Shembja e teatrit, Veliaj: Një pjesë e ambasadorëve më kanë kërkuar ndjesë

Një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha në “Opinion”, në Tv Klan, se disa prej ambasadorëve i kishin kërkuar ndjesë për komentet e tyre.

Blendi Fevziu: Për dhunën thatë nuk jam drejtor i policisë dhe nuk më takon mua ta komentoj, por e komentuan të gjithë ndërkombëtarët, që nga ambasadori i BE, këshilli i Europës, ambasadori gjerman në Tiranë, që thanë se dhuna ishte e papranueshme, thanë ne sugjeruam dialog mes shoqërisë civile dhe shtetit dhe ky dialog nuk u bë. Tani ju thoni se godina nuk restaurohej, ndërkohë Europa Nostra zyrtarisht ka thënë se është e gatshme të financojë një pjesë të konsiderueshme të restaurimit të Teatrit Kombëtar. Pse mos t’i merrnim këto lekë nga Europa dhe ta restauronim?

Erion Veliaj: Ajo që jam duke thënë është se Instituti i Ndërtimit jep këtë rekomandim, në Shkollën Sami Frashëri bëmë të njëjtën gjë dhe askush nuk bëri këtë krahasim. Në raste të ngjashme është vepruar po njësoj dhe është kërkuar ndihma e policisë. Me komunitetin ndërkombëtar, meqë ju përmendët s’ka pasur dialog, kjo është e pavërtetë, ta korrigjova, është e pavërtetë, ka pasur 12 seanca…

Blendi Fevziu: Ju citova komunitetin ndërkombëtar, nuk e verifikova…

Erion Veliaj: Sigurisht dhe jua shpjegova, një pjesë e tyre janë ambasadorë të rinj, një pjesë e tyre më kanë kërkuar edhe ndjesë pasi ju çova evidencën se vetëm tek dy hotele në Tiranë, Tirana dhe Plaza…

Blendi Fevziu: Më thoni një ndërkombëtar që e ka përshëndetur…

Erion Veliaj: Sigurisht që optika  e diçkaje që bie, që rrënohet…Ajo që jam duke ju thënë është se pasi u informuan, shumica e ndërkombëtarëve, që kryetari i bashkisë para se të fillonin detyrën si ambasadorë kishte qenë 12 herë në 12 seanca, ishte tërhequr nga kulla mbi teatër, nga bashkëpunimi me privatin, atëherë me të drejtë thanë epo u paske dalë borxhit. Jemi në një situatë ku të gjithë janë sqaruar për dialogun që ka ekzistuar si kurrë më parë.

Shembja e teatrit, Veliaj: Presidenti bëri hile me padinë në Gjykatën Kushtetuese

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është një çështje që ka krijuar debat publik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka sqaruar se për prishjen e godinës nuk u organizua referendum pasi nuk ka patur asnjë kërkesë të tillë.

Sa i përket padive të Presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, Veliaj u shpreh se padia duhet të ishte bërë në Gjykatën Administrative.

Blendi Fevziu: Pse nuk e futët në referendum këtë çështje?

Erion Veliaj: Nuk pati asnjë kërkesë për referendum!

Blendi Fevziu: Pse nuk pritët Gjykatën Kushtetuese?

Eroin Veliaj: Presidenti këtu ka bërë një hile se ky është akt administrativ që çohet në Gjykatën Administrative. Ka vajtur në vendin e gabuar për të bërë një hile. Ky urdhri që nuk e ka Teatrin Kombëtar në zonat e mbrojura është firmosur nga vetë Bujar Leskaj. Sot si kryetar i KLSH ai thotë rekomandoj, do të thotë që nuk ka fuqi vendimmarrëse. Vajti Presidenti bëri një hile ndaj atyre të vetëve se mua nuk ma hedh njeri.

Blendi Fevziu: Pse nuk bëtë mbledhje të hapur?

Erion Veliaj: Sepse të gjitha mbledhjet gjatë aktit normativ janë bërë online.

Blendi Fevziu: Ishit për ta shembur godinën?

Erion Veliaj: Kam qenë gjithmonë për një godinë serioze, moderne që mos shkohet me batanije në dimër. 

A ndjeve pendesë pas prishjes së teatrit? Si përgjigjet Veliaj

Shembja e Teatrit Kombëtar është një nga çështjet më të diskutuara këto dy ditët e fundit. Artistët dhe opozita e kanë konsideruar si një pabesi shkatërrimin e godinës në orët e para të mëngjesit së të dielës dhe për këtë kanë akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka treguar gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se pse u vendos që prishja e godinës të kryhej rreth orës 4:30.

