Të ftuar: Erisa Xhixho, Spartak Koka, Paulin Vilajeti, Orjola Pampuri, Erges Eskiu, Enita Mema, Julian Kasapi

Babai i Mateos shpëtoi 16-vjeçaren nga duart e Klodian Çalamanit në 2006-n

Gazetari Spartak Koka ka sjellë detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e vitit 2006, kur autori i vrasjes së Mateo Vasiut, Klodian Çalamani së bashku me xhaxhain e viktimës, dhunuan një 16-vjeçare. Gazetari tha se vajza ngacmohej nga xhaxhai i Mateos, Florian Vasiu, por ajo ka qenë e lidhur.

Në pamundësi për t’u marrë me të dashurin e vajzës, Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani, duke përdorur si karrem motrën e këtij të fundit, kanë futur në shtëpinë e Çalamanit adoleshenten dhe kanë nisur ta dhunojnë. Madje, Çalamani ka tentuar që ta godasë me shishe birre në kokë si edhe ta çajë me xham në pjesën e gjoksit. Por në këtë rast ka qenë babai i Mateos i cili ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur shpëtimin e vajzës.

“Vajza është ngacmuar nga xhaxhai i viktimës, Mateos, në vitin 2006. Ka qenë e lidhur me dikë tjetër dhe i ka dalë par gocës, i kërkonte numrin e telefonit. Ajo i thoshte jam e lidhur, nuk keni punë. I dashuri i  vajzës i ka thënë është e dashura ime dhe ka dashur të godasë xhaxhain e Mateos. Ky i fundit në pamundësi për t’u marrë me të dashurin e vajzës, të nesërmen në bashkëpunim me motrën e Klodian Çalamanit e cila e ka tërhequr, është përdorur si karrem. I ka thënë, “hajde të lutem më ndihmo se dua  të blej disa gjëra tek marketi. Ajo i ka thënë që jam me rroba të papërshtatshme. “Hajde të lutem se e kam urgjente”. Kanë dalë në rrugë dhe motra i ka thënë hajde të shkojmë te shtëpia ime që të marrim shapkat mos të dalësh zbathur. Sapo janë futur tek shtëpia e prisnin brenda xhaxhai Florian Vasiu. Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani futen direkt dhe e godasin me shpulla, e dhunojnë. Minorene vajza. E vendosin në krevatin e mesit të dhomës. Klodian Çalamani në këtë moment merr shishen e birrës dhe tenton ta godasë në kokë. Vajza tregon se ka bërë një ulje instinktive që mos ta dëmtonte. Në këtë moment është një veprim i pashpjegueshëm i Çalamanit, merr copat e xhamit dhe godet veten, fytyrën. I ka thënë vajzës që me këto shenja do të të lë një shenjë tek gjoksi që ta kesh kujtim gjithë jetës nga ne. Pikërisht në këtë moment, babai i Mateos ka ndëhyrë. Ka dëgjuar këtë sherr dhe ka ndërhyrë për ta shpëtuar vajzën. Vajzën e mbante shtrënguar Klodian Çalamani dhe donte ta godiste. Po mos të kishte ndërhyrë babai i Mateos vajza do të ishte vrarë nga xhaxhai i Mateos dhe nga Klodian Çalamani”, tha Koka.  

Për këtë vepër penale Çalamani u dënua me 4 vjet burg. Por gazetari tha se edhe përpara këtij dënimi në 2006-n, 38-vjeçari ka vuajtur dënime të tjera me nga 3 muaj deri në 5 muaj në qeli për vjedhje të rëndomta.

“Rrugica e sekreteve”, gazetari: Drama që lidh disa familje në vendin ku u vra Mateo

Një sërë ngjarjesh kanë ndodhur në rrugicën ku banonte Mateo Vasiu, 8-vjeçari që u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamani. Gazetari Julian Kasapi tha se rrugica në fshatin Grecalli ku ndodhej shtëpia e Mateo Vasiut, xhaxhait të tij, Florian Vasiut dhe shtëpia e Klodian Çalamanit ngjan si “rrugica e sekreteve”.

Dhe gjithçka duket se ka nisur në vitin 2006, kur Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani dhunuan një 16-vjeçare. Gazetari tha se ka marrë në intervistë familjarët e adoleshentes së dhunuar atëherë, të cilët kanë treguar se dyshja kishte tentuar ta përdhunonte.

Por nga ky moment nisin edhe dramat për disa familje me radhë, me xhaxhain e 8-vjeçarit që largohet për të mos u ditur më ku është, Çalamanin që futet në burg dhe 16-vjeçaren që largohet drejt Italisë ku sot ka krijuar familjen e vet, por prapë se prapë ka mbetur me trauma nga ajo ngjarje e rëndë që ka përjetuar.

Dhe drama duket se vijon me rastin e dhimbshëm të martën ku 8-vjeçari u gjet i vdekur në shtëpinë e Çalamanit, ngjarje që ka tronditur tërë opinionin publik.

“Unë pata mundësi të intervistoja familjen Ristani, është nëna e vajzës 16-vjeçare. Shtëpitë e tyre janë ngjitur me familjen Vasiu me familjen e viktimës. Por ngjitur dhe me familjen e Florianit, i cili nuk gjendet se ku është që prej vitit 2006. Nëna e 16-vjeçares në atë kohë, Uranie Ristani, tha sot se vajza jonë u mor, karrem shërbeu motra e Klodian Çalamanit. Vajza u shpëtua nga Ligor Vasiu, babai i viktimës. Kur mbërriti në shtëpi vajza nxirrte shkumë nga goja. Ajo ishte tentuar të përdhunohej. Sipas nënës së 16-vjeçares kishte shenja të dukshme në kurriz.

