueshëm, duhet të citohen pohimet apo akuzat.

Këto janë goditje poshtë brezit. Kur bëhet një shkrim duhet ti dalë zot”, u shpreh Preç Zogaj.

Gazeta austriake Kronen hodhi akuza në adresë të Presidentit Meta se ka paguar 700 mijë Dollarë përmes kompanive offshore në Qipro për të lobuar për vizitën e tij në SHBA disa vite më parë.

Kush fshihet pas akuzave të gazetës austriake për Metën? Shehaj: Dyshim që bëhet fjalë për çiftin Zoto-Mërtiri

Ditën e sotme, Ilir Meta ka reaguar lidhur me një shkrim të gazetës austriake “Kronen” e cila ditë më parë ka hedhur akuza të forta drejtuar Presidentit shqiptar. E çuditshmja është se ky shkrim nuk kishte emrin e gazetarit dhe ishte tërësisht anomim.

Nënkryetarja e LSI në emisionin Opinion në Tv Klan, Brisida Shehaj e konsideroi këtë lajm thjesht si një riciklim, për të cilën tha se Meta do të bëjë denoncim.

Shehaj, nga komunikimet me gazetarë të ndryshëm thotë se ka spekulime se ata që fshihen pas këtij lajmi mund të jenë çifti Zoto-Mërtiri të cilët janë shpallur në kërkim në lidhje me çështjen e inceneratorëve.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me Metën, cili është versioni juaj?

Brisida Shehaj: Asgjë nuk po ndodh me Metën, kjo është një histori shumë e thjeshtë: Në këto momente na duhet të riciklojmë një lajm sepse edhe pak ditë e ndajnë Ilir Metën nga beteja e cila është thënë po vetë nga ai, publike.

Blendi Fevziu: Kush e riciklon këtë lajm? A keni ndonjë ide ju se aty flitet për një person që thotë me zë të dridhur, që është takuar në prani të avokatëve me gazetarin?

Brisida Shehaj: Ideja është këtu: Po të shikoni këto rastet që shpiken për Metën, gjithmonë del një i kërcënuar me jetë, por asnjë nuk vritet dhe asnjërit nuk i ndodh asgjë dhe është mëse e thjeshtë. Unë nuk dua të spekuloj, por nga komunikimet që kam dhe me gazetarë të ndryshëm, ka një dyshim shumë të qenësishëm që bëhet fjalë për çift Zoto-Mërtiri. Thuhet se janë në Vjenë, kanë fëmijët e regjistruar në një kolegj në Vjenë, jetojnë në një pallat të vëllait të një biznesmeni shqiptar dhe diskutohet se ato kërkojnë azil politik në Vjenë se na kanë vjedhur jo pak por 430 milionë euro. Ideja është kjo, është një histori totalisht riciklim, Meta do të bëjë padi dhe do të jetë publike.

Blendi Fevziu: Pra, ju dyshoni se mund të jenë, thoni nga burime mediatike që mund të jenë përfaqësuesit e inceneratorëve që janë në Vjenë?  

Brisida Shehaj: Mund të jenë ata, por mund të jenë siç mund të përdorë kundërshtari politik në këto shkrimet pa autorë, pa emër, pa një citim. Vendimet e gjykatave në Amerikë janë publike.

Lorenc Vangjeli: Meta e di se kush mund të jetë denoncuesi i tij

Analisti Lorenc Vangjeli e konsideron të dobët shkrimin e gazetës austriake Kronen që bën akuza në adresë të Presidentit Ilir Meta.

Artikulli është pa emër gazetari dhe pa publikim faktesh, e për këtë arsye, Lorenc Vangjeli thotë se Presidenti Ilir Meta mund ta dijë se kush është denoncuesi apo sponsorizuesi i artikullit në fjalë.

Sipas Vangjelit, njësoj si Brisida Shehaj, edhe ai mendon se ky artikull mund të jetë sponsorizuar nga personat e akuzuar për inceneratorët.

“Instikti më thotë që vetë Meta e di se cili mund të jetë denoncuesi i tij. Meqënese po flasim për një histori sa kohë nuk ka në citim të saktë, mund të jetë edhe një thashethem, unë po rrëfej atë që qarkullon në Tiranë, në kafenetë e bllokut, që thotë që është rrethi i njerëzve të dyshuar që mund të ketë bërë këtë rrëfim janë këta”, deklaroi Lorenc Vangjeli.

Rama e hedh në gjyq, Shehaj: Qenka ndjerë i fyer…

Nënkryetarja e LSI Brisida Shehaj në emisionin Opinion në Tv Klan, ka treguar se kryeministri i vendit Edi Rama e ka hedhur në gjyq.

Shehaj ka thënë se mesa duket kryeministri Rama është ndjerë i fyer nga ato që Shehaj ka deklaruar duke shtuar se shpreson që kryeminstri të vijë dhe të përballet me të në seancën gjyqësore.

Brisida Shehaj: Rama shpresoj që të vijë në gjyqin me mua.

Blendi Fevziu: Të ka hedhur në gjyq Rama?

Brisida Shehaj: Po, po. Shpresoj shumë që të vijë personalisht.

Blendi Fevziu: Për çfarë të ka hedhur në gjyq?

Brisida Shehaj: Të ma thonë se nuk ma kanë thënë akoma.

Blendi Fevziu: Rama ty personalisht?

Brisida Shehaj: Po.

Blendi Fevziu: Po ju keni pasur dhe raporte të mira, keni qenë punonjëse e tij.

Brisida Shehaj: Mesa duket qenka ndjerë i fyer dhe nga shpifjet që kam bërë, por unë kam letra për ato që kam thënë dhe shpresoj që të vijë dhe të ia jap letrat në dorë dhe të ia bëj publike.

Blendi Fevziu: Kur e ke gjyqin me Ramën?

Brisida Shehaj: Nuk ka dalë data akoma. Një gjë është e sigurt që Ilir Meta dhe ne nuk do të ndalojmë për inceneratorët./tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:03 17/05/2022