Sipas Veliajt, u vendos që të respektohej vendimi i shumicës duke prekur më pak pakicën. Në këtë mënyrë, sipas kryebashkiakut konfrontimi do të ishte edhe më i vogël.

Pyetjes pse prishja u bë në një kohë pandemie, Veliaj iu përgjigj se bashkia nuk ka ndaluar së bëri punë publike edhe gjatë kësaj periudhe.

Veliaj iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu nëse ndjente pendesë pas prishjes dhe tha se “nëse 100 herë duhej ta merrja këtë vendim, 100 herë do ta merrja”.

Blendi Fevziu: Pse e prishët në 4 të mëngjesit? Në godinë ka pasur njerëz.

Erion Veliaj: Së pari u prish në të gdhirë sepse donim që ky vendim i shumicës të respektohej duke prekur sa më pak pakicën. Duke qenë se ishte një orë me më pak njerëz që mund të konfrontoheshin ishte më e mirë.

Blendi Fevziu: Nuk është sjellje pak prej skuthësh kjo? Mund të shkohej në ames të qytetit dhe t’ia bëje të ditur qytetit?

Erion Veliaj: Nuk pranoj të fyej njeri se unë shkoj në mes të natës të kontrolloj ujësjellësat. Bashkia e Tiranës punon 24 orë. T’i thuash Bashkisë së Tiranës merre pushim! Pse?

Blendi Fevziu: Sepse ishte pandemi.

Erion Veliaj: Për ndërtime, për punë publike nuk ka pasur asnjë ndalim. Në momentin që ka pak njerëz konfrontimi është shumë më i vogël.

Blendi Fevziu: Tani që është prishur ndjeni pendesë?

Erion Veliaj: 100 herë kam 24 orë mund të kem marrë mijër mallkime, të vdektë djali, kjo është pjesë e shoqërisë. Qartazi tregon se njerëzit e prekur këtu nuk kanë lidhje me teatrin.

Blendi Fevziu: Nuk ka vend të viktimizohesh. Të gjithë marrin mesazhe të tilla.

Erion Veliaj: Po të them tjetër gjë. Të gjitha këto mesazhe që thjesht vërteton që ata nuk kanë lidhje me teatrin, nëse 100 herë duhet ta merrja këtë vendim, 100 herë do ta merrja.

Regjisori Budina: Ne po e përdorim opozitën

Regjisori Edmond Budina ka qenë një prej personave më aktivë në mbrojtje të teatrit kombëtar gjatë këtyre dy viteve.

Ai ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku foli rreth shembjes së Teatrit Kombëtar.

Budina iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu nëse artistët po përdoren nga opozita dhe tha se po ndodh e kundërta.

“Ne po e përdorim opozitën. Këtë e them me bindje absolute. Ne nuk ia kemi hequr të drejtën askujt. Aty kishte edhe Vetëvendosje, Thurje. Ne kemi ftuar dhe socialistë. Një nga socialistët është Arben Malaj. Ne nuk ia privojmë të drejtën askujt, por duhet të bëhemi të gjithë sëbashku për të mbrojtur kulturën shqiptare, trashëgiminë shqiptare, për të mbrojtur këtë të keqe që na ka zënë”, tha Budina.  

Budina i kthen përgjigje Edi Ramës

Regjisori i njohur u përgjigj edhe për deklaratën e Ramës disa ditë më parë për vetë Edmond Budinën.

Sipas regjisorit, nëse godina ka qenë e rrezikshme më parë, atëherë Kryeministri ka rrezikuar jetët e artistëve pasi i ka lejuar të futen aty deri para 1 viti.

“Është një përdorim i turpshëm që bën kryeministri duke vënë balancë se kush është më i talentuar, më i mirë dhe kush janë më të këqij. Lista që kanë nxjerrë ata është shumë herë më e vogël se e jona. Por kjo nuk do të thotë asgjë. nuk vihen në kandar talentet e njërit dhe tjetrit. Ç’janë këto budallallëqe që të fusni njerëzit në grindje me njëri-tjetrin. Pastaj cila është shpifja ime? PD nuk është partia ime. Përkundrazi ke rrezikuar jetën e njerëzve kur thua që është e rrezikshme, kanë vazhduar shfaqjet për një vit e gjysmë po në atë teatër. Si e ke lejuar zoti Kryeministër që ata njerëz të futen? Duhet të shkoni në gjyq për atë gjë që keni bërë atje”.

Si do të vazhdojë aksioni i artistëve?

Budina u shpreh se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do ta vazhdojë kauzën e saj me protesta. Ai tha se ata nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve.  

“Ne do të vazhdojmë me protesta. Nuk do ta lejojmë piunimet, do të vzhdojmë me protesta deri në fund”, tha Budina./tvklan.al