Aty ka tre drama dhe mund të flasim për 3 familje të shkatërruara ku kemi dhe një familje të katërt. Pikë së pari në atë rrugicë, ajo ngjan si rrugica e sekreteve sepse janë 3 familje njëra pas tjetrës. I pari është Floriani, i cili nuk i hoqi në mënyrë të paligjshme lirinë një 16- vjeçareje, por e mori peng. Ky është një problem tjetër i sistemit të drejtësisë. Floriani u largua dhe burgun e bëri vrasësi. Floriani nuk u gjet asnjëherë dhe madje babai i 16-vjeçares sot akuzoi dhe efektivë të policisë, me emër dhe mbiemër, për të cilët tha se Floriani ka pasur lidhje.

Floriani largohet. Motra e vrasësit detyrohet të largohet. Nga ana tjetër kemi dhe rastin e familjes Vasiu e cila bëhet familja e katërt. Kemi dhe vajzën 16-vjeçare e cila është larguar për në Itali. Pra kemi Florian Vasiu, i cili mori peng së bashku me vrasësin një 16-vjeçare. Florian Vasiu zhduket. Kemi motrën e vrasësit e cila ka ikur për në Maqedoninë e Veriut së bashku me të ëmën. Kemi edhe së fundmi edhe personin tjetër, vajzën 16-vjeçare që ka ikur në drejtim të Italisë. Ajo është mirë, por ka ngelur me trauma”, tha Kasapi.

Zana Avdiu: Regjistër publik për personat e rrezikshëm që të dihet identiteti i tyre

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Zana Avdiu, ka thënë se në Shqipëri është i nevojshëm një regjistër publik për personat që shfaqin rrezikshmëri, sidomos ndaj fëmijëve.

Komentet, aktivistja i bëri pas ngjarjes së rëndë që tronditi tërë opinionin publik ku Mateo Vasiu u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamani.

Blendi Fevziu: A duhen të kenë akses personat për t’u konsultuar me profilet e këtyre personave me rrezikshmëri?

Zana Avdiu: Është një rast që ka tronditur të gjithëve. Më vjen keq që Fieri është bërë lajm për një ngjarje të tillë. Unë Fierin e shoh si një vend të qetësisë, një vend të sigurisë e të paqes. Për shkak se gjatë luftës kur ne jemi përndjekur kemi ardhur në Fier, kemi gjetur qetësinë, sigurinë, dhe paqen. A duhet të bëhet një regjistër i tillë? Duhet të bëhet. Duhet të vendosen emrat e tyre, t’i dimë edhe pas lirimit të tyre se ku do të vendosen, ku do të jetojnë. Cili do të jetë trajtimi i tyre që do ta bëjë shteti dhe pastaj sigurisht edhe shoqëria.

Blendi Fevziu: Është një shkelje e privatësisë së këtyre personave?

Zana Avdiu: Ky është interesi publik. Kur është interesi publik më me rëndësi, duhet të vendosen gjërat në peshore. Nëse kemi të bëjmë me një çështje të sigurisë së përgjithshme, atëherë kjo çështje zbehet. Sigurisht çështja e privatësisë është një çështje shumë e rëndësishme. Por mund ta themi që më shumë është në kushte normale.

Pampuri: Edhe nëse do ishte dënuar me 10 vjet burg, kur të dilte Klodian Çalamani do e përsëriste krimin

Rasti i vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu në fshatin Grecalli të Fierit më 16 Nëntor ka tronditur tërë opinionin publik. Fqinji i tij, Klodian Çalamani, 38-vjeç, e rrëmbeu dhe më pas i mori jetën fëmijës.

Çalamani ishte një person që kishte shfaqur probleme të ndryshme edhe më parë. Në studion e emisionit “Opinion”, psikologia klinike, Oriola Pampuri tha se përdorimi i kanabisit dhe alkoolit, çka dyshohet se i konsumonte Çalamani, janë nxitës të dhunës.

Psikologia tha se shikon një devijancë në sjelljen e tij dhe shkak për këtë mund të jetë e kaluara e 38-vjeçarit. Për shkak të kësaj gjëje ai sillej dhunshëm me dy kategori, fëmijët dhe të moshuarit.

Por sipas Pampurit, Çalamani, edhe nëse do të ishte dënuar më gjatë nga rasti i vitit 2006 ku dhunoi një adoleshente, përsëri do të lirohej dhe do të kryente krim. Kjo sepse sipas saj nuk kanë funksionuar institucionet që duhet të merren me rehabilitimin e tij.

“Unë shikoj një devijancë në sjellje dhe si faktorë mund të jenë edhe problemet e shëndetit mendor të nxitura nga përdorimi i narkotikëve dhe alkoolit, por dua të citoj diçka tjetër. Ne sot duhet të kishim një analizë, një raport psikologjik që duhej bërë gjatë dënimit në burg. Është folur sot gjatë, edhe nëse do të ishte dënuar 7 vjet, 8 vjet, 10 vjet, prapë  do të dilte, ai do ta përsëriste. Pse? Sepse nuk ka funksionuar institucioni brenda”, tha Pampuri.

Më tej psikologia shtoi se “nuk dua ta justifikoj, një rasti i tillë nuk e përjashtoj që të ketë një problem të shëndetit mendor, i nxitur nga përdorimi i narkotikëve dhe i alkoolit”./tvklan